Dyshimet për konflikt interesi, MKRS i kërkon Sinan Kajtazit t'i kthej paratë që i mori për shfaqjen 'O. Taka'

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kërkuar nga balerini i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi që t’i kthej paratë të cilat i janë paguar në lidhje me shfaqjen e baletit “O. Taka”.

Në llogari të balerinit Sinan Kajtazi, i cili ka realizuar koreografinë, libretin dhe muzikën e shfaqjes së baletit “O.Taka” janë derdhur 1505 euro nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. Gjithsej Kajtazi do të duhet të paguhej 4 mijë euro, por vetëm më pak se gjysma i janë paguar atij.

Ministria ka kërkuar që Kajtazi t’i kthej paratë e paguara për shkak rregullorja sipas të cilës është realizuar pagesa në llogari të tij, është shfuqizuar me rregulloren e Qeverisë për Gradat dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore. Kjo rregullore kishte hyrë në fuqi në fund të muajit shtator të vitit 2018.

“Bazuar në opinionin e Departamentit ligjor, ju duhet t’i ktheni mjetet të cilat i keni pranuar për shfaqjen “O.Taka” sepse sipas Rregullores nga e cila ju jeni paguar, e njëjta është shfuqizuar me Rregulloren e Qeverisë Nr. 15/2018. Ju lusim që brenda një afati të shkurtër t’i ktheni mjetet në mënyrë që ne si Ministri të jemi në respektim të plotë të akteve ligjore”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Kulturës drejtuar Kajtazin.

Departamenti ligjor i Ministrisë së Kulturë ka dalë me një opinion për shfaqjen “O. Taka” duke ju referuar një rasti të ngjashëm. Ky rast kishte të bënte me një kontratë mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe balerinën Aulonë Nuhiu.

“Lidhur me lëndën, kontratën mes BKK-së dhe balerinës znj. Aulonë Nuhiu, me të cilën kontratë BKK ka synuar ta angazhojë në formë honorari balerinën në fjalë sipas rregullores nr. 01/2015 për pagesat shtesë të artistëve dhe stafit tekniko-artistik të BKK-së dhe pagesat e të angazhuarve tjerë në shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës, e plotësuar dhe ndryshuar me rregulloren nr. 02/2019, ju njoftoj se këto dy rregullore janë shfuqizuar nga rregullorja Rregullore (QRK) nr.15/2018 për Gradat dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”, thuhet në opinionin e Departamentit Ligjor të Ministrisë.

Sipas tyre kjo kontratë nuk duhet të prodhojë asnjë efekt juridik pasi që i mungon baza ligjore dhe se BKK duhet të rezervohet nga nënshkrimi i kontratave të këtij lloji për punëtorët e saj.

“Çdo angazhim i punonjësve të Baletit Kombëtar të Kosovës në shfaqjet e baletit duhet të jetë në përputhje me ligjin e punës dhe kontratën për marrëdhënien e punës”, theksohet në këtë opinion.

Kërkesa e MKRS-se drejtuar Sinan Kajtazit për t`i kthyer mjetet me të cilat është paguar për projektin “O. TAKA”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sinan Kajtazi ka deklaruar se kërkesa e MKRS-së për t`i kthyer paratë më shumë i ngjan një këshille se sa ndonjë vendimi obligues.

“Unë ia kam kthy emailin ministrisë, i kam tregu që shfaqja ka filluar në tetor tash te shohim hapat në vazhdim. Mua mu dok që ke një email pak i pa, domethënë nuk është vendim ajo, është thjesht këshillim i Zyrës ligjore, s’ka najfarë vendimi këtu. Tash unë nuk mundem të jap kurrfarë qëndrimi për atë kohë sepse nuk e di qysh ka qenë puna në mënyrë administrative. Unë e di që shfaqja ka filluar në tetor dhe nuk besoj që ka najfarë problemi pse rregullorja është shfuqizuar më vonë”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka shtuar se rregullorja në të cilën është thirrur MKRS është shfuqizuar pasi projekti “O. Taka” kishte filluar dhe se tani për tani nuk mund të flasë më shumë për këtë.

“Unë jam ardh si U.D. tash me 1 shkurt, ajo po bëhet fjalë për diku tetor të vitit të kaluar. Edhe po bëhet fjalë kur ka qenë drejtori Ahmet Brahimaj këtu. Unë i kam kthyer ministrisë që për ato data unë jam përgjegjës për pjesën artistike, për atë administrative unë s’mundem me fol kurrgjë. Po bëhet fjalë për muajin tetor. Ne O. Takën e kemi lëshu në atë muaj. Rregullorja është shfuqizuar më vonë, kështu që është një njëfarë disakordancë komplet në ministri”, ka thënë Kajtazi për KALLXO.com.

Shfaqja “O. Taka”- Foto: Baleti Kombëtar

‘O. Taka’ në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Solisti i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka qenë pjesë e takimit ku është vendosur për fatin e projektit të tij. Kolegët e tij kanë vendosur që ta përkrahin shfaqjen e baletit “O. Taka”, në kohën kur ky si kryetar i Këshillit Drejtues ka qenë i pranishëm në mbledhje.

Por, Kajtazi kishte thënë se prania e tij në mbledhjen e Këshillit derisa votohej edhe projekti i tij nuk përbën konflikt interesi.

