Monumenti 'Heroinat' në Prishtinë. Foto: Kallxo

Fëmijët e padukshëm të Kosovës: Trashëgimia e fshehtë e dhunimeve të luftës

Fëmijët e lindur nga përdhunimi gjatë luftës i mijëra grave shqiptare të Kosovës nga forcat serbe janë mbajtur sekret, duke u braktisur, adoptuar ose rritur në qendra strehimi, ndërsa shumë pak nëna që pranuan të flasin në kushte anonimiteti mbesin të tmerruara nga mundësia e ekspozimit në publik.

 

Rrezet e ngrohta të diellit të mëngjesit bien mbi duart e saj të zbehta që ajo mban mbi letrat në tavolinë. Ajo nuk i ngre sytë që shikojnë mbi dokumentet përballë saj.

E ulur në një dhomë të “Medica Kosova”, një OJQ në qytetin perëndimor të Kosovës, Gjakovë, është radha e F.K. të mbushë aplikacionin për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, në përputhje me një skemë të përfitimeve që ka iniciuar Qeveria që nga viti i kaluar.

Një anëtare e stafit të organizatës mbush me kujdes aplikacionin e saj. Në mesin e dokumenteve është edhe një letër e pazakontë – certifikata e lindjes e vajzës së saj e lëshuar në Bosnjë-Hercegovinë.

Në korrik 1994, derisa lufta në Bosnjë po vazhdonte, F.K. ishte dhunuar së bashku me kushërirën e saj në një shtëpi në periferi të Sarajevës. Në atë kohë ajo ishte vetëm 16 vjeçe.

Tre muaj më vonë F.K., nëna dhe motra e saj u larguan nga Bosnja  dhe u strehuan tek disa të afërm në Pejë. Disa muaj pasi ajo u strehua në Kosovë takoi një shqiptar.

Ata u martuan më vonë dhe derisa anëtarët e familjes së saj me të cilët kishte ardhur nga Bosnja u kthyen në shtëpi, ajo mbeti në Kosovë. Në mars 1999, kur NATO filloi bombardimet mbi ish-Jugosllavinë, djali i saj sapo kishte mbushur dy vjet.

Një muaj më vonë ajo dhe disa gra të tjera të lagjes ishin  marrë dhe mbajtur nga forcat serbe për gati dy javë  në një shtëpi në këtë lagje, duke u dhunuar sistematikisht.

I shoqi i saj që ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare, nuk ishte në shtëpi. Në fund të majit 1999, ajo mundi të largohej për në Mal të Zi e prej atje më pas për në Bosnjë.  Më shumë se pesë muaj pas përdhunimit, teksa luftonte me gjendjen e përkeqësuar shëndetësore, ajo e kishte kuptuar se ishte sërish shtatzënë.

Ajo e kishte mbajtur shtatzëninë sekret për disa muaj në shtëpinë e prindërve të saj në Bosnjë, derisa lindi atje dhe u kthye në Kosovë me vajzën disa muaj më vonë.

Vajza e F.K., tani 19 vjeçe, është një nga fëmijët e lindur si rezultat i dhunimit  gjatë luftës në Kosovë, e cila nuk i di rrethanat e lindjes së saj.

Të tjerët si ajo janë braktisur nga nënat e tyre, janë adoptuar më vonë  ose rritur në jetimore.

Pati gjithashtu raste kur fëmijët janë mbytur nga nënat ose mbajtur fshehtë nga ato duke ua fshirë përfundimisht gjurmët e fakteve rreth lindjes së tyre.

Mijëra gra ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999, që NATO i dha fund duke rrëzuar regjimin e Slobodan Milosheviqit në Kosovë. Nuk dihet se sa fëmijë lindën si rezultat i dhunimit në Kosovë.

Të përjashtuara nga të gjithë

Nezahate Salihu, drejtoreshë e SOS fshatrave, një OJQ që ofron strehë, kujdes dhe edukim për fëmijët e braktisur dhe fëmijët në nevojë, thotë se organizata që ajo drejton është marrë me disa raste të fëmijëve të braktisur, nënat e të cilëve ishin viktima të dhunës seksuale.

“Të gjithë u adoptuan dhe që të gjithë tani kanë një familje brenda apo edhe jashtë Kosovës”, tha Salihu për BIRN.

