Dyshime të forta se tenderi 155 mijë euro u fitua përmes dokumentacionit të falsifikuar 

Kompania “ARF Sh.P.K” ka arritur të nënshkruajë një kontratë për ‘furnizim me material zyrtar’ në vlerë 155 mijë euro me Komunën e Gjilanit falë një dokumenti që dyshohet se është i falsifikuar.

Gjatë fazës së tenderimit, kjo kompani ka dorëzuar në Komunën e Gjilanit një referencë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes se gjoja e njëjta ka kryer me sukses një kontratë me këtë ministri për kohën që është kërkuar nga Komuna e Gjilanit.

Përmes këtij dokumenti, kjo kompani ka arritur të plotësojë një nga kriteret e tenderit që operatori ekonomik ka kryer me sukses tri kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit.

“Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të njoftimit të realizuara minimumi në vlerë prej 180,000.00 euro” – thuhet në njoftimin për kontratë të këtij tenderi.

Përmes qasjes në dosjen e tenderit, janë siguruar referencat që kishte dorëzuar kompania “ARF Sh.P.K” në tenderin për furnizim me material zyrtar, të hapur në nëntor të vitit 2021.

Një nga dokumentet që ishte në dosjen e kompanisë “ARF Sh.P.K” ishte një referencë që pretendohet që është lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes më 31 janar 2019, për një kontratë në vlerë 80 mijë e 363 euro.

Kjo referencë nuk posedon vulën e Ministrisë së Mbrojtjes, institucioni që pretendohet që e ka lëshuar. Madje, kjo referencë e dorëzuar nuk posedon fare vulë.

Referenca që dyshohet se është falsifikuar dhe është prezentuar nga kompania “ARF Sh.P.K” në procesin e tenderimit në Komunën e Gjilanit

Cili është versioni i Ministrisë së Mbrojtjes për dokumentin?

Sqarime janë kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentin që biznesi ka dorëzuar me rastin e ofertimit në tenderin e hapur nga Komuna e Gjilanit.

“Jo, nuk është lëshuar nga Drejtori i Departamenti të prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes” –  kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Mbrojtjes për referencën në fjalë, e cila u është prezantuar edhe zyrtarëve të Ministrisë.

Në dokument thuhet se kjo referencë është lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes për tenderin me nr.  të prokurimit 21700/17/010/111 dhe që është lëshuar më 31 janar 2019, duke vënë kështu në pah ndryshimet e bëra në dokument dhe mungesën e vulës.

“Rekomandimi i menaxherit të kontratës “Nga cilësia e menaxherit të kontratës ju njoftoj se furnizimet janë realizuar konform kushteve të kontratës”. Kontraktuesi me përpikëri iu ka përmbajtur kushteve të kontratës si nga aspekti kohor ashtu edhe kualiteti” – thuhet në këtë referencë.

Ministria e Mbrojtjes thotë se kanë lëshuar një referencë për “ARF Sh.P.K”, e cila kishte kontratë me këtë ministri, por se referenca e dorëzuar në Komunën e Gjilanit ka disa elemente që dëshmojnë që e njëjta nuk është lëshuar nga ta.

“Referenca e bashkëngjitur “Furnizim me material për zyrë për nevojat e FSK-së dhe MFSK-së” me nr. prokurimi 21700/17/010/111, në vlerë prej 80,362.25 e lëshuar si referencë me 31.01.2019, nuk është lëshuar me këtë numër të prokurimit, as me datë të lëshimit, por është lëshuar referenca me nr. prokurimi 21700/16/010/111 të datës 31.01.2018” – thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Në tender janë kërkuar së paku tri referenca që dëshmojnë se kompania ka përfunduar me sukses kontrata të natyrës se ngjashme në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të njoftimit, të realizuara minimumi në vlerë prej 180 mijë euro.

Tenderi është hapur më 1 nëntor 2021, që do të thotë se referencat e kërkuara nga komuna do të duhej të lëshoheshin pas datës 1 nëntor 2018. Referenca origjinale e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes është lëshuar për datën 31.01.2018, pra 45 muaj nga 1 nëntori i vitit 2021, data kur është hapur tenderi.

Ndërsa, referenca e dorëzuar në Komunën e Gjilanit mban datën 31 janar 2019, çfarë do të thotë se ndryshimet e bëra në referencë i kanë mundësuar kompanisë “ARF Sh.P.K” që të plotësojë kriteret e tenderit.

Në një bisedë me drejtorin e Departamentit të Prokurimit dhe Kontratave të Ministrisë së Mbrojtjes, Afrim Maxhuni, i cili është zyrtari i vetëm që lëshon referenca për kompanitë që kanë pasur kontratë me këtë institucion, është diskutuar referenca në fjalë.

Në referencën e përdorur nga “ARF Sh.P.K”, prezantohet edhe nënshkrimi i drejtorit të Prokurimit, Afrim Maxhuni.

Në këtë bisedë, ai e ka konfirmuar se nuk e ka nënshkruar dhe nuk ka lëshuar referencën e cila është dorëzuar nga kompania në Komunën e Gjilanit.

Maxhuni ka thënë se e ka lëshuar një referencë që ka të dhëna të tjera.

