Familjarët e profesorëve ia mësyjnë konkurseve për asistentë në Fakultetin Juridik

Fëmijët dhe të afërmit e profesorëve të fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik ia kanë mësyrë konkurseve të hapura për asistentë në këto dy fakultete. Interesimi i madh i personave që kanë lidhje familjare apo shoqërore me stafin akademik për t’u bërë pjesë e stafit të Fakultetit Juridik ka bërë që të ketë telashe në procesin e rekrutimit.

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, ka hapur konkurs për pranimin e stafit të ri akademik më 27 prill të këtij viti. Por, disa prej konkurseve janë zvarritur për shkak të dorëheqjeve të vazhdueshme të anëtarëve të Komisioneve Recensuese, që është faza e parë e vlerësimit të kandidatëve që kërkojnë të bëhen pjesë apo të avancohen si staf akademik në universitetet publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se të paktën në pesë raste të këtij konkursi, konkurruan fëmijë dhe familjarë të profesorëve të këtij fakulteti duke e bërë të vështirë formimin e komisioneve recensuese që duhet të përbëhen nga stafi akademik i fakultetit.

Duke u gjendur në këtë mes, Dekani i këtij fakulteti i shkroi një letër Rektorit të Universitetit të Prishtinës ku kërkon sqarime dhe ndihmë në veprime të mëtutjeshme pasi sipas tij ekziston frika e konfliktit të interesit.

“Në këtë konkurs kanë konkurruar shumë kandidatë me lidhje të ndryshme familjare dhe lidhje tjera shoqërore kolegiale në fakultet. Konkursi është publik dhe nuk mund të ndalojmë asnjë kandidat që të konkurroj. Në Fakultetin Juridik kemi pasur dhe ende kemi heqje dorë të anëtarëve të Komisioneve për shkak të mundësive të ndikimi dhe konfliktit të interesit në forma të ndryshme..”, thuhet në letër.

Në letrën e dërguar më 29 maj ai konsideron se rregulloret e deritanishme lidhur me parandalimin e konfliktit të interesit nuk paraqesin qartë në cilat raste konsiderohet ky konflikt.

“Në rregullore ka paqartësi në faktin se a e ndalon kjo rregullore zgjedhjen e anëtarëve me lidhje familjare vetëm brenda Departamentit duke pasur parasysh specifikat e fakulteteve apo e përfshinë në tërësi fakultetin… Procedimi i konkursit për pozita të reja me këto paqartësi do të jetë i pamundur, ose vendoset në pikëpyetje konkursi në çfarëdo varianti”, thuhet në pjesë të tjera të letrës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema i cili tha se është kërkuar plotësimi i Komisioneve Recensuese pas dorëheqjeve të anëtarëve.

“Jemi në dijeni për problemet me komisione vlerësuese në Fakultetin Juridik. Lidhur me këto probleme, nga Fakulteti është kërkuar që të plotësohen të gjitha komisionet vlerësuese me anëtarë të rinj në rast të konfliktit të interesit. Të gjitha rastet do të trajtohen konform Statutit dhe rregulloreve në fuqi”, tha Dema.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listën e kandidatëve për të gjithë pozitat në këtë fakultet dhe mëson se në mesin e kandidatëve në konkursin për staf akademik, përkatësisht për asistentë kanë konkurruar familjarë të Enver Hasanit- Profesor në Fakultetin Juridik, ish- Rektor i UP-së dhe  ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Po ashtu, në konkurs kanë marrë pjesë familjarë të Beqir Sadikajt (Profesor në Fakultetin Juridik), të Skender Ahmetit (Profesor i Fakultetit Ekonomik), Azem Hajdarit (Profesor në Fakultetin Juridik) dhe Arsim Bajramit (Profesor i Fakultetit Juridik dhe ish-deputet nga radhët e PDK-së).

Arsim Bajrami propozon për avancim familjaren e tij

Shukrije Stublla- Shabani, u propozua për tu bërë asistente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, nga Komisioni Vlerësues me kryetar Arsim Bajramin.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se Stublla-Shabani kishte punuar si Asistente Ekzekutive e ish-ministrit të arsimit, Arsim Bajrami, përkatësisht e emëruar si staf politik. Përveç kësaj, Stublla- Shabani ka afërsi familjare me Arsim Bajramin.

