'Hani i bunareve', Komuna me ujësjellës e pa ujë  

“Burgu është për burra”. Kjo ishte tema thelbësore që qytetarët e Hanit të Elezit e kishin dëgjuar debatin në mes kandidatëve për kryetar të komunës nga PDK, Florim Shkreta, dhe moderatores Jeta Xharra në debatin zgjedhor për Hanin e Elezit në shtatorin e vitit 2017.

Rufki Suma, njëri nga kryetarët më karizmatikë të komunave të Kosovës, ka arritur që pa përkrahje të partive politike të qeverisë për tri mandate komunën e vogël të Hanit të Elezit. 

Në zgjedhjet e fundit, partitë opozitatare vendosën ta sfidonin Rufki Sumën me një kandidat i cili ishte i dënuar për keqpërdorime gjatë zgjedhjeve dhe kishte mbajtur dënimin me burg, e poashtu me një mësuese të respektuar në Han të Elezit.

Në mungesë opsionesh dhe vizionesh nga partitë e tjera, apetitet për premtime elektorale në Han të Elezit ishin të pakta. Madje mungesën e premtimeve Rufki Suma e arsyetonte thjesht se ‘do të investojmë aq sa na lejon buxheti’.

Një vit më vonë, auditori gjeneral konstatoi se Suma kishte ngecje në investime në komunë për shkak se shpenzoi vetëm 83% të buxhetit për investime. 

Raporti e kritikoi komunën për mungesë të të hyrave, ndërsa nuk ka arritur t`i inkasojë borxhet.

Megjithëkëtë, raporti i perfomancës së komunave të Kosovës i Ministrisë së Pushtetit Lokal për vitin 2018 e ka renditur këtë komunë në krye të tabelës. Hani i Elezit është komuna e tretë më e mirë për performancë pas Junikut dhe Deçanit.

Përkundër performancës së mirë, banorët e Hanit të Elezit jetojnë në shtëpi ku rrjeti i ujësjellësit është i shprëndarë, por aty nuk arrin uji, ndërsa edhe pse është ndërtuar çerdhja e fëmijëve është jofunksionale në mungesë të stafit.

Komuna me gjithsej 11 fshatra e dy lagje, ka të instaluar sistemin e ujësjellësit, por nuk kanë furnizim të rregullt me ujë.

Komuna e Hanit të Elezit, Foto: KALLXO.com

Për të mos mbetur nën mëshirën e komunës dhe ekzekutivit drejtues, shumë familje në disa fsahtra kanë hapur puse apo bunarë dhe furnizohen nga to, ndërsa pjesa e qytetit përballet me ndërpreje të shumta.

Një mërgimtar i Hanit të Elezit, i cili që disa muaj është kthyer në Kosovë, Safet Meliqi, tregoi për ekipin e KALLXO.com problemin e ujit si dhe shtoi se faturat janë me çmime të papërballueshme, anipse nuk ka furnizim 24 orë.

“Në komunën tonë ka shumë telashe, fillimisht rrugët, para se të ketë një vërshim a diçka nuk dalin me pastru. Për ujë të pijes shyqyr që i kemi bunaret. Ka ujë në ujësjellës por nuk është 24 orë. Investimet që i bëjnë komuna nuk jam kundër por bëjnë investime pa u planifiku. Në një fshat përshëmbull investohet për sport e nuk kanë ujë të pijes. Duhet të u shkohet gjërave me rend. Nuk mundem me i anashkalu sepse është punu, por përshembull siç po tregojnë banorët e lagjes se unë thash jam me bunar”, tha Meliqi.

Hajrullah Berisha nga fshati Gorancë thotë se problemi kryesor gjithmonë ka qenë uji i pijshëm. 

“Uji është problemi kryesor. Problemi ekziston me vite të tëra, unë që sa vjet i bëjë dhe ky gjithë ka qenë problem. Ka sistem të ujësjellësit por funksionon me ndërprerje nga dy herë në ditë. Kjo shkakton problem sepse për çdo gjë duhet me i qëndru gati ujit kur vjen edhe atë vetëm dy orë”, thotë ai. 

Gjatë kohës kur ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në Han të Elezit, një situatë të njëjtë ka parë në të gjithë fshatrat përreth komunës.

