Ish-Anëtari i ZRrE-së Nënshkrues i Licencave për Biznesin Hisedar të Vëllait

Një hulumtim disa javor i Gazetës Jeta në Kosovë ka zbuluar se familjarë të ish-anëtarit të bordit të ZRrE-së Blerim Koci kanë blerë aksione në hidrocentralin e ri të Mitrovicës.

Bordi i Zyrës së Rregullatori të Energjisë është një nga organet kryesore që nxjerr licenca për ndërtimin e kapaciteteve energjetike.

Gazeta JNK zbuloi se Koci ishte nënshkrues i të paktën pesë dokumenteve të cilat mundësuan ngritjen e hidrocentralit në të cilin sot është aksionar i vëllai, Bashkim Koca. Familja Koca sipas të dhënave të siguruara ka blerë aksionet tri vite pasi familjari i tyre ishte në mesin e atyre që nënshkruan licencat.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Gazeta JNK zbuloi se Blerim Koci në cilësinë e anëtarit të bordit nënshkroi pesë vendime për kompaninë ‘Hydro-Line’ Sh.P.K., kompani kjo që merret me ndërtimin e hidrocentraleve.

Në bazë të të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), një nga tre pronarët në ‘Hydro-Line’ është edhe kompania ‘Termo Consing’ – Sh.P.K., pronë e Bashkim Koca, vëllai i Blerim Kocit.

Dy vëllezërit në të kaluarën kishin të ngritur një biznes me po të njëjtin emër, i cili deri në vitin 2010 ishte në pronësi të ish-anëtarit të ZRRE, Blerim Koci. Biznesi më pas ishte bartur në pronësi tek i vëllai Bashkimi, i cili gjashtë vite më vonë bleu aksione në kompaninë që po ndërton hidrocentrale, ‘Hydro-Line’.

Nga dokumentet e siguruara, në mes viteve 2009-2013 kur ishte anëtar i Bordit në ZRrE-së, Blerim Koci kishte qenë nënshkrues i së paku pesë vendimeve për kompaninë ‘Hydro-Line’- Sh.P.K..

Përfaqësuesi i kompanisë ‘Hydro-Line’, Muhamer Ibrahimi, ka pranuar se kompania e Bashkim Kocës është pronare e aksioneve në hidrocentralin e ri.

“Që nga data 29.02.2016, pronarë të ‘Hydro-Line’ ShPK janë: NUHA Baunternehmung GmbH & Co.KG, Muhamer Ibrahimi dhe ‘Termo Consing’”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ibrahimi.

I kontaktuar nga Gazeta JNK, Blerim Koci, deklaroi se në kohën kur ka qenë anëtar i Bordit të ZRrE-së (2009-2013), ai nuk ka qenë pjesë e kompanisë ‘Termo Consing’, pasi që sipas tij ai ishte tërhequr nga kjo kompani.

Ai nuk pranoi të takohet me ekipin e Gazetës JNK për të ofruar ndonjë dokument i cili dëshmon se kur është tërhequr nga ‘Termo Consing’.

“Në kohën kur unë kam qenë anëtar i Bordit të ZRrE-së unë s’kam qenë pjesë e ‘Termo Consing’, jam tërheq në vitin 2009-të. Unë kam qenë pronar bashkë me vëllain tim Bashkim Koca, për këtë ju mund të kërkoni të dhënat në ARBK”, tha Blerim Koci.

Gazeta JNK ka provuar të marrë edhe qëndrimin e Bashkim Koca, por kontakti me të ka qenë i pamundur pasi që në numrin zyrtar të biznesit të tij në ARBK, Koca nuk ka pasur qasje.

Sipas përgjigjeve nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Blerim Koci ka qenë pronarë në biznesin të cilin e ka bartur më pas tek vëllai i tij Blerim Koci deri në vitin 2010-të.

“Blerim Koci, ka qenë pronar deri më datën 21.04.2010 në biznesin NPSH ‘Termo Consing’. Ky biznes është shuar sepse me datën 29.04.2016, ka kaluar në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar me emërtim ‘Termo Consing’ SH.P.K.”, thuhet në përgjigjet e ARBK-së.

Muhamer Ibrahimi, pronar në ‘Hydro-Line’, nuk sheh asgjë problematike faktin se Blerim Koci, vëllai i Bashkim Koca, sipas të dhënave të ARBK-së kishte qenë pronar i ‘Termo Consing’.

Zyra e Rregullatorit për Energji nuk dha sqarime nëse blerja e aksioneve nga familja Koca në ‘Termo Consing’ mund të paraqesë ndonjë konflikt të interesit.

“Sipas dosjes që posedon ZRRE për aplikacionin e ndërmarrjes ‘Hydro-Line’ Sh.P.K., në kohën kur ju kanë lëshuar 4 vendimet e cekura më poshtë, dhe në certifikatën e regjistrimit të biznesit të lëshuar nga ARBK, themelues dhe pronarë të saj janë 3 persona. Ku, as si pronar dhe as si themelues, nuk figuron as emri i z. Blerim Koci dhe as i kompanisë ‘Termo Consing’, thuhet në përgjigjet e ZRrE-së.

