Pal Lekaj

Këshilli gjeti shkelje në vendimin e Pal Lekajt për emërim e Betim Reçicës U.D. Sekretar

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil, Ministrisë së Infrastrukturës e cila drejtohet nga ministri Pal Lekaj.

Vendimi i KPMShC-së për të cilin Ministria e Infrastrukturës kishte kërkuar në Gjykatë shtyrjen e ekzekutimit ka të bëjë me emërimin e Betim Reçicës në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MI.

KPMShC, pas ankesës së ish-Ushtruesit të Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MI, Nebih Shatri, e kishte shfuqizuar vendimin e ministrit Lekaj, të datës 11 nëntor të vitit të kaluar me të cilin Betim Reçica ishte caktuar Ushtrues Detyre në pozitën ‘Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës’.

Vendimin e Pal Lekajt, kolegji i KPMShC-së në përbërje të anëtarëve Lela Petkoviç, kryetare, Malsore Gashi-Bajraktari dhe Eshref Shabani anëtarë, si dhe Rushit Kajtazi, zyrtar i lartë për bashkëpunim profesional e kishin shfuqizuar me arsyetimin se ishte i parregullt dhe në kundërshtim me procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

“Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës ka vepruar në kundërshtim me procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, ku përcaktohet se: Titullarët e institucioneve duhet të emëroj si ushtrues detyre të ndonjë pozitë të lartë drejtuese, vartësin e parë më të ulët apo kur ka disa vartës të rangut të njëjte, atëherë zyrtarin i cili zakonisht në pozitë të lartë drejtues gjasë të mungesave të shkurtra, thuhet në arsyetimin e këtij kolegji.

Vendimi i Gjykatës rrëzon kërkesën e Ministrisë së drejtuar nga Pal Lekaj

Më 14 janar të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës e drejtuar nga ministri Pal Lekaj, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës, vendim i cili obligon Ministrinë që ta shfuqizojë vendimin për emërimin e Betim Reçicës si ushtrues detyre në pozitën  ‘Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës’.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditëses, Ministria e Infrastrukturës nga, Prishtina, me të cilën ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga Prishtina në vendosjen e çështjes sipas padisë”, thuhet në aktvendimin e kësaj gjykate.

 

Ministri Pal Lekaj nuk e përfill vendimin e KPMShC-së

Mirëpo, pavarësisht vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe vendimit Gjykatës Themelore në Prishtinë ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj vazhdon ta mbajë Betim Reçicën si Ushtrues Detyre në pozitën ‘Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës’.

Kështu ka bërë të ditur Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të ministrit Pal Lekaj.

“Është çështje në proces, sekretari Reçica UD vazhdon detyrën, po ashtu edhe procesi i rekrutimit është duke vazhduar për përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm. Sa i përket vendimit të KPMSHC, lëndën e kemi dërguar në Gjykatën Kompetente për shqyrtim të saj, dhe në të njëjtën kohë i kemi kërkuar KPMShC-së rishikimin e vendimit, sepse ne jemi ne dijeni se ky organ që nga mesi i dhjetorit te vitit 2018 është pa kuorum”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Vendimi i KPMShC-së: Ankuesit i janë cenuar të drejtat nga marrëdhënia e punës

Vendimi i KPMShC-së thekson se gjatë shqyrtimit të ankesave kolegji kishte konstatuar se ankuesit Nebih Shatrit i janë cenuar të drejtat nga marrëdhënia e punës.

“Nebih Shatrit ju kanë cenuar të drejtat nga marrëdhënia e punës, sepse aktualisht ka pozitën e drejtorit të departamentit dhe rrjedhimisht në pajtim me procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese ka mundur të jetë një ndër personat që ka mundur të caktohet ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm prandaj ministri i Infrastrukturës ka qenë i obliguar që të caktoj ushtrues detyre ndonjërin nëpunës civil të rangut të drejtorit të departamentit”, thuhet tutje në arsyetimin e kolegjit.

Po ashtu në këtë vendim MPMSHC kishte obliguar Ministrinë për zbatimin e vendimit në afatin prej 15 ditës nga dita e pranimit të tij.

Mirëpo ministri Pal Lekaj ishte ndarë i pakënaqur me këtë vendim dhe më 10 janar të këtij viti kishte kërkuar rishikim të këtij vendimi nën arsyetimin se këtij kolegji i kishte kaluar afati.

Këta të fundit kanë arsyetuar vendimin e tyre pa dhënë konstatime shtesë për shkak që Lekaj këtë çështje e ka dërguar edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ministria e Infrastrukturës e ka iniciuar konfliktin administrativ në gjykatën kompetente dhe në këto raste kur çështja është adresuar në Gjykatë, Këshilli nuk lëshohet në konstatime shtesë dhe nuk ndërmerr veprime të tjera derisa për vendimin e saj të nxjerrë aktgjykim Gjykata Themelore në Prishtine” thuhet në përgjigjen e KPMSHC drejtuar MI-së.

Ndërsa në dilemën e ministrit Lekaj për mandatin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës, kolegji e kishte konsideruar si të pasaktë.

“Është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm sepse në emër të Këshillit në funksionin e shqyrtimit dhe zgjidhjes së ankesave vendos kolegji i Këshillit i përbërë nga tre anëtarë. Të tre anëtarët e Kolegjit, Lela Petkoviç, Eshref Shabani dhe Malsore Gashi- Bajraktari kanë mandat ndërsa asnjëri nga katër anëtaret e Këshillit që kanë përfunduar mandatin nuk kanë qenë pjesë e kolegjit të vendimmarrje”, thuhet në arsyetimin e kolegjit të KPMSHC-së.

Konkursi për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ende është i hapur.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me emërimin e Betim Reçicës në pozitën e UD të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

https://kallxo.com/pal-lekaj-e-zevendeson-ushtruesin-e-detyres-se-sekretarit-me-nje-ud-tjeter/

https://kallxo.com/pal-lekaj-e-nderron-sekretarin-e-pergjithshem-dokument/

.