Foto: REL/Reuters

Keqkuptimet se si u futën nga Serbia 1,000 testet për COVID-19

Rrugëtimi i testeve për COVID-19 nga Serbia për në Kosovë në një paketë diplomatike u raportua nga mediat dhe u përdor nga opozita për ta sulmuar pushtetin për siç e quajtën “kontrabandim i testeve”.

Javë më parë, 1,000 teste të dhuruara nga Serbia për Kosovën u futën në Kosovë ndërsa lajmi për donacionin ngjalli debat të madh nëse ato duhej pranuar ose jo. Në mesin e informacioneve ishte edhe ai se testet janë të kontrabanduara pasi nuk kishin kaluar në Doganën e Kosovës.

Por, qëndrimi i Doganës disa javë më pas është se testet nuk ishin zhdoganuar pasi ishin në një paketë diplomatike, e cila nuk i nënshtrohet zhdoganimit

Në vend, raportimi për arritjen e testeve nga Serbia mori vëmendje të madhe ndërsa edhe mediat ndërkombëtare raportuan për donacionin.

Ato raportuan se Serbia ka treguar një gjest solidar në kohën kur Kosova po përballej me pandeminë COVID-19.

Agjencia britanike e lajmeve Reuters shkruan se ky gjest u bë në formë solidariteti përkundër fërkimeve tregtare e historisë mes dyja vendeve.

Një zyrtar serb citohet të ketë thënë se Beogradi shpërndau kutitë pa asnjë kusht politik por me “vetëm dëshirën për të ndihmuar në tejkalimin  e pandemisë”.

“Beogradi dhuroi testet pa asnjë kusht politik, por me ‘dëshirën për të ndihmuar në tejkalimin e këtij problemi. Coronavirusi është një kujtesë e ashpër se ne mund të zgjidhim shumë probleme vetëm nëse bashkëpunojmë”, kishte thënë ai për Reuters.

E ky raportim kaloi më pas edhe në The New York Times, AP dhe u kopjua në shumë media.

Edhe ardhja e mjekëve nga Serbia dhe karantinimi i komunave serbe, patën vëmendje disaorëshe si shpeshherë siç ndodh në Kosovë.

Raportimet e mediave serbe për testet e dhuruara nga Serbia për Kosovën

Agjencia e lajmeve BLIC.rs ka raportuar se presidenti Aleksandar Vuçiq ka aprovuar donacionin që Serbia t’i dhurojë Kosovës 1,000 teste për zbulimin e COVID-19.

Ky donacion ka ardhur dy ditë pas një konference të përbashkët që kanë pasur dy ministrat e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Zlatibor Lonçar.

Ndër mediumet tjera kryesore në Serbi Kurir.rs ka raportuar se krahas 1,000 testeve të dhuruara nga Serbia, me kërkesë të kryetarëve të komunave me shumicë Serbe është mundësuar nga ana e Kosovës që të hynë ekipe mjekësore nga Serbia në mënyrë që të ofrojnë shërbime mjekësore për anëtarët e komunitetit serb.

Në ditët e para të shfaqjes së pandemisë në komunat veriore me shumice serbe, ekipi i emergjencave i cili vepron në komunat veriore, mostrat e testimeve i dërgonin në Beograd, dhe kishte probleme të mëdha, sepse krijoheshin vonesa dhe paqartësi, pastaj më vonë situata u rregullua kur këto mostra të testimeve filluan të dërgoheshin në Kralevë.

Si erdhën në Kosovë 1,000 testet nga Serbia?

1,000 testet e ardhura donacion nga Serbia për COVID-19 i shtynë qytetarët e politikanët në polemika politike e patriotike.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se donacioni i testeve për coronavirus nga ana e Serbisë “është gjest që nuk duhet të politizohet”.

Në një konferencë për media, Kurti tha se Kosova e ka dëshmuar që nuk bën dallime midis qytetarëve sipas komunës, partisë, moshës, gjinisë, fesë apo përkatësisë etnike.

Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të vendosin se si t’i përdorin të gjitha testet në dispozicion të Kosovës.

“Ne nuk po bëjmë diskriminim dhe jam i bindur që nëse Kosova do të refuzonte të pranonte këto teste, do të akuzohej për sjellje joracionale dhe politizim të një gjesti i cili nuk është i tillë. Pra, nuk duhet të pranohet si politik dhe nuk duhet t’iu ndihmojmë atyre që dhuruan 1 mijë teste për qëllime politike”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të madh rajonal në luftën e përbashkët kundër pandemisë.