Shukrije Stublla- Shabani, Fortuna Haxhikadrija dhe Përparim Gruda ishin konkurrente për pozitën asistent për grup lëndësh në Katedrën Kushtetuese Administrative, të shpallur më 27 prill të këtij viti.

Procesi i përzgjedhjes nga komisioni ka zgjatur më shumë se katër muaj. Në buletinin e publikuar për këtë pozitë, më datën 14 shtator të këtij viti, komisioni i përbërë prej Arsim Bajramit, Gjylieta Mushkolaj dhe Mirlinda Batalli propozuan për avancim kandidaten, Shukrije Stublla-Shabani.

“Komisioni ka vlerësuar se kandidatja nr.1 (Shukrije Stublla- Shabani), plotëson më së miri kushtet e përcaktuara me statutin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, për pozitën e asistentit”, thuhet në vlerësimin e komisionit.

I pyetur nga KALLXO.com më 15 tetor, Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi tha se edhe për këtë pozitë pati disa herë dorëheqje të anëtarëve të komisionit.

“Tani është koha e shqyrtimit të ankesave. Ju kujtojmë se për këtë rast është plotësuar Komisioni tri herë për shkak të heqjes dorë të anëtarëve të Komisionit, disa për konflikt interesi e disa për shkaqe tjera objektive”, pati thënë Gashi.

Në anën tjetër, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë përmes telefonit, Arsim Bajrami fillimisht mohoi lidhjen familjare me kandidaten e më pas tha se ajo është shumë e largët.

Ai po ashtu komentoi faktin se kjo kandidate kishte punuar si zyrtare në Ministrinë e Arsimit në kohën kur Arsim Bajrami kishte qenë ministër.

“Jo nuk kam lidhje familjare por për këtë duheni me pyet në fakultet, jo nuk kam konflikt interesi për këtë rast…Po ka qenë zyrtare administrative siç kanë qenë edhe shumë asistentë të tjerë të fakultetit që kanë punuar në ministri të ndryshme. Nuk kam konflikt interesi me personin në fjalë sepse lidhja ime familjare me të është përtej shkallës së VI-shtë. Fakulteti Juridik ka anuluar këtë konkurs dhe pritet rishpallja e tij”, tha Bajrami.

Kandidatja Stublla- Shabani, pas anulimit të konkursit thotë se i është bërë padrejtësi për një konflikt interesi që sipas saj nuk ekziston.

“Arsim Bajrami është një kushëri i nanës temë, është në lidhje familjare të shkallës së V-të. Nëna jem e ka diçka të axhallarëve, është përtej shkallës së V-të dhe e njëjta gjë që i është deklaruar edhe këshillit të fakultetit dhe komisioni është i përbërë edhe prej dy anëtarëve të tjerë që kanë vlerësuar që unë i përmbushi të gjitha kushtet. Kam punuar si asistente administrative në MAShT por askund nuk specifikohet që është konflikt i interesit marrëdhënia e punës”, tha Stublla-Shabani.

Të pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me anulimin e këtij konkursi, dekanati i Fakultetit Juridik nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Këshilli i Fakultetit Juridik kishte refuzuar recensionin për këtë pozitë ndërsa përfundimisht në senat u vendos që të rishpallet konkursi për të.

Më 26 tetor, senati i Universitetit të Prishtinës vendosi që këtë pozitë ta kthej në rishpallje të konkursit pas një viti, ndërsa u vendos që kandidates Furtuna Haxhikadria si asistente e brendshme ti vazhdohet kontrata për një vit.

Kandidatja Stublla-Shabani shtoi se ‘ ata janë thirr në një konflikt interesi që nuk ekziston sipas ligjit apo rregullores sepse lidhja është përtej shkallës së V-stë dhe se do të ankohet në të gjitha instancat duke përfshirë gjykatat.

Familjarët e Enver Hasanit dhe Azem Hajdarit në konkursin e mbetur pezull

Një tjetër konkurs problematik në këtë fakultet ishin dy pozita të hapura për asistent në Katedrën Civile ku konkuruan dy familjarë të profesorëve në këtë fakultet.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listën e kandidatëve për të gjithë pozitat në këtë fakultet dhe mëson se në mesin e kandidatëve në konkursin për staf akademik, përkatësisht për asistentë ka konkuruar nipi i Enver Hasanit- Profesor në Fakultetin Juridik, ish- Rektor i UP-së dhe ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në të njëjtin konkurs dhe për të njëjtën pozitë konkurrues ishte edhe djali i Azem Hajdarit, Profesor në Fakultetin Juridik.

