Prizren

Dyshime për parregullsi gjatë procesit të zgjidhjes së anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit  

Arkitektja Artnet Haskuka po e akuzon Kuvendin Komunal të Prizrenit se në mënyrë të jashtë ligjshme ka emëruar Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve nga shoqërisë cilivile në Këshillin për Trashëgimin Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit (KTKHQP).  

Arkitektja Haskuka e cila ka qenë pjesë e këtij këshilli në mandatin e kaluar, dhe që synoi edhe një mandat në këtë këshill, pretendon se Kuvendi Komunal i Prizreni ka shkelur aktet ligjore të cilat rregullojnë zgjedhjen edhe funksionimin e KTKQHP-së.

Haskuak thotë se në Komisionin Ad-Hoc  për përzgjedhjen e anëtarëve të KTKHQP është emëruar një zyrtar publik (zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Zyra në Prizren), që siç ka thënë ajo, që bie ndesh me Udhëzimin Administrativ, nr. 12/2014, për Themelimin, zgjedhjen, përgjegjësit dhe funksionimin e KTKHQP-së të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Madje, ajo thotë se është diskriminuar dhe nuk është vlerësuar në mënyrë korrekte nga ky këshill.  

Por, zyrtarë të KK të Prizrenit dhe kryesuesi i Komisionit Ad-Hoc kanë thënë për KALLXO.com se gjithë procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të KTKQHP është bërë në bazë të ligjit për QHP-në dhe udhëzimit administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për KTKQHP. Ndërsa, rasti është hapur edhe në Prokurorinë Themelore në Prizren. 

Pretendimet për shkelje ligjore 

Në fund të 2022, Kuvendi Komunal i Prizrenit miratoi vendimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrën Historike të Prizrenit, sipas konkursit të hapur në qershor të 2022.  

Por, ish- anëtarja e KTKQHP-së nga mandati i kaluar, Haskuka, po e konteston gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij këshilli. Sipas saj, qysh në fillim me emërimin e Komisionit Ad-Hoc nga ana e KK të Prizrenit është bërë shkelje ligjore, pasi sipas saj, njëri prek tyre është shërbyes civil në MKRS-së.   

“Bazuar në kornizën ligjore Nr.04/L-066 dhe me udhëzimin administrativ MMPH Nr. 12/14 i gjithë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka qenë në kundërshtim me ligjin dhe UA të MMPH nr. 12/2014. Sipas UA të MMPH nr. 12/2014, Neni 5 përcakton kriteret për Komisionin Ad-Hoc, ku në paragrafin 1.5 ceket se komisioni duhet të ketë 2 anëtarë nga partitë politike dhe 3 nga Shoqëria Civile. Ndërsa, komisioni i cili emërohet nga Kuvendi i Komunës përfshin 2 anëtarë të partive politike, 2 nga shoqëria civile dhe një shërbyes civil (nga MKRS), gjë që paraqet shkelje dhe është në kundërshtim me UA MMPH Nr. 12/14”- ka thënë Haskuka.  

Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe njohuritë e një pjesë të anëtarëve të Komisionit Ad-Hoc lidhur me trashëgiminë kulturore siç kërkohet në ligjin për KTKQHP, po edhe udhëzimi administrativ i MMPH-së për themelimin e KTKQHP-së. Ajo, sipas vlerësimit të Komisionit Ad-Hoc nuk grumbulloi pikë e mjaftueshme për të qenë edhe një mandat në KTKHQHP. 

“Unë me 24 vjet përvojë pune kam qenë e intervistuar nga Shoqata e Shigjetarëve dhe teknikë medicinal (me gjithë respektin për profesionin e tyre) dhe individ që nuk kanë përvojë në trashëgimi kulturore. Ky komision përkundër përgjigjeve të sakta dhe ekspertizës shumëvjeçare gjatë intervistimit për shkaqe subjektive më kanë (nën)vlerësuar me poena minimale duke më diskriminuar profesionalisht dhe kanë përzgjedhur kandidatë me shumë më pak vite eksperiencë në fushën e trashëgimisë kulturore”- ka thënë ajo. 

Haskuka po e akuzon Komunën e Prizrenit se është privuar nga e drejta e ankimimit ndaje vendimit të Komisionit Ad-Hoc. Ndërsa ka thënë se ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, në departamentin për Krime të Rënda ndaj disa individëve që janë përgjegjës.  

Kundërshtimet ndaj akuzave 

Por,  Antigona Bytyqi, kryesuese e KK të Prizrenit dhe Bahriu Zenelaj, kryesues i Komisionit Ad-Hoc për zgjedhjen e anëtarëve të KTKQHP-së hedhin poshtë akuzat e Haskukës. 

Kryesuesja Bytyqi ka thënë për KALLXO.com se KK i Prizrenit ka respektuar plotësisht legjislacionin në fuqi lidhur me zgjedhjen e këshillit të ri të Qendrës Historike në Prizren (Ligjit nr. 04/L-66 për QHP) dhe UA MMPH -nr.12/2014. 

“Fillimisht, Kuvendi i Komunës së Prizrenit, më datën 30 qershor 2022, ka nxjerr vendim për lejimin e shpalljes së ftesës publike për konkurrimin për anëtarë të KTKQHP dhe në përmbajtje të vendimit (neni 2), është themeluar edhe Komisioni Ad-Hoc prej 5 anëtarëve, 2 anëtarë nga Kuvendi dhe 3 nga Shoqëria Civile sipas UA MMPH -nr.12/2014”- ka thënë ajo. 

