Historia 11 vjeçare e objektit që e la pa akreditim Fakultetin e Bujqësisë

Fakulteti i Bujqësisë nuk ka hapur fare konkurs për pranimin e studentëve të ri për vitin akademik 2024-2025, pasi objekti i këtij fakulteti ka mbetur një gërmadhë që nga viti 2013 kur kishte nisur ndërtimi i tij.

Punimet kishin nisur bazuar në një kontratë të nënshkruar në vitin 2013, por të njëjtat nuk ishin finalizuar asnjëherë. Tenderi i fundit i hapur nga Universiteti i Prishtinës për funksionalizimin e këtij objekti, në vlerë të parashikuar prej 1.6 milionë euro, është anuluar disa ditë më vonë.

Zyrtarisht tenderi ishte anuluar për shkak të mungesës së buxhetit, por i njëjti ishte anuluar me kërkesë të Këshillit Drejtues të UP-së pasi i njëjti ishte anashkaluar me rastin e hapjes së këtij tenderi.

Anashkalimi i Këshillit Drejtues

Tenderi me vlerë të parashikuar prej 1 milion e 641 mijë euro për “Funksionalizimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë” ishte hapur më 13.05.2024.

Mos funksionalizimi i objektit në fjalë, sipas të dhënave të publikuara në tender, rrezikon që Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë të mos ketë mundësi të regjistrojë studentë për vitin akademik 2024-2025.

Përkundër faktit që në njoftimin për kontratë është thënë se kjo kontratë është jetike për Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti i Prishtinës e kishte anuluar këtë tender 11 ditë më vonë, përkatësisht më 24.05.2024, me arsyetimin se “ka mungesë të fondeve” për këtë projekt.

Kundër vendimit për anulim të aktivitetit të Prokurimit ishte ankuar operatori ekonomik “Quatro Trade Sh.P.K”, por më vonë e kishte tërhequr kërkesën për rishqyrtim.

Ky arsyetim është dhënë përkundër faktit që Autoritetet Kontraktuese nuk mund të hapin një tender pa e marrë një dokument që tregon se i njëjti ka fonde për të përmbyllur kontratën që synon ta nënshkruaj.

Neni 22 i Ligjit të Prokurimit Publik thotë që tenderët mund të iniciohen vetëm pasi të merren garancitë e nevojshme se ka mjete për realizim të atij aktiviteti të prokurimit:

“Zyrtari autorizues nuk e autorizon zyrtarin e prokurimit që të iniciojë aktivitetin e propozuar të prokurimit para se ZKA i autoritetit kontraktues t’i ketë dorëzuar zyrtarit zutorizues deklaratën përkatëse të nevojave dhe vendosmërisë për disponueshmërinë e fondeve të nënshkruar nga ZKA dhe ZKF i autoritetit kontraktues sipas paragrafit 5. të nenit 9 të këtij ligji”- thuhet në nenin 22 të LPP-së.

Tenderi ishte hapur në muajin maj me arsyetimin se i njëjti është i domosdoshëm që Fakulteti i Bujqësisë të jetë funksional dhe të akreditohet nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Ky Universitet e ka publikuar arsyetimin e anulimit të tenderit, e që lidhet me një mbledhje të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Është kontaktuar Altin Sahiti, udhëheqës i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ka thënë se ky organ ishte anashkaluar me rastin e hapjes së këtij tenderi.

Në një bisedë përmes telefonit, Sahiti ka thënë se si organi më i lartë i Universitetit, Këshilli Drejtues është dashur të jetë i njoftuar dhe të japë miratimin për hapjen e tenderit.

“E kanë anulu para disa ditëve. Ata munden me thënë gjithçka, por është anashkaluar Këshilli Drejtues. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e thotë shumë mirë që tenderi në vlerë të madhe qysh është rasti i kësaj, duhet me qenë i paraparë, duhet me qenë i buxhetuar, duhet me qenë i aprovuar prej organit më lartë, që në këtë rast organi më i lartë në Universitet është Këshilli Drejtues, edhe nuk është bërë kjo. Ne nuk kemi qenë në dijeni për këtë”- ka thënë Sahiti.

Përmes telefonit është kontaktuar me udhëheqësin e prokurimit në Universitetin e Prishtinës, Përparim Shurdhiqi, për ta pyetur pse është hapur tenderi pa miratim të Këshillit, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se “jam ushtrues detyre dhe gjitha pyetjet drejtoni tek zyra për media”.

Zëdhënësi i Universitetit të Prishtinës, Irfan Nikçi, nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin kur është publikuar ky artikull. Përgjigje nuk ka kthyer as sekretari i UP-së, Besfort Krasniqi, edhe pse i njëjti në një bisedë përmes telefonit më 30.05.2024, ka premtuar se përgjigjet do të jepen me shkrim.

Në ndërkohë, në vendimin e datës 24.05.2024 për anulimin e tenderit, Universiteti i Prishtinës ka thënë se tenderi anulohet sepse Këshilli Drejtues ka tërhequr vërejtjen se kostoja e projektit i tejkalon mundësitë buxhetore.

“… respektivisht nuk ka mjete të mjaftueshme buxhetore dhe kjo mund të rezultojë me pamundësi apo probleme gjatë fazave të realizimit të projektit. Universiteti i Prishtinës do të kërkojë mjete shtesë me rastin e rishikimit të buxhetit, si dhe do të shqyrtojë burime tjera alternative të financimit”- thuhet në vendim.

