Qendra Betlehem për Jetën e Palindur, një strehë për gratë shtatzëna pranë qytetit bregdetar të Splitit në Kroaci. Foto: Masenjka Bacic

E Drejta për Abort në Rrezik në Kroaci

Shtëpia gjendet poshtë pemëve të palmës, me mure të trasha dhe me dritare me grila të gjelbërta, tipike për bregdetin dalmat të Kroacisë.

Brenda saj, Meri Bilic, me flokë të lyer në ngjyrë të lehtë gështenjë, qe zënë me punë në një gjysmëkuzhinë në mes të pirgjeve shumëngjyrëshe me lodra fëmijësh dhe veshjesh.

Bilic, 49 vjeç, po mbikëqyr restaurimin e shtëpisë për misionin e saj si Qendra Betlehem për Jetën e Palindur, një strehë për gratë shtatzëna që janë shtyrë nga familjet apo nga rrethanat financiare të mendojnë për abort.

Në shkëmbim të lindjes së fëmijës, qendra do t’i japë atyre strehë falas dhe ushqim për një vit.

Një donacion nga murgeshat e zonës nga qyteti portual jugor i Splitit, shtëpia është qendra e pestë Betlehem në Kroaci. Ajo nuk qe vështirë të gjendej.

Numri i telefonit celular të Bilic gjendet në listët e kontakteve të faqes së internetit të shtëpive Betlehem dhe kjo faqe rezulton e para në kërkimin në Google me fjalët ‘klinika za pobacaje’, që në kroatisht do të thotë “klinikë abortesh”.

Kjo faqe, www.klinikazapobacaje.com, është e maskuar si një faqe këshillimore që ofron informacion mbi procesin dhe pasojat e abortit, por një foto me gërshërë që rrjedhin gjak e zbulon menjëherë qëllimin e saj të vërtetë.

Në këtë faqe shkruhet se gratë që abortojnë, rrezikojnë të bien në depresion, të kenë çrregullime seksuale, kancer, varësi nga droga dhe mendime vetëvrasëse.

“Qe një ide gjeniale,” thotë Bilis. “Gjëja më e vështirë është si të mbërrijmë te ‘përdorueset’ tona për shkak se tipike për abortet është që çdo grua dëshiron ta bëjë atë në sekret.”

“Betlehemi,” thotë ajo, “është linja e parë e mbrojtjes. Ne jemi ushtarët e këmbësorisë në një luftë.”

 

Një pamje e faqes së internetit Klinika za Pobacaje (Klinika e Abortit). Foto: Masenjka Bacic
Një pamje e faqes së internetit Klinika za Pobacaje (Klinika e Abortit). Foto: Masenjka Bacic

Bilic është pjesë e një lëvizje në rritje që synon t’i japë fund abortit në Kroaci, një vend me shumicë katolike e cila e ka vendosur abortin si një e drejtë e përcaktuar me ligj që prej shumë dekadash por që gratë po hasin vështirësi gjithnjë e më të mëdha për ta përdorur.

Anëtari më i ri i Bashkimit Europian, Kroacia ka një nga normat më të ulëta të abortit në Europë dhe numri i aborteve ka rënë në mënyrë dramatike që kur vendi u nda nga Jugosllacia Socialiste pas luftës së viteve 1991-1995, e cila rishfaqi një ndjesi identiteti kombëtar, identitet që për shumë kroatë i ka rrënjët në besimin e tyre katolik.

Gjithsesi, një investigim nga Bursa Ballkanike për Gazetari Ekselente, sugjeron se shifrat zyrtare nuk e tregojnë të vërtetën e plotë.

Me frikë nga stigma dhe të bllokuara nga një numër i lartë mjekësh që refuzojnë të kryejnë aborte në spitalet publike me arsyen e besimit të tyre, shumë gra kroate janë detyruar të kryejnë aborte të paregjistruara dhe të paligjshme në klinikat private.

Këta gra shtatzëna të cilat kërkojnë ndihmë për shkak të arsyeve familjare apo financiare, shpesh drejtohen nga shteti për te strehat me frymëzim katolik për gratë dhe fëmijët, të cilat si në rastin e Betlehemit kombinojnë një seri paralajmërimesh për pasoja negative me premtimet për shpëtim duke mbajtur fëmijën dhe jo për të abortuar.

