Fakte se si ndikoi biznesi i kriptovalutave në rritjen e kërkesës për rrymë në katër komunat veriore

Prodhimi i kryptovalutave ka bërë që në vitin 2020 kërkesa për energji të rritet për 14% në katër komunat me shumicë serbe, të cilat nuk paguajnë energjinë e shpenzuar: Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Kjo rritje e kërkesës për energji elektrike në vitin e pandemisë është disa herë më e madhe se rritja e kërkesës për energji në komunat e tjera.

Emisioni “KallxoPernime” ka zbuluar se prodhimi i kryptovalutave është koncentruar në katër komunat që tash e 20 vjet nuk paguajnë energjinë e shpenzuar. Ky koncentrim ka ardhur për shkak se prodhimi i kryptovalutave ka shpenzime të mëdha të energjisë.

Një pajisje për prodhimin e kriptovalutave mund të shpenzojë deri në 150 euro energji elektrike për një muaj por kjo dallon kur në funksion janë më shumë pajisje.

Kërkesa për energji

KALLXO.com i ka analizuar raportet e Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit dhe KOSTT-it për trendin e rritjes së kërkesës për energji në vitet e fundit. Analiza tregon se me rritjen e prodhimit të kryptovalutave dhe rritjen e vlerës së tyre në treg kemi pas edhe kërkesë më të madhe për energji.

Rritja e vazhdueshme e kërkesës për energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit ka filluar që nga viti 2018. 

Në vitin 2018 ka pasur një rritje prej 2% të kërkesës për energji elektrike në katër komunat që nuk paguajnë energjinë e shpenzuar. Në të njëjtin vit, kërkesa për energji në komunat tjera ishte zvogëluar për 0.27% në krahasim me vitin 2017. 

Në vitin 2019, rritja e kërkesës për energji në katër komunat që nuk paguajnë energji elektrike ka ishte 8%, kurse në pjesën tjetër të Kosovës ishte 5.8%.

Rritja më e madhe e kërkesës për energji në komunat që nuk paguajnë energjin (Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan) ishte në vitin 2020, duke u rritur konsumi i energjisë për 14% krahasuar me një vit më herët. 

Kërkesa për energji në nivel të Kosovës në vitin 2020 ishte rritur për vetëm 2.8%. Pra, kërkesa për energji në katër komunat që nuk pagujanë faturat ishte për 11.2% më e madhe se komunat që pagujanë energjinë e shpenzuar.

Pra, në secilin prej këtyre viteve, rritja e kërkesës për energji në komunat që nuk paguajnë energjinë e shpenzuar ka qenë më e madhe se pjesa tjetër e Kosovës që paguajnë faturat e energjisë.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me shefin e mbikëqyrjes së shpenzimit të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës, Zoran Obradoviq.

I pyetur në lidhje me rritjen e shpenzimeve të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës për shkak të prodhimit të kriptovalutave digjitale, Obradoviq nuk e ka pranuar këtë.

“Më të thënë një send, vitin e kaluar ka qenë shumë më keq, ndërsa tash nuk kemi ndonjë indikacion përveç që në disa zona të qytetit janë të ngarkuara për shkak të rrjetit të vjetër dhe sistemi ynë nuk e përballon diçka të tillë”, ka thënë ai përmes telefonit.

Ai madje tregoi edhe se më herët ka dëgjuar për këto pajisje që prodhojnë kriptovaluta digjitale.

“Unë po e shoh se këto ditë, gjatë festive, si 1 maji, ka rënë shpenzimi i rrymës elektrike. Më herët janë dëgjuar se këto pajisje janë të zhurmshme dhe dëgjohen shumë…Por tash nuk ka më. Së ku janë zhvendosë, e ne nuk e dimë, sepse ata lëvizin shpesh”, ka treguar Obradoviq në një bisedë telefonike për KALLXO.com.

Një pajisje shpenzon 150 euro energji elektrike në muaj

Një pajisje për prodhimin e kriptovalutave mund të shpenzojë deri në 150 euro energji elektrike për një muaj por kjo dallon kur në funksion janë më shumë pajisje.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com, Milot Mehmeti me profesion ekonomist, i cili në vitin 2015 kishte filluar të merrej me prodhimin e kriptovalutave.

“Një pajisje me pesë kartela grafike mundet me harxhu diku 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike, por ajo mundet me i gjeneru në rastin tash diku 300 euro vlerë e ke dyfishin e asaj që e shpenzon”, ka deklaruar ai.

Ai shton se për një vit ka shpenzuar 100 mijë euro energji elektrike ndërsa fitimi ka qenë trefish më i madh.

“Brenda vititi kemi shpenzuar diku 100 mijë euro që kemi shpenzu për me prodhu kriptovaluta digjitale e të cilat i kemi pagu. Fitimi ka qenë ndoshta trefishi i asaj që kemi pagu”, tregon Mehmeti.

Prodhimi i kriptovalutës digjitale shpenzon energji të madhe elektrike, kryesisht gjatë prodhimit të tyre.

“Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike por Bitcoin e ka një tjetër tash ka kalu në procesime të tjera, ato e shpenzojnë energjinë elektrike, lidhen me energji elektrike edhe ajo është kosotoja që ki me pagu për me mujtë me prodhu kriptovaluta”, thotë tutje ai.

Në 2017 u importuan mbi 3 milionë euro pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Në vitet 2017-2018 janë importuar më së shumti pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Kosovë. 

Sipas Doganës së Kosovës, në vitet 2017-2018 janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave (pajisje ANTMINER – të cilat përdoren për prodhim të BITCOIN-ave) në vlerë 3 milionë e 389 mijë e 566 euro.

Ndërsa kartela grafike në vlerë 4 milionë e 791 mijë e 374 eurove. Kartelat grafike përdoren për prodhimin e pajisjeve të quajtura RIGA, që prodhojnë kriptovaluta të tjera.

Përveç pajisjes e cila në pamje duket si shtëpizë e kompjuterit, për prodhim të kriptovalutave duhen edhe disa kartela grafike.

Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2021 janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike ndërsa rreth 3 mijë euro pajisje për prodhim të kriptovalutave.

Gjate dy viteve të fundit Dogana e Kosovës i ka trajtuar dy raste të kontrabandimit të aparateve për prodhim të kriptovalutave dhe me këtë rast janë konfiskuar 47 aparate “Riga”.

Në pritje të licencimit të kompanisë serbe

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Mospagesa e energjisë elektrike në këtë pjesë ka bërë që kjo zonë të shndërrohet në vatër për vendosjen e pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave.

Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e energjisë së shpenzuar në katër komunat veriore. 

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike.

Energjia elektrike e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kap shumën prej 12 milionë euro. Që nga paslufta deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Kuvendi i Kosovës, i ka miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

“Të gjitha dokumentet që kërkohen me Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë janë dorëzuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar për shkak se bordi i ZRrE-së është jofunksional.

“Sa i përket kritereve dhe përmbajtjes së dokumenteve ato duhet të shqyrtohen edhe nga Bordi i ZReE-së, i cili akoma nuk është funksional. Nga aspekti administrativ dosja do të jetë e gatshme,  por i përket Bordit të vendos për prioritetet dhe Agjendën e seancave të tij”, vazhdon përgjigjja e ZRrE-së.

Qeveria Kurti 2 ka shpallur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së. Ata nuk kanë vazhduar me emrat që ishin propozuar në Qeverinë e kaluar.

Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar rreth 65 milionë euro të hyra.

Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë. Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.