KALLXO.com ka kontaktuar profesorin Hasani për të marrë një koment lidhur me këtë konkurs në të cilin ka konkurruar nipi i tij, Jeton Hasani. Ai nuk e ka mohuar se Jetoni është nipi i tij mirëpo nuk ka dashur të komentojë kandidaturën e tij.

“Nuk mundem me komentu për njerëz që i kanë mbi 18, as për fëmijët e mi, le për familjarë të tjerë”, tha Hasani.

Gazeta nuk mundi të bie në kontakt me Jeton Hasanin lidhur me këtë çështje.

Në anën tjetër, djali i Profesorit Azem Hajdari, Egzonis Hajdari që ka konkurruar për pozitën e njëjtë tha se fakti që është fëmijë i profesorit nuk do duhej ta diskriminonte në garë.

Ai shkroi disa letra rektorit të Universitetit të Prishtinës Marjan Dema duke kërkuar që të merren masa ndaj dorëheqjeve të komisioneve recensuese dhe duke kërkuar që përzgjedhjet të bëhen me meritokraci.

“Babai im është profesor në Katedrën Penale, ndërsa unë kam aplikuar në Katedrën Civile dhe konflikti i interesit nuk e prek këtë.  Unë vetëm dua që çdo gjë të shkojë në bazë të parimeve dhe meritokracisë.  Unë kam aplikuar dhe i kam kushtet më të mira se të gjithë ata tjerët, kam punime me impakt faktor etj..”, tha Hajdari.

Egzonis Hajdari konsideroi se është kandidati më i denjë për këtë pozitë.

Që nga prilli i këtij viti kur u hap konkursi për këtë pozitë nuk ka qenë e mundur të bëhet komisioni vlerësuar dhe të shkruhet recensioni për shkak të rasteve të konfliktit të interesit.

“Tri herë janë plotësuar dhe ndryshuar Komisionet, por përsëri anëtarët e Komisionit janë tërhequr, me arsyetime të ndryshime; konfliktit të interesit dhe presioneve që kanë pasur nga kandidatët dhe të afërmit e tyre”, tha Dekani, Haxhi Gashi.

Dekani shtoi se në këtë situatë “është pamundësuar procedimi i konkursit sipas Rregullores sepse nuk parashihen plotësimet e Komisioneve në pa kufi sa herë që një anëtar heqë dorë edhe pas plotësimit. Për këtë e kemi informuar Rektoratin”.

Gazeta ka dërguar pyetje në email zyrtar të profesorëve që janë dorëhequr nga pozita e anëtarëve të komisionit recensues për këtë pozitë në qershor të këtij viti mirëpo shumica prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Profesori Bedri Tahiri ishte ai që tregoi se është dorëhequr për shkak të konfliktit të interesit.

“Dorëheqja ime vjen si rezultat i paraqitjes në konkurs të një kandidati me të cilin jam në lidhje familjare-miqësore, andaj edhe i jam referuar dispozitave për deklarim të çfarëdo konflikti të interesit në bazë të ligjit të veçantë për parandalimin e konfliktit të interesit”, tha Tahiri.

Senati i Universitetit të Prishtinës më 26 nëntor vendosi që këto konkurse t’i kthejë në rishpallje, për shkak të rrethanave të konfliktit të interesit.

Konkurset me familjarë të Skender Ahmetit dhe Beqir Sadikaj

Konkursi i dytë që mbeti pezull për shkak të dorëheqjeve të komisioneve është pozita për një asistent në disa lëndë ekonomike në Fakultetin Juridik.

Në këtë konkurs konkuroi edhe Yllka Ahmeti , vajza e Profesorit në Fakultetin Ekonomik, Skender Ahmetit.

Lidhur me këtë çështje, gJnK ka kërkuar përgjigje nga profesori Skender Ahmeti. I njëjti nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara në emailin zyrtar të Ahmetit me datën 25 qershor. Pyetjet i janë dërguar edhe përmes mesazhit në telefon, ndërsa i kontaktuar më vonë ai kë thënë se “kjo është çështje personale”, kur është pyetur për kandidaturën e vajzës së tij për asistente në fakultetin juridik. Ndërkaq ka qenë e pamundur të vihet kontakt me Yllka Ahmetin.