Opozita në Kosovë e ka kritikuar qeverinë për pranimin e kësaj ndihme nga Serbia, duke e akuzuar atë që i lejoi Serbisë një promovim të mirë në botë.

Në anën tjetër, shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të coronavirusit në Kosovë.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedentë shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Në anën tjetër mediat, rreth këtyre testeve, raportuan se ato teste u kontrabanduan pasi nuk kaluan në procedura doganore të verifikimit.

Por zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KALLXO.com se ato teste kanë hyrë brenda kufijve në bazë të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve pasi kanë ardhur përmes ambasadës.

“Sa i përket testeve per COVID-19 importi i tyre është bërë përmes ambasadës dhe si rrjedhojë të gjitha mallrat që vijnë përmes ambasadave trajtohen sipas Konventës se Vjenës”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, misionet diplomatike janë të përjashtuara nga të drejtat doganore, vizitat doganore si dhe taksat.

“Agjenti diplomatik përjashtohet nga kontrolli i bagazhit të tij personal, përveç kur ekzistojnë arsye serioze për të besuar se ai përmban sende që nuk përfitojnë nga përjashtimet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni, ose sende për të cilat importi ose eksportimi është i ndaluar nga legjislacioni ose i nënshtrohet rregullave të karantinës të shtetit pranues. Në rast të tillë kontrolli duhet të bëhet në prani të agjentit diplomatik ose të përfaqësuesit të tij të autorizuar”, thuhet në nenin 36 të kësaj konvente.

Gjithashtu, në nenin e 50 të Konventës thuhet që sipas dispozitave legjislative dhe rregulluese që mund të adaptojë, shteti pranues autorizon hyrjen dhe akordon përjashtimin e të gjitha të drejtave doganore, taksave dhe detyrimeve të tjera përkatëse, përveç shpenzimeve të depozitimit, transportit dhe shpenzimeve që kanë të bëjnë me shërbime analoge. Më tej në pikën dy të këtij neni thuhet që “Nëpunësit konsullorë gëzojnë privilegje dhe përjashtime të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, për sa i përket objekteve të importuara gjatë instalimit të tyre të parë”.

Edhe në nenin 62 të kësaj Konvente specifikohet përjashtimi doganor për shërbimet diplomatike.

“Sipas dispozitave legjislative dhe rregulluese që mund të adoptojë, shteti pranues akordon hyrjen si përjashtimin nga të gjitha të drejtat doganore, taksat dhe detyrimet e tjera përveç shpenzimeve të depozitimit, transportit dhe shpenzimeve lidhur me shërbime analoge, për objektet që vijojnë, me kusht që këto të jenë ekskluzivisht për përdorim zyrtar të një posti konsullor që drejtohet nga një funksionar konsullor honorar; mburojat, flamurët, shenjat dalluese, vulat, siglat, librat, botimet zyrtare, mobilet e zyrës, materiali dhe furnizimet e zyrës dhe objektet analoge që i janë dhënë postit konsullor nga shteti dërgues ose me kërkesën e tij”, thuhet në nen.

KALLXO.com ka kërkuar nga Kryeministria dhe Ministria e Shëndetësisë qasje në dokumentet me të cilat u shoqëruan testet e ardhura nga Serbia, por të njëjtin edhe pas dy kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndonëse 1,000 testet u përfolën shumë, ato nuk janë donacionet e vetme që Serbia i ka dhuruar Kosovës.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për KALLXO.com se vazhdimisht pranohen donacione nga shteti serb.

KALLXO.com ka siguruar një listë për donacione nga Serbia përgjatë vitit 2018-2019, të cilat janë konfirmuar më pas edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Për periudhën 2018-2019, Kosova ka pranuar nga Serbia gjithsej 46 donacione me pajisje mjekësore. Donacione këto të dedikuara kryesisht për komunat serbe.

Në dokumentacionin që ka siguruar KALLXO.com vetëm shtatë nga këto donacione janë të dedikuara për komunitetin serb.