Gjendje e njëjtë qëndron edhe në Lagjen e Boshnjakëve, lagja e vetme ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit boshnjak.

Mexhide Asotiq, nga i njëjti komunitet ka treguar për jetesën e tyre si dhe problemin e ujit në lagjen ku jeton.

“Po kushtet janë të mira. S`kemi pasur ndonjëherë një problem. Ujësjellësin s`e kemi, por i kemi bunarët. Papunësina është problem për rininë”, tha ajo.

Të njëjtit furnizohen me ujë nga bunarët e hapur nga vetë ata.

Pra që nga zgjedhjet e fundit, përveç Hanit të Elezit, Lagjes së Re, një pjesë të fshatit Seçishtë dhe fshatit Gorancë, gjatë mandatit të kryetarit Suma, ujësjellësi është instaluar edhe në fshatrat, Pustenik, Dremjak, Paldenicë, Rezhancë, Dimcë, por ka ndërprerje të mëdha të ujit.

“Ashtu siç edhe e përmendët Hani i Elezit çështjen e ujit e ka ndër problemet kryesore jo me dashjen tonë, por në pamundësi për menaxhim për shkak se në rend të parë kemi kundërthënie të ligjeve, sepse përderisa ligji për qeverisje lokale lejon të menaxhoj me ujë dhe mbeturina, ligji për ndërmarrje publike nuk lejon”, ka qenë arsyetimi i Sumës në zgjedhjet e fundit sa i takon problemit të ujit.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, është përkujdesur që të mos bëjë premtime për shkak se, sipas tij, të gjitha investimet ndodhin në bazë të buxhetit të komunës.

“Nëse kemi buxhet do të mundohemi të i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë, nëse nuk kemi buxhet kot premtojmë të realizojmë diçka”, kishte thënë Suma në #DebatPernime në vitin 2017.

Komuna që funksionon vetëm me një QKMF

Hani i Elezit me rreth 10 mijë banorë ka vetëm një Qendër të Mjekësisë Familjare dhe një Amulancë Mjekësore Familjare.

Kjo e fundit gjendet në fshatin Gorancë ndërsa është jashtë funksionit që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Në disa përgjigje të Komunës së Hanit të Elezit për KALLXO.com thuhet se QKMF punon 24 orë, ndërsa AMF në Gorancë punon deri në orën 15:00.

Ekipi i KALLXO.com, më 18 gusht ka vizituar Ambulantën Familjare rreth orës 13:30 por e njëjta ka qenë e mbyllur ndërsa banorët thonë se është jashtë funksionit që nga fillimi i pandemisë.

Ambulanta Mjekësore Familjare, Foto:KALLXO.com

“Po vetë e  patë, kjo është e mbyllur prej kohës së pandemisë. Ka qenë punëtori teknik që ka punu e tash për një ineksion po duhet me shku në Han të Elezit. Gjithashtu rruga kryesore është duke u rregullu, tash na duhet me shku ka rruga e cila është dytësore dhe jo e mirë. Ambulanta këtij fshati i duhet sepse vetëm në këtë fshat janë rreth 200 shtëpi. Për një inskesion duhet ose me thirr atë djalin ose me marrë një automjet dhe me shku vet në Han të Elezit”, shtoi Berisha.

Në anën tjetër, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, drejtori i kësaj qendre Njazi Luma ka treguar se gjatë kohës së pandemisë katër punëtorë shëndetësorë janë infektuar me COVID-19, një doktor dhe tre infermierë.

E njëjta QKMF, ka tri autoambulanca, dy të reja ndërsa një të vjetëruar por që është funksionale.

Qendra Kryesore për Mjekësinë Familjare, Foto:KALLXO.com

Drejtori i kësaj QKMF-je në një bisedë për KALLXO.com, ka treguar se në bazë të numrit të banorëve të Hanit të Elezit, QKMF-ja që drejton duhet të kishte së paku pesë mjekë familjarë e në anën tjetër nuk është asnjë.

Gjithashtu banorët e Hanit të Elezit për probleme stomatologjike duhet të shkojnë në Kaçanik apo Ferizaj.

