Ish-kandidatja për asambliste nga NISMA punësohet në MAShT

Ish-kandidatja për asambliste në komunën e Prishtinës nga Nisma Socialdemokrate dhe anëtarja e forumit të gruas të kësaj partie, Valdete Prebreza është punësuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës, Shyqiri Bytyqi.

Ajo ka marrë pozitën e zyrtares për njohje dhe barasvlerë të kualifikimeve në arsim të lartë më 19 prill të këtij viti për periudhë gjashtë muajshe.

Në një bisedë për KALLXO.com Prebreza nuk ka pranuar që të tregojë nëse partia e saj ka ndikuar që ajo të rekrutohet në këtë pozitë.

“Ju lutna është zyra e informimit që mundet me ju përgjigj”, ka thënë ajo.

Ajo ka qenë kandidate për asamblistë në listën e Nismës Socialdemokrate të cilës i ka prirë ministri aktual, Shyqiri Bytyqi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyren për media edhe drejt këshilltarit për media, Valmir Gashi në lidhje me këtë punësim, por deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

Në bazë të njoftimit për kandidatin e suksesshëm të kësaj pozite, Prebreza ishte vlerësuar nga komisioni me përqindje të lartë prej 81 përqind. Pas saj është pranuar edhe Kestrina Ahmeti me 78 përqind.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht se si Nisma Socialdemokrate është duke punësuar persona të partisë në institucionet që ajo i udhëheq.

Javë më parë KALLXO.com kishte shkruar se anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate në Lipjan, Pajtim Kleçka ka gjetur një vend pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Shyqiri Bytyqi.

KALLXO.com poashtu ka raportuar gjatë javës së kaluar se Salih Bytyqi, vëllai i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka gjetur vend pune në shkollën e fshatit të tij të lindjes.

Poashtu edhe ditë më parë KALLXO.com ka raportuar se Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj pritet të marrë kontratë të rregullt me Universitetin e Prizrenit.

Në muajin qershor KALLXO.com raportoi se nipi i Jakup Krasniqit nga pozita e këshilltarit në MTI zgjedhet në pozitën e shërbyesit civil.

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, KALLXO.com raportoi edhe për punësimin e kunatës së Fatmir Limajt, aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë në dorëheqje të Ramush Haradinajt dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për punësimin e Veron Selmanit, burri i vajzës së Fatmir Limajt. Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.

Partia Nisma Socialdemokrate rehatoi në ministrinë që udhëheq aktualisht Endrit Shala edhe nipin e Jakup Krasniqit, Taulantin.