Tashmë, me ngritjen në fuqi më 2016 të një qeverie konservatore, e drejta ligjore për të zgjedhur për të bërë abort është vendosur nën një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe publik, jehonë kjo e zhvillimeve në Poloni, ku në tetor, vetëm protestat masive detyruan parlamentin të tërhiqet nga një projektligj që synonte ndalim thuajse total të abortit.

Shembuj të tillë ekzistojnë edhe në Maqedoninë ish-Jugosllave ku ka pasur përpjekje për të kufizuar abortin si dhe në Kosovë, ku stigma shoqërore ka ushqyer abortet ilegale.

“Pozicioni i grave në shoqëri është… nën kërcënim [dhe] po bëhet hapësira e një beteje ideologjike që po luftohet për profilin e shoqërisë kroate,” tha sociologia kroate Valerija Barada.

Akses në pakësim

Më 1980, sipas ORganizatës Botërore të Shëndetësisë, kishte 701 aborte për 1 mijë lindje të gjalla në Kroaci, vend që në atë kohë që pjesë e federatës socialiste jugosllave, ku normat e abortit qenë në përgjithësi të larta.

Kjo shifër filloi të bjerë në mënyrë dramatike me nisjen e luftës më 1991 kur Kroacia shpalli pavarësinë, ndërsa më 2014 abortet ranë në 76 për 1 mijë lindje të gjalla, norma më e ulët në rajonin e Ballkanit, krahasuar me 156 në Shqipëri, 168 në Malin e Zi, 195 në Slloveni, 201 në Maqedoni, 259 në Serbi, 401 në Rumani dhe 416 në Bullgari.

Rënia e përgjithshme e numrit të aborteve në Europën Lindore shpjegohet pjesërisht nga përdorimi më i gjerë i kontraceptivëve me efikasitet të lartë. Por në Kroaci ka edhe arsye të tjera, me rrënjë në “vlerat tradicionale” të familjes, kombit dhe fesë, si dhe në vështirësinë që gratë hasin për të ushtruar të drejtën e tyre për abort.

“Ne jemi ushtarët e këmbësorisë në një luftë” – Meri Bilic, drejtuese e një strehe për gra shtatzëna pranë Splitit

Abortet në Kroaci lejohen në spitalet publike dhe në një spital privat në Zagreb. Por nga 375 mjekët e certifikuar për të kryer këtë procedurë, gjysma e tyre refuzojnë ta bëjnë në bazë të një ligji të vitit 2003 që vendosi të drejtën për refuzim për ndërgjegje, thuhet në një raport të vitit 2014 të Avokatit të Popullit për Barazinë Gjinore.

Kritikët thonë se të drejtat janë shumë pak të rregulluara, duke lënë disa zona të vendit pa pothuajse asnjë mjek të gatshëm për të kryer aborte. Për shembull, në Split, qyteti i dytë më i madh në Kroaci me 180 mijë banorë, vetëm një nga 25 gjinekologë në spitalin shtetëror kryen aborte.

Historia e Sanit, mbiemrin e të cilës BIRN nuk po e publikon, nuk është e pazakontë. Kur ajo mbeti shtatzënë më 2011 në moshën 18 vjeçare, spitali publik në Split i tha asaj se asnjë nga mjekët nuk e kryente këtë procedurë. Për këtë arsye, Sani pyeti gjinekologen e saj. “Ajo më tha mua se kujdeset për të sjellë fëmijë në jetë, jo për t’i vrarë ato,” tha ajo.

Në fund, Sani i tha prindërve të të dashurit të saj, të cilët telefonuan një infermiere që njihnin dhe organizuan një abort, ilegalisht, me një mjek në një klinikë private në një qytezë bregdetare aty pranë.

Te të dhënat mjekësore të Sanit, aborti është regjistruar si ndërprerje e pavullnetshme e shtatëzanisë. Ajo pagoi 340 euro, më shumë se dy herë shifra zyrtare në spitalet publike. Spitali më i shtrenjtë publik është qyteti jugor turistik i Dubrovnikut, ku abortet kushtojnë 405 euro – afërsisht e barabartë me pagën minimale mujore në Kroaci.

