Foto: Facebook

Gara e Kundërligjshme me Xhipa në Nerodime

Një garë me automjete të rënda nëpër Lumin Nerodime mund t’u kushtojë organizatorëve me gjobë deri në 100 mijë euro. Organizimi i garave në lumenj është i kundërligjshëm dhe përgjegjëse për mbrojtjen e ujërave janë Ministria e Mjedisit dhe komunat. Është shkelur ligjin për Mbrojtjen e Ujërave të Republikës së Kosovës.

Në Ministrinë e Mjedisit thonë se nuk kanë qenë në dijeni për organizimin e kësaj gare, ani pse reklamat për garën në Lumin Nerodime kishin nisur shumë më herët. E Komuna e Ferizajt jo që nuk i ka parandaluar, mirëpo kryetari i komunës Muharrem Svarqa ka marrë pjesë si shikues në këtë garë dhe ka qenë njëri ndër përkrahësit e kësaj gare.

Gara është mbajtur, të dielën me datën 8 tetor, në fshatin Nerodime të Komunës së Ferizajt. Është organizuar nga “Off Road Kosova- Kastrioti”.

Kryetari Svarqa në profilin e tij në “Facebook” kishte postuar disa fotografi ku shihen xhipat brenda lumit dhe shumë qytetarë së bashku me kryetarin duke bërë tifo.

“Gara me xhipa sportiv na nderoi si institucion dhe si qytet dhe do të mbetet e shënuar në historinë tonë si garë që filloi për herë të parë nga këtu”, ka shkruar Svarqa në profilin e tij.

Ai madje lë të kuptohet që ka qenë edhe pjesë e organizimit të kësaj gare.

“Bashkë treguam se mund të organizojmë edhe gara të panjohura më parë e të triumfojmë gjatë tyre. Përkrahja jonë nuk do të mungojë në asnjë rast kur ka ide e plane qëllimmira nga secili qytetar i Ferizajt”, ka shkruar ai.

Por, kur është kontaktuar nga GazetaJnK, Svarqa i ka ndërruar fjalët. Ka thënë se nuk ka qenë pjesë e organizimit të kësaj gare.

“Garat e organizuara me xhipa nuk kanë qenë të organizuara nën  patronatin e Komunës së Ferizajt, por ata vetëm kanë pasur përkrahje morale. Ne nuk i kemi analizuar ato rregulla, nuk jemi dakord me e shkelë ligjin, por vetëm me e ushqy ndjenjën e atyre që janë adhurues të këtij sporti”, tha Svarqa.

Edhe pse gara u organizua në kohë të fushatës, kreu i Ferizajt po frikësohet se kjo shkelje do t’i përdoret në fushatë. Svarqa bëri apel te Ministria e Mjedisit që të shtojnë inspektimet në të gjithë ujërat dhe të mos merren garat me xhipa si bazë para fushatës.

“Nuk organizohen këto gara vetëm  në Ferizaj. Ato organizohen edhe në vende tjera. Me këtë aktivitet Ferizajt i është rritur qarkullimi ekonomik, sepse të gjithë pjesëmarrësit kanë shpenzuar në qytetin tonë”, tha ai.

Foto e shpërndarë nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa// Foto: Facebook

Kryetari i klubit “Off Road Kosova” Bashkim Muja i ka thënë Gazetës JnK se Ferizaj nuk i ka përkrahur financiarisht, por vetëm kanë qenë të ftuar. Thotë se gara është organizuar me shpenzime të klubit. Është i vetëdijshëm që gara e organizuar ka problem me ligjin.

“Na organizojmë gara edhe në vende tjera dhe është hera e parë që po kemi probleme me ligjin. Na vetë e kemi ftuar kryetarin (Muharrem Svarqa) me marrë pjesë në gara për me ju tregu garuesve nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi,  Shqipnia se ne kemi kryetar, përndryshe asgjë nuk kemi marrë nga komuna”, tha Muja.

Thotë se shumë vonë e kanë kuptuar se duhet të merret leje nga Ministria e Mjedisit.

