Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Kompanisë që iu anulua dhënia e kontratës nga OShP, iu dha kontrata përmes koutimit

Pas raportimit në KALLXO.com, lidhur me pretendimet dhe dyshimet për tenderin për furnizim me pelet të Komunës Mitrovicë e Jugut, për nevoja të institucioneve komunale, KALLXO.com gjeti se përkundër se OShP kishte anuluar komplet tenderin paraprak ku ishte rekomanduar për kontratë grupi i operatorëve ekonomik “Donito shpk  NPT Mali”, komuna shpërblen me kontratë të njëjtën kompani në tenderin pasues me koutim për pelet me kritere te reduktuara .

Në muajin shtator të vitit 2020, Komuna e Mitrovicës së Jugut, inicioi aktivitetin e prokurimit për t’u furnizuar me pelet.

“Furnizim me pelet për institucionet komunale për vitin 2020-2021-2022-2023”, thuhej në njoftimin e datës  11 shator 2020.

Për këtë tender,  Komuna kishte parashikuar kontratë në vlerë deri 30 mijë euro.

Përmes këtij tenderi, Komuna kishte paraparë të furnizohej me 150 tonë pelet.

Mirëpo ky tender, anulohet në fund të muajit shtator pasi qe arsyeja që çoi në anulimin e këtij tenderi ishte mungesa e ofertave.

“Arsyeja e anulimit të tenderi në herën e parë, me numër të prokurimit 642/20/4116/1-2-1 siç mund të verifikohet edhe në e-platformën elektronike është anuluar sepse në hapjen publike të ofertave nuk ka ofertuar asnjë O.E, kjo shihet qartë në procesverbalin e hapjes dhe vendimit të AK për anulimin e procedurës së prokurimit të datës 29/09/2020 në platformën elektronike”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërsa për pretendimet për vendosje të ISO standardeve në tenderin e dytë apo ritenderimit, Haxhimet Ferati nga Zyra e prokurimit të Komunës sqaron se kushtet [kriteret] për ISO standarde në procedurën e dytë nuk janë shtuar por vetëm janë përshkruar si në tenderin e parë, ndërsa nuk tregohet se a janë ekuivalente me produktin.

Ndryshe nga ajo çka thuhet nga Komuna e Mitrovicës në përgjigjen e tyre, KALLXO.com gjeti se kriteret për ISO standarde që komuna kishte aplikuar në ri-tenderim “Furnizim me pelet për institucionet komunale”, njoftimi për kontratë i të cilit ishte përgatitur me datë 15 tetor 2020 dhe publikuar në “e-prokurim” një ditë pas, nuk figuronin në tenderin paraprak

Lidhur me anulimin e operatorin ekonomik “Interplast Group”, i cili më pas parashtron kërkesë për rishqyrtim, nga Komuna thonë se ka qenë me çmimin e dytë më të ulët dhe nuk e ka prezantuar sigurimin e tenderit, madje përmendet baza ligjore për refuzim.

Sipas komunës, OE në fjalë ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim me datë 20/11/2020 në ora 17.57 që është edhe kërkesë e pasafatshme duke u bazuar në nenin 5 kalkulimi i afateve pika 1 dhe 2 të këtij neni citoj: “afatet kohore të këtij ligji duhet të fillojnë në ditë pune dhe të përfundojnë në ditë pune, afati kohor shkon deri në 16:00:00 në ditën e skadimit”.

“Në bazë të nenit 108A Zgjidhja preliminare e mosmarrëveshjeve pika 8.1 e këtij tenderi dhe Rregullave për paraqitjen e kërkesës për rishqyrtim A.K Zyra e Prokurimit i kthen përgjigjen në kërkesën për Rishqyrtim me datë 23/11/2020 dhe refuzohet kërkesa e për rishqyrtim duke llogaritë se OE nuk ka prezantuar sigurimin e tenderit dhe kërkesa ka qenë e pasafatshme”, thuhet në përgjigje.

Më tej nga tregohet se ankuesi iu është drejtuar OShP dhe për çudi OShP ka vendosur që lënda të anulohet tenderi në tërësi dhe e kemi zbatuar vendimin

“Peleti” shkoi edhe në OShP

Me qëllim të furnizimit me pelet, për nevoja të institucioneve komunale, me datën 15 tetor 2020, inicioi tjetër aktivitet të prokurimit.