 Përplasjet politike për karantinimin e komunave serbe

Ndonëse Kosova ka popullsi multietnike, në fillim të pandemisë në numrat e përgjithshëm të të prekurve nga COVID-19, nuk u raportuan qytetarët e komunave serbe, ndërsa në këto komuna u raportua se urdhrat për masa ndaluese u morën nga Qeveria Serbe.

Në anën tjetër, edhe pse Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kishin publikuar vendime për pjesë të ndryshme të Kosovës, vendimet për karantiminin e komunave serbe nuk u panë kurrë në publik.

Mostrat e të infektuarve nga këto komuna janë marrë nga mjekë serbë dhe janë dërguar për analiza në Beograd ndërsa një pjesë e të prekurve janë duke u trajtuar në spitalet në Serbi.

Në fund të muajit mars, drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, përmes një videokonference tha se qytetarët nga komunat serbe të infektuar janë konfirmuar në Serbi, ndërsa IKShPK po kryen testime në Kosovë bëhen për të gjithë qytetarët e vendit sipas protokolleve.

“IKSHPK ka informata për dy raste pozitive në veri të Kosovës, të cilat kanë pasur kontakt me një person të konfirmuar si pozitiv në COVID-19 në Serbi, derisa është e drejtë e secilit qytetar që të trajtohet kudo që atij i duket e arsyeshme”, ka thënë Ramadani duke shtuar se “Institucionet e Kosovës ofrojnë trajtim për secilin qytetar të saj”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pari që drejtoi akuza ndaj Qeverisë në detyrë.

“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi presidenti mes tjerash në një publikim në profilin e tij në Facebook.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti në vazhdimësi janë përfshirë në polemika mes vete, ku nuk kanë munguar as ofendimet.

Muajin e kaluar, Kurti e ka akuzuar Thaçin se ka nënshkruar një “marrëveshje sekrete” me Serbinë, përderisa ky i fundit e kishte quajtur Kurtin “frikacak” dhe “të padinjitet”.

Ndërkaq, së fundi Thaçi shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, “duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”.

Edhe partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila inicioi rrëzimin e Qeverisë ku bën pjesë edhe vetë, përmes një reagimi për media ka kërkuar nga ekzekutivi që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për qytetarët e Kosovës në çdo pjesë të saj.

Por, Qeveria në detyrë reagoi ndaj deklarimeve duke bërë të ditur se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçani janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Ndërkaq më i ashpër ndaj presidentit u tregua kryeministri në detyrë. Kurti deklaroi se ka politikanë në Prishtinë e Beograd që duan konflikt në veri të Ibrit.

“Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës”, tha ai përmes një video-adresimi.

Ndërkaq, edhe Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës ka thënë se si institucion shtrijnë veprimet e tyre në tërë vendin, duke përfshirë komunat e banuara me shumicë serbe.

Pas tërë këtyre zhvillimeve, nuk pati ndonjë reagim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ditët e fundit ka folur vetëm për ndihmën e tyre për serbët në Kosovë.

Ndërkohë, puna e institucioneve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia dhe bashkëpunimi mes komuniteteve, u lavdërua nga dipolomatë të huaj që shërbejnë në Kosovë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dërguar një letër falënderimi për ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me angazhimin në luftën kundër coronavirusit.

Në letër mes tjerash thuhet, se konferenca e përbashkët e Vitisë me ministrin Dalibor Jevtiq më 2 prill ka treguar lidership dhe përkushtim.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, ka vlerësuar lartë punën e dy ministrave, të Shëndetësisë Arben Vitia dhe të Komuniteteve dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.

Përmes një shkrimi në Twitter, Heldt ka inkurajuar ministrat e Qeverisë Kurti që ta vazhdojnë edhe më tutje bashkëpunimin në luftën për parandalimin e pandemisë së coronavirusit.

Kurse, edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje që të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme në rrethana të tilla urgjente.

Thirrjeve për depolitizim të situatës, iu bashkuan edhe Ambasadat e Zvicrës e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Kundërshtimet për veriun e Kosovës, ndër vite kanë përplasur mes vete politikanët e Kosovës.

Në shtator të vitit 2018, përderisa Lëvizja Vetëvendosje po mbante protestë në Prishtinë, kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit”, ky i fundit kishte bërë një “shëtitje” me barkë në Liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Duke e quajtur normale këtë vizitë, presidenti kishte thënë se Kosova është sovrane.

