Ilir Limaj, bujku që merr subvencione qumështi pa asnjë lopë

Ndarja e mbi 45 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për grante dhe subvencione në bujqësi ka hapur një derë për përfitime nga aferat e korrupsionit.

Një hulumtim i BIRN zbardh se fonde të ministrisë për cilësinë e qumështit kanë shkuar në konton e një bujku që nuk ka lopë, ndërsa komiteti i bujqve ngrit dyshime edhe për afera të tjera.

Ilir Limaj është pjesë e listës së fermerëve që përfituan grante nga Ministria e Bujqësisë për cilësinë e qumështit.

Emri i Limajt është në listën e përfituesve me 1 mijë e 813 mijë eurove në listën e publikuar më 13 shkurt të këtij viti.

Kur ekipi i BIRN e ka vizituar Limajn në fshatin e tij, ka kuptuar se ai nuk ka as fermë e as lopë. Ai është nga Banja e Malishevës, prej nga vjen edhe zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Në bisedë me ekipin, Ilir Limaj ka thënë se nuk ka aplikuar fare për grante të qumështit pasi ai kërkon subvencione vetëm për të mbjellat e grurit.

Murat Hoxha, Drejtor i Bujqësisë në Malishevë, ka pranuar për KALLXO.com se Limaj nuk kishte aplikuar për grante të cilësisë së qumështit, ndërsa pretendon se Ministira e Bujqësisë ka bërë gabim.

Dyshime për parregullsi

Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar dyshimet që bujkut pa lopë i kanë dhënë subvencione për qumësht.

“Edhe ne e kemi vërejtur një lëshim të tillë dhe gjatë ditës do të ju kthejmë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

E njëjta sqaron se pse emri i bujkut ndodhet në listë.

“Arsyeja pse ky fermer ka përfunduar në listën e fermerëve përfitues për Pagesa Direkte Qumësht sipas cilësisë për TM3 2018 është sepse AZHB bën pagesa sipas listave për dy kategori-Blegtori dhe sipërfaqe. Ka edhe fermerë tjerë që janë në këtë listë dhe nuk janë përfitues për qumësht por për pagesa tjera për sipërfaqe apo blegtori”, thuhet në përgjigje.

Por, emri i tij është pjesë e listës ku shkruan “Pagesa Direkte Qumësht”.

Përveç këtij ‘gabimit’, fermeri, Komuna e Malishevës dhe Ministria e Bujqësisë i kanë dhënë BIRN-it të dhënat të ndryshme sa i përket parave që i ka përfitu Limaj.

Murat Hoxha, Drejtor i Bujqësisë në Malishevë, thotë se Limaj është dashur të fitojë 1,965 euro për grurin, e jo 2,352 euro sa i janë ndarë atij.

Ministria ka pranuar se pas interesimit të BIRN ka kuptuar se këtij fermeri i ka paguar më shumë para edhe për grantin tjetër atë të grurit.

“Problemi është se tek ky fermer është dashtë të zbritet nga pagesa e dytë sipërfaqja prej 3.59 ha ose shuma prej 538.50 €, sepse shuma totale që i ka takuar fermerit është 1,813.50 € e jo 2,352.00 €. Pra ky ka qenë një gabim teknik i sistemit që përdorim tek kalkulimet e pagesave”, thuhet në përgjigje.

Ministria ka sqaruar se pas zbulimit do kërkojë nga fermeri kthimin e 538 eurove.

Grantet për cilësinë e qumështit ndahen në tri kategori: 2 cent, 4 cent dhe 6 cent. Çmimi i qumështit për litër varet nga cilësia e qumështit për të cilën Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Malishevë, Murat Hoxha thotë se janë të rralla përfituesit për litrin e qumështit i cili vlen 6 cent sepse cilësia duhet të jetë shumë e mirë.

Ndarja e mbi 60 milionë eurove nga skemat e subvencioneve qeveritare për bujqësinë në vazhdimësi ka qenë subjekt i skandaleve të korrupsionit.

Në fund të vitit të kaluar zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, u arrestua me dyshimet se kërkoi mijëra euro mito për t’ia dhënë një grant një kompanie.

Struktura e lartë e ministrisë pranoi aferën e korrupsionit ndërsa zëvendësministri u dënua me 4 muaj burgim me kusht nga Gjykata e Prishtinës.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, pretendon se ka shumë prova të cilat dëshmojnë për afera korrupsioni. Në një bisedë për BIRN, Tahiri thotë se do t’i ndajë informacionet me prokurorinë por deri më tani askush nuk e ka kontaktuar.

“Ne, si federatë sindikale, i kemi të gjitha informacionet dhe faktet se kush janë krerët e korrupsionit në Ministrinë e Bujqësisë. Unë nuk dua t`i përmendi në media ata emra, por në prokurori. I bëj thirrje Prokurorisë, le t`më ftojë për intervistë, për këto deklarata që po i jap para jush, dhe unë ju tregoj me emra e me fakte për korrupsionin që po bëhet në Ministrinë e Bujqësisë”, thotë Tahir Tahiri.

Ai tregon se përgjigje për denoncimet ka marrë vetëm nga Agjencioni Kundër Korrupsion.

“Në vitin 2010, përmes Agjencisë Kundër Korrupsion e kam paraqitë një rast. AKK-ja ma ka kthy përgjigjen që lënda është dërguar në prokurori, por kurrë kush s`më ka thirrë më për atë rast”, thotë Tahiri.

Njëra nga format e ryshfetit për bujqit është përgatitja e aplikacioneve.

