Ish-asamblisti i partisë së Mimoza Kusari- Lilës u emërua në bordin e KRU Hidrodrini në Pejë

Edhe pse i renditur i 14-ti në listën e ngushtë prej 16 emrave të kandidatëve të rekomanduar për drejtorë në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë, Driton Sylqa, është emëruar nga kryeministri Albin Kurti, si një nga katër drejtorët e bordit të kësaj ndërmarrje publike.

Driton Sylqa ka qenë asamblist në Komunën e Pejës, nga radhët e partisë ‘Alternativa’, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari- Lila. Ai ishte votuar si asamblist në zgjedhjet e vitit 2017. Nga fillimi i mandatit deri në vitin 2020 ai ka qenë asamblist i ‘Alternativës’ ndrësa nga vitit 2020 deri në përfundim të mandatit ka qenë asamblist i pavarur.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2021, Alternativa ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, edhe pse jo në një koalicion zyrtar. Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari- Lila ka qenë pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje e më pas u bë edhe shefe e grupit parlamentar të kësaj partie.

Driton Sylqa e ka mohuar se ka pasur ndikim ish-partia e tij, për emërimin në bordin drejtues të KRU Hidrodrini. Ai ka thënë se ka ndikuar përvoja dhe përgatitja e tij profesionale që të zgjedhet në këtë pozitë.

“Në Alternativë kam qenë në vitin 2017, kam marr pjesë në zgjedhje por që tre vite nuk jam pjesë e Alternativës. Jo more unë me Alternativë jam prishë, po çfarë ndikimi. Lista është me 16 emra, edhe çka mendoni ju pse jam zgjedhë. Në bazë të atributeve të mia, e keni edhe CV-në time mundeni me pa, gradat shkencore të kualifikuara, mundeni me pa përvojën, punimet shkencore dhe të gjitha. Nuk ka asnjë ndikim politik”– ka thënë Sylqa për KALLXO.com.

Edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari– Lila,e ka mohuar se ka pasur ndikim të mundshëm politik, në emërimin e Sylqës në bordin e KRU ‘Hidrodrinit’.

Kusari– Lila në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se partia e saj nuk ka mundur të ketë ndikim, pasi që sipas saj, as nuk kanë pasur informatën për aplikimin e tij.

“Alternativa nuk ka mundur të ketë ndikim në emërimin e Driton Sylqës në KRU Hidrodrini, pasi ne as nuk e kemi pasur informatën për aplikimin ose përzgjedhjen e tij”– ka thënë Kusari– Lila.

Më tej, Kusari- Lila ka thënë se Sylqa nuk është më pjesë e ‘Alternativës’ pasi ka dashur të fokusohet në avancimin e karrierës akademike dhe profesionale.

“Ky fakt është lehtë i verifikueshëm edhe me degën e Alternativës në Pejë”- ka shtuar ajo.

Sylqa është emëruar në bordin e KRU ‘Hidrodrini’ më 11 janar 2023, vetëm një ditë pas publikimit të videos “Çka ka, çka s’ka” nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën akuzonte qeveritë e kaluara, ndër të tjera, për punësime partiake e familjare në bordet e ndërmarrjeve publike.

Sylqa në listën rezervë të Asociacionit të Komunave të Kosovës

Driton Sylqa nga Komisioni vlerësues ishte renditur i 14-ti në listën e ngushtë prej 16 kandidatëve. Emërimi i Sylqës në bord është bërë edhe pse i njëjti nuk ishte në listën të cilën e kishte rekomandar Asociacioni i Komunave të Kosovës. Në listën e dërguar nga AKK, Sylqa nuk bënte pjesë te tre kandidatët e rekomanduar, por ishte emër rezervë në listën e AKK-së.

Qeveria e Kosovës pasi shpall konkursin për një ndërmarrje të caktuar publike dhe përpilon listën e ngushtë të kandidatëve që i plotësojnë kriteret e që më pas i nënshtrohen procedurave të rekrutimit, atë ia përcjell Asociacionit të Komunave të Kosovës. Këta të fundit, marrin emrat e listës së ngushtë nga Qeveria dhe ata emra i përcjellin tek komunat që mbulohen nga ndërmarrja publike për të cilën është shpallur konkursi.