Vetë Suma e kishte pranuar mungesën e shumë doktorëve në QKMF në zgjedhjet e fundit.

“Ne në Han të Elezit kemi problem për mjekë familjarë. Të gjithë e din që QKMF është obligative me pas mjek familjar. Sikur të kishim kushte dhe të kishim mjek familjar dhe MSH të lejoj rritjen e numrit të punëtorëve, atëherë do të bëjmë përpjekte që të kemi gjinekolog, pediatër e të tjera”, kishte thënë Suma.

Insfrastruktura dhe investimet në Hanin e Elezit

Komuna e Hanit të Elezit është përkujdesur që për rrugë të mos kenë probleme banorët e kësaj komune.

KALLXO.com kishte raportuar se edhe pse për rrugën Dërmjak- Neqavc deri në Gjurgjedell, asfaltimi kishte kushtuar 400 mijë euro, Komuna e Hanit të Elezit synonte që të ndërtonte asfalt i cili kishte hapësire vetëm për një veturë. 

Ekipi i KALLXO.com në terren ka parë nga afër rrugët e fshatrave ndërsa ka vërejtur se disa nga to nuk janë mirëmbajtur, ndërsa vërshimet që kanë ndodhur ditëve të fundit kanë bërë që këto rrugë të mbulohen me zallë.

Safet Meliqi thotë se rrugët nuk pastrohen pas vërshimeve. 

“Lagjja jonë çdo shi që bjen, shihet edhe vet zihen rrugët nga vërshimet. Nuk po them që nuk dalin por shumicën e rasteve nuk dalin me i pastru. Unë kam mendu edhe vet por, smuj unë vet me majt komunën me i pastru edhe rrugët. Kryetari nëse jo çdo ditë, të paktën një herë në javë kësaj rruge i bjen e sheh, gjendjen”, shtoi ai. 

Për mirëmbajtjen e rrugëve drejtori i Urbanizmit, Nexhmedin Daci, ka thënë se komuna nuk ka edhe shumë kapacitete për rregullimin e të gjitha problemeve në një kohë të shkurtër. 

“Nuk kemi shumë kapacitet, nuk mundemi me bo të pamundurën pa kapacitete. Ne kemi investuar në të gjitha lagjet dhe vendbanimet. Mirëmbajtja është çështje tjetër. Komuna nuk ka kapacitete, shërbimet publike e kanë një drejtor dhe një zyrtar. është kontraktuar një kompani për mirëmbajtje të rrugëve”, tha ai.

Zhavori i shpërndar në rrugë pas reshjeve të shiut, Foto:KALLXO.com
Rrugët pa mirëmbajtje, Foto:KALLXO.com

Kur jemi të infrastruktura, gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në Lagjen Meliq shumë pak kilometra larg qytetit, dhe ka parë punëtorë të cilët po punonin një mur i cili do të parandalonte shembjen e dheut në pjesën ku gjenden varrezat e lagjes.

Ndërtimi i murit në varrezat e Lagjes Meliq, Foto:KALLXO.com

Safet Meliqi ka treguar se muri është nisur me vetiniciativën e banorëve, pasi që nuk kishin marrë përgjigje nga ana e Komunës së Hanit të Elezit pas disa kërkesave për rregullimin e këtij muri.

“Jam mërgimtar. Në lagjen tonë kemi filluar rrethojat e varrezave me i bo. Është bërë kërkesa në komunën e Hanit të Elezit,  jo që u refuzu por as përgjigje nuk kanë marrë. Pas vërshimeve të fundit që kemi pas i kam pyetur banorët nëse janë të gatshëm me i rrethu varrezat që mos të bijnë mbeturinat apo vërshimet me ngushtu rrugën”, tha ai.

Tutje ai shtoi se bashkë me fqinjët kanë mbledhur paratë dhe kanë filluar punimet që kushtojnë sipas Meliqit, rreth 1 mijë e 500 euro. 

“Vërshimet kanë shkaktu shembjen e dheut në asfalt në këtë pjesë, pra para varrezave. është dasht me pru bagerin me zgjeru rrugën nga dheu. Kryetari lagjes ka bërë kërkesë për ivestim nuk ka marrë përgjigje. Ne me vetiniciativë me fqinjët e kemi paguar dhe po e ndërtojmë murin”, shtoi ai.  