“Një shumicë mjekësh në Kroaci citojnë një kundërshtim për ndërgjegje të një mënyre tjetër, ka një grup prej tyre… të cilët nuk pranojnë ta bëjnë në spital për çfarëdolloj arsyeje, por ofrojnë ta bëjnë privatisht,” thotë Dr Zdeslav Benzon, një mjek në spitalin e Splitit i cili refuzon të kryejë aborte.

Abortet e fshehta duket se është pothuajse e sigurtë që ndodhin për shkak se, ndërsa numri i aborteve të ligjshme ka rënë me shpejtësi, pjesa e ndërperjeve të regjistruara se kanë ndodhur për “arsye mjekësore” është dyfishuar nga 21 në 48 për qind mes viteve 1998 dhe 2014, sipas statistikave zyrtare.

“Një numër i lartë abortesh po regjistrohen si aborte për arsye mjekësore,” thotë sociologia Barada.

“Në kontekstin e një diskursi të tillë konservator publik, mbajtja e stigmës si dikush që kryen hapur aborte është e barabartë me pasjen e fuqisë së djallit.”

Në mënyrë të ngjashme për një grua shtatzënë, thotë Barada: “Nuk është e lehtë të shkosh në spital dhe të kryesh abort.”

Kjo gjë u theksua në tetor, kur aktivistët katolikë kundër abortit “40 Ditë për Jetën” publikuan në Facebook një thirrje për lutje jashtë një spitali në qytetin lindor të Vukovarit pasi mësuan se një grua qe duke shkuar për të kryer abort atje.

Spitali urdhëroi një hetim të brendshëm ndërsa Zyra e Prokurorit të Shtetit urdhëroi hetim tjetër pas zemërimit të shprehur nga grupimet e të drejtave për arsyen se si ndodhi që të dhënat mjekësore konfidenciale rrodhën në publik.

Duke u frymëzuar nga Teksasi, lutjet në spital tashmë zhvillohen në 24 qytete në të gjithë Kroacinë. Ato filluan më 2013. Në atë kohë, aktivistet e njohura kundër aborteve në SHBA

Lila Rose dhe Judith Reisman mbajtën një seri leksionesh në Kroaci.

Reisman foli si e ftuar në shkollën mjekësore në Zagreb dhe në Split. Një grup i quajtur Vigilare qe një nga organizatorët. Logoja e Vigilare paraqet faqen e internetit të Klinikës së Aborteve, e cila i drejton gratë te shtëpitë Betlehem. Ky grup refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve nga BIRN në lidhje me përfshirjen e tyre në këtë faqe interneti.

 

 Meri Bilic, kreu i Qendrës Betlehem për Jetën e Palindur pranë Splitit. Foto: Masenjka Bacic

Meri Bilic, kreu i Qendrës Betlehem për Jetën e Palindur pranë Splitit. Foto: Masenjka Bacic

Referimet

Prifti katolik At Marko Glogovic hapi shtëpinë e parë Betlehem më 2010 në qytezën e Karlovacit. Organizata tashmë ofron strehë për deri në një vit për 19 nëna dhe fëmijët e tyre paralelisht.

Glogovic i tha BIRN se shtëpia në Karlovac ka ofruar strehë deri tani për 70 gra që kur u hap, me kushtin që gratë të kryejnë lindjen. Shtëpia në Karlovac mori më shumë se 300 mijë euro donacion nga donatorë të paspecifikuar përgjatë tri viteve të fundit, sipas raporteve financiare të dorëzuara te Ministria e Financave.

“Në përgjithësi ne jemi gjithmonë plot, por për shkak se nënat në disa raste qëndrojnë vetëm për një kohë të shkurtër, ne gjithmonë kemi vend për një nënë tjetër,” tha

Glogovic përmes një emaili.

Bilic tha se ajo u takua me Glogovic 11 vjet më parë kur ajo mbeti shtatzënë jashtë martesës dhe humbi vendin e saj të punës si mësuese e studimeve fetare. Ai e bindi atë të mos abortonte dhe ajo u bashkua me këtë kauzë. Bilic e përshkroi në këtë mënyrë përqasjen e saj:

“Kur një grua është në gjendjen kur ajo dëshiron të abortojë, ajo është shumë e ndjeshme,” tha Bilic. “Unë i prek lotët e saj dhe kur i prek këto lotë, është… një themel ku shiu ka rënë, një tokë pjellore për të disktuar të gjitha opsionet.”

