Pajtim Grainca, i zgjedhur inspektor në ATK, në mesin e dy kushërinjve, njëri zv.ministër i Financave e tjetri asamblist në Ferizaj

Edhe kushëriri i zëvendësministrit të Financave punësohet inspektor në ATK

Pajtim Grainca, kushëriri i zëvendësministrit të Financave nga radhët e PDK-së, Mustafa Grainca, është punësuar inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës.

Ai është renditur gjashti në mesin e njëzetë kandidateve të përzgjedhur për pozitën Inspektor Tatimor në ATK në një garë të fortë. Në këtë konkurs kanë konkurruar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa vetëm në test kanë hyrë 512 persona.

Grainca është zëvendësministër nga PDK-ja në ministrin që e ka mbikëqyrje direkte mbi Administratën Tatimore të Kosovës. Ministër në ministrin e financave është Bedri Hamza. Grainca është edhe këshilltar i kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu që poashtu është nga PDK. Ai ka aksione edhe në një biznes, “Idea Invest”.

Grainca në një bisedë me KALLXO.com ka mohuar të ketë pasur ndikim politik nga zëvendësministri i Financave në përzgjedhjen e tij.

“Mustafa Grainca e ka punën e vet, unë timen. Si çdo qytetar që ka drejtë me konkurru unë kam konkurru, kam qenë fitues, nuk ka pasë ndikim politik në punësimin tim e as nuk ka me pasë asnjëherë”, tha Grainca për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëvendësministrin Mustafa Grainca.
Ai u betua se nuk ka ndikuar në punësimin e kushëririt.

“Pajtim Grainca është një kushëri i largët i imi. Aii kurrgjë s’ka të bëjë me mua. Ju betohem që s’ka pasë kurrfarë ndikimi nga ana ime”, tha zëvendësministri.

Ai tha se është befasuar kur e ka parë emrin e Pajtimit në mesin e kandidatëve me të poentuar.

“Kur e kam pa Pajtimin në listë, në mesin e 10 ma të mirëve, jam befasu për të mirë kur e kam pa poentimin e tij, se nuk e kam njoftë që mundet me kanë kaq i aftë një Pajtim Grainca që ka një mbiemër sikur i imi”, tha Mustafa Grainca.

Ai shtoi se është i gatshëm të japë përgjegjësi në rast se del diku se ka përmendur emrin e Pajtim Graincës për punësim.

Pajtim Grainca, i zgjedhur inspektor në ATK, në mesin e dy kushërinjve, njëri zv.ministër i Financave e tjetri asamblist në Ferizaj

Pajtim Grainca është kushëri edhe me asamblistin e PDK-së, në Ferizaj, Lulzim Graincën.

Edhe Lulzim Grainca ka mohuar për KALLXO.com të ketë pasur ndikim politik në përzgjedhjen e Pajtim Graincës për inspektor në ATK.

“Jo nuk kam pasur ndikim në përzgjedhjen e tij”, u përgjigj shkurt asamblisti.

KALLXO.com, ka raportuar gjatë këtyre ditëve, se në mesin e të punësuarve për Inspektor në ATK, janë edhe motra e deputetes Vjosa Osmani dhe një kandidat i AAK-së, për asamble komunale në komunën e Drenasit.

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019. Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë janë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.