Infografika e ngjarjes
Infografika e ngjarjes

Takimi që bashkoi vëllezërit dhe aksionarët

Ish-anëtari i Bordit të ZRrE-së, Blerim Koci, i cili në vitin 2013-të kishte nënshkruar së paku pesë vendime për Kompaninë ‘Hydro-Line’, pretendon se blerja e aksioneve nga kompania e vëllait të tij nuk paraqet ndonjë konflikt të interesit.

Koci i cili së fundi është parë në takime zyrtare si pjesë ishte pjesë e një delegacioni të “Hydro- Line”, të kryesuar nga ish-pronari i kësaj kompanie Bekim Shyti në një vizitë te kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

Koci thotë se në këtë takim te kryetari Agim Bahtiri, së bashku me Muhamer Ibrahimin dhe Bekim Shytin, kishte shkuar më kërkesë të vëllait të tij Bashkim Koca. Ai thotë se ligji për Zyrën e Rregullatorit nuk ia ndalon atij që sot të jetë pjesë e ndonjë kompanie.

“Ka qenë kërkesë e vëllait tim që me shku me bisedu diçka për një rrejt tubacioni se a duhet me kalu nëpër lum apo jo. Këtu nuk ka kurrfarë konflikti të interesit, pasi që me ligjin për zyrën e rregullatorit të energjisë, anëtarët e bordit një vit pas përfundimit të mandatit kanë të drejtë të punojnë në çdo ndërmarrje të energjisë”, tha Blerim Koci.

Drejtori i ‘Hydro-Line’, Ibrahimi, thotë se ky takim është realizuar me kërkesë te ‘Hydro-Line’, me qëllim të shqyrtimit të kërkesës nga ana e komunës së Mitrovicës për dhënien e lejes ndërtimore për “Albanikun 1” dhe “Albanikun 4”. Por, sipas tij Blerim Koci ka qenë vetëm në cilësinë e ekspertit.

“Blerim Koci ka qene me ne në cilësinë e ekspertit profesional, ku ne si Hydroline me rekomandimin e z. Bashkim Koca kemi vlerësuar ta konsultojmë për disa aspekte profesionale teknike për tubacionet, për pikat e takimit të realizuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës”, tha Ibrahimi.

Ai shtoi se është e drejtë e tyre që t’i ndajnë aksionet e kompanisë më cilëndo kompani që ata vlerësojnë.

“Në bazë të nevojave zhvillimore të ‘Hydro-Line’, nevojave financiare për zhvillimin e projekteve, mbështetjen minimale të bankave komerciale në vendin tonë në lidhje me këto projekte, e kemi vlerësuar të domosdoshëm ndryshimin e strukturës së aksionarëve, mendoj që është e drejtë e kompanisë”, theksoi Ibrahimi.

Adelina Myrtezaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji, deklaroi në përgjigjet me shkrim se ligji për ZRrE-në i përcakton qartë se çka i lejohet një anëtari të bordit të këtij institucioni gjatë ushtrimit të mandatit të tij.

“Sipas nenit 5 paragrafi 3.3 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë: Anëtarët të Bordit gjatë mandatit të tyre në këtë pozitë nuk mund të: jenë vetë, apo nuk kanë bashkëshort apo të afërm të ngushtë, i cili është aksionar, partner, pronar ose menaxher në një ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet këtij ligji, apo ndërmarrjeje vartëse apo filiale të një ndërmarrje të energjisë”, shpjegoi ajo.

 

Fakte përmbledhëse

Blerim Koci ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të ZRrE-së nga viti 2009 deri më 2013-të.

Blerim Koci ka qenë pronar i kompanisë NPSH ‘Termo Consing’ deri më 21.04.2010.

Pas Blerim Kocit, pronar në NPSH ‘Termo Consing’ është bërë vëllai i tij Bashkim Koca.

‘Termo Consing’ NPSH është bërë aksionare në kompanisë ‘Hydro-Line’ SHKP më 29.02.2016.

Bashkim Koca, vëllai i Blerim Kocit (ish-pronarit të ‘Termo Consing’ NPSH) më datë 29.04.2016 ia ndërron statusin biznesit nga biznes individual në ‘Termo Consing’ SHPK.

Blerim Koci në vitin 2013-të ka dhënë nënshkrimin e tij në së paku pesë vendime-licenca të ZRrE-së si anëtar i Bordit për kompaninë ‘Hydro-Line’, ku sot në vitin 2016-të një nga firmat që ka aksione në Hydro-Line është edhe kompania e Bashkim Koca që e trashëgoi kompaninë ‘Termo Consing’ nga vëllai Blerim Koci.