Foto: Ridvan Slivova

Favorizim i shkollave private nga Qeveria e Kosovës

Në 15 vitet e fundit, Qeveria e Kosovë ka alokuar miliona euro nga buxheti i shtetit për një shkollë private në Prizren, ani pse shkollat publike në Kosovë vuajnë nga mungesa e fondeve.

 

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, urimin për fillimin e vitit shkollor 2019/2020 e kishte bërë nga oborri i gjimnazit në “Loyola”, shkollë private e nivelit fillor e të mesëm në Prizren. Më 2 shtator, Haradinaj së bashku me bashkëshorten e tij po çonin të birin në ditën e parë si gjimnazist në “Loyola”, gjimnazit që qeveria e udhëhequr nga Haradinaj me 2 tetor 2018, ia kishte ndarë 658,858 euro.

Zyra e Kryeministrit nuk është përgjigjur në pyetjet e BIRN-it se sa është pagesa që bën kryeministri për shkollimin e djalit të tij. As Fadil Hamzaj, kryetar i Bordit dhe drejtor i Përgjithshëm i shkollës “Loyola”, nuk ka treguar se sa paguan familja Haradinaj për shkollimin e djalit të tyre.

“…Ne jemi shumë të përkushtuar ta mbrojmë privatësinë e nxënësve tanë dhe mbi këtë bazë nuk do t’iu japim as juve, në këtë rast, informacione mbi të dhënat personale të nxënësve apo prindërve”, thotë Hamzaj për BIRN.

Ai ka treguar për çmimet që paguajnë nxënësit për shkollim në gjimnazin “Loyola”. Çmimet janë nga 840 euro për shkollën fillore, deri në 1,020 euro për atë të mesme. Ndërsa, ka edhe oferta për qëndrime ditore për filloristet, apo qëndrim në konvikte për nxënësit e shkollës së mesme që shkon deri në 2,160 euro shtesë.

Ky gjimnaz i themeluar në vitin 2005 ka marrë financim nga qeveria e Kosovës bazuar në një memorandum të nënshkruar në vitin 2004 me ‘Asociation Loyola-Gymnasium’. Auditori i Përgjithshëm e ka kontestuar bazën ligjore në bazë të cilës qeveria e Kosovës ka bërë pagesa në llogari të kësaj shkolle.

Pas kontestimeve që kishte bërë Zyra Kombëtare e Auditimit, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa i kishte ndalur pagesat për këtë gjimnaz. E njëjta qeveri kishte dështuar të marrë ratifikimin e memorandumit më këtë gjimnaz si marrëveshje ndërkombëtare. Mirëpo, ishte Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj i ka zhbllokuar pagesat për këtë gjimnaz.

Shkollat publike pa fotokopje 

Qeveria e Kosovë e udhëhequr nga Haradinaj, më 2 tetor 2018, i kishte ndarë 658,858 euro për këtë shkollë private. Në arsyetimin e vendimit thuhet se “mjetet financiare për gjimnazin ‘Loyola’ ndahen me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë”.

BIRN-i është përpjekur disa herë të kontaktojë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Më 30 korrik dhe 16 gusht 2019, i janë dërguar pyetjet, por askush nga ky dikaster nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu më 19 shtator 2019, i kontaktuar nga BIRN-i, ministri aktual i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, në parim ka pranuar të flasë, por nuk ka caktuar kohën për takim, duke e bërë të pamundur marrjen e qëndrimit të tij. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur në pyetjet rreth kësaj shkolle.

Zyra e Kryeministrit ka thënë se mbështetja financiare e kësaj shkolle është bërë për shkak të rezultateve të treguara.

“Ka qenë në interes të vendit mbështetja financiare, për shkak të programit dhe mënyrës së punës që është aplikuar dhe mbi të gjitha për shkak të rezultateve konkrete që kanë treguar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Përderisa shteti paguan për shkolla private, në të cilat nxënësit paguajnë për të vijuar mësimet, në anën tjetër shkollat profesionale publike janë në gjendje të keqe.

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Pogradeci”, në Kijevë të Malishevës e cila ka 380 nxënës në drejtimet ekonomik dhe juridik, nuk i kanë as kushtet elementare për mësim.

“Kemi mungesë sidomos për punën praktike, terrene sportive, salla sporti, laboratore, madje nuk kemi as material shpenzues”, thotë Sami Toplani, drejtor i SHMP “Lasgush Pogradeci”. Kjo shkollë nuk ka as fotokopje, e cila është kryesore për marrjen e literaturës nga ana e nxënësve.

Toplani, thotë se nxënësit e shkollës që ai drejton duhet të udhëtojnë 12 kilometra deri në Malishevë nëse ata dëshirojnë ta përfundojnë praktikën në ndonjë institucion qoftë Gjykatë apo ndërmarrje private, transport të cilin duhet ta sigurojnë vetë.