Ajo nuk ndalon këtu, gjithsesi.

Pak para se BIRN të fliste me Bilic, dy gra aktiviste të të drejtave të njeriut u takuan me të. Njëra prej tyre pretendoi se qe shtatzënë dhe tha se i dashuri i saj i pati kërkuar të abortojë. Ato regjistruan bisedën dhe i dhanë një kopje BIRN.

Sipas bisedës së regjistruar, Bilic i tha gruas që pretendonte se qe shtatzënë se ajo mund të qëndronte në këtë shtëpi në Split për pesë vjet, shumë më gjatë se një vit që Betlehem i lejon aktualisht gratë që të qëndrojnë, nëse ajo binte dakord që ta mbante fëmijën.

Ajo e nxiti gruan të mos i thoshte prindërve të saj se ajo qe shtatzënë dhe paralajmëroi se nëse ajo abortonte, do të binte në një depresion të tmerrshëm aq sa ajo nuk do të qe më në gjendje të përfundonte studimet universitare.

“Kur një grua aborton, ajo bëhet një dhomë e nëndheshme që ecën, jo një dhomë e nëndheshme por një dhomë torture,” i tha Bilic gruas.

“Eja në shtëpi, mos i thuaj prindërve asgjë. Kur të vijë koha që ata ta shohin se ti je shtatzënë, atëherë nuk ka më kthim prapa, ata do të reagojnë fort, duke thënë kështu dhe ashtu dhe ti më telefono mua,” tha ajo. “Unë do të të jap një dhomë ku ti të pushosh dhe të shijosh vetveten”.

Bilic vijoi pas kësaj të merret me shoqen e gruas, duke i dërguar një mesazh në telefon ku shkruhej: “Një murgeshë tha se ajo do ta marrë fëmijën nëse është e nevojshme. Thuaji asaj se po e lus që të pranojë.”

BIRN pyeti më pas Bilic mbi bisedën e regjistruar dhe mesazhin. Bilic tha se ajo nënkuptonte se murgesha do të merrte si gruan ashtu edhe fëmijën e saj përkohësisht.

“Ne nuk kemi bërë asgjë ilegalisht, kundër askujt,” tha ajo. “Ne nuk jemi të çmendur, ne nuk jemi fanatikë”.

BIRN pyeti gjithashtu Glogovic mbi metodat e punës së Betlehemit. “Çdo gjë bëhet në përputhje të plotë me ligjin,” tha ai me email.

Glogovic tha gjithashtu se ai nuk kishte të bënte fare me faqen e internetit të Klinikës së Abortit, por gjithsesi i mbështeste synimet e saj.

“Unë nuk e kam nxitur apo krijuar, as nuk jam redaktor i kësaj faqeje, por natyrisht unë i jap atyre bekimin tim për shkak se ata janë simboli i Davidit Kundër Goliatit në luftën kundër gënjeshtrave dhe dhunës kundër grave dhe fëmijëve.”

Ai tha se “personi privat” pas faqes së internetit thjeshtë sa ka kopjuar të dhënat për kontaktet e Betlehemit nga faqe të tjera të internetit dhe se numrat e telefonit të Betlehemit nuk qenë të vetmet të renditura aty. “Unë takova nismëtarin e kësaj faqeje një apo dy herë në jetën time dhe e vizitova këtë faqe interneti ndoshta një herë. Por e përsëris, ata kanë bekimin dhe mbështetjen time për shkak se po bëjnë një punë të mirë”.

Silvija Stanic, e cila drejton një organizatë të quajtur Hap pas Hapi e cila ofron këshillime dhe mbështetje psikologjike për gratë e reja shtatzënë, tha se ajoj nuk kishte eksperiencë të drejtpërdrejtë me Betlehemin por se ajo kishte vërejtjet e saj.

“Ajo që kam dëgjuar është se Betlehemi është një shtëpi për gratë që të lindin. Unë nuk mund të jem shumë entuziaste për këtë, për shkak se çfarë ndodh në këtë rast me lirinë e zgjedhjes?”

“Nëse alternativa është të flesh nën një urë atëherë kemi një institucion ku ajo ka një çari mbi kokë dhe natyrisht është një shpëtim. Por unë vras mendjen, me çfarë çmimi?”