Ajo shpjegon se në Kosovë ende  është tejet e vështirë të flitet publikisht  për fëmijët e braktisur që lindën  si rezultat i dhunimit, për shkak të stigmës së vazhdueshme që i bën nënat të ndihen të turpëruara ta thonë të vërtetën e tyre.

“Është ende një çështje shumë e ndjeshme të flitet për fëmijët që lindën si rezultat  i shtatzënësive të padëshiruara, për shkak se nënat e tyre u dhunuan gjatë luftës”, thotë Salihu.

“Ata fëmijë erdhën në jetë si krijesa të pafajshme, si krijesa njerëzore, të etur për dashuri, përderisa në anën tjetër kemi nënat e reja  që i braktisën fëmijët e tyre, sepse ato u ndien të poshtëruara, të pasigurta, të mohuara nga të gjithë – familja dhe shoqëria. Sigurisht, te këto nëna që u dhunuan gjatë luftës do të  shihen ende pasojat emocionale”, shton ajo.

F.K. nuk ka pranuar të japë shumë detaje për vajzën e saj apo për 19 vitet e jetës së saj duke u frikësuar  që e bija  mund të zbulojë të kaluarën e saj. Megjithatë, ajo ka folur për të dyja rastet e përdhunimit brenda pesë vjetëve  dhe ka treguar se shëndeti i saj pothuajse është rrënuar.

Organizatat humanitare që kanë punuar në Kosovë kanë raportuar se mes dhjetorit 1999 dhe shkurtit 2000, së paku 100 fëmijë kanë lindur si rezultat i dhunimit.

BIRN ka mundur të konfirmojë 4 raste. Dy  ishin braktisur pas lindjes, një mbahet fshehtë nga e ëma dhe një rast kur nëna mbyti foshnjën pak orë pas lindjes.

Të lënë për adoptim

Veprore Shehu, drejtoreshë e OJQ-së Medica Kosova. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Një natë të ftohtë me shi në fund të nëntorit 1999, Veprore Shehu, drejtoreshë e “Medica Kosova”, e dërgoi vetë me veturë një viktimë të dhunës seksuale në spital. Ajo ishte me dhimbjet e lindjes.

“Kur ajo erdhi, ne zbuluam se viktima në atë kohë 17-vjeçare ishte shtatzënë si rezultat i përdhunimit. Ishte shumë vonë për abort. Ne e mbajtëm atë të izoluar nga familja e saj, duke thënë se kishte një sëmundje serioze, derisa ajo lindi një djalë. Pastaj ajo e braktisi atë”, tregon Shehu për BIRN.

“Nuk e dija madje që isha shtatzënë. Kur doktori më tregoi për shtatzëninë, desha të bëja vetëvrasje”, i ka thënë kjo grua BIRN-it në vitin 2017.

Pesë muaj pas lindjes, foshnja ishte adoptuar në Kosovë.

“Disa vjet më vonë, ajo u martua jashtë dhe ka fëmijë. Kurrë më nuk e përmendi fëmijën e saj të parë”,  tregon Shehu.

Shehu shpjegon se informacioni për numrin dhe të tashmen e fëmijëve të lindur nga dhunimi gjatë luftës nuk është lehtë të gjendet.

“Përdhunimi sistematik nga forcat serbe ka ndodhur në shumë raste. Tani është e vështirë  të dihet se sa fëmijë të tjerë mund të kenë lindur nga dhunimi, për shkak të stigmës që ende e rrethon viktimat e dhunës seksuale”, thotë ajo.

Dominique Serrano-Fitamant, një psikologe e specializuar në ofrimin e ekspertizës në çështje të dhunës seksuale dhe traumave në konflikte, në vitin 1999 ishte ngarkuar nga Fondi i OKB-së për Popullsi që të vlerësonte nivelin e dhunës seksuale të viktimave të Kosovës të vendosura në kampet e refugjatëve apo në maternitetet në Shqipëri dhe Maqedoni, pasi ishin larguar nga zonat e luftës.

Në raportin e saj në maj 1999, Serrano-Fitamant thotë se shumë familje shqiptare të Kosovës treguan se ishte e pamundur për ato të mbanin një fëmijë të lindur nga përdhunimi.