Pas përgatitjes së njoftimit, komuna me 16 tetor 2020, publikoi thirrjen për kontratë “Furnizim me pelet për institucionet komunale”.

Kjo ri-iniciativë e komunës, përfundoi në “gjykatën e tenderëve”, pasi që operatori ekonomik “Interplast Group” Sh.P.K , u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kundër njoftimit për dhënie të kontratës ku ishte rekomanduar për kontratë operatori ekonomik “Donito shpk  NPT Mali”, si dhe kundër arsyetimit të anulimit të cilët autoriteti kontraktues e kishte potencuar mungesën e dokumentacionit  si certifikatat e përshtatshmërisë profesionale ISO, EN dhe OHSAS sipas kërkesës së dosjes së tenderit dhe mungesën e specifikacionit i kërkuar sipas aneksi 1të dosje së tenderit.

Ankuesi kishte ngritur pretendim edhe kundrejt operatorit ekonomik të rekomanduar për dhënie të kontratës

“Operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nuk i ka prezantuar të gjitha certifikatat e aplikuara në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë, përkatësisht certifikata  OHSAS është kërkuar 18001:2017, është prezantuar 18001:2007, dhe pa validitet dhe për veprimtari në  inventarit shkollor”, përmenden pretendimet e ngritura nga ankuesi.

Në anën tjetër, mendimi i ekspertit shqyrtues ishte që ankesa e “Interplast Group” Sh.P.K të merret pjesërisht e bazuar dhe lënda të kthehej në ritenderim. Me mendimin e ekspertit ishte pajtuar komuna por jo edhe kompania ankuese.

Paneli Shqyrtues e anuloi aktivitetin e prokurimit

“Paneli Shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore, të OE ankues, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues, vjen në përfundim të se autoriteti kontraktues në dosjen e tenderit nuk i ka harmonizuar kërkesat me dëshmi dokumentare si dhe kërkesat tjera për referenca nuk janë proporcionale me aktivitetin e prokurimit. Andaj në bazë të nenin 62 të LPP-së, anulohet ky aktivitet i prokurimit, dhe nëse AK ka interes që të njëjtin ta ritenderoj obligohet që të aplikoj kërkesa reale dhe proporcionale me aktivitetin e prokurimit, siç parashihet me dispozitat e LPP-së, të harmonizohet kërkesa me dëshmi dokumentare, të përcaktoj veprimtarinë e ISO standarde dhe të jepet qasje reale sipas nenit 10të LPP-së”, thuhet në vendim.

Institucionet komunale mbesin pa nxemje, peleti blihet me koutim

Meqenëse procedura e mëparshme shkoi në OShP dhe u anulua, mbetja e disa  shkollave dhe institucioneve tjera komunal pa ngrohje qendrore, bëri që komuna të  publikoi thirrjen për kontratë të premten e datës 11 dhjetor 2020.

“Të bëhet publikimi i lëndës për arsye se kanë mbet pa ngrohje disa shkolla dhe procedura e mëparshme është në OSHP”, thuhej në informacionet shtesë të njoftimit për kontratë të komunës.

Ndonëse ishte ditë e premte kur komuna e kishte hapur njoftimin për kontratë, afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte menjëherë të hënën e datës 14 dhjetor 2020, pra pas dy ditëve të vikendit.

Në përgjigje për KALLXO.com, nga Zyra e prokurimit, Haxhimet Ferati thotë se kanë qenë të detyruar për shkak të nevojës për lëndë djegëse.

“Ne kemi qenë të obliguar sipas vendimit të OShP-së, por duke llogaritur se disa institucione shkollore kanë si lëndë djegëse peletin ashtu edhe QKMF dhe brigada e zjarrfikësve kemi rënë në pozitë të palakmueshme, d.m.th. jemi në mes të dy zjarreve në njërën anë duhet të zbatohet ligji LPP-së, e në anën tjetër institucionet mbesin pa lëndë djegëse, ne kemi qenë të detyruar për shkak të presioneve nga këto institucione edhe për shkak të sezonës së dimrit ta publikojmë Njoftimin për kontratë për procedurë të hapur –koutim çmimi vetëm e vetëm për shkak të afateve të shkurta kohore”, thotë Ferati.

