Ish-kandidatja për deputete e Vetëvendosjes emërohet anëtare në bordin e Teatrit

Me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, të premten janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këshilli drejtues, me mandat 4-vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

KALLXO.com mëson se anëtarja e këtij bordi, Shkurte Aliu, ka qenë kandidate për deputete e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 2017-ës.

Aliu, sipas një biografie të publikuar nga LVV-ja asokohe, thuhet se nga viti 2005 ka qenë e angazhuar në këtë subjekt politik.

KALLXO.com ka provuar disa herë që të kontaktojë përmes telefonit me Aliun por që e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Po ashtu, edhe ministri Çeku nuk është përgjigjur në thirrjet e KALLXO.com