Për këto pretendime, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Nexhmedin Daci. 

“Nuk jam në dijeni për këtë kërkesë me shkrim. Nuk pe di saktësisht për ku po bëhet fjalë. Kemi investu atje në rrugë e krejt, na këtë buxhet e kemi nuk mundemi me i mbrri të gjitha problemet në një kohë të shkurtër me i përfundu. Të hënën do të dal në punë dhe do të interesohem në lidhje me këtë rast”, tha drejtori.

Komuna e Hanit të Elezit gjithashtu e ka jashtë funksionit edhe Planin e Zhvillimit Urban, ndërsa po punon për hartimin e planit të ri. 

“Plani i Zhvillimit Urban tani është jashtë funksionit sepse me ligjin e ri kërkohet harta zonale e komunës edhe ne jemi në proces të hartimit edhe të planit të ri të zhvillimit komunal dhe hartës zonale. Planin Zhvillimor Komunal e kemi por kemi marr vendim për hartim të ri të planit zhvillimor sepse shumë projekte që kemi pasur në planin e vjetër janë realizuar dhe tash ka nevojë për qasje tjetër dhe jemi në përfundim të planit por situata me pandeminë ka shtyer pak gjërat. Kemi fillu me hartimin e hartës zonale të komunës dhe tani do të përfundojnë edhe regjistrimet e reja të rrugëve, por kryesisht për rrugët e rrugicat nuk besoj që ekziston ndonjë komunë që i ka punët më mirë. Investimet janë investime dhe kanë nevojë për mirëmbajtje. Në buxhet e kemi të limituar edhe këtë çështjen për mallra dhe shërbime”, shtoi drejtori.

 Ndotja nga mbeturinat 

Komuna e Hanit të Elezit ka treguar se në vitin 2019 kishte bërë marrëveshje për menaxhimin e mbeturinave me kompaninë NPL “Pastrimi” në vlerë të 64 mijë eurove. 

Në qytet, nuk shihet se ka probleme me respektimin për mjedis të pastër ndërsa në disa fshatra ka deponi të bërllogut, ndërsa nuk mungojnë mbeturinat as në lagjen e cila njihet si Lagjja Lepenci aty ku shtrihet edhe lumi.

Lumi Lepenc me mbeturina përreth

Deponi me mbeturina 
Deponi me mbeturina

Njëjtë është edhe në afërsi të fshatit Paldenicë, ku deponitë me bërllog dhe me erë të rëndë, qëndrojnë aty dhe nuk janë larguar.

 

Komuna nuk ka dhënë përgjigje nëse dikush nga personat përgjegjës për ndotje është ndëshkuar.

Komuna pa çerdhe

20 vjet pas luftës në Kosovë, Komuna e Hanit të Elezit nuk ka pasur çerdhe e cila do të funksiononte për fëmijët e vegjël.

Në zgjedhjet e fundit, kryetari Rufki Suma ka thënë se çerdhja ka qenë e premtuar më herët por për shkak të mungesës së lokacionit ka mbet pa u ndërtuar.

“Kur i kemi rikthy pronat, vetëm se tani është në ndërtim e sipër çerdhja e fëmijëve, nëse këtë vit nuk përfundon (2017) pranverën e vitit tjetër 2018 duhet të përfudnojë dhe të jetë e gatshme në shtatorin e vitit 2018”, ka thënë Suma në vitin 2017.

Sot, kjo çerdhe ani se është ndërtuar, por është mbuluar nga barishte pasi që e njëjta është jashtë funksionit.

Çerdhja e ndërtuar por jashtë funksionit, Foto:KALLXO.com

Kreu i Komunës thotë se hapja e saj nuk është bërë për shkak të buxhetit dhe për shkak të nivelit qendror.

