Kandidati me nevoja të veçanta akuzon QKUK-në për diskriminim

Një kandidat për punëtor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po akuzon këtë institucion se ia pamundësoi punësimin brenda një konkursi me kundërthënie.

Vigan Gashi është në mesin e kandidatëve që nuk arriti të punësohej në një konkurs për pozitën “punëtor krahu” për sektorin e shërbimeve teknike të QKUK-së, të shpallur në fund të muajit dhjetor.

I riu nga Prishtina i cili është shurdhmemec dhe përdor gjuhën e shenjave për të komunikuar ndihet i diskriminuar pasi emri i tij nuk figuron as në listën plotësuese, pra si kandidat që mund të thirret në punë më pas, në rast të nevojave të QKUK-së.

Emri i tij nuk figuron as në listën e kandidatëve të papranuar në të cilën janë gjithsej 18 persona. 

20-vjeçari thotë se kjo është hera e parë që kërkon punë. Gashi para katër viteve kishte përfunduar edhe shkollën e mesme teknike në drejtimin postë-telekom. Ai thotë se punësimi do t’i bënte që të ndjehet më i dobishëm në shoqëri pasi që është i aftë për punën që po kërkohej.

Vigan Gashi, kandidat për punëtor në QKUK.
FOTO-KALLXO.com

Kandidati pretendon parregullsi në konkurs, QKUK-ja e mohon

Përveç se nuk u konsiderua kandidat i suksesshëm për punësim,  Gashi pretendon se iu bënë disa padrejtësi në fazat e ndryshme të konkursit për t’ia pamundësuar suksesin në konkurs. 

Babai i Viganit, thotë se e kishte marrë vesh kohën e testimit disa minuta para se të mbahej testi.

“Rastësisht jam shku në QKUK me pyet se pse nuk po më thirrin, më kanë thanë që duhet me pru sot djalin menjeherë, në 12 ora u dashtë më kanë aty. Edhe jam shku me marr djalin me qu në test”, thotë ai.

Komisioni përzgjedhës i QKUK-së ka deklaruar se kandidatët janë telefonuar dy ditë para testit, duke kundërshtuar pretendimet e babait të Viganit.

“Sipas Konkursit publik nr. 8747 datë 02.12.2020, është publikuar konkursi më kohë të caktuar (përkohësisht për shkak të nagrkesës në punë), sipas Nenit 66, paragrafi 3 dhe nënparagrafi 3.2 dhe paragrafit 4 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Kandidatët janë thirrur me telefon për t’iu nënshtruar  testit me shkrim, më datë 22.12.2020, ndërsa testi  është mbajtur sipas njoftimit paraprak, pra  më datë 24.12.2020 në amfiteatrin e Klinikës së ORL-së”, thuhet në përgjigje.

Përveç kësaj, babai i Viganit që është edhe përfaqësuesi ligjor i të birit, pretendon se kur testimi filloi atij nuk iu lejua që të paktën t’ia shpjegojë djalit të tij pyetjet pasi testi ishte diçka e re për të.

Gashi thotë se në sallën e testimit u lejua që të qëndrojë në fund të sallës vetëm që ta shikojë nga larg dhe se një anëtar i komisionit i kishte thënë se për shkak që Vigani din shkrim dhe lexim, nuk ka nevojë kurrfarë sqarimi nga prindi apo dikush tjetër.

“Nuk më kanë lanë as me iu afru në test, mu më kanë lanë me nejt në fund të sallës, të tjerët kandidatëve edhe ju nimojshin vetë anëtarët ku nuk ishin të qartë në pyetje kurse djali jem që ka pas ma së shumti nevojë u anashkalu totalisht. Kryetarit itëkomisionit i kam kallxu që din me shkru e me lexu, po ai ka pas nëvojë me i tregu me ja spejgu, kam tentu me iu afru djalit, më kanë thanë që smundesh”, thotë ai.

Sipas QKUK-së, prindi i Viganit u largua pas reagimit të kandidatëve të tjerë.

“Z. Gashi ka qenë së bashku me prindin e tij për t’iu nënshtruar  testit  me shkrim. Ai  ka ndihmuar atij për një kohë në  plotësimin e testit me shkrim, por pas reagimit të kandidatëve tjerë në sallë, prindi i tij është larguar në tavolinë tjetër afro 2 metra larg tij.Pas përfundimit të testit me shkrim, komisioni  ka mbledhur të gjitha testet për t’i kontrolluar sipas legjislacionit në fuqi.  Kandidati në fjalë është vlerësuar sipas përgjigjeve që ka dhënë në test”, vijon përgjigja.

QKUK megjithatë nuk ka kthyer përgjigje lidhur me atë se pse emri i Vigan Gashit nuk ka figuruar në asnjë listë, asaj rezervë dhe listës së të papranuarve.

Pas kësaj, Gashi ka bërë dy ankesa. Ankesa e parë ishte bërë më datën 6 janar 2021, për të cilën thotë se ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

“Unë Florim Gashi, përfaqësuesi ligjor i djalit tim, Vigan Gashi, person me nevoja të vecanta, kërkoj ballafaqim më komisionin shqyrtues për shkak se mendoj se djalit tim ligjërisht i takon punësimi në bazë të dokumentacionit që e bashkangjes”, thuhet në këtë ankesë në të cilën ka bashkangjitur Ligjin për Aftësim.

Kurse, ankesa e dytë drejtuar komisionit të ankesave u bë me datën 25 janar 2021, përkatësisht një ditë pasi u shpallën rezultatet.

“Në bazë të ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin me aftësim të kufiar në mbështje të nenit 65 (1) të kushtëtutës së Republikës së Kosovës kërkojë që të shqyrtohet mudndësia për t’i dhë përkrahje një personi siq është djali im, Vigan Gashi. Mbes me shpresë që kjo lëndë të shqyrtohet dhe të mirren parasysh rrethanat për persona me aftësi të kufizuar”, thuhet në ankesë.

Për ankesën e fundit ende nuk ka marrë përgjigje ndërsa QKUK ka thënë se ankesat janë në shqyrtim.

Personat me nevoja të vecanta në bazë të Ligjit marrin 75 euro skemë sociale në muaj.

Punësimi i tyre është i rregulluar përmes Ligjit për Aftësim, riaftësimin profesional dhe punësimin të personave me afëtësi të kufizuar. Personi me nevoja të veçanta ka të drejtë në punësim, integrim në tregun e punës në kushtet përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara me këtë ligj.

Në bazë të nenit 12, organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat jooqeveritare obligohen që me kushtet e përshtatshme të punës t’i punësojnë personat me aftësi të kufizuara.

Mes tjerash, Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që çdo i 50-ti i punësuar të jetë një person me nevoja të veçanta.

Në anën tjetër, në bazë të të dhënave që KALLXO.com ka siguruar nga Agjencia e Punësimit, numri i punëkërkuesve te regjistruar ne Zyrat e Punësimit si persona me nevoja të veçanta deri në fund të vitit 2020 është 351, ku prej tyre gra janë 112 dhe burra janë 239 persona;

 

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).