Dyshimet për shitjen e foshnjës

Të premten në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje, burri i së cilës javën e kaluar u arrestua nën dyshimet se ka shitur fëmijën e tyre në Preshevë.

Në një intervistë ekskluzive, gruaja tregon për Drejtësia në Kosovë se si ishte kërcënuar nga burri i saj në lidhje me një fëmijë tjetër për të cilën thotë se ish- burri i saj dëshiron të ja merr kujdesin prindëror.

Gjithashtu në emisionin e sotëm shfaqet edhe intervista me hetuesin i cili mori përsipër rastin, pasi që në fillim viktima ishte intervistuar nga KALLXO.com dhe më pas ishte drejtuar nga ana e KALLXO.com në polici.

Prokuroria tregon se si arriti që nga një rast kanosjeje të zbuloj një rast tjetër i cili kishte ndodhur 15 vite më parë dhe në të cilën dyshohet se një burrë kishte shitur fëmijën e porsalindur në Preshevë.

Një person është arrestuar të hënën nën dyshimin se ka shitur djalin e tij të posalindur.

E gjitha kishte filluar në vitin 2003 kur gruaja e të dyshuarit kishte lindur një djalë, i cili në po të njëjtën ditë i ishte dhuruar një çifti në Preshevë.

Provat e Prokurorisë tregojnë se i dyshuari pa miratimin e gruas së tij i kishte dhuruar djalin e posalindur çiftit nga Presheva.

Djali i adoptuar nga prindërit shqiptarë, nënshtetësia e të cilëve është serbe, tani është 15 vjeç.

Deri te marrja e informatës se rasti ka të bëjë me një trafikim erdhi nga raportimi i gruas së të dyshuarit e cila ka thënë se burri i saj e ka kërcënuar.

Pas raportimeve të viktimës për kërcënim prokuroria dhe hetuesia kanë zbuluar se rasti ishte më i thellë dhe se bëhej fjalë për një trafikim me njerëz, më saktësisht me një të posalindur.

Prokurori i rastit gjatë ditës së sotme para gjyqtarit të procedurës paraprake ka paraqitur të gjitha provat dhe dëshmitë për të caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin R.F.

Gjithashtu dokumentacioni i djalit i cili është lindur nga viktima në këtë rast nëna biologjike e tij nuk figuron në dosje të spitalit në të cilin është kryer lindja.

Provat e prokurorisë flasin se fëmija i porsalindur është shënuar në emër të familjes adoptuese.