Sipas saj, në Komisionin Ad-Hoc nga Kuvendi Komunal ishin emëruar: Ilir Gashi (LVV) dhe Adrit Krasniqi (PDK), ndërsa nga shoqëri Civile: Bariu Zenelaj, i propozuar nga OJQ “Lidhja e Vëzhguesve Rinia e Kosovës” (LVRK), në cilësinë e ekspertit të trashëgimisë kulturore; Valon Xhabali i propozuar nga ”Rrjeti i Organizatave të Kulturës” (RROK) dhe Nevron Skenderi i propozuar e OJQ “Lidhja e Vëzhguesve Rinia e Kosovës” (LVRK). 

“Kuvendi i Komunës (Prizren) më datën 30 dhjetor 2022, diskutoi për këtë çështje, Kryesuesi i Komisionit Ad-Hoc paraqiti raportin e punimeve të komisionit dhe dilemave që u ngritën nga anëtaret e Kuvendit dhe më pas Kuvendi e miratoi me shumicë të votave propozimin për emërimin e anëtareve të KKTQHP”- ka thënë kryesuesja e KK të Prizrenit Antigona Bytyqi. 

Bahriu Zenelaj, kryesues i Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizreni ka thënë se në këtë komisioni nuk ka përfaqësuar apo ka qenë i emëruar nga MKRS-ja. Zenelaj është zyrtar (punëtor)  i MKRS-së në Zyrën në Prizren.   

 “Angazhimi im në këtë Komision Ad-Hoc ka qenë në cilësinë e njohësit të pavarur të fushës (trashëgimisë kulturore), dhe në asnjë rrethanë, nuk kam qenë përfaqësues, apo i emëruar nga institucioni ku punoj, MKRS – Zyra në Prizren. Pra nuk kam përfaqësuar askënd, por ishte angazhim “puro” si njohës i pavarur i fushës së Trashëgimisë Kulturore”- ka thënë Zenelaj. 

Prokuroria Themelore në Prizren i ka thënë KALLXO.com se ka pranuar Kallëzimin Penal nga Haskuka, kundër disa personave përgjegjës për konkursin.  

“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se e ka pranuar kallëzimin penal për rastin në fjalë, dhe se i njëjti është duke u trajtuar nga prokuroria”- ka thënë për KALLXO.com,  Fitore Mehmeti- Sejrani, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në PTHP-në.  

Ndërkaq, MKRS nuk ka kthyer përgjigje nëse është shqyrtuar ankesa e Haskukës, siç i është kërkuar nga Ministria e Administrimit Lokal, sipas shkresës së 27.12.2022.  

Konkursi i kontestuar 

Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të KTKQHP ishte hapur në mes të vitit që shkoi. Më pas KK i Prizrenit kishte zgjedhur komisionin Ad-Hoc për zgjedhjen e anëtarëve. Në garë për anëtarë të KTKQHP-së, përveç Haskukës, ishin edhe Veron Tara, Edin Gështenja, Haxhi Seferqaj,  Agon Rrezja,  Nexhmedin Bytyqi. Kandidatët nga lista e ngushtë janë testuar me shkrim më datë 17 nëntor 2022, dhe në intervistë me gojë, më datë 23 nëntor 2022. Por, pas përfundimit të vlerësimit Haskuka nuk mori pikët e nevojshme për një mandat tjetër në KTKQHP.  Komisioni Ad-Hoc vlerësoi se Veron Tara, Edin Gështenja, Haxhi Seferqaj morën pikët e nevojshme për të qenë anëtarë të KTKQHP.  

Komisioni Ad-Hoc në përbërje të: Bariu Zenelaj, kryesues, Ilir Gashit, Adrit Krasniqit, Valon Xhabalit dhe Nevron Skenderit – anëtarë, bazuar në rezultatet e përzgjedhjes nga Thirrja Publike për përzgjedhjen e anëtarëve të KTKQHP i propozoi KK të Prizrenit emrat për anëtarë të këtij këshilli; nga shoqëria civile: Veron Tara, Edin Gështenja, Haxhi Seferqaj; nga bashkësitë fetare: Dr. Orhan Bislimaj, nga Bashkësia Islame; Lorenc Shala, nga Kisha Katolike; Svetlana Hadžić, nga Kisha Ortodokse Serbe; nga zyra për Komunitete dhe Kthim: Igballka Fazljija Rama. 

KTKQHP-së, sipas Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit themelohet nga Komuna e Prizrenit. Këshilli përbëhet nga shtatë anëtarë, 3 nga shoqëria civile, 3 përfaqësues të bashkësive fetare dhe 1 përfaqësues nga zyra për komunitete. Këshilli ka përgjegjësi të vëzhgojë dhe këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore. 

Ndërsa, sipas UA të MMPH nr. 12/2014, zgjedhja e anëtarëve të KTKQHP-së bëhet nga një komision Ad-Hoc që formohet nga KK i Prizrenit.  Ky komision sipas këtij udhëzimi duhet të përbëhet nga 5 anëtarë 3 nga shoqëria civile dhe dy përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Prizrenit (asamblistë).