Kodi telefonik i Kosovës - Foto: REL

Fiton tenderin për telefonë mobilë, më pas nuk i përgjigjet Komunës në telefon

Tenderi për blerjen e telefonave celularë i Komunës së Zveçanit duket se nuk shkoi si duhet. Problemet lindën pas nënshkrimit të kontratës ku duhej më pas të bëhej ekzekutimi.

Komuna thotë se kompania fituese nuk e bëri furnizimin dhe nuk iu përgjigjej në telefon, përkundër dërgimit edhe të postave elektronike.

Komuna në fund vendosi t’ia anulojë kontratën dhe ta vendosë kompaninë në listën e zezë.

Më 27 nëntor të vitit të kaluar, Komuna e Zveçanit publikoi thirrjen për kontratë për blerjen e telefonave celularë për nevoja të Komunës. Për ta realizuar këtë blerje, Komuna parashikoi të nënshkruajë kontratë deri në 4,840 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit kishte përdor procedurën e kuotimit të çmimit me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.

Për iniciativën për blerjen e 20 telefonëve mobilë kishte raportuar KALLXO.com muajin e kaluar.

Më 8 dhjetor, Komuna njofton se ka përzgjedhur kompaninë e cila do ta kryente këtë furnizim. Në njoftimin për dhënie të kontratës ishte kompania “Prishtina Asfallt” Sh.P.K e rekomanduar për kontratë, me vlerë të përgjithshme të kontratës 4,689.20 euro.

Komuna kontraktoi 150.80 euro më pak se sa kishte parashikuar.

Në mesin e muajit dhjetor, Komuna bën të ditur se ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik të përzgjedhur.

Mirëpo jo gjithçka shkoi si duhet. Kontratën të cilën Komuna ia kishte besuar kompanisë së sipërpërmendur nuk u realizua. Komuna mori vendim që ta anulojë kontratën.

Si erdhi deri te anulimi i dhënies së kontratës?

Pas nënshkrimit të kontratës dhe për realizmin e saj, kompania nuk iu kishte përgjigjur më Komunës dhe numri ishte i paqasshëm dhe kompania nuk kishte realizuar furnizimin. Tutje, thuhet se kompanisë i janë dërguar edhe tri posta elektronike.

Komuna tregon se si erdhi deri te vendimi për anulimin e kontratës dhe vendosjen e kompanisë në listën e zezë.

“Kontrata është nënshkruar më 14.12.2020, me afatin e dorëzimit më 19.12.2020. Sidoqoftë, OE nuk i ka dorëzuar telefonat brenda afatit të caktuar, as UA nuk është përgjigjur. Meqenëse OE nuk iu përgjigj telefonit (numri ishte vazhdimisht i padisponueshëm), atij iu dërguan 3 posta elektronike më 21.12. dhe dy 12 23 2020 me një kërkesë për të thirrur dhe ose dorëzuar telefonat. Meqenëse OE nuk u përgjigj ose nuk iu përgjigj postave elektronike, për shkak të skadimit të vitit fiskal, përkatësisht afatit të fundit të pagesës (24 Dhjetor, 2020), u mor një vendim për anulimin e kontratës dhe vendosjen e OE në Listën e Zezë të operatorëve ekonomikë.”, thotë Komuna për anulimin e këtij tenderi.

Kompania ka qenë e paqasshme edhe në tentimin për ta marrë në telefon nga KALLXO.com.

Për të më mësuar më shumë dhe për të parë se cili është versioni i kompanisë lidhur me këtë tender, KALLXO.com ka provuar disa herë të kontaktojë me kompaninë “Prishtina Asfallt” Sh.P.K në numrat e kontakteve të cilat kompania i ka të publikuar në njoftimet e këtij tenderi si dhe në numrin e kontaktit në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Në anën tjetër lidhur me deklarimin e Komunës se përveç anulimit të kontratës u mor vendim edhe për vendosjen e kompanisë në listën e zezë KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe gjykatës së tenderëve, respektivisht Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), mirëpo ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.