I arrestuari Armend Agani, fitues i dhjetëra tenderëve në shëndetësi

Armend Agani, kushëriri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, është arrestuar gjatë muajit prill së bashku me Ljiljana Smiliq, në lidhje me hapjen e poliklinikës “Bel Medic International D.O.O” me dokumentacion të dikujt tjetër.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Armend Agani ka hise në disa biznese të cilat kanë fituar disa kontrata nga institucionet e Kosovës, që së bashku kanë vlerë milionëshe.

Armend Agani ka 30% të aksioneve në kompaninë “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.”, në të cilën pronësi ka edhe Ljiljana Smiliq (10%) dhe tre persona tjerë: Dragan Vukashinoviq 25.00%, Mirela Dimitrijeviq 10.00% dhe Milan Knezheviq 25% të aksioneve. Hapja e këtij biznesi ka qenë arsyeja e arrestimit.

Por, i arrestuari Armend Agani ka hise edhe në disa biznese të tjera, që po ashtu janë në fushën e shëndetësisë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Armend Agani i arrestuar me 10 prill ka hequr dorë nga aksionet që kishte në kompaninë “Agani L.t.d Sh.P.K”, e cila ka kontrata milionëshe me institucionet e Kosovës.

Agani në këtë kompani kishte 34% të aksioneve në vlerë prej 13 mijë e 600 euro. Por, ai ka hequr dorë nga aksionet pas arrestimit, përkatësisht me datën 26 prill. Aksionet e tij i janë bartur Don Aganit, që është djali i Armend Aganit.

KALLXO.com ka gjetur se Agani është furnizues i rregullt i institucioneve shëndetësore në vend, por kontratat ka edhe me institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe.

Në total, kompania “Agani Ltd SHPK” vetëm në vitin 2017 dhe 2018 kishte fituar tenderë në vlerë prej 1 milion e 821 mijë euro për furnizim me pajisje mjekësore dhe materiale shpenzuese. Vlera totale e kontratave është edhe me e lartë, por mungojnë informatat meqë bëhet fjalë për kontrata kornizë dhe nuk janë të publikuara si vlera totale.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe   QKUK-ja për kontratat që këto institucione i kanë aktive me bizneset e Armend Aganit, por ato nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet specifike.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës shprehet e rezervuar në përgjigje. Ajo vetëm konfirmon se kompania “Agani” ka fituar disa lote në  disa tenderë.

“QKUK ju konfirmon se bazuar në informatat e Zyrës së prokurimit, kompania “Agani” ka pasur disa lote të fituara në tender në vitin 2018, furnizim me  material shpenzues për kardiokirurgji që ka furnizuar rregullisht sipas kontratës” thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Sipas Zyrës për Prokurim në QKUK deri më tani nuk ka pasur problem me furnizim dhe cilësia e produkteve ka qenë në nivelin që janë prezantuar.  “Agani Sh.P.K” është në pronësi të Armend Aganit, Dugagjin Aganit dhe Driton Aganit.

Ministria e Shëndetësisë thotë se kompania ‘Agani’ ka fituar tender në vazhdimësi duke mos u përgjigjur në pyetjet tona konkrete se sa kontrata aktive i kanë me secilën prej kompanive të Aganit.

“Kompania ‘Agani’ ka fituar kontrata në vitet në vazhdimësi dhe ka disa kontrata aktive për barna dhe material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kompania “Agani” në 10 tenderë është rekomanduar për kontratë nga Ministria e Shëndetësisë vetëm gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019. Të gjitha kontratat në ueb-faqen “Prokurim i Hapur” janë me vlera të ulëta dhe janë kontrata kornizë. Mirëpo, në këtë njoftim nuk tregohet vlera e saktë e kontratës, pasi mungon sasia e cekur në njoftim, pra nuk dihet totali i këtyre kontratave. Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë përgjigje për kontrata e lidhura me biznesin “Agani Ltd SHPK”.

Kompania “Agani” ka disa kontrata me komunat me shumicë serbe. Tenderin për blerjen e pajisjeve të specializuara për trajtimin e Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës e kishte fituar në vlerë prej 376,860.00. Një tjetër tender për blerje të pajisjeve të specializuara për trajtim në një institucion shëndetësor në Komunën e Mitrovicës Veriore ishte në vlerë prej 189,950.00. Janë edhe disa kontrata të lidhura me Komunën e Graçanicës, sic është ajo për “furnizim me pajisje mjekësore” në vlerë 151,890.00.

Agani në vitin 2018 kishte furnizuar edhe Policinë e Kosovës me material shpenzues dhe barna në vlerë prej 19,777.00.

Kompania “Agani” figuron si kompani e rekomanduar për kontratë në 58 njoftime të publikuar në portali “Prokurim i Hapur”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, njëri nga pronarët e kompanisë “Agani”, Driton Agani tha se kompania e tyre është furnizues i QKUK-së tash e 20 vite.

“Prej pas luftës e furnizojmë QKUK-në, ne të tre vëllezërit jemi farmacistë. Kemi studiu në Sarajevë. Furnizojmë me material shpenzues, aparatura  diagnostika dhe barna. Kompania “Agani” ndahet në katër divizione më së paku furnizojmë në laboratore, por material shpenzues komplet prej gjylpanave deri në ato më komplekse mundohemi me ju ndejtë gati dhe me i ofertu sipas etikës”, tha Driton Agani, vëllai i Armend Aganit, i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Armend Agani kishte aksione edhe nëpër biznese të tjera. Ai i ka 25% të aksioneve në vlerë prej 250,000 euro edhe në biznesin “International Medical Assistance LTD SH.P.K”. Partnerë në këtë biznes janë edhe: Lulzim Agani 25%, Shpëtim Turku 25% dhe Aziz Peja 25%.

Agani ka hise edhe në “Spitali Royal Medical L.L.C”. Në këtë biznes Armend Agani është aksionari kryesor me 35% të aksioneve në vlerë prej 350,000 euro. Aksionar të tjerë në Spitalin Royal Medical janë edhe: Vinko Barishiq 30.00%, Aziz Peja 10.00%, Shpëtim Turku 15.00% dhe Lulzim Agani 10.00%.

Armend Agani e ka edhe një biznes tjetër “Hexagon Health SH.P.K”, në të cilën është pronar i vetëm.

Agani bashkë me serben Liljana Simiq dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’, ‘rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’, ‘mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Agani dhe Smiliq janë bashkëpronar në poliklinikën“BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.” si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara në ARBK, në maj të vitit 2017. Gjithashtu në ARBK thuhet se selia e poliklinikës është në Graçanicë.

https://kallxo.com/djali-i-xhaxhait-te-ferid-aganit-eshte-arrestuar-nga-krimet-ekonomike/

www.kallxo.com

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.