I punësuari rishtazi inspektor në ATK, në foto me Kadri Veselin

Në mesin e 20 inspektorëve tatimorë të punësuar në Administratën Tatimore është edhe Afrim Tahiri. KALLXO.com ka gjetur se i punësuari në ATK kishte një fotografi me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Fotografia e Tahirit me Veselin është publikuar në profilin e tij në Facebook. KALLXO.com ka kontaktuar me Tahirin përmes numrin kontaktues që kishte lënë në profilin e tij “Facebook” ku ishte e publikuar foto me Veselin.

Tahiri e ka konfirmuar se është pranuar inspektor tatimor në ATK, përmes konkursit të fundit në të cilin ishin pranuar edhe 19 inspektorë të tjerë.

Tahiri është renditur i gjashtëmbëdhjeti me 76.8% të pikëve. Ai ka arritur të punësohet duke dalë më i mirë se rreth 500 kandidatë të tjerë që i janë nënshtruar testit me shkrim në konkursin e ATK-së për inspektorë. Në këtë konkurs për inspektorë tatimorë kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë.

Tahiri thotë se nuk është ndihmuar nga Partia Demokratike apo kryetari i saj, Kadri Veseli për tu punësuar në ATK.

“Absolut asnjë njeri nuk ka pas ndikim, në punësimin tim, jam përzgjedh dhe i kam plotësuar të gjitha kriteret”, tha Tahiri.

Inspektori tatimor e pranon se mund të ketë foto me liderin e PDK-së, Kadri Veseli.

“Ndoshta kam foto me të po me vetëdije time nuk e di që kam, po siç do qytetar që mundet me pas foto me ndonjë lider edhe unë mund të kem pas ndonjë fotografi me të”, shtoj ai.

Ai thotë se nuk ka qenë në strukturat e PDK-së. Ndërsa, për katër vjet thotë se ka punuar në Komunën e Skenderajt, që ishte udhëhequr nga Sami Lushtaku, tash kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

“Unë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike, kam qenë i punësuar në komunën e Skenderajt në komitetin e auditimit për 4 vite, por anëtar i ndonjë partie asnjëherë”, deklaroje Tahiri.

Në konkursin e ATK-së, për inspektor Tatimor janë punësuar 20 persona.

Për përzgjedhjen e tyre kishte vendosur komisioni i udhëhequr nga Ukshin Rrecaj, ish-asamblisti dhe themeluesi i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Bashkë me Ukshin Rrecajn, anëtar të komisionit për përzgjedhjen e inspektoreve ishin edhe Arben Istogu, Teuta Morina, Magbule Shala dhe Tatjana Bojkovic.

Hulumtimet e KALLXO.com zbuluan se të paktën 7 nga 20 të punësuarit si Inspektor në këtë institucion kanë lidhje të forta politike. Pesë nga të punësuarit lidhen me PDK-në, një me AAK-në dhe një me LDK-në.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në gjithë dokumentacionin e komisionit për këtë konkurs, por ATK-ja ka vendosur t’i mbajë sekrete ato.

Disa nga të punësuarit kishin lidhje direkte me PDK-në e udhëhequr nga Kadri Veseli:

Kishte të punësuar edhe persona të afërm me partitë e tjera, përkatësisht AAK-në dhe LDK-në. Ishte punësuar Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.  E punësuar si inspektore ishte edhe Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani .

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit, BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos ta lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.