Një hulumtimin që ka bërë organizata “Çohu” zbardh keqpërdorime e granteve dhe subvencioneve.

Njëri nga fermerët, në këtë hulumtim, tregon në detaje se si funksionon marrja e granteve nga ministria: “Kam marrë disa grante dhe për të gjitha kam dhënë ryshfet, sepse pa dhënë ryshfet është e pamundur që të marrësh grante të mëdha. Ryshfet kam dhënë edhe në komunë për të marrë subvencione edhe fermerët tjerë që i njoh kanë dhënë ryshfet, por askush nuk guxon të flasë për shkak se nuk ka shanse që të marrë më ndonjë grant tjetër. Kur kam aplikuar për traktor, ende pa dalë listat dhe pa u informuar nëse jam fitues, më ka thirrë në telefon një person nga një kompani që shet traktorë dhe më ka thënë se traktorët kanë ardhur. E ku e dinte ky person që unë isha fituesi? Unë këtë e mora si porosi që duhet ta blej traktorin nga kjo kompani dhe ashtu veprova, e bleva tek ata në Fushë Kosovë”, thuhet në hulumtim.

Lidhjet e politikës

Menaxhimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe granteve për bujqit është formë e mirë për të krijuar miq dhe votues.

Fermeri Lirion Ahmetaj nga Korisha e Prizrenit është duke u përballur në gjykatë me Ministrinë për fermën e tij të dhive.

Ai kishte fituar një grant nga Agjencia për Zhvillim e Bujqësisë me një vlerë prej 53 mijë e 900 euro por paratë nuk i mori asnjëherë.

Dy komisione e kishin vlerësuar të përmbushur investimin e tij, ndërsa një i tretë kishte konstatuar se investimi nuk ishte kryer dhe rrjedhimisht atij nuk i takonin paratë.

“Kam pritë me m’u liru mjetet financiare mirëpo pas një kohe jam tmerruar kur më ka ardhur një vendim, me arsye banale, që është tmerrësisht e paskrupullt të shkruhet ajo arsye nga ndonjë zyrtar. Në atë vendim thuhet se objekti nuk i plotëson standardet”, rrëfen Liridoni.

Hulumtimi dëshmon se fermeri kishte arritur të diskutojë grantin e tij me njerëz të politikës të cilët i kishin premtuar zgjidhje.

Në bisedat që kishte me Zëvendësministrin e Bujqësisë, Vesel Krasniqi, dhe një këshilltare të ish ministrit Nenad Rikallo, që të dy i kishin thënë se është përfitues i grantit.

Madje Liridoni ruan një mesazh të dërguar nga zëvendësministi ku thuhej se puna ishte kryer.

Në anën tjetër, zëvendësministri Vesel Krasniqi, pranon që ka komunikuar me fermerin Liridon Ahmetaj.

Por, ai mohon ta ketë njohur më parë, apo ta ketë të afërm familjar.

Sipas zëvendësministrit Krasniqi, fermerin, për herë të parë, e kishte takuar në zyrën e tij, si çdo palë tjetër.

“Liridoni ka ardhur te unë që të ngritë shqetësimin e tij lidhur me anulimin e grantit nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, ku m’i ka ofruar të gjitha shënimet sё bashku me kontratën. Pas kësaj jam interesuar për kёtё rast se ku ёshtё problemi. Fillimisht jam informuar se lënda ёshtё kryer. Më vonë më njoftuan se është kryer si kontratë e lidhur por fermeri nё fjalë nuk iu ka përmbajtur kontratës dhe ka dalë jashtë projektit të Agjencisë. Ndërsa, SMS-in që ia kam kthyer, pasi më ka pyetur se a ka diçka të re rreth problemit tim, ka qenë në fillim kur më kanë thёnё se i ёshtё dhёnё granti dhe kontrata ёshtё kryer. Përndryshe, fermerin sot me pa nuk e njoh dhe nuk e kam as lidhje familjare, por e kam pritur si çdo palë tjetër që kanë ngritur shqetësimet e tyre nё zyrën time”, thekson në përgjigjen e tij zëvendësministri Vesel Krasniqi.

Në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë vazhdojnë të pretendojnë se fermeri nuk i kishte përmbushur kriteret dhe kjo ishte arsyeja pse atij iu ndalua granti.

“Në bazë të raportit të inspektorëve dhe fotove nga vendi i ngjarjes kemi të bëjmë me investime të ndërtimit të shtëpive për banim me objekte përcjellëse – garazh dhe shtëpi dy katëshe të ndërtuara, të cilat janë në kundërshtim me planin ideor për ndërtim të stallës”, thuhet në përgjigjen e AZHB-së.

Ndërkohë, një gjë të tillë e mohon fermeri Liridon Ahmetaj, i cili thekson se investimet janë bërë vetëm në stallë e jo në shtëpi, ashtu siç thuhet në arsyetimin e refuzimit të AZHB-së.

Ai prezanton edhe projektin ideor, me të cilin ka aplikuar për grant.

Sidoqoftë, refuzimi që i është bërë nga Ministria e Bujqësisë i ka kushtuar fermerit Liridon Ahmetaj, ngase ai është dashur të hyjë kredi për të mbuluar 30% të pjesës së investimeve vetanake, ashtu siç kërkohet për të qenë përfitues i grantit. Të gjitha këto shpenzime prej 30%, ai i kishte paguar përmes xhirollogarive bankare. Tani, atij i është vështirësuar edhe më tepër puna, meqë për shkak të vonesave, lëndën e tij banka e ka dërguar në gjykatë.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Pajazit Krasniqit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së)