E shkolla private “Loyola”, që financohet nga qeveria e Kosovës dhe pagesat e nxënëseve, mburret me rezultatet e arritura nga nxënësit. Fadil Hamzaj, drejtor i Gjimnazit “Loyola’, thotë se paratë e dhëna nga ekzekutivi kosovar burojnë nga Memorandumi për Bashkëpunim mes Qeverisë së Kosovës dhe Association “Loyola-Gymnasium”.

“Kjo ka të bëjë me rimbursimin e pjesërishëm të pagave për mësimdhënës si dhe mbështetjen financiare për themelimin e Shkollës së Lartë Profesionale ‘Loyola – Profesionale”, thotë Hamzaj për BIRN.

Ai thotë se nga viti 2005, me nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim, kanë pranuar financim nga të gjitha qeveritë pasuese, varësisht nga planifikimi i buxhetit shtetëror.

“Mjetet janë përdorur gjithnjë në dobi dhe interes të nxënësve ku në çdo vit kalueshmëria në Maturën Shtetërore është 100% me një mesatare afërsisht 80%”, thotë Hamzaj për BIRN.

Memorandumi i vitit 2004

BIRN e ka siguruar “Memorandumin e Mirëkuptimit” të nënshkruar nga qeveria e Kosovës në vitin 2004 me ‘Asociation Loyola-Gymnasium’. Memorandumi përbëhet nga pesë nene.

Në nenin 2 të saj, flitet për përgjegjësitë e MASHT-it, sa i përket financimit.

“MASHT duhet të jetë përgjegjëse për pagat e stafit dhe për mësimdhënësit në nivelin e pagesave në nivel të pagave të mësimdhënësve të shkollave publike”, thuhet aty.

Gjimnazi ‘Loyola’ Prizren. Foto: Ridvan Slivova

Por, ky gjimnaz përveç pagesave nga Qeveria e Kosovës financohet edhe nga pagesat që bëjnë nxënësit. Fadil Hamzaj, drejtor i gjimnazit “Loyola” thotë se mësimdhënësit e tyre paguhen më shumë se kolegët e tyre në sektorin publik.

“Mësimdhënësit tanë paguhen pak më shumë se ata në shkollat publike. Mirëpo, paga është diçka konfidenciale dhe mbrohet me ligj dhe assesi nuk i bëjmë publike këto të dhëna”, tha Hamzaj.

Kurse, Zyra e Kryeministrit thotë se obligimi që rrjedh nga Memorandumi për mbulim të shpenzimeve për paga është duke u respektuar.

“Bazuar në këtë marrëveshje, shuma e ndarë ka qenë kosto e pagesës së mësimdhënësve, në shumën sa e parasheh ligji pagën e mësimdhënësit në sektorin publik në vend. Këtë marrëveshje, ne e kemi gjetur, si Qeveri aktuale dhe e kemi vazhduar, apo proceduar për vendim në Qeveri, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që kemi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë ‘Memorandum të Mirëkuptimit”, përcaktohen dhe disa rregulla të tjera, siç janë plan-programi në harmoni me atë kosovar, përcaktimi i pagave, mos ndryshimi i destinimit të kësaj shkolle etj.

Ndërkohë, përveç marrëveshjes, Qeveria e Kosovës për ndarjen e këtyre mjeteve për këtë shkollë private, arsyetohet edhe me ndihmën e madhe që Qeveria e Gjermanisë i jep Kosovës.

“Në këtë mandat nga Qeveria gjermane, janë ndarë më shumë se 100 milionë euro donacione në fusha të ndryshme për Kosovën dhe në total nga paslufta, janë ndarë më shumë se 600 milionë euro donacione për vendin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Përveç “Loyolës’, ka edhe një rast tjetër kur shteti ka ndarë para për shkollat jo-publike.

Në vitin 2008, MASHT-i ka nënshkruar marrëveshje me SPARK, një organizatë holandeze për themelimin e Kolegjit IBC-M në Mitrovicë, që synonte të ofronte programe atraktive të arsimit të lartë dhe të ndikonte në zbutjen e tensioneve ndëretnike në Mitrovicë.

Kolegji ka filluar punën në vitin 2010 dhe në të janë investuar nga donatorët rreth 13.5 milionë euro. Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka përmbushur obligimin që të ndante nga 600 mijë euro në vit, duke filluar nga viti 2017.

Kolegji IBC-M në Mitrovicë, themeluar nga organizata SPARK. BIRN pyeti për këtë çështje edhe zyrtarët e këtij kolegji se mbi çfarë baze ligjore kanë pranuar para nga Ministria e Arsimit.

Yannick Du Pont është drejtor në Kolegjin ‘IBC-M’ në Mitrovicë thotë se ky kolegj profesional u hap me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, për të ofruar diplomë 2 vjeçare të nivelit Bachelor.