“Ndarja e parimeve fetare nga shteti… është jashtëzakonisht e rëndësishme, por nuk po ndodh në këtë rast. Ky është një eksperiment me jetën e një njeriu.”

Pavarësisht kësaj, Betlehemi thotë se rregullisht merr referime nga autoritetet.

“Mjekët dhe infermierët na njoftojnë ne nëse një vajzë ka nevojë për ndihmë,” tha

Blazenka Bakula, drejtuese e shtëpisë Betlehem në Zagreb. Shtëpia që ajo drejton, shtoi ajo, ka “bashkëpunim të mrekullueshëm” me Qendrën për Mirëqenie Shoqërore, institucioni kryesor i ndihmës shoqërore të shtetit.

BIRN pyeti Ministrinë e Politikave Shoqërore dhe Rinisë për konfirmim nëse punonjësit socialë i drejtonin gratë për te grupimi Betlehem dhe për vlerësimin e tyre për aktivitetet e këtij grupimi, por një zëdhënëse refuzoi të komentojë.

Autoritetet i kanë hedhur poshtë kallëzimet penale mbi faqen e internetit Klinika e Abortit. Në përgjigje të një ankese nga Avokati i Popullit për Barazinë Gjinore Visnja Ljubicic, Ministria e Brendshme tha në fillim të vitit 2016 se nuk ka zbuluar asnjë shkelje penale, tha për BIRN zyra e Ljubicic.

Ngritja e të Djathtës

Lufta e Kroacisë për pavarësi në fillim të viteve 1990 frymëzoi atë që sociologia Barada e quan “ritradicionalizim” të roleve gjinore, ku burri qe “luftëtari” dhe gruaja qe kujdestarja e familjes dhe e kombit.

Ndërsa Kisha Katolike u rrit në fuqi pas pavarësisë, po kështu u rrit edhe neveria për socializmin dhe të shkuarën laike dhe përqasjen relativisht progresiste ndaj të drejtave të grave.

Në ish-Jugosllavi, aborti për “arsue shoqërore dhe mjekësore” u lejua në vitin 1952 dhe më 1974, kushtetuta federale e deklaroi atë “një të drejtë të njeriut për të vendosur lirisht mbi lindjen e fëmijës.” Bazuar në këtë, Kroacia miratoi një ligj gjithëpërfshirës në vitin 1978 për të rregulluar lindshmërinë, përfshirë abortin.

Konservatorët sot thonë se ligji i vitit 1978 është miratuar nën një regjim jodemokratik dhe duhet të ndryshojë.

Barada tha se çështja e abortit “është një terren pjellor mbi të cilin mund të rikonfirmohen dhe përforcohen vlerat tradicionale dhe një axhendë politike e caktuar”.

“Nëse dëshiron të promovosh… politikën tradicionaliste, është e rëndësishme të zgjedhësh çështje që me lehtësi e polarizojnë shoqërinë dhe aborti është një nga këto çështje. Ajo mbart një stigmë në përmasa domethënëse.”

Silvija Stanic, drejtuese e "Hap pas hapi", një organizatë mbështetjeje dhe këshillimi për gratë e reja shtatzëna. Foto: Masenjka Bacic
Silvija Stanic, drejtuese e “Hap pas hapi”, një organizatë mbështetjeje dhe këshillimi për gratë e reja shtatzëna. Foto: Masenjka Bacic

Gjashtë muaj pasi Kroacia u bashkua në BE, grupimet konservatore të presionit shënuan fitoren e tyre të parë të madhe në dhjetor 2013, kur një organizatë e quajtur “Në Emër të Familjes” imponoi një referendum mbi propozimin për ta ndryshuar kushtetutën që përkufizonin martesën si një bashkim mes një burri dhe një gruaje. Rreth 66 për qind e popullsisë votuan ‘po’.

Lëvizja konservatore që nga ajo kohë e ka pajisur veten me një stacion televiziv kabllor të quajtur Laudato, themeluar pjesërisht nga organizatat katolike në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani dhe me një faqe në internet narod.hr, e cila u hap në fillim të vitit 2014.

