Ish-Drejtori i Malishevës Emërohet Sekretar në Ministrinë e Drejtuar nga Nisma

Qeveria e Kosovës e ka emëruar sekretar të Ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastratin, i cili nuk ka treguar aftësi të mjaftueshme për këtë pozitë.

Pavarësisht që ambasada britanike si partner në përzgjedhjen e pozitave të larta dhe komisioni vlerësues kishin dhënë rekomandim se asnjëri nga tre kandidatët nuk kishte dhënë rezultat të kënaqshëm, ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte propozuar emrin e Kastratit për këtë pozitë. Kastrati është nga Malisheva dhe ka qenë drejtor i Administratës në këtë komunë që udhëhiqet nga Ragip Begaj nga Nisma për Kosovë. Në rrjetin social facebook ka foto të Kastratit me ministrin e arsimit Shyqiri Bytyqin dhe z[vendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Procesi i rekrutimit për sekretar të MASHT-it është monitoruar nga britanikët, të cilët kanë kërkuar që i njëjti të përsëritet pasi asnjë nga 15 kandidatët nuk ishte treguar i suksesshëm në të gjitha fazat e testimit dhe intervistimit.

Kastrati është emëruar sekretar i MASHT-it në mbledhjen e Qeverisë së mbajtur më datën 13 shkurt. Kur u diskutua në mbledhjen e  qeverisë për propozim-vendimin e emërimit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, tregoi se për këtë pozitë konkurruan 15 kandidatë, ku 13 nga kandidatët hyn në listë të ngushtë, ndërsa në intervistë u ftuan tre persona: Ekrem Kastrati, Alush Istogu dhe Adem Spahiu.

Yagcilar tregoi se asnjëri nga kandidatët nuk u rekomanduan për këtë pozitë.

“Pas intervistës, komisioni dhe ambasada britanike si partner kanë dhënë rekomandime se asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar rezultat të kënaqshëm për sekretar të përgjithshëm”, tha Yagcilar.

Megjithatë, ai tregoi se me këto rekomandime e ka njoftuar ministrin Shyqiri Bytyqi, i cili, sipas Yagcilar-it megjithatë e ka preferuar Kastratin për sekretar të përgjithshëm. E ky i fundit u votua në mbledhje dhe u emërua sekretar.

Gazeta JNK i ka dërguar pyetje ministrit të arsimit, për ta pyetur pse ka vendosur për emrin e Ekrem Kastratit, përkundër rekomandimit të Ambasadës britanike dhe komisionit vlerësues, por nuk ka marrë përgjigje.

Mbretëria e Bashkuar, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, i ka thënë gazetës se kjo nuk është hera e parë që qeveria nuk merr parasysh rekomandimet e tyre.

“Ka pasur disa raste kur qeveria ka emëruar personat të cilët nuk kanë përmbushur kriteret në pozitat e larta, përkundër rekomandimeve të partnerit zbatues”, thuhet në përgjigjen e ambasadës dhënë JNK-së.

Në pyetjen se në cilën pozitë ishte i renditur Ekrem Kastrati, kjo ambasadë thotë se kjo është jorelevante, ngase sipas tyre e rëndësishme është që asnjëri nga tre të intervistuarit nuk ka treguar aftësitë e mjaftueshme për sekretar në MASHT.

“Duke qenë se sipas partnerit zbatues të projektit asnjëri nga 3 kandidatët e intervistuar nuk kanë treguar aftësi të mjaftueshme për t’u emëruar në këtë pozitë, atëherë konsiderojmë që renditja në listë nuk është relevante”.

Ambasada britanike thotë se mbetet e gatshme që të ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të luftojë nepotizmin dhe të emërojë vetëm zyrtarë meritorë në pozitat e larta drejtuese, mirëpo siç thonë ata “suksesi apo dështimi i këtij projekti mbeten plotësisht në përgjegjësi të Qeverisë së Kosovës”.

Më pas, JNK ka kontaktuar edhe të përzgjedhurin në këtë pozitë, Ekrem Kastratin, i cili i ka konfirmuar gazetës se ka qenë drejtor komunal i Administratës në Komunën e Malishevës në vitet 2014-2015.

“Po, kam qenë drejtor për një kohë të shkurtë, e më pas kam kalu në shërbimin civil, ku kam udhëheqë Zyrën e Prokurimit në Malishevë”.

Ai thotë se edhe pse ka shërbyer si drejtor në komunën që udhëhiqet nga ‘Nisma’ nuk është pjesë e kësaj partie.

Në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, neni 58 i tij, ku flitet për përgjegjësitë e kryetarit të komunës, thuhet se ka te drejtë të emërojë dhe shkarkojë drejtorët, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave. Rrjedhimisht pozita e drejtorit komunal është pozitë politike.

I pyetur rreth rekomandimeve nga britanikët, ai tha se nuk do të hyjë në analizat e të tjerëve. E për ministrin thotë se është takuar me të.

“Kam nejt kshtu, po veç përmes mediave ma s’shumti [e njoh]”, tha Kastrati.

Ekrem Kastrati, Shyqiri Bytyqi dhe Enver Hoti

Ndërsa për kreun e Nismës, Fatmir Limajn thotë se vijnë nga i njëjti regjion, nga Malisheva.

“Fatmirin është i një regjioni, e njoh edhe si personalitet politik edhe ushtarak”, tha sekretari i Ministrisë së Arsimit.

Gazeta JnK ka gjetur se Kastrati i ka shpërndarë disa foto të tij me Limajn dhe Bytyqin.

Gazeta ka kërkuar CV-të e tre kandidatëve që janë intervistuar, mirëpo që nuk kanë arritur të tregojnë rezultat të kënaqshëm për t’u emëruar në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Arsimit. Në CV-të që Ministria e Administratës Publike ia ka dërguar gazetës, i emëruari Ekrem Kastrati thotë se ka qenë drejtor i administratës së përgjithshme në Malishëvë në vitet 2014-2015. Ndërsa në dy vitet pasuese, 2015-2017, ai ka qenë menaxher i Zyrës së Prokurimit në këtë komunë. Komuna e Malishevës që nga viti 2013 udhëhiqet nga Ragip Begaj, që është pjesë e partisë “Nisma për Kosovën”.

Referuar CV-së, Kastrati ka përfunduar Fakultetin Juridik në UP.

Ndërsa dy kandidatët tjerë, Alush Istogu referuar CV-së thuhet se është master i pedagogjisë dhe se nga viti 2015 ishte ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm në MASHT.  Ndërsa kandidati tjetër, Adem Spahiu thuhet se ka punuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si udhëheqës i sektorit për ankesa dhe zbatueshmëri të legjislacionit. Ai është jurist.

Edhe në rastin e emërimit të Burim Recajt, sekretar në Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Nisma, disa organizata të shoqërisë civile pretendojnë se është vendim i kundërligjshëm.

Organizatat në reagim thonë se i zgjedhuri në pozitën e sekretarit, ishte renditur i katërti në vlerësim dhe pretendojnë se ky vendim i qeverisë është shkelje ligjore dhe ka politizuar pozitën e sekretarit në këtë ministri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, në tetor të vitit të kaluar, kishin nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Qëllimi i memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

Një memorandum i ngjashëm ishte nënshkruar edhe në vitin 2016 me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

O’Connell: Kosova Duhet të Çlirohet nga Njerëzit Joprofesionistë