“Ne duhet të presim në muajt në vijim të përballemi me një numër të madh fëmijësh të braktisur”, ka shkruar ajo në këtë raport. “ Është e qartë se shumë gra që mbetën shtatzëna si rezultat i dhunimeve seksuale do të kërkojnë që të ndërpresin shtatzënësitë”, ka thënë ajo gjithashtu.

Dy dekada më vonë Ministria për Punë dhe Mirëqenie  Sociale e Kosovës ka thënë se nuk mund të japë ndonjë statistikë për adoptimet e fëmijëve të lindur nga dhunimi.

“Dërgojeni jashtë fëmijën”

Sanije Miftari, infermiere në klinikën gjinekologjike të spitalit publik të Prishtinës. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN

Natën e  7 shkurtit, 2000 në spitalin e qytetit jugor të Kosovës, Prizren, kishte lindur një vajzë, nëna e së cilës vendosi ta braktiste atë disa orë pas lindjes.

I ati i kësaj nëne të re do t’ia shpjegonte personelit se vajza e tij nuk mund ta mbajë  këtë fëmijë, sepse ishte vetëm 16-vjeçare kur ishte përdhunuar gjatë luftës dhe se i ati i fëmijës është një paraushtarak serb.

Në maj të vitit 2000, mjekët në spital kërkuan që dikush të adoptojë një fëmijë të lindur si pasojë e përdhunimit. Një nga mjekët, Fllanza Gjergjizi, duke mbajtur një foshnjë në krah, që ajo e quante Arta, u thoshte mediave se fëmija duhet të dërgohet jashtë për adoptim, duke sugjeruar që  “askush nuk do të donte të adoptonte një fëmijë të lindur nga përdhunimi në Kosovë”.

Njëzet vjet më vonë, Gjergjizi dhe kolegët e saj, shumë nga ata tani në pension, vazhdojnë të mbajnë sekret detajet e këtij rasti. E kontaktuar nga BIRN-i, Gjergjizi ka thënë se nuk do që ky  rast “të  përmendet më”  duke refuzuar që të  japë më shumë informacione.

“Përveç asaj çfarë kam thënë atëherë, nuk kam se çfarë të shtoj tani. Nuk mund të jap më shumë detaje”, ka thënë ajo.

Drejtori i Spitalit në Prizren, Afrim Avdaj, ka thënë se është e vështirë të gjendet informacion më shumë për këto raste për shkak të mungesës së arkivit.

“Për mungesë të dëshmive nga regjistrat mjekësorë ne nuk mund të japim më shumë informacione për fëmijët e braktisur mes viteve 1999- 2000, sepse me gjasë ato janë shkatërruar aksidentalisht”, ka thënë Avdaj.

BIRN ka parë dosjet e fëmijëve të braktisur në qendrat për punë sociale. Sipas dokumenteve, procedurat e adoptimit ishin respektuar në përpikëri dhe prindërve të rinj nuk u ishte treguar për atë se çfarë nëna kishte thënë në spital.

Tetë vjet më vonë, punëtorët socialë kishin dëgjuar se fëmija i adoptuar kishte vdekur në një aksident në Itali.

Por një foshnje, djalë i lindur vetëm dy ditë më herët se vajza në Prizren, pati një fat shumë më të keq.

Sanije Miftari, një infermiere në Klinikën e Gjinekologjisë në Spitalin Publik në Prishtinë, kujton një mëngjes të ftohtë shkurti të vitit 2000 kur ajo kreu  kontrollin rutinë të foshnjave dhe lehonave. Pak momente më vonë ajo kishte dëgjuar kuzhinieren që po shpërndante ushqimin duke thënë se  gruaja në shtratin afër dritares në dhomën 363 po i bënte diçka foshnjës së saj.

Miftari tregon se ajo pa një fytyrë të tmerruar të nënës së re, duke thënë se foshnja e saj nuk ishte mirë.

Infermierët panë të nxirat rreth qafës së bebes, duke thirrur drejtorin dhe policinë.

“Dukej që ajo kishte tentuar ta mbyste fëmijën, por foshnja ishte ende gjallë”, tregon Miftari për BIRN.

