Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti | Foto: Komuna e Prishtinës

Kompania e lidhur me Devollët fiton tenderin për furnizim me qumësht në komunën e Shpend Ahmetit

Nxënësit e shkollave të Prishtinës do të vazhdojnë të furnizohen me qumësht nga Devollët. Përderisa në vitet e kaluara këto shkolla janë furnizuar nga “Devolli Group” me pronar Blerim Devollin, këtë vit ata do të furnizohen nga kompania “Abrazen L.L.C”, e cila është e lidhur me Devollët.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në vitin 2017 e kishte pranuar se janë takuar me Blerim Devollin në jahtin e tij në Mal të Zi.

Kontrata për “Furnizim me qumësht” është nënshkruar më 2 tetor mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Abrazen L.L.C”. Përderisa vlera e kësaj kontrate është 288 mijë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Ernest Jusufi është anëtar i bordit te kompania “Abrazen L.L.C” ndërsa është drejtor dhe person i autorizuar te “Devolli Group” në pronësi të Blerim Devollit. Po ashtu, në kuadër të kompanisë “Abrazen L.L.C” figuron edhe Qumështorja Vita.

Pronar i kompanisë “Abrazen L.L.C” është “Abrazen L.T.D” e cila posedon 100 për qind të aksioneve dhe një kapital prej 6.6 milionë eurove. “Abrazen L.T.D” është regjistruar në Maltë më 20 shkurt të vitit 2014. Edhe te kjo kompani, njëri prej drejtorëve të regjistruar është Ernest Jusufi.

“Abrazen L.L.C” ka qenë e vetmja kompani që ka ofertuar për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave të Prishtinës dhe është shpërblyer me kontratë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, “Abrazen L.L.C” do t’i furnizojë shkollat e Prishtinës me 1,440,000 copë të qumështit në sasi prej 250 mililitrave.

Kjo nuk është hera e parë që kompania e lidhur me Devollët, “Abrazen L.L.C” e ka fituar tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave të Prishtinës brenda këtij viti.

Në muajin maj të këtij viti, Komuna e Prishtinës e kishte shpërblyer të njëjtën kompani me tender për furnizim me qumësht për klasat e ulëta të shkollave të Prishtinës.

“Abrazen L.L.C” kishte qenë i vetmi ofertues edhe në tenderin e muajit maj. Kjo kompani ka dalë fituese duke mos pasur asnjë konkurrent në një procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 337 mijë euro dhe kishte një kohëzgjatje prej 6 muajve.

Edhe në fillim të vitit 2018, kompania “Abrazen L.L.C” kishte marrë kontratë për furnizim me qumësht të nxënësve të shkollave të Prishtinës. Njëjtë si në dy tenderët e vitit 2019, “Abrazen L.L.C” kishte qenë i vetmi ofertues edhe në këtë tender për të cilën është nënshkruar kontratë në janar të vitit 2018.

Kontrata me të cilën ishte shpërblyer kompania e lidhur me Devollët kishte vlerë më të lartë se sa vlera të cilën e kishte parashikuar Komuna e Prishtinës. Vlera e parashikuar ishte 730 mijë euro ndërsa kontrata e cila është nënshkruar kishte vlerën 733.698 euro.

Në muajin janar për këtë tender, Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Kallëzimin penal e paraqesim për keqpërdorim të mbi 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për klasat 1 deri në 5 në komunën e Prishtinës”, tha Valdrin Ahmeti nga LVV.

Sipas Ahmetit, “Devolli Group” para vitit 2018 kishte fituar të njëjtin tender, për të njëjtën sasi të qumështit por me çmim shumë më të ulët, në vlerë 200 mijë euro.

“Kjo pasi që në vitin e kaluar tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa këtë vit me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtar të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, kishte deklaruar Ahmeti në fillim të vitit 2018 kur kishte dorëzuar kallëzimin penal.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti kishte reaguar pas akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje, për tenderin me qumështin e shujtave, për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën.

Në pyetjen e KALLXO.COM, se si i komenton këto akuza, i pari i Prishtinës kishte kthyer përgjigje shkurtimisht, ‘’Me padi për shpifje’’.

Nxënësit e Komunës së Prishtinës nuk janë furnizuar që nga fillimi i vitit shkollor 2019/2020 me qumësht, për shkak të vonesave me tender.

Ata janë ushqyer me kifle por jo edhe me qumësht ashtu siç bëhet zakonisht. Tenderi për furnizim me kifle është nënshkruar më 17 shtator me kompaninë “Premium Bakery” në vlerë 214.272 euro. Tenderi për furnizim me qumësht është nënshkruar disa ditë më vonë, më 2 tetor.