Këshilli Shtetëror i Cilësisë kërkon 'zëvendësimin e menjëhershëm' të UD Drejtores së AKA-së
Agjencia Kosovare e Akreditimit që është pëdrgjegjëse për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë po përballet me probleme të brendshme të funksionimit pak kohë pas prurjeve të reja në menaxhmentin e saj.
Një muaj pas marrjes së pozitës së Ushtrueses së Detyrës si Drejtoreshë e AKA-së, Shyhrete Reçica ka shkaktuar pakënaqësi te Këshilli Shtetëror i Cilësisë të cilët ndër tjerash po e akuzon për ndërhyrje në kompentencat ekzekutive të KSHC-së për akreditimin apo mosakreditimin e programeve dhe institucioneve të arsimit të lartë e deri te bllokimi i pagave për ta në muajt e fundit.
Në një shkresë të siguruar nga KALLXO.com, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i është drejtuar Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi me kërkesë për zëvendësimin e Reçicës nga kjo pozitë pasi sipas tyre “bashkëpunimi mes U.D. drejtoreshës së AKA-së dhe KSHC-së, në këto rrethana është i pamundur”.
Reçica që u emërua në si U.D. në krye të AKA-së më 14 qershor të këtij viti, më parë kishte punuar si inspektore e arsimit në MAShT.
Në shkresën që KSHC ka dorëzuar në Ministri, të cilën KALLXO.com e ka parë, ata listojnë një varg ndodhish dhe dokumente që sipas tyre përbëjnë sabotim dhe pengesë të punës së këshillit dhe ushtrim presioni.
Në këtë shkresë KSHC, i udhëhequr na Prof. Gazmend Luboteni, aludon se që nga marrja e detyrës Reçica kishte filluar dërgimin e shkresave sugjestive për çështje që përshijnë kujdesin nga proceset gjyqësore ku mund të përfshihet AKA-ja.
“Me marrjen e detyrës z. Shyhrete Reçica, me dt. 25. 06. 2018 i drejtohet me shkresë në gjuhën angleze, ku në mënyrë të pakuptimtë dhe agresive sugjeron kujdes, se AKA paska humbur çështje gjygjësore për shkak të vendimeve të AKA-së, si dhe pritet të ketë dënime tjera për shkak të këtyre vendimeve,” thuhet në shkresë.
“Ndërsa, me dt. 28. 06. 2018 kemi pasur takimin e parë me z. Reçica, të cilës i është bërë e qartë se KSHC-së udhëheqë dhe përfaqëson AKA sipas Ligjit, e po ashtu i theksuam se KSHC-së synon dhe punon në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë sipas standardeve dhe dispozitave ligjore, e nuk mbron interesave të asnjë subjekti të caktuar. Gjithashtu të njëjtës i është bë e qartë se AKA-është institucion i pavarur, ndërsa anëtarët e KSHC-së i raportojnë Kuvendit, prej nga edhe buron mandati pas ratifikimit”, thuhet në shkresën e KSHC-së.
Çështja tjetër që e ka shqetësuar këshillin është vlerësimi që Reçica sipas tyre i ka bërë punës së KSHC-së jashtë kompetencave.
“Vetëm një javë pas takimit, përkatësisht me dt. 06. 07. 2018, e njëjta dërgon raport pune të anëtarët e KSHC-së, e të cilin i ka drejtuar edhe Ministrit të MASHT-it, por shqetësimi në këtë raport është se zj. Reçica jashtë kompetencave të saj vlerëson ritmin e punës së KSHC-së,” thuhet në shkresë, e cila vazhdon për të shpjeguar se pas një kërkese të Kryetarit të KSHC-së për të shtyrë një takim me anëtarët e Këshillit nga data 17 korrik për 20 korrik, Reçica “reagon jashtë çdo kompetence, në mënyrë kërcënuese e shantazhi ndaj KSHC-së, për këtë propozim”, thuhet në dokument.
Sipas anëtarëve të KSHC-së, UD Drejtoresha e AKA-së nëpërmjet një letre kishte njoftuar se “ka kërkuar auditim të përgjithshëm për vendimet e KSHC nga mbledhjet e muajt qershor dhe shator të vitit 2017 dhe maj e qershor të viti 2018 sepse ka shkelje procedurale në kundërshtim me UA 9/2017”.
Në shkresën e lartëpërmendur, KSHC reagon ndaj kësaj kërkese duke thënë se për vendimet e tyre janë të gatshëm të përgjigjen edhe para prokurorisë.
“Këtë kërkesë e njëjta e bënë pa asnjë njoftim apo paraqitje të fakteve për këtë gjë edhe më keq ajo nuk e din se vendimet e qershorit dhe shtatorit të vitit 2017 janë marrë në bazë të UA 20/2016 nga ish-anëtarët e KSHC-së, ndërsa në mbledhjen e 10. 05. 2018 KSHC-së aktual ka marr vendim për nënshkrimin e vendimeve të mëhershme, si dhe vazhdimin për një vit të akreditimi për institucionet e arsimit të lartë dhe programet valide të studimit valide. Ndërsa, vetëm në mbledhjen e 11. 06. 2018, bordi ka marr vendime në bazë të UA 9/2017. Për më tepër, KSHC-së është i gatshëm edhe për hetime nga prokuroria si për punën e KSHC-së e po ashtu edhe procedimin e të gjitha rasteve të shkeljeve ligjore nga IAL dhe personelit të tyre.”, thuhet në shkresën e KSHC-së.
Ata po ashtu thanë se Reçica ka bllokuar pagesat e anëtarëve të KSHC-së për tremujorin e kaluar.
Në fund ata i komunikojnë ministrit Bytyçi se nuk mund të pranojnë një ambient pune të tillë.
“KSHC-së kupton arsyen, natyrën, nevojën e koordinimit dhe konsultimit me drejtorin dhe stafin e AKA-së. KSHC-së synon bashkëpunim me profesionalizëm dhe respekt dhe nuk mund të pranoj dhe toleroj një ambient pune jo profesional, agresiv dhe shantazhues. Komunikimi agresiv dhe sabotues i U.D. drejtoreshës së AKA-së cenon integritetin njerëzor, profesional dhe akademik të KSHC-së…kërkojmë zëvendësimin e menjëhershëm të saj, sepse bashkëpunimi mes U.D. drejtoreshës së AKA-së dhe KSHC-së, në këto rrethana është i pamundur”, përfundon shkresa.
Ky shkarkim ndikoi që Agjencia e Kosovës për Akreditim të përjashtohet nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
https://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/