Familjarja e këshilltares së Haradinajt punësohet inspektore në ATK
Herolinda Reshitaj Selimaj, familjare e Albena Reshitaj, këshilltare e kryeministrit, është në mesin e 20 personave të punësuar si inspektorë tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ajo është punësuar në konkursin në të cilin kanë konkurruar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë i kishin plotësuar kriteret minimale dhe ishin ftuar në test me shkrim. Në këtë konkurrencë të madhe, Herolinda Reshitaj Selimaj ishte renditur e 18-ta duke arritur të punësohet në Administratën Tatimore të Kosovës.
Herolinda Reshitaj Selimaj është vajza e axhës së Albena Reshitaj. Albena Reshitaj kishte qenë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Ramush Haradinaj. Ajo ishte dorëhequr nga pozita e ministres dhe ishte larguar nga partia e Behgjet Pacollit për tu bërë më pas këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Albena Reshitaj është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës me 6,018 vota si pjesë e listës së koalicionit AAK & PSD.
Herolinda Reshitaj Selimaj është punësuar në ATK gjatë kohës sa Albena Reshitaj ishte këshilltare e kryeministrit Haradinaj.
E kontaktuar nga KALLXO.com, Reshitaj ka thënë se nuk ka informacione për punësimin e familjares së saj në Administratën Tatimore të Kosovës. Thotë se nuk e ka ndihmuar familjaren e saj për tu punësuar në ATK.
“Tash po dëgjojë prej teje për punësimin e saj, se e shoh shumë rallë. Nuk e di, sepse ajo jeton në Gjakove, është e martuar. Analizoni gjërat prej një rrafshi ma real se nuk shkojnë krejt ashtu qysh po mendoni, aq ma shumë për do njerëz të ri që nuk kanë hi në politikë për këso gjërat”, deklaroi Albena Reshitaj për KALLXO.com.
Hulumtimet e KALLXO.com, tregojnë se Herolinda Selimaj Reshitaj është inspektorja e nëntë e punësuar që ka lidhje me parti politike apo me ndonjë person të nivelit të lartë në skenën politike.
Pjesë e listës së këtyre personave që kanë lidhje me politikë ose politikanë janë edhe:
- Vllaznim Krasniqi, ish-këshilltari i Ministrit të PDK-së Blerand Stavileci, njëherit person i afërt me krye parlamentarin Kadri Veseli.
- Murtez Zeqiri, ish sekretari i degës së PDK-së, në Mitrovicë.
- Afrim Tahiri i fotografuar me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
- Pajtim Grainca, i cili kushëri i zëvendësministrit të PDK-së në Ministrinë e Financave.
- Petrit Xani, dhëndër i ish ish-drejtorit të përgjithshëm të SHIK-ut, dhe anëtarit të këshillit të përgjithshëm të PDK-së, Latif Gashit.
- Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.
- Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani .
Pas punësimit të njëzet (20), inspektoreve në ATK, KALLXO.com ka kërkuar qasje në gjithë dokumentacionin e komisionit për këtë konkurs, por ATK-ja kishte vendosur t’i mbajë sekrete ato.
Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.
Pas shpalljes së konkursit, BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.
ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos ta lejojë BIRN-in.
Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.