Ngritja e kësaj lëvizjeje shënoi kulmit në zgjedhjet e kryera në fund të vitit 2015, të cilat sollën në pushtet partinë konservatore Bashkimi Demokratik i Kroacisë, (DHZ), dhe bashkë me të edhe shumë figura të së djathtës, përfshirë Zlatko Hasanbegovic, ish aktivist i grupimit Në Emër të Famijles.

Koalicioni qeverisës i Kroacisë u rrëzua në qershor 2016 por HDZ fitoi zgjedhjet sërish në shtator.

Më 10 tetor, Gjykata Kushtetuese, nën një president të ri, tha se do të marrë parasysh që ankesë të dorëzuar një çerek shekulli më parë në lidhje me kushtetutshmërinë e legjislacionit kroat mbi abortet, duke e deklaruar vendin “mjaftueshëm të pjekur” për një vendim të tillë.

Një vendim pritet të jepet në fund të vitit.

Një ditë pas njoftimit të Gjykatës, partia HDZ lëshoi një deklaratë: “Aborti me kërkesë të lirë nuk duhet të ndalohet për shkak se kjo pasojë e padëshiruar nuk mund të reduktohet me ndalesë, por përmes edukimit.” Ligji, shkruhej më tej në deklaratë, duhet të “modernizohet” për të përfshirë masa të tilla si këshillim i detyruar dhe një ndalesë të aborteve për shkakun e gjinisë së fëmijës.

Kjo strategji ka shembuj të ngjashëm në vende të tjera të Ballkanit.

Më 2013, Maqedonia vendosi masa të forta, përfshirë këshillim të detyruar, detyrimin që gruaja të dorëzojë një kërkesë me shkrim, një periudhë pritjeje treditore para se të kryhet aborti dhe gjoba të rënda për mjekët që nuk ndjekin me reptësi procedurën.

Maqedonia është me shumisë kristiane orthodokse por ka një minorancë të madhe dhe në rritje shqiptarësh mysimanë. Të mbështetur nga Kisha Orthodokse Maqedonase, qeveria e krahut të djathtë ka bërë fushatë kundër abortit dhe në favor të normave më të larta të lindshmërisë, me frikën se balanca etnike po anon në favor të shqiptarëve.

“Një nga arsyet për miratimin e këtij ligji është shpëtimi i kombit dhe racës maqedonase,” deklaroi aktivisti maqedonas i të drejtave të njeriut Igor Jadrovski. Njësoj si në Kroaci, tha ai, autoritetet argumentuan nevojën për të ndryshuar një ligj të miratuar gjatë epokës Jugosllave me qëllim që ta përshtasnin me kohën tonë. “Por kjo qe thjeshtë një maskë,” tha ai.

Kosova me shumicë myslimane ka prirje të ngjashme me situatën në Kroaci, megjithëse për arsye të ndryshme.

Këtu, stigma përreth nënave pa burrë shpesh i shtyn gratë drejt abortit, por ligjet kufizuese dhe frika e përjashtimit nga shoqëria do të thotë se shumë raste abortesh bëhen në mënyrë sekrete dhe ilegale në klinikat private dhe jo në klinikën publike të autorizuar për të kryer këtë procedurë.

Mjekët në spitalin publik nuk e fshehin kundërshtimin e tyre ndaj abortit dhe një poster në dhomën ku kryhet, deklaron praktikën “një krim” raportoi BIRN në gusht.

Një ‘Marshim për Jetën' në Zagreb në maj 2016, organizuar nga një grup konservator që kundërshton abortin. Foto: Masenjka Bacic
Një ‘Marshim për Jetën’ në Zagreb në maj 2016, organizuar nga një grup konservator që kundërshton abortin. Foto: Masenjka Bacic

“Mjaftueshëm i pjekur”

Në maj, mes 5 mijë dhe 10 mijë vetë morën pjesë në një manifestim në Zagreb të quajtur Marshimi i Jetës, duke deklaruar shenjtërinë e familjes.

Në krye të marshimit qe udhëheqësja më e njohur i lëvizjes konservatore, Zeljka Markic. Pranë saj qe Sanja Oreskovic, bashkëshortja e kryeministrit të atëhershëm Tihomir Oreskovic.

“Çdo njeri i arsyeshëm do të zgjedhë jetën mbi vdekjen dhe çdo gjë tjetër është thjeshtë e pakuptimtë dhe frikë,” tha Oreskovic për gazetarët.