Ai më tej shtoi se kjo procedura e koutimit të çmimit është e hapur dhe mund të konkurroj çdo operator ekonomik vetëm afatet e ofertave janë të shkurta për shkak të fundit të vitit fiskal, ndërsa thotë se janë reduktuar edhe kriteret për lehtësim që të konkurrojnë më shumë operatorë ekonomik.

Në kërkesat te përshtatshmëria profesionale, të njoftimit për kontratë, vërehet se komuna nuk kishte apliku edhe kërkesat për certifikata, ISO, EN dhe OHSAS. Siç kishte vepruar në njoftimin për kontratë të tenderit paraprak për pelet të datës 16 tetor 2020.

Sipas Haxhimet Feratit, në hapjen publike të ofertave ka konkurruar vetëm një operator ekonomik, i përgjegjshëm për kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë.

Me datën 22 dhjetor 2020, në platformën elektronik të prokurimit “e-prokurimi”, komuna publikoi njoftimi për dhënie të kontratës, ku bëri të ditur se kontrata iu është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “DONITO SH.P.K.; N.P.T. MALI-I”.

Komuna shpërblen me kontratë pikërisht kompaninë kundrejt së cilës ishte deponuar ankesë në OShP në tenderin paraprak, dhe OShP kishte anuluar njoftimin për dhënie kontratë kompanisë në fjalë duke anuluar kështu tërë aktivitetin e prokurimit dhe nëse AK ka interes mund ta ri-tenderonte.

KALLXO.com përmes numrit kontaktues në “e-prokurimi”, ka kontaktuar edhe me kompaninë fituese të këtij tenderi “Donito shpk  NPT Mali”. Nga kompania është konfirmu se është nënshkruar një kontratë në vlerë 9,900 euro në  muajin dhjetor të vitit të kaluar,

Faruk Beqiri përmes telefoni ka thënë se me datë 22 dhjetor është nënshkruar kontrata, është dorëzu malli, faturat, janë kry pagesat, gjithçka është kryer në procedurë ashtu qysh është kërkuar.

Ndërsa për afatin e shkurt të komunës nga njoftimi për kontratë dhe dorëzimi i tenderit, Beqiri jep versionin e tij.

“Unë veç e di që ka qenë gjithçka kohë e shkurtë, për arsye se ka qenë fundi i vitit, gjithçka ka qenë në procedura të shpejta. Na edhe kur e kemi dorëzu mallin e këna pas një lloj kushti që na e këna nënshkru kontratën me 22 dhjetor dhe e këna pas si kusht me çu brenda tri dite me dorëzu komplet peletin, kontratë ka shkruar 30 ditë po neve na kanë thanë që duhet para datës 25 për arsye se shkollat janë mbet pa pelet a ku ta dijë unë”, thotë Beqiri për KALLXO.com.

Tutje Beqiri thotë se të gjitha dokumentet që i këna dorëzu, që janë pranu dokumentet, të gjitha janë origjinal dhe rrimë pas tyre.

Lidhur me certifikata kërkuara për produktin, nga kompania fituese e tenderit thonë se  kushtet i qet komuna.

“Kushtet i qesin ata nuk i qesim na, ndoshta i këna dorëzu naj dokument shtesë që e këna pas na. E kem komplet dosjen edhe e dërgojnë aty, ato cilat janë që i kërkon institucioni i merr ato cilat nuk i kërkon mundet me i anulu na edhe në shumë raste dërgojmë dokumente më shumë shtesë se sa që i kërkon institucioni”, tregon Beqiri.

Kallxo.com, ka provuar të mësoj më shumë lidhur me këtë tender nga kompania ankuese, mirëpo nga kompania thonë se janë ankuar sipas ligjit në OShP-në dhe nuk kanë dashur të flasin më shumë lidhur me çështjet tjera më vonshme.

Për KALLXO.com, Haxhimet Ferati nga zyra e prokurimit në Komunë thotë se më tenderin e ri janë furnizuar me 41 tonë pelet.

“Janë furnizuar 41 tonë pelet për institucionet shkollore, QKMF-të  dhe brigadën e zjarrfikëseve për nevojat e domosdoshme për fundin e viti fiskal 2020 dhe sezonin e dimrit, dhe në vitin 2021 pas alokimit të mjeteve për vitin fiskal vijues do të shpallet tenderi kontratë kornizë për 36 muaj për furnizim me pelet”, thotë ai.