Institucionet publike mund të bëjnë anulimin e tenderëve para hapjes së ofertave, por vendimi i UP-së, nuk mbështetet në asnjë dispozitë ligjore të legjislacionit në fuqi, duke qenë se tejkalimi i mundësive buxhetore nuk është bazë për anulim në këtë fazë të tenderimit.

Ndërsa, Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, autoriteti kontraktues kur të hapë tenderin, duhet të ketë deklaratë të disponueshmërisë së fondeve të nënshkruar nga zyrtari kryesor financiar i institucionit, dokument i cili siguron që janë në dispozicion paratë që parashihet të shpenzohen në projekt. Universiteti i Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet nëse për këtë aktivitet të prokurimit është siguruar paraprakisht zotimi i mjeteve.

Gjithashtu, Universiteti i Prishtinës nuk ka ofruar dokumentin e disponueshmërisë së mjeteve, dokument dokument që është kërkuar më 28.05.2024 dhe rrjedhimisht, nuk dihet nëse UP-ja e ka pasur këtë dokument të nënshkruar, në momentin kur është hapur tenderi.

Në anën tjetër, në njoftimin për tender, duke e arsyetuar hapjen e tenderit, UP ka thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka refuzuar ri-akreditimin e programeve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, pikërisht për shkak të funksionalizimit të objektit të ri.

Aty thuhet se ky Fakultet nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, nëse UP nuk ofron argumente se do të funksionalizojë projektin e objektit të ri, deri para datës 30.09.2024.

“Së fundi, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka refuzuar ri-akreditimin e programeve të Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë, për arsyet e lartpërmendura, me ç’rast nuk do të mund të pranohen studentë të rinj gjatë vitit akademik 2024/25, me përjashtim nëse UP arrin të ofrojë argumente të bazuara se do ta funksionalizojë projektin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë, para datës 30.9.2024”- thuhet në njoftimin në fjalë.

Njomza Llullaku, prorektore e UP-së ka thënë se janë në negociata që Fakulteti i Bujqësisë t’i shfrytëzojë sallat në objektin e Fakultetit të Inxhinerisë Elektrike dhe Kopjuterike (FIEK).

“UP-ja edhe kampusi i UP-së është i të gjithëve, pra nëse ka hapësirë ku Fakulteti i Bujqësisë mundet m’i mbajt mësimet që ne i kemi siguru me atë hapësirë, atëherë kjo i mundëson, jemi t`u negociu për me mundësu njëvjeçar akreditim derisa të krijohet objekti”- ka thënë Llullaku.

Ajo ka thënë se pjesa e infrastrukturës është standard i panegociueshëm, për të cilën janë duke punuar që të bëjnë zgjidhje permanente për objektin e Fakultetit të Bujqësisë.

Lokacioni i objektit në kundërshtim me kushtet teknike

Që nga fillimi i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në vitin 2013 janë paraqitur disa probleme me këtë projekt.

korrik të vitit 2018, studentë të këtij fakulteti patën protestuar duke kërkuar që objekti i ri të funksionalizohej për vitin e ri akademik, pra në tetor të 2018. Kjo gjë nuk kishte ndodhur. Studentët patën protestuar edhe në janar 2022, pikërisht për mos funksionalizimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë.

Probleme me funksionalizimin e këtij objekti, u patën shfaqur prapë në vitin 2022, për të cilin objekt Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) kishte konstatuar se është ndërtuar më afër se që lejohet në raport me përçuesin e fundit të shtyllës elektrike të KOSTT-it. Shkelja e distancës së lejuar ishte konfirmuar edhe nga ana e Universitetit të Prishtinës, sipas tyre, pas angazhimit të një kompanie gjeodete ishte gjetur se distanca mes objektit dhe përçuesve të fundit të KOSTT është më afër sesa kushtet e lëshuara teknike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin e Auditimit për vitin 2020 për Universitetin e Prishtinës, kishte gjetur se në tenderin për rregullimin e rrugës te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë, UP-ja kishte zgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë. Sipas ZKA-së, çmimi i ofertës së kompanisë fituese ishte 60,232 euro më i shtrenjtë se oferta e kompanisë që ishte eliminuar nga gara.

Kompania me çmim më të lirë ishte eliminuar me arsyetimin se i mungojnë certifikatat ISO dhe se për menaxherin e projektit, kompania nuk e kishte ofruar certifikatën për sistemin hidroizoluese kristaline, riparuese dhe mbrojtëse. ZKA kishte gjetur se kompania fituese nuk i kishte plotësuar as disa kritere që ishin kërkuar në dosje të tenderit. Kompania fituese kishte ofruar dëshmitë që inxhinieri i gjeodezisë ka eksperiencë profesionale dyvjeçare, ndërsa përvoja e kërkuar në dosje të tenderit ishte katër vite.

Universiteti të Prishtinës i duhet një tender i ri dhe një operator që t’i finalizojë punimet dhe të bëjë funksional objektin e Universitetit të Bujqësisë. Deri atëherë, studentët që studiojnë bujqësinë pritet që mësimet t’i mbajnë në objektet tjera të Universitetit të Prishtinës.

 Ky artikull është publikuar në kuadër të projektit “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe efiçiencës në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik në Kosovë” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ apo të Bashkimit Evropian.