Kategorizimi i aktorëve në Teatrin Kombëtar në Kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Autoriteti përgjegjës i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), i cili shqyrton pretendime për konflikt interesi në këtë ministri dhe institucionet vartëse të saj, ka lëshuar të hënën, më 4 shkurt 2019, një opinion përmes së cilit konstaton se ka pasur konflikt interesi gjatë kryerjes së procedurave dhe vendimmarrjes gjatë procesit të kategorizimit të aktorëve të Ansamblit Rezident të Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kategorizimi aktorëve të Ansamblit Rezident të TKK-së, është bërë në fillim të 2018-ës, me autorizim të Këshillit Drejtues të TKK-së, nga një komision në përbërje të: Agim Sopit, drejtor i Përgjithshëm i TKK-së, Agon Myftari, udhëheqës artistik në TKK, Ismet Azemit, aktor në Ansamblin Rezident të TKK-së dhe anëtar i KD-së së TKK-së, Kumrije Hoxhës, aktorja më e vjetër e Ansamblit Rezident të aktorëve të TKK-së, (tash në pension) dhe Adrian Morina, aktor i ARA të TKK-së dhe përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Aktorëve të TKK-se, siç thuhet në raportin e kategorizimit të aktorëve të Ansamblit Rezident të TKK-së, një kopje të së cilit e posedon Kallxo.com.

Gjetjet e opinionit

Autoriteti Përgjegjës i MKRS-së në opinionin e tij, kopjen e të cilit e posedon edhe Kallxo.com, konstaton se gjatë procesit të kategorizimit shumica e anëtarëve të komisioni, (me përjashtim Agon Myftari), i cili ka bërë kategorizimin ishin në situatë të konflikti të interesit, me që siç konstaton Autoriteti i Përgjegjës, në cilësinë e anëtarit të komisionit kanë vendosur që vetveten apo të afërm të tyre t`i kategorizojnë në këtë procedurë.

“Konstatimi i Autoritetit Përgjegjës në këtë opinion është bërë në pajtim me Ligjim Nt. 06/L 011 për parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, përkatësisht të nenit 6 të ligjit i cili thotë se: Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, ndikon, mund të ndikoj ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”, thuhet ndër të tjerash në këtë opinion, i cili mbanë numër të protokollit 249/2019, lëshuar më 04.02.2019.

Më tej në opinionin e Autoritetit Përgjegjës të MKRS-së thuhet se palët e lartëcekura në opinion nuk kanë vepruar në pajtim me obligimet ligjore të dhëna në nenin 8 paragrafi 1 dhe 2 të të njëjtit ligj dhe kanë vepruar në kundërshtim me nenin 9 paragrafi 1 pika 8.

“Palët kanë vepruar në kundërshtim me parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të cekur në nenin 5 paragrafët 8 dhe 9 të ligjit. Palët është dashur që paraprakisht të ndërmarrin masa për respektimin e ligjit nr. 06/L- 011, për Parandalimin e Konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, konstaton opinioni i Autoritet përgjegjës të MKRS për parandalimin konfliktit të interesit.

Autoriteti Përgjegjës ka rekomanduar shfuqizimin e kategorizimit të aktorëve të Ansamblit Rezident të TKK-së dhe ri-kategorizimin, siç thuhet aty duke respektuar rregulloren nr. 05/2014 për themelimin dhe funksionimin e ARA të TKK-së dhe rregulloren (QRK) Nr. 15/2019.

Mospajtimet me opinionin

Megjithatë me këtë opinion të Autoritetit Përgjegjës të MKRS për parandalimin e Konfliktit të Interesit, nuk është pajtuar Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues TKK-së.

Në një prononcim për Kallxo.com Ademi ka thënë se nuk mendojnë që ka konflikt interesi pasi që kriteret të cilat janë përcaktuar janë të natyrës objektive.

Sipas tij, ka qenë kërkese nga ministria që çdo institucion i kulturës është dashur të bëjë kategorizimin me rregulloren për pagat dhe gradat, me qëllim që t`i përshtaten kësaj rregulloreje. Por ka pohuar se nëse ka shkelje atëherë do merren masat.

“Nëse ka pas shkelje të këtyre kritereve të përcaktuara nga Komisioni për përcaktim dhe kategorizim me rregulloren për pagat ne do te bëjmë korrigjimin sipas ligjeve ne fuqi”, ka thënë Ademi.

Ndërsa Ismet Azemi, aktor në ARA të TKK-së dhe anëtar i KD-së TKK-së dhe anëtar i komisionit që ka bërë kategorizimin, ka pohuar për Kallxo.com se ai e ka të pa qartë pse ka konflikt interesi.

“Kam qenë anëtar i komisionit, po unë nuk e kam të qartë pse konflikt interesi. Kam qenë nga bordi i autorizuar  të jem përfaqësues dhe unë në bazë të kritereve për kategorizim konform rregullores kam plotësuar të gjitha pikat. Ndaj nuk e kam të qartë se si mund të jetë konflikt”, ka thënë Azemi.

Pavarësisht përpjekjeve Kallxo.com nuk ka mundur të marrë një mendim nga anëtarë të tjerë të komisionit, të cilët sipas këtij opinioni nuk kanë respektuar ligjin për parandalimin konfliktit të interesit, gjatë kategorizimit të aktorëve të AR të TKK-së.

Opinioni i Autoritetit përgjegjës të MKRS-së vjen pas një kërkese të Agjencisë Kundër Korrupsionit për fillimin e procedurës së trajtimit të pretendimeve për konflikt interesi, në rastin e kategorizimit të aktorëve të ARA të TKK-së,  të ngritur nga Shoqata Sindikale e TKK-së.