Komunat i vlerësojnë emrat dhe ia përcjellin AKK-së një listë me tre emra të rekomanduar dhe një emër rezervë. Më pas, AKK-ja këta emra ia përcjell Qeverisë si rekomandim nga komunat që mbulohen nga ndërmarrje publike. AKK-ja nuk merr pjesë në asnjë proces të rekrutimit.

“Emrat që i kemi propozuar te Qeveria janë Sokol Boqolli, Gani Nekaj dhe Rasim Mahmutoviq. Ndërsa prej listës rezervë është Driton Sylqa”-  ka konfirmuar Safete Beqiri nga AKK për KALLXO.com.

Por, Qeveria e Kosovës nuk e ka zgjedhur në bordin e KRU ‘Hidrodrinit’ asnjërin nga emrat e propozuar nga AKK.

Ndërsa kryetari i Komisionit vlerësues, Blerim Hasani, ka thënë se Komisioni kryen vetëm procedurat e intervistimit të kandidatëve dhe nuk mirret më tutje me procedura të tjera.

“Po i kam pa pyetjet, por ato të gjitha janë për Zyrën e Kryeministrit. Jo (unë s’kam kompetencë), janë procese që Zyra e Kryeministrit i rregullon, krejt aspektet administrative ata i kryjnë. Ne vetëm i kryjmë intervistat edhe kurgjë ma shumë”- ka thënë Hasani përmes telefonit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te Komisioni vlerësues dhe te Zyra e Kryeministrit në lidhje me përzgjedhjen dhe emërimin e Sylqës në bordin e KRU ‘Hidrodrini’.

Kryesuesi i Komisionit vlerësues, Blerim Hasani, ka thënë se nuk ka kompetencë për t’u përgjigjur, pasi sipas tij, Komisioni merret vetëm me procedurat e testimit të kandidatëve. Edhe pse pyetjet u janë dërguar që nga 19 janari, Zyra e Kryeministrit nuk është përgjigjur lidhur me to deri në publikimin e këtij artikulli.

Në një rast të ngjashëm gjatë vitit të kaluar, ku një anëtar i Vetëvendosjes u pat emëruar në bordin e KRU Gjakovës, edhe pse kishte përfunduar i 12-ti në listën prej 14 personave, Zyra e Kryeministrit për KALLXO.com, kishte thënë se është në diskrecion të plotë të Qeverisë, të emërojë secilin kandidat që është në listën e ngushtë rekomanduese.

Procedurat e rekrutimit

Konkursi për anëtar të bordit të drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë është hapur më 11 shkurt 2022 dhe kanë qenë i hapur deri më 14 mars 2022.

Anëtar të Komisionit vlerësues kanë qenë Bekim Hoxha; Merita Dednica – Uruqi; Fadil Berisha; Visar Nura; Nora Tafarshiku dhe Mentor Rexhepi. Kryesues i këtij Komisioni ishte caktuar Blerim Hasani.

Në këtë konkurs në total kishin aplikuar 98 kandidatë. Prej tyre, 25 i kanë plotësuar kriteret bazë, të cilët janë proceduar më tutje për testime. Kësaj liste pas ankesave i janë shtuar edhe 5 kandidatë të tjerë.

Prej 30 kandidatëve që i janë nënshtruar testimit dhe intervistës, 16 prej tyre janë futur në listën e ngushtë të Komisionit, listë që i ka shkuar si propozim Qeverisë.

Në fund, kryeministri Albin Kurti ka emëruar 4 persona në bordin e KRU Hidrodrini. Jusuf Nikqi është emëruar kryesues; Mevlyde Kelmendi – Begolli; Simon Balaj dhe Driton Sylqa – anëtarë.

Driton Sylqa, ish-asamblisti i Alternativës, në listën prej 16 personave është renditur i 14-ti me 13.29 pikë në total. Prapa tij më së paku janë vlerësuar nga Komisoni vetëm dy kandidatë.

Ndërsa anëtarët e tjerë të emëruar në Bord, Jusuf Nikqi është renditur i 3-ti me 16.14 pikë; Mevlyde Kelmendi Begolli me 14.71 pikë dhe Simon Balaj me 14.57 pikë.