Në regjistrin e Spitalit thuhet se lindja ka qenë normale, foshnja kishte lindur 2.9 kg dhe ishte e gjatë  51 centimetra.  Në dosje, po ashtu, thuhet se në orën 12:35 të po asaj dite foshnja kishte vdekur.  Raporti i autopsisë i datës 8 shkurt 2000  po ashtu thotë se vdekja ishte shkaktuar nga mbytja.

Nëna kishte deklaruar se ishte e martuar, kishte mbiemrin e burrit dhe ky ishte fëmija i saj i parë. Më vonë ajo zbuloi se ishte dhunuar nga forcat serbe për gati një javë në një fshat afër qytetit verilindor, Podujevë.  Megjithatë, ajo nuk i kishte treguar të shoqit për dhunimin dhe as për shtatzënësinë nga frika se ai do ta braktiste. Kur shkoi të lindte, ajo i kishte thënë të shoqit se ishte një lindje e parakohshme.

Por plani i saj dështoi, pasi i shoqi i saj u interesua për beben dhe dikush nga stafi që kishte asistuar në lindje i tregoi atij se ishte një lindje normale  dhe fëmija kishte lindur në muajin e nëntë.

Kjo grua nuk ka dashur të flas për BIRN, por ka konfirmuar çfarë ka ndodhur, duke thënë se “ e kupton kur je e shkatërruar dhe asgjë më nuk do të jetë normale”.

Ajo madje ka thënë se mund të vrasë veten, nëse zbulohet emri i saj.

Në dosjen gjyqësore  dhe në dosjen e qëndrimit në Burgun e Lipjanit, ku ajo kaloi më shumë se një vit, është edhe deklarata e saj që tregon për shtatzënësinë si rezultat i përdhunimit. Dosja gjithashtu zbulon se i shoqi e kishte braktisur menjëherë dhe askush nuk shkoi ta vizitonte në burg për aq sa qëndroi aty.

Sejdullah Hoxha, mjeku gjinekolog që ishte drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë nga viti 1999 deri në 2003, ka konfirmuar atë se çfarë tregoi infermierja  Sanije Miftari.

“Në shkurt 2000 ne e kemi pasur një rast kur nëna mbyti fëmijën e saj. Ajo u arrestua menjëherë. Ne mësuam më pas se ajo ishte një viktimë e përdhunimit dhe kjo ishte arsyeja pse ajo e mbyti fëmijën e saj pak orë pas lindjes”, tha Hoxha për BIRN.

Në prill  të vitit 2000, Hoxha kishte mohuar që numri i lindjeve si rezultat i përdhunimit nuk ishte aq i lartë sa ishte raportuar. Ai  kishte thënë në një reagim publik se “nuk është e vërtetë që shumë fëmijë kanë lindur nga përdhunues serbë”.

Dy dekada më vonë Hoxha thotë se “ ka pasur raste shtatzënish dhe abortesh, por ka qenë shumë e vështirë të kuptohej nëse ato ishin shtatzëni si pasojë e një përdhunimi”.

Abortimet e kohës së luftës në Tiranë

Rubena Moisiu, gjinekologe në spitalin kryesor publik të Tiranës. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Në shkurt 2018, Qeveria e Kosovës filloi një proces verifikimi që u mundëson grave dhe burrave , të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë, të fitojnë statusin e viktimës dhe një pension mujor prej 230 eurosh.

Ligji nuk përfshin ndonjë përfitim dhe nuk ua njeh statusin e viktimës  atyre që vdiqën si rezultat i dhunimit apo atyre që më vonë bënë vetëvrasje. Ky ligj gjithashtu nuk i përmend  fëmijët e lindur si rezultat i dhunimit.

Minire Begaj, udhëheqëse e Komisionit Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës, thotë se procesi i verifikimit është i vështirë, për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj çështjeje, kohës që ka kaluar, procedurave dhe stigmës që i rrethon viktimat.

“Nganjëherë është një proces i gjatë për shkak natyrës tejet të ndjeshme të punës”, shpjegon Begaj.