Megjithkëtë, pjesa veriore e Kosovës mbetet ndër zonat ku mes shumë problemeve të tjera të karakterit politik, mbizotërohet nga kontrabanda e mallrave përmes bashkëpunimeve shqiptaro-serbe, ndaj të cilave nuk ka arritur të luftojë “dora e shtetit’ të Kosovës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka shfaqur në disa cikle hulumtimet gjashtëmujore që tregonin për lidhjet e kontrabandës me policinë në Leposaviq e Zubin Potok. Hulumtimet sollën pamje ekskluzive të transportit të mallrave nga Serbia për në Kosovë nëpër rrugët ilegale. Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” kishte ofruar ekskluzivisht pamje nga kamionët e mbushur me mallra kontrabandë të cilët qarkullojnë para syve të Policisë.

Personeli shëndetësor i ardhur nga Serbia

Mediat kanë raportuar me 13 prill se në pikëkalimit kufitar në Merdar ndodheshin 102 mjekë nga Serbia, të cilët u nisën për në Kosovë për t’i ndihmuar komunat e banuara kryesisht me serbë, e që janë të prekura nga COVID-19.

Në listë e cila qarkulloi në media u panë emrat e 102 punëtorëve shëndetësorë. Nga kjo listë, 82 punëtorë shëndetësorë kishin destiancion komunën e Graçanicës ndërsa të tjerët në komunat veriore.

Edhe më tej, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk u deklarua asnjëherë për ardhjen e këtyre mjekëve.

Për këtë grupi të parë të mjekëve, Zyra e Kosovës në Qeverinë e Serbisë e udhëhequr nga Marko Gjuriq, kishte hapur konkurs me titullin “Thirrje për personat e interesuar për punësim në Institucionet e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe Metohi” .

Sipas njoftimit konkursi ishte hapur me qëllimin për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, dhe për të mbrojtur popullsinë gjatë kohës sa zgjat gjendja e jashtëzakonshme në Republikën e Serbisë, ndërsa institucionet shëndetësore do të punësojnë punonjës shëndetësorë për një periudhë të pacaktuar me procedurë urgjente.

Ky konkurs u hap në përputhje me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin konkurs thuhej se “Plani i rrjetit të Institucioneve Shëndetësore në Republikën e Serbisë, kërkon këtë numër të punonjësve për këto qendra të shëndetësisë: Qendra e shëndetësisë në Mitrovicën e Veriut, 45 mjekë dhe 120 infermierë; Qendra shëndetësore Gjilan 15 mjekë dhe 40 infermierë, dhe Qendra Spitalore Klinike në Prishtinë me seli në Graçanicë 14 mjekë dhe 40 infermierë, të cilët do të punësohen për një periudhë të pacaktuar, ndërsa konkursi ka qenë i hapur deri më 27 prill.

Një muaj më pas, KALLXO.com raportoi se institucionet e Kosovës i kanë kthyer mbrapsht 21 mjekë, shtetas të Serbisë dhe nuk i kanë lejuar që të hynë në territorin e Kosovës.

KALLXO.com kishte kuptuar se gjatë ditës në Kosovë kanë hyrë rreth 70 mjekë serbë me nënshtetësi të Kosovës, mirëpo janë kthyer mbrapa rreth 21 mjekë të tjerë.

KALLXO.com kishte kuptuar se Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar 21 mjekëve me nënshtetësi serbe që të aplikojnë për licencë në Ministrinë e Shëndetësisë nëse dëshirojnë të hynë në Kosovë për t’i kryer shërbimet si doktorë.

Ndonëse MSh nuk kishte njoftuar opinionin ardhjen e mjekëve paraprakisht, vetëm kur kjo temë doli në media ata deklaruan se mjekët e nisur nga Serbia për në Kosovë nuk i kishin plotësuar kushtet e kërkuara.

“Ata (mjekët), që nuk janë lejuar (të hynë në Kosovë), nuk i kanë plotësuar dokumentacionin që u kërkohet për të hyrë për vizita monitoruese në Kosovë, prandaj nuk janë lejuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com ndërsa kishin shtuar se në Kosovë kanë hyrë mjekët që I kishin plotësuar ato kushte.

“Mjekët që kanë hyrë, kanë pasur dokumentacion me të cilin kanë dëshmuar se janë edhe shtetas të Kosovës dhe iu kanë përmbajtur rregullave të shtetit të Kosovës”, thuhet tutje.