Lidhur me këtë konkurs, dekani Haxhi Gashi tha se është situate e njëjtë si tek konkursi për asistentë në Katedrën Civile.

Në anën tjetër, i vetmi konkurs që ka arritur të procedojë deri në senat megjithëse pati konkurentë familjarë të profesorëve janë pozitat dy asistentë në Katedrën Penale.

Në këtë pozitë konkuroi Triumf Sadikaj, djali i Beqir Sadikaj, Profesor në Fakultetin Juridik dhe anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Në këto dy pozita sipas komisionit recensues e deri te votimi i senatit u zgjodhën Furtuna Sheremeti dhe Nita Shala.

Megjithatë, Sadikaj konsideron se i është bërë e padrejtë në këtë garë dhe dërgoi ankesa në faza të ndryshme të rekrutimit.

Shtrëngimi i rregullave kundër nepotizmit

Këshilli i Etikës të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, më 2 maj kishte miratuar një udhëzues për standarde në përpjekje për ta shmangur nepotizmin dhe konfliktin e interesit në procedurat e zgjedhjes së stafit akademik.

Ky vendim erdhi pas rekomandimeve të dala nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me krijimin e një legjislacioni kundër nepotizmit dhe konfliktit të interesit në përzgjedhjen e stafit akademik.

Standardet e përcaktuara me këtë udhëzues parashohin edhe zgjerimin e rrjetit të personave që konsiderohen familjarë në mënyrë që të përcaktohen rastet kur personeli i universitetit ka konflikt interesi me aplikantë për të qenë staf akademik.

“Marrëdhënie familjare dhe afërsie konsiderohen personat që me personelin akademik të rregullt apo të angazhuar janë në marrëdhënie si: prind, fëmijë, vëlla, motër, bashkëshortët, njerk/ë, thjeshtër, gjysh/e, nip/ mbes, kunetër, vjehërr- dhëndër, nuse, vëlla/motër nga njerka- njerku, marrëdhënia bashkëjetësore, marrëdhënie e partnerëve jashtë martesorë, ish-bashkëshortët [dajë/ teze/xhaxha/ hallë]- [nip/mbesë], kushërinjtë dhe marrëdhënia e miqve të ngushtë”, thuhet në pikën 11 të këtij udhëzimi.

Megjithatë parandalimi i nepotizmit nuk lidhet vetëm me këtë listë pasi u është lënë në dorë stafit akademik sipas lidhjes logjike që të vendoset për parandalim edhe nëse marrëdhënia nuk është paraqitur në listën e mësipërme.

Afet Morina, kryetar i Këshillit të Etikës nuk mundi të jap një vlerësim lidhur me gjerësinë e zbatimit të këtij udhëzuesi.

“Udhëzuesi mbetet në fuqi. Kësisoj, lidhur me rastet e iniciuara mbi bazën e këtij Udhëzuesi dhe të rregullave të tjera relevante, Këshilli vendos dhe do të vendos në vazhdimësi në mënyrë meritore duke u mbështetur në kornizën normative dhe në procedurën e përcaktuar. Në këtë kontekst, do të ishte e papërshtatshme dhe njëherësh e padobishme që të ofrojmë një vlerësim të përgjithësuar, pasi zbatimi i Udhëzuesit është një proces i vazhdueshëm dhe aplikimi i tij mbetet subjekt i kërkesave të palëve, kërkesa këto që ne i trajtojmë në kontekstin e tyre rrethanor dhe individual”, tha ai.

Ai poashtu komentoi diskresionin e stafit akademik që të përcaktojnë rastet e konfliktit të interesit nëse të njëjtat nuk parashihen në nenet e këtij udhëzuesi.

“Siç e kemi thënë edhe në raste të tjera, për qëllime praktike dhe institucionale, metoda jonë operacionale është e mbështetur në vendimmarrjen e arsyetuar të rasteve, e cila më pas u përcillet palëve të përfshira në rastin konkret ose organeve përkatëse të Universitetit, në varësi të rastit”, tha Morina

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar lidhur me rregulloren dhe ka publikuar këtë dokument zyrtar.

https://kallxo.com/up-shtrengon-rregullat-kunder-nepotizmit-ne-perzgjedhjen-e-stafit-akademik-dokument/

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.