“Kjo kërkesë është përfshirë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pas konferencës së donatorëve pas pavarësisë në vitin 2008, ku është radhitur si një ‘projekt me prioritet’”, thotë Yannick Du Pont për BIRN. Yannick Du Pont thotë se kontributi i Qeverisë së Kosovës është 1.5 milion euro për një pjesë të ndërtesës së kolegjit në Mitrovicë, kurse donatorët ndërkombëtarë kanë kontribuar pjesën tjetër.

Më 23 dhjetor 2016, Qeveria e Kosovës, drejtuar nga ish kryeministri Isa Mustafa, kishte iniciuar procedurën e ratifikimit në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare, atë të lidhur me IBCM dhe Loyola (Dokument). Por në mungesë të 2/3 të votave, këto marrëveshje nuk ishin miratuar në Kuvend.

Ish-ministri i Arsimit në kohën e qeverisë Mustafa, Arsim Bajrami, thotë se ai ka vendosur që t’i ndalë pagesat për këtë shkollë private, meqë kishin pranuar vërejtje serioze nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Bajrami thotë se pagesat për këtë gjimnaz janë bërë pa bazë ligjore, prandaj ai kishte kërkuara që ky memorandum të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Por, Kuvendi nuk i ratifikoi këto dy marrëveshje.

Mst: Bajrami: Mbështetja e kundërligjshme 

“Bëra çfarë më duhej të bëja si ministër, në raport me tentimin për të përligjur dhënien e qindra mijëra eurove të taksapaguesve kosovarë, të cilat përgjatë gjithë mandatit tim, nuk lejova të transferohen pa bazë ligjore, në llogarinë e kësaj shkolle”, thotë ish ministri Bajrami, tani profesor në Universitetin e Prishtinës. “Dhënia e atyre parave është e kundërligjshme dhe sigurisht se ish drejtuesit e këtyre institucioneve do të japin përgjigje për këtë vendim”.

Bajrami thotë se arsyeja pse i ndali këto mjete ishin rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të dhëna në raportet e vitit 2013 dhe 2014.

“Pavarësisht rekomandimeve të dhëna në raportet paraprake të auditimit për rishikimin e marrëveshjes kjo përsëritet në vazhdimësi”, shkruan në këtë raport të siguruar nga BIRN.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës – Foto: KALLXO.com

Bajrami thotë se i ndaloi pagesat për këtë gjimnaz për vitet 2015 dhe 2016. Këtë e konfirmon edhe raporti i Auditorit për këto dy vjet.

Por, në vitin 2017 sërish fillon të kryhet pagesa nga ana e MASHT-it për këtë gjimnaz, pra me ardhjen në qeveri të koalicionit PAN në udhëheqje të Ramush Haradinajt, tash kryeministër në detyrë.

Detajet e pagesave janë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për ministrin e Arsimit për vitin 2017. Në raport thuhet se ministria e Arsimit e drejtuar nga Shyqiri Bytyqi, në kuadër të Qeverisë Haradinaj, i kishte ndarë këtij gjimnazi para edhe në mënyrë retroaktive.

“Një rishikim i këtij memorandumi të vitit 2004, nuk kishte ndodhur dhe si rezultat i kësaj ministria në fund të vitit 2017 me vendim të qeverisë i kishte paguar 720 mijë euro nga kategoria e subvencioneve për vitet 2015/16/17 këtij gjimnazi”, shkruan në raportin e Auditimit.

Por në këtë dokument, theksohet se pagesat ndaj këtij gjimnazi janë bërë edhe për vitet pasuese edhe pse me 22 shkurt 2018, ministri i Arsimit (Shyqiri Bytyqi v.j) e kishte shfuqizuar nenin 2 të memorandumit që parashihte obligimet financiare të MAShT-it ndaj kësaj shkolle.

Kjo është evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 kur më 5 nëntor 2018, bazuar në vendimin e qeverisë, MAShT-i kishte paguar 658,858 euro gjimnazit “Loyola”.

Në raport specifikohet se 308,858 euro i janë dhënë kësaj shkolle për rimbursimin e pagave për vitin 2018 dhe themelimin e funksionalizimin e shkollës së lartë profesionale me sistem trevjeçar me plan program të shkollave profesionale në Gjermani “Loyola Profesional”, kurse 300 mijë euro të tjera dhe një shumë tjetër prej 50 mijë euro, për shpenzime vjetore për vitin 2019.

Jonuz Salihaj, njohës i çështjeve të arsimit në vend, thotë se pagesat e bëra për shkolla private janë të kundërligjshme.

“Vendimi i Qeverisë për ndarjen e 658 mijë eurove për këtë institucion arsimor është i paligjshëm. Për fat të keq kjo nuk është hera e parë që ky institucion privat i arsimit parauniversitar përfiton mjete nga Qeveria e Kosovës”, thotë Salihaj për BIRN.