“Ne nuk e kemi zhvilluar komplet garën brenda në lumë, por vetëm kemi parakalu nëpër lumë, komuna nuk na ka ndihmu asgjë, kemi lyp leje nga Komuna e Ferizajt për me e mbajtë garën, por ata na kan thanë shkoni kërkoni leje në ministri. Pasi na veç i kemi lajmru garuesit e kemi caktu datën e garave, nuk kemi pasë kohë me shku me kërku leje në ministri”, tha Muja.

Gazeta Jeta në Kosova ka gjetur se gara në Lumin Nerodime është e ndaluar me ligj. Ligji për mbrojtjen e ujërave thotë se resurset ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës që ruhen e mbrohen  me ligj, ligji siguron mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, tejshfrytëzimi dhe keqpërdorimi.

Sipas ligjit, ujërat nuk janë lëndë e së drejtës së pronësisë të personave fizikë dhe juridikë dhe pa dallim nga statusi juridik i pronës në të cilën gjenden, nuk lejohet. nxjerrja, shfrytëzimi, akumulimi, ndryshimi i drejtimit, ndërtimi, lëshimi si dhe veprimet tjera ndaj ujërave.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse për mbrojtjen e ujërave, por edhe komunat kanë përgjegjësinë e tyre ligjore për mbrojtjen e lumenjve që janë në hapësirën territoriale të tyre.

Për përdorimin e lumenjve në rast të ndonjë aktiviteti  që nuk është vetëm  në kompetencat e komunave, secili person fizik dhe juridik është i obliguar të marrë leje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Gazeta JnK” ka kontaktuar  Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në fillim të javës, por ata kanë thënë se gara është mbajtur pa lejen e ministrisë.

Foto e shpërndarë nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa// Foto: Facebook

“Në lidhje me pyetjen që është bërë nga ana e juaj për aktivitetin e zhvilluar në lumin Nerodime organizuar nga vetë Komuna e Ferizajt, ju njoftojmë se ne nuk kemi pranuar asnjë kërkesë  qoftë nga organizatorët e Komunës së Ferizajt, ose ndonjë subjekt tjetër për zhvillimin  e këtij aktiviteti”, thuhet nga Divizioni i Komunikimit të MMPH-së.

Sipas MMPH-së në këtë rast konsiderohet se Komuna e Ferizajt ka bërë shkelje të Ligjit të Ujërave.

“Po ashtu, ju vejmë ne dijeni se ky veprim si i tillë konsiderohet shkelje e Ligjit të Ujërave Nr.04 /L – 147, përkatësisht nenit 72 të këtij Ligji. Njëherit konstatojmë se nga ana e komunës,  e cila nuk ka respektuar procedurat që janë të parapara me ligj, ka kaluar dhe kompetencat që bien në domenin e përgjegjësive të saj”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Gjoba për shkeljet të nenit 72 të Ligjit për Mbrojtjen e Ujërave është nga 50 mijë deri në 100 mijë euro. Ky nen kërkon që për shfrytëzimin e ujit duhet të merret leje ujore në Ministrinë e Mjedisit.

E neni 62 e specifikon ndalimin e larjes së mjeteve motorike.

“Ndalohet larja e mjeteve lundruese, mjeteve motorike dhe pajisjeve tjera në ujërat sipërfaqësorë dhe në brigje”, thuhet në nenin 62.

Lumi i Nerodimes buron në  malin e Nerodimes. Ky lum njihet për fenomenin e bigëzimit (bifurkacionit), rrjedhja  e ujit kalon në dy drejtime- në drejtim të lumit Sitnica dhe lumit Lepenc, një ndarje e tillë e ujit derdhet pastaj në Detin e Zi dhe detin Egje. Si fenomen bifurkacionet në botë janë të rralla.

Në një hulumtim që kishte bërë Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN në vitin 2016, lumi Nerodime llogaritej krenaria e qytetit të Ferizajt, vetë kryetari Svarqa kishte premtuar investim posaçërisht në bifurkacion.

Bifurkacioni i Nerodimes Rrjedh Përsëri