Ky qe marshi i parë i këtij lloji në Kroaci dhe një shenjë e kohës.

“Kemi të bëjmë me përpjekjen për të disiplinuar seksualitetin femëror dhe trupin femëror,” tha Barada në lidhje me debatin që vijon.

Në Kroacinë e sotme, “që të bësh një abort dhe të flasësh për të në mënyrë normale, të mos ndjesh faj, nuk është e thjeshtë.”

Në mënyrë të fshehtë, gazetarja thirri spitalin e përgjithshëm publik në Split në fund të qershorit, në fillim të korrikut dhe sërish në tetor për të pyetur për mundësinë e kryerjes së një aorti.

Në qershor, gruaja që iu përgjigj telefonatës tha se mjeku i vetëm që kryente aborte nuk qe në punë dhe tha se duhej të telefonohej sërish një javë më vonë. BIRN mori të njëjtën përgjigje në telefonatën tjetër.

Në tetor, një grua u përgjigj sërish.

“Abort?” pyeti ajo. “Çfarë aborti? Të qëllimshëm? E kush mund ta bëjë këtë për ty këtu?”

BIRN i shkroi drejtorit të spitalit Ivo Juric me pyetje në lidhje nëse kryeshin apo si kryeshin abortet në këtë spital. Ai u përgjigj: “Të gjithë mjekët në Klinikën për Sëmundjet e Grave dhe Obstetrikës punojnë në përputhje me ligjet dhe rregullat aktuale të Republikës së Kroacisë.”

“Gratë duhet të vendosin për fatin e vet”

Ndërsa sjellja kundër abortit bëhet gjithnjë e më e ashpër në Kroaci, në anën tjetër të Bashkimit Europian në Irlandë dhe Irlandën e Veriut, ka shenja se kjo sjellje mund të jetë duke u zbutur.

“Tani nuk themi më ‘do të kemi një referendum’ por themi ‘kur’,” tha aktivistja Ailbhe Smyth për BIRN në Dublin. “Ky është një çast ndryshimi në terren.”

Irlanda dhe Irlanda e Veriut, bashkë me Maltën dhe Andorrën, kanë disa nga ligjet më të ashpra kundër abortit në Europë.

Për shumë gjenerata, kufizime të tilla kanë detyruar gratë të kapërcejnë detin për në Angli ose Uells për të ndërprerë shtatëzanitë, një leksion për atë që mund të ndodhë me Kroacinë në rast se vendos të ashpërsojë legjislacionin për abortin.

Më 2015, Departamenti për Shëndetësinë në Uestminster, Londër, kreu 5,190 aborte për gratë me adresa jashtë Anglisë apo Uellsit, raportoi Telegraph në maj 2016.

Gjashtëmbëdhjetë për qind e tyre qenë nga Irlanda e Veriut dhe 66 për qind nga Republika e Irlandës.

Irlanda e Veriut ka ligje më të ashpra kundër abortit se sa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, duke lejuar abort vetëm nëse jeta e gruas është në rrezik ose në rast se vijimi i shtatëzanisë mund të rezultojë në dëmtime afatgjata të shëndetit të saj fizik apo mendor.

Gratë po përdorin gjithnjë e më shumë ilaçe për abort që mund të porositen në internet. Por konsumimi i tyre konsiderohet ilegal.

“Unë mund të hyj në internet dhe t’i blej. Unë mund t’i vë këtu mbi tryezën time. Por konsumimi i tyre konsiderohet krim,” komentoi Breedagh Hughes, drejtoreshë e Kolegjit Mbretëror të Mamive për Irlandën e Veriut.

Në prill, një grua nga Belfasti e cila pati blerë pilula në internet për t’i dhënë fund shtatëzanisë u dënua me burg me kusht. Muajin që pasoi, 71 vjeçarja ish-punonjëse sociale

Diane King dhe dy gra të tjera u vetëdorëzuan në polici, duke thënë se ato e patën shkelur ligjin duke ndihmuar dikë të kryejë një abort duke porositur pilula në internet.

Në një Manifestim Pro Zgjedhjes në Belfast në korrik, King i tha BIRN se rasti i saj qe ende nën hetim. “Do të më pëlqente shumë të shkoja në gjykatë,” tha ajo. Një grua në marshim mbartte një pankartë ku shkruhej “Shkatërroje kishën, shkatërroje shtetin, gratë duhet të vendosin fatin e tyre.”