“Ka tre vite që me mjete të komunës është ndërtuar objekti i çerdhes së fëmijëve në Han të Elezit. Nuk kemi mundur ta hapim sepse nuk ka pasur buxhet dhe nuk ka qenë e miratuar hapja e çerdhes nga niveli qendror, por pas reeagimeve të shpeshta të komunës, ku çdo vit i kemi bërë nga 2-3 kërkesa, tani me rishikimin e buxhetit, sipas informatave tona është miratuar hapja e çerdhes dhe janë ndarë edhe mjetet financiare dhe nëse gjithçka është sipas planit tani në shtator- tetor duhet të zhvillohen procedurat për hapjen e saj e nëse eventualisht nuk bëhet sivjet, me buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar buxheti dhe numri i punëtorëve prej 13”, ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Në anën tjetër, Komuna e Hanit të Elezit shkollën kryesore atë në hyrje të qytetit e ka të mbushur me kabinete prej më të ndryshmeve.

E mira e kësaj është se nxënësit në këtë shkollë kanë mundësi që çdo lëndë shkencore apo shoqërore ta kryejnë edhe në mënyrë pratike në laboratore.

Laboratoret dhe klasat në shkollën “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit, Foto:KALLXO.com

Paralelet e kësaj shkolle që janë ndarë dhe janë dërguar në fshatin Kryenik, derën e hyrjes së kësaj shkolle e kanë të demoluar.

I pyetur për këtë rast, drejtori i Arsimit, Menduh Vllasi për KALLXO.com, kishte thënë se nuk kishte parë një problem të tillë në këtë shkollë.

“Pse është dëmtuar dera e hyrjes???, Unë sot isha pikërisht për me e pa dhe dera nuk është e dëmtuar mund ta shihni në foto, që e keni në attach”, ka thënë Vllasi.

KALLXO.com më 18 gusht pra të këtij muaji ka vizituar sërish shkollën “Ilaz Thaçi” në Kryenik dhe ka parë problemin e njëjtë.

Dritarja e derës së shkollës “Ilaz Thaçi” në Kryenik, e thyer, Foto:KALLXO.com

Shkollën Fillore “Ilaz Thaçi” në Komunën e Hanit të Elezit, momentalisht po e drejton asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Akif Shkreta.

Ai po ushtron detyrën e ushtruesit të drejtorit ndërsa thotë se do të jap dorëheqje nga asambleja nëse bëhet drejtor.

“Momentalisht jam ushtrues detyre dhe asamblist, përshkak të situatës pandemike. Tash nëse kaloj në pozitën e drejtorit faktikisht jap dorëheqje nga asambleja komunale”, ka thënë Shkreta për KALLXO.com.

Në lidhje me bindjet politike të drejtorëve të shkollave në Han të Elezit, KALLXO.com ka parë se drejtori i Gjimnazit në këtë komunë, Ziber Xhoni ka publikuar fotografi me kryetarin e komunës.

I njëjti është konkatur nga KALLXO.com dhe ka thënë se nuk ka asnjë lidhje familajre me kryetarin e komunës.

“Lidhja me kryetarin është se kam idol për popullaritetin që e ka edhe si person me një të kalume shumë të madhe”, është shprehur Xhoni.

Shpenzimet e ekzekutivit komunal

Komuna e Hanit të Elezit, vetëm vitin e kaluar, ka harxhuar nga buxheti komunal 14 mijë e 610 euro e 8 cent për karburante të veturave.

Kjo shifër është marrë në bazë të kartelës analitike të kësaj komune.

KALLXO.com ka kërkuar të dijë saktësisht për kryetarin, drejtorët që përdorin veturat zyrtare se sa harxhojnë karburant por një gjë e tillë sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa të kësaj komune nuk është e mundur.

“Për vitin 2019 është shumë problem me i nda veç për kryetarin, nënkryetarin dhe drejtorët e drejtorive, sepse ne për të gjitha veturat e komunës e pranojmë një faturë për administratë komunale, pa veturat e shëndetësisë dhe të zjarrëfikësave”, ka thënë drejtori Shabi Rexhallari.

KALLXO.com në bazë të kartelës analitike ka arritur të dalë në përfundim se vetëm për karburante janë harxhuar rreth 15 mijë euro.

Gjithashtu sipas raportit vjetor të Komunës së Hanit të Elezit të publikuar në ueb faqen zyrtare të komunave thuhet se në vitin 2018, janë harxhuar 15 mijë e 593 euro për karburante, ndërsa për këtë vit KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje se sa janë harxhuar gjatë kësaj periudhe. 

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).