Heshtja e Falsifikimit të Notave

Të enjten në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ u transmetua hulumtimi mbi falsikifimin e notave të 12 nxënësve që u hesht nga të gjithë, përfshirë edhe institucionet e arsimit.

Ky emision i realizuar nga Jeta Xharra e Doruntina Baliu sjell pamje të ditarit të shkollës dhe librit amzë të shkarravitura dhe falsifikuara pas tentativës për ngritje të notave të disa nxënësve.

Dokumentet zyrtare të kësaj shkolle u keqpërdorën me vetëdije nga një mësues që nuk u pajtua me notat që kolegu ia vuri ish-nxënësve të tij.

Ramadan Ramaj ka raportuar në KALLXO.com se një arsimtar ka ndërhyrë në një ditar të shkollës duke përmirësuar notat e 12 nxënësve të klasës së nëntë dy vjet më parë. Ai tha se ka ndërmarrë të gjitha hapat duke njoftuar institucionet lokale e qendrore, madje edhe prokurorinë e policinë për këtë keqpërdorim.

ai tha se Fehmi Ramaj, mësues i ciklit të ulët në shkollën fillore ‘Shotë Galica’ në Tërdec të Drenasit në vitin 2014 përfundoi jashtëligjshëm notat e 12 nxënësve të klasës së nëntë.

Ramaj, megjithëse e ka pranuar këtë vepër, disa herë para drejtorisë së shkollës dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit, si ndëshkim ka marrë vetëm dy vërejtje me shkrim.

Ky mësues që nga kolegët e tij përshkruhet si njeri me fuqi të madhe politike nuk i frikësohet as organeve të drejtësisë sepse sipas tij ‘përtej vërejtjes s’ka ku shkon’.

Ndërkaq, shkarravitjen që e ka bërë në rubrikat e suksesit të nxënësve ai e përshkruan si simulim.

“Ajo ka qenë veç stimulim, stimulim”, përshkruan shkurt Ramaj.

Përveç në këtë rast, Ramaj ka të ngritur kallëzim penal edhe për deklarim të rremë nën betim për përvojën e punës gjatë viteve të luftës.

Pak orë para transmetimit të emisionit, palët e përfshira kanë dërguar reagime me shkrim rreth çështjeve që diskutohen në emision. Fehmi Rama, mësues dhe i dyshuar si autor i falsifikimit të notave ka kërkuar në emër të Sindikatës së Pavarur të Shkollës Fillore “Shotë Galica” në Tërdec që të mos transmetohet emisioni.

Ndër tjera, ai këtë kërkesë e bazon edhe në atë se “jemi afër festës së 17 Shkurtit (Ditës së Pavarësisë) dhe 6 Marsit (ditës së Shkollës në Tërdec)”.

Gjithashtu, Auditori i Komunës, Kamer Ramaj ka bërë kërkesë për mostransmetimin e intervistës së tij  dhe në ndërkohë zëdhënësi i Komunës që ka ofruar dëshmi për ekzistencën e një dokumenti në arkivat e komunës për të cilën Ramadan Ramaj pretendon se i është shqyer nga Kamer Ramaj.

Ekipi hulumtues i ‘Jeta në Kosovë’ me publikimin e këtyre reagimeve siguron se është bërë hulumtim dhe raportim i drejtë i fakteve duke përfshirë këtu edhe versionet e të gjitha palëve të përfshira dhe kundërshtuese.