Në Irlandë, gratë që abortojnë rrezikojnë të dënohen me deri 14 vjet burg. Punonjësit e shëndetësisë që asistojnë rrezikojnë gjoba deri 4,000 paundë.

Por opinioni mund të jetë duke ndryshuar, pjesërisht për shkak të dëmit që i është shkaktuar reputacionit të Kishës Katolike nga skandalet e abuzimeve seksuale dhe hetimeve mbi trajtimin e nënave të pamartuara dhe fëmijëve të tyre në shtëpitë e drejtuara nga katolikët. Më 2014 u zbulua se gati 800 foshnja qenë varrosur në varre pa emër në oborrin e një shtëpie të tillë në Kontenë Galuej.

Aktivistët e të drejtave të abortit janë frymëzuar nga një votim masiv “po” në referendimin e vitit 2015, i cili lejoi martesat brenda të njëjtës gjini.

Në shkurt 2016, Amnesty International publikoi një anketim në të cilin 87 për qind e të intervistuarve në Irlandë thanë se mbështesnin krijimin e aksesit për abort në këtë vend. Shtatëdhjetë e dy për qind thanë se aborti duhet të dekriminalizohet.

“Kemi një progres të stërmadh,” tha Smyth, “por është i ngadaltë.”

“Mjaft më ndoqe”

Klinika Marie Stopes në Belfast u hap më 2012 si klinika e parë private që ofron aborte për gratë në Irlandën e Veriut, brenda ligjeve të rrepta që lejojnë ndërprerje vetëm për të shpëtuar jetën e nënës ose nëse shtatëzania përbën rrezik serioz për shëndetin fizik ose mendor.

Ky është edhe vendi ku shumë shpesh zhvillohen protesta kundër abortit. Natalie Biernat është vullnetare në këtë klinikë, duke shoqëruar gratë kur ato hyjnë dhe dalin:

“Qe një herë, ca kohë pasi kisha filluar të punoja vullnetare… kur ata (protestuesit) menduan se isha kliente. Kështu që ndërsa unë po dilja, ajo (një protestuese) filloi të më ndjekë nga pas dhe më tha, ‘a po përpiqesh të abortosh?’ Dhe unë i thashë, ‘mos më flit. Mjaft më ndoqe.’

Dhe ajo më ndoqi për një copë rrugë të gjatë… pasi kapërceva kryqëzimin deri te stacioni. Dhe vijoi të përsëriste vazhdimisht dhe vazhdimisht, ‘gjithçka që do të jesh në të ardhmen është nëna e një foshnje të vdekur.’ Ma tha vazhdimisht dhe vazhdimisht.

Dhe unë po i thoja, ‘A po ndjehesh mirë me veten, tani që po përndjek gratë që dalin nga spitali?’ Dhe ajo vijoi të më fliste. Dhe kur kuptoi se nuk do t’i jepja përgjigje, tha me zë të lartë, ‘Unë do të lutem për ty’.

Në të shkuarën ato mbanin një model të vogël… një fetus. Një të vogël fare. Dhe ndiqnin ato (klientet) duke u përpjekur t’ia tregonin. Ose kur një grua del ato thonë… ‘Mos e vrit foshnjën tënde’. Ose hedhin unë të shenjtë te dera.

Ndodh shpesh që shumë gra nga ato që vijnë në klinikë janë ca në moshë… Dhe ato thonë, shumë, shumë hapur, ‘Nuk pata menduar kurrë të abortoj, unë nuk bie dakord me abortin.’ Ndodh që një apo dy gra në të njëjtën ditë të më thonë, “Unë nuk jam dakord me abortin.” Megjithatë ata qenë në klinikë.

Dhe njëra prej tyre tha: ‘ju e dini, unë mund të isha si protestuesit, kundër abortit, deri sa kjo gjë më ndodhi mua.’ Dhe kjo ndodhi kur ajo e gjeti veten në një situatë kur qe shtatzënë dhe që nuk mund të vijonte shtatëzaninë, për çfarëdolloj arsyeje.”

 

Masenjka Bacic është një gazetare e lirë për median e shkruar dhe televizive nga Spliti. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.