Ministria e Kulturës e ka dërguar në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për të vërtetuar nëse përfshirja e balerinit Sinan Kajtazi në realizimin e shfaqjes së baletit “O. Taka” përderisa ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK) përbën konflikt interesi.

Premiera e fundit për vitin 2018 nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ishte shfaqja “O. Taka”. Koreografia, libreti dhe muzika e shfaqjes që pati premierën më 6 dhjetor 2018 i ishte besuar për herë të parë balerinit Sinan Kajtazi. 6 dhjetori shënoi ditëlindjen e 65-të dhe njëkohësisht pensionimin e drejtorit të deriatëhershëm të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Që nga muaji dhjetor BKK ka mbetur pa drejtor. Më 17 janar 2019, Sinan Kajtazi ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues i BKK-së dhe më 1 shkurt 2019, Këshilli Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës e ka emëruar Kajtazin, Ushtrues Detyre i drejtorit të BKK-së, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.

 

Shfaqja “O. Taka” – Foto: Baleti Kombëtar

Vendimi që shfaqja “O. Taka” të jetë pjesë e planit vjetor për vitin 2018 ishte marrë qysh në dhjetor të vitit 2017. Në atë kohë Sinan Kajtazi ka qenë solist i baletit dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Sinan Kajtazi ka qenë në krye të Këshillit Drejtues kur i ishte sjellë për votim projekt-propozimi në të cilin radhitej edhe njëra ndër shfaqjet të cilës do t’ia realizonte koreografinë, libretin dhe muzikën.

Tashmë si U.D. i drejtorit të BKK-së, Sinan Kajtazi ka thënë se kjo nuk përbën konflikt interesi sepse sipas Ligjit për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Drejtues të BKK-së, përfshirë edhe kryetarin e KD-së, në asnjë nen nuk ju ndalohet pjesëmarrja në shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës, qoftë si balerinë, qoftë si koreografë.

Sipas po këtij ligji, organ ekzekutiv i BKK-së është drejtori i përgjithshëm i cili e harton planin vjetor të BKK-së dhe e paraqet para KD-së për aprovim. Këshilli Drejtues i BKK-së përbëhet nga 5 anëtarë, dy anëtarë, punëtorë të rregullt të BKK-së (balerinë), një anëtar nga Akademia e Arteve, një anëtar nga shoqëria civile, një përfaqësues nga Ministria e Kulturës.

Në mbledhjen e mbajtur në muajin dhjetor të 2017, ku është diskutuar edhe projekt-propozimi i drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimaj, për vitin 2018, Kajtazi ka treguar se nuk ka votuar as diskutuar rreth projekt-propozimit.

“Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues të BKK-së, kanë votuar pro miratimit të projekt-propozimit për 2018 dhe rrjedhimisht vota ime ka qenë e pavlefshme në atë rast, për shkak se sipas ligjit, vendimet e KD-së kalojnë ose jo me shumicë votash, dmth me tre vota të anëtarëve. Pra unë si kryetar i Këshillit Drejtues, nuk kam marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Kajtazi për Gazetën JnK.

Më 3 janar 2018, pasi paraprakisht në dhjetor të vitit 2017, projekt-propozimi i drejtorit të BKK-së ishte miratuar me shumicë votash nga KD i BKK-së, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, e kishte autorizuar Kajtazin që ta përgatiste koreografinë, libretin dhe muzikën e shfaqjes “O. Taka”.

Ish-drejtori i BKK-së, Ahmet Brahimaj ka deklaruar për Gazetën JnK se kompetencat për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve në lidhje me shfaqjen i ka pasur ai si drejtor.

“Projektin për një vjet e kam bërë unë, cilat shfaqje kanë me u luajt, kush ka me luajt. Atë projekt e kam bërë unë, për çdo vjet nga katër shfaqje premiera, i kam dorëzu në Ministri të Kulturës, normalisht që formalisht është dashtë me ia dorëzu me i pa, pa emra veç buxhetin edhe Këshilli me aprovu”, ka thënë Brahimaj.

Po ashtu Brahimaj ka shtuar se ky nuk është konflikt interesit për shkak se me ligj nuk ka kufizime në balet.

“Gjithashtu Ministria e Kulturës e ka Zyrën Ligjore kur ia kam dërgu unë projektin se kush ka me i bo shfaqjet. Në Ligjin e Baletit, Operës dhe të Filarmonisë nuk ka kufizime te artistët, nuk është si në Teatër, konflikt interesi. As në rregullore të baletit nuk ka konflikt interesi, as në statut”, ka theksuar ish-drejtori i BKK-së, Brahimaj.

Duke qenë se BKK është institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) edhe rrjedhimisht financohet prej saj. Këshilltari politik i ministrit, Samir Hoxha ka thënë se në kohën kur është paguar një pjese e parave për shfaqjen “O. Taka”, Sinan Kajtazi ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së.

Hoxha ka treguar se për të vërtetuar nëse përfshirja e Kajtazit në realizimin e shfaqjes “O. Taka” përderisa ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së është dërguar në Komisionin e MKRS-së për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Lidhur me atë që a përbën konflikt interesi, ne, këtë rast e kemi iniciuar te komisioni i Ministrisë për parandalimin e konfliktit të interesit dhe jemi në pritje të marrjes së këtij njoftimi sipas afateve të parapara ligjore”, ka shtuar Hoxha.