Deri në prill të këtij viti (2019), Salihaj ishte pjesë e strukturave të larta të AAK-së, partisë së kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nga e cila dha dorëheqje. Paraprakisht, nga dhjetori 2017, ishte drejtor në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, ku ish-partia e tij ishte në bashkëqeverisje me atë Socialdemokrate të drejtuar nga Shpend Ahmeti, ky i fundit kryetar i kryeqytetit.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) thotë se marrëveshja e parë është nënshkruar në vitin 2004 në mes të qeverisë dhe Renovabis, në emër të shkollës nga organizata gjermane.

“Renovabis ka ndërtuar godinën e gjimnazit, e MASHT-i obligohet t’i paguajë pagat e personelit”, thotë Pupovci për BIRN. “Institucionet tona nuk janë të qëndrueshme dhe nuk u përmbahen marrëveshjeve, ose i trajtojnë sipas legjislacionit të ri, të pas pavarësisë, që nuk është aspak në rregull”.

Bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit, Qeveria e Kosovës deklaron për BIRN se marrëveshja daton nga viti 2004.

Në këtë marrëveshje, të siguruar nga BIRN, e cila cilësohet si “Memorandum Mirëkuptimi”, dhe që përbëhet nga pesë nene, në nenin 2 të saj, flitet për përgjegjësitë e MASHT-it, sa i përket financimit.

International Business College Mitrovica, IBC-M. Photo: Ridvan Slivova.

“MASHT duhet të jetë përgjegjëse për pagat e stafit dhe për mësimdhënësit në nivelin e pagesave në nivel të pagave të mësimdhënësve të shkollave publike”.

Për të sqaruar se sa është niveli i këtyre pagave, BIRN pyeti edhe Fadil Hamzajn, drejtor i Bordit dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj shkolle. Megjithatë, as ai nuk pranoi të japë sqarime shtesë.

“Mësimdhënësit tanë paguhen pak më shumë se ata në shkollat publike”, tha ai. “Mirëpo, paga është diçka konfidenciale dhe mbrohet me ligj dhe assesi nuk i bëjmë publike këto të dhëna”.

Për këtë çështje, BIRN pyeti edhe Qeverinë e Kosovës. Zyrtarë të saj, gjithashtu nuk dhanë përgjigje konkrete.

“Bazuar në këtë marrëveshje, shuma e ndarë ka qenë kosto e pagesës së mësimdhënësve, në shumën sa e parasheh ligji pagën e mësimdhënësit në sektorin publik në vend”, shkruan në përgjigjen e zyrës për media të Qeverisë. “Këtë marrëveshje, ne e kemi gjetur, si Qeveri aktuale dhe e kemi vazhduar, apo proceduar për vendim në Qeveri, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që kemi”.

Sidoqoftë, në këtë ‘Memorandum të Mirëkuptimit” përcaktohen dhe disa rregulla të tjera, siç janë plan-programi në harmoni me atë kosovar, përcaktimi i pagave, mos ndryshimi i destinimit të kësaj shkolle etj.

Ndërkohë, përveç marrëveshjes, Qeveria e Kosovës për ndarjen e këtyre mjeteve për këtë shkollë private, arsyetohet edhe me ndihmën e madhe që Qeveria e Gjermanisë i jep Kosovës.

“Në këtë mandat nga Qeveria gjermane, janë ndarë më shumë se 100 milionë euro donacione në fusha të ndryshme për Kosovën dhe në total nga paslufta, janë ndarë më shumë se 600 milionë euro donacione për vendin”.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), thotë se shtetit nuk mund t’i mohohet e drejta për bashkëpunime, apo që komunat t’u ndajnë tokë falas institucioneve private, qoftë edhe të arsimit.

“Unë nuk e di të ketë pasur ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë shtetërore në financimin e ndonjë institucioni, përveç në rastin e Loyola-s”, thotë ai.

Nga viti 2004, Pupovci drejton organizatën joqeveritare KEC, e cila ka në pronësi shkollën “Mileniumi i Tretë”.

“As nuk kam kërkuar e as pranuar fonde nga shteti. ‘Mileniumi i Tretë’, financohet 100% nga pagesat e prindërve”, thotë Pupovci.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kishte premtuar shkolla me standarde europiane. “Do të punojmë që shkolla jonë të jetë e modelit dhe standardeve evropiane”, shkroi Haradinaj me rastin e fillimit të vitit shkollor 2019/2020, krahas fotografive të publikuara.

Por, rezultatet e publikuara nga PISA e nxorën Kosovën me suksesin më të dobët krahasuar me vendet e rajonit. Kosova u rëndit e 77-ta nga 79 shtete që kishin marrë pjesë në testin e PISA-së.

 

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Edona Musës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.