Foto: QKUK

Huqja e Qeverisë: 5 vjeçarja po shërohet në Francë e Qeveria paguan shërimin në Turqi

Sëmundja e vajzës 5 vjeçare të familjes Sylejmani nuk ka pritur përfundimin e procedurave të Fondit Kosovar të Sigurimeve Shëndetësore.

E diagnostikuar me një sëmundje që nuk shërohet në Kosovë, familja kishte kërkuar ndihmën e Qeverisë për trajtim jashtë vendit të vajzës, por paratë janë vonuar për më shumë se një vit ndërsa në ndërkohë familja ka nisur shërimin e saj në një spital të Francës.

KALLXO.com zbulon se paratë për shërimin e vajzës në fund të 2019-tës janë paguar në një spital në Turqi në kohën kur vajza po shërohet në Francë me paratë e grumbulluara nga miq të familjes.

I ati i vajzës, i cili e ka denoncuar rastin në  KALLXO.com, ka kërkuar që paratë e paguara për spitalin në Turqi të kthehen në Kosovë dhe të përdoren për shërimin e ndonjë të sëmuri tjetër.

Vajza 5 vjeçare e Haqif Sylejmanit ishte diagnostikuar me sëmundjen e lëkurës Alopecia Totalis qysh në vitin e parë të lindjes.

Ajo vitin e kaluar ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga ku ishte referuar për shërim jashtë Shërbimit Spitalor të Kosovës për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Mirëpo, ndonëse Sylejmani kishte kërkuar ndihmë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore vetëm një vit më vonë kishte bartur mjetet në llogari të spitalit në Turqi.

Sylejmani në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se shërimi i vajzës do t’i pamundësohej nëse do të priste mjetet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Unë si prind me forca të mia e me ndihmën e shokëve kam arrit në Francë të kërkojmë ndihmë te shteti francez, që më kanë ofruar mundësinë shpejt e mirë pa asnjë cent e deri më tash nuk kam shpenzuar asgjë. Po ashtu më kanë ndihmuar me 850 euro deri në shërimin e fëmijës tim. Propozoj që paret që janë transferuar në spitalin e Turqisë t’i dedikohen një fëmije që ka nevojë urgjente”, thotë Sylejmani.

Sylejmani për KALLXO.com ka thënë se nuk është njoftuar asnjëherë nga Fondi se janë ndarë dhe lëshuar mjete për shërimin e vajzës.

Ai thotë se për bartjen e mjeteve në spitalin në Turqi ka marrë vesh nga një person brenda spitalit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të cilët kanë konfirmuar për redaksinë se mjetet janë bartur në llogari të spitalit në Turqi një vit pasi janë ndarë.

“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore me datë 04.12.2018 kishte ndarë shumën financiare në vlerë prej 28,000.00€ (100%) të vlerës së kërkuar nga pacienti. Ndërkaq e njëjta shumë me datë 24.12.2019 është ekzekutuar në llogari të institucionit Memorial në Turqi sipas kërkesës së përfaqësuesve- familjarëve të pacientes”, thuhet në përgjigjen e fondit.

KALLXO.com me datën 13 janar 2020 ka kërkuar informata shtesë se pse nuk është njoftuar Sylejmani për bartjen e mjeteve si dhe a janë në dijeni se vajza është duke u shëruar në Francë.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në një përgjigje për KALLXO.com të datës 15 janar 2020 kanë thënë se për ndërrimin e vendit të shërimit familja është dashur ta njoftojë Fondin.

“Për çdo ndryshim të vendimit të trajtimit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore duhet të njoftohet nga familjarët e pacientes. Fatkeqësisht në këtë informacion nuk e kemi pranuar asnjëherë nga familjaret e saj. Në këtë rast, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të kërkoj që mjetet e ndara për pacienten në fjale t’i kthejë në llogari të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe me këto mjete të trajtohen pacientë të tjerë në pritje”, thuhet në përgjigjen e Fondit.

Gjithashtu, në përgjigjen e Fondit thuhet që për ndryshim të destinacionit të mjeteve financiare Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk mund të ndërmarrë asnjë hap pa informim apo shkresë zyrtare nga ana e familjarëve të pacientes.

Në përgjigje, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore thekson po ashtu se kontakton pacientët/familjarët paraprakisht për çdo veprim mirëpo për ata të cilët nuk përgjigjen Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk ndryshon vendimet e marra nga Bordi Ekzekutiv.

Por, sipas një e-maili të siguruar nga redaksia, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore kishte njoftuar Sylejmanin për bartjen e mjeteve vetëm një ditë pasi ka pranuar pyetjet nga KALLXO.com (14 janar) si dhe tri javë pasi janë bartur të hollat.

“Ju njoftojmë se pagesa për trajtimin e pacientes është ekzekutuar nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, mund të vini tek zyret tona që ta tërhiqni vendimin në çdo kohë nga ora 08:00 deri 16:00, nga e hëna deri të premten. Ne kemi bërë shumë përpjekje që  të ju kontaktojmë por nuk keni pasur qasje”, thuhet në e-mail.

KALLXO.com ka kontaktuar me Sylejmanin për të parë nëse ai ka njoftuar Fondin për ndërrimin e destinacionit të shërimit të vajzës.

Ai ka thënë se tashmë përmes një e-maili ka njoftuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore se vajza është në shërim në Francë.

Sylejmani i ka thënë KALLXO.com se nga fondi është njoftuar se do nisen procerurat e rikthimit të mjeteve.