Ajo  ka konfirmuar se  deri më tani Komisioni ka pranuar më shumë se 1000 aplikacione dhe më shumë se gjysma e tyre janë shqyrtuar, por deri më tani nuk është regjistruar ndonjë rast ku një viktimë ka deklaruar se ka lindur një fëmijë si pasojë e dhunimit. “Mund të ketë ndonjë rast, por ne deri më tani nuk kemi asnjë që e ka deklaruar këtë”, ka thënë ajo.

“Ne kemi raste kur ato dëshmojnë se kanë kryer aborte si rezultat i dhunimit. Por unë besoj se numri i aborteve mund të ketë qenë shumë më i lartë”, shton ajo.

Han Baja, një mjek gjinekolog në Spitalin e qytetit verior të Shqipërisë, Kukës, që ishte destinacioni i parë për më shumë se 500.000 refugjatë shqiptarë të Kosovës  të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë pranverës së vitit 1999, ka treguar gjithashtu për rastet e dhunimit. Baja tha për BIRN se për më shumë se tre muaj gjatë eksodit të Kosovës, doktorët punuan pandërprerë të trajtojnë shumë refugjatë, përfshirë edhe ato që kishin përjetuar dhunë seksuale.

“Në periudhën kohore mes prillit dhe qershorit 1999 janë kryer 71 aborte të grave nga Kosova”, tregon Baja.

Në Klinikën Gjinekologjike në Spitalin kryesor publik të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, personeli konfirmon 40 raste të aborteve të kryera nga gratë refugjate të Kosovës mes prillit dhe qershorit 1999.

Doktoresha Rubena Moisiu, mjeke gjinekologe në këtë klinikë, tha për BIRN se gjatë luftës ajo dhe kolegët e saj kanë trajtuar qindra raste të viktimave të dhunës seksuale.

“Nga rastet që ne trajtonim, e pamë se sa shumë lëndime dhe dëmtime kishin. Disa nga ato kishin simptoma të rasteve kur një person abuzohet seksualisht nga shumë persona brenda një kohe të shkurtër”, tregon Moisiu.

“Ne gjithashtu konfirmuam shtatzënësitë, pavarësisht faktit që shumë pak prej tyre flisnin për këtë”, shton ajo.

Moisu gjithashtu thotë se ishte e befasuar kur pa statistikat e numrit të aborteve në klinikë.” Ishte e sigurt që numri ishte shumë më i lartë”, thotë ajo.

Pa emër dhe pa zë

Naime Sherifi, një ish-aktiviste e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), një organizatë që mblodhi dëshmi mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas luftës, tregon se pati vështirësi në dokumentimin e rasteve të dhunimit, sepse në atë kohë shumica e viktimave nuk pranonin të deklaroheshin se ishin dhunuar.

“KMDLNJ ka dëshmi që i janë dorëzuar edhe Gjykatës së Hagës për gratë e dhunuara që mbetën shtatzëna, por gjithashtu edhe  dëshmi për pasojat e aborteve, veçanërisht ato pas muajit të katërt të shtatzënësisë”, thotë  Sherifi.

Ajo shtoi se në disa prej këtyre rasteve pati pasoja serioze në shëndetin e viktimave. “Ka dëshmi të viktimave që kanë vdekur gjatë ose menjëherë pas përdhunimit, ndërkohë që disa prej tyre bënë vetëvrasje”, tregon ajo.

Vlora Nushi, shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, shpjegon se ende është  problem të ngrihet çështja e fëmijëve të lindur si rezultat i dhunimeve gjatë kohës së luftës në vend.

“U desh të pritej 20 vjet për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Në procesin e marrjes së statusit [zyrtar] viktimat kishin një zë. Por, si kudo tjetër, është e vështirë të trajtohet çështja e fëmijëve të lindur si rezultat i dhunimit, sepse ata nuk kanë zë”, thotë ajo.

F.K. tha se ajo nuk dëshiron të flasë për mënyrën se si lindi vajza e saj.

“Nuk do të doja të flisja më për këtë”, tha  ajo.

“Thashë atë që munda. Jo më”.

 

Disa nga emrat janë ndryshuar apo hequr, në mënyrë që të ruhet anonimiteti i viktimave.

Ky hulumtim është mbështetur nga Reporterët në Terren dhe nga Fondacioni Robert Bosch në bashkëpunim me rrjetin për zhvillim të mediave n-ost.