“Kjo referencë që po pyesni, e datës 31 janar 2019, me numër prokurimi 17, autoriteti kontraktues i ministrisë, gjegjësisht unë, nuk e kam lëshuar. Unë  kam lëshuar referencë me numër prokurimi 16 dhe me datë 31 janar 2018 dhe kjo është valide” – ka thënë Maxhuni.

Ai ka thënë se informacionin për dyshimet e falsifikimit të dokumentacionit e kanë marrë pas pyetjeve të dërguara për këtë intervistë.

“Na jemi informuar tash nga ju për këtë dokument. Çfarëdo veprimi që ka nevojë me marrë në lidhje me keqpërdorimin e një dokumenti zyrtar, kemi me ndërmarrë” – ka thënë Maxhuni në mes tjerash.

Ai ka thënë se nuk e ka ftuar Policinë për këtë rast ende, por thotë se personat që kanë ndërhyrë në një dokument zyrtar duhet t’i japin sqarimet e tyre.

“Unë flas veç për dokumentet që i kam lëshu unë. Për atë dokument, unë nuk e di, është përgjegjësi e atij që e ka bërë” –  tha ai. “Pse e ka bërë këtë është çështje e tij. Unë vlerësoj që ai duhet me u përgjigjë, në rast se ka ndërhyrë në një dokument. Këtu po dyshohet që ka ndërhyrë dhe për këtë të ndërmerren organet e ndjekjes.”

Në anën tjetër, Zyra e Prokurimit e Komunës së Gjilanit, pasi i ka parë të dy dokumentet, thotë se si Autoritet Kontraktues nuk u ka shkuar në mendje se mund të ketë falsifikim në dosje edhe pse referenca e dorëzuar nuk është e vulosur nga institucioni që e ka lëshuar.

“Në bazë të kërkesës tuaj për kompaninë ARF Sh.P.K, sipas prezantimit të referencave, neve si Autoritet Kontraktuese nuk na ka shkuar as mendja se një operator ekonomik (OE) mund të dorëzojë ndonjë referencë të falsifikuar, mbi të gjitha ne si autoritet kontraktues (AK) kërkojmë të na i prezantojë kontratat dhe referencat për Furnizimet nga AK tjera” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.

Komuna e Gjilanit thonë se do të kërkojnë informacione shtesë nga kompania në fjalë, por pa konfirmuar nëse tashmë e kanë bërë këtë. Po ashtu, në përgjigjen përmes e-mailit, Komuna e Gjilanit e konfirmon se do të kërkojnë informacione shtesë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ne si AK në momentin që dyshojmë se ka ndonjë dokument të falsifikuar, do të kërkojmë informata shtesë për atë dokument nga kompania, duke filluar nga origjinali i dokumentit dhe me pas do të marrim informata edhe nga AK ose ministri se sa mund të na ndihmojnë në lidhje me dyshimet që ne i kemi paraparë gjatë vlerësimit të ofertave, referencës apo dokumenteve të tjera që të na dëshmojë se a është lëshuar po nga ai AK” – thuhet tutje në përgjigjen e komunës.

Mirëpo, Komuna e Gjilanit nuk ka kthyer përgjigje nëse do të ndërmarrin hapa ndaj kompanisë ARF Sh.P.K, në rast se konfirmohet dyshimi se dokumenti është falsifikuar.

Çka thotë kompania e dyshuar për keqpërdorim?

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “ARF Sh.P.K”, Avdi Koca, në një bisedë të shkurtër përmes telefonit, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim përmes e-mailit.

“Na shkruaj në e-mail edhe të përgjigjen ata zyrtarët që janë përgjegjës për këtë punë. Na shkruaj në e-mail edhe ne jemi në kontakt, komunikojmë përmes e-mailit që të mbesin aty shkresat” – tha Koca i kontaktuar për këtë çështje.

“Unë jam pronari, por nuk punoj veç unë aty”- tha Koca kur u pyet nëse dokumentacioni për tender është përpiluar nga ai si pronar.

Në përgjigjen me shkrim, kompania “ARF Sh.P.K” thotë se nuk kanë qenë në dijeni për këto “parregullësi”, duke shtuar se dokumentacioni ishte përgatitur nga babi i tyre, tashmë i ndjerë.

“Lidhur me parashtresën e pyetjeve tuaja rreth këtij tenderi, nuk jemi aspak në dijeni për parregullsitë që ju citoni të jenë bërë” – thuhet fillimisht në përgjigjet e kompanisë “ARF Sh.P.K”.

“Ju njoftojmë që të gjitha dosjet e tenderit dhe dokumentacionet për dorëzim të ofertave janë përgatitur nga babai ynë Halil Fazli Koca, tashmë i ndjerë. Pas humbjes së prindit tonë, ne fëmijët e tij, jemi munduar që të vazhdojmë biznesin që babai jonë na e ka lënë” – thuhet tutje në përgjigjen e kompanisë.

Nga kompania thonë se referenca që dyshohet se është e falsifikuar është marrë nga dokumentet që i ka përgatitur babai i tyre i ndjerë.

“Sa i përket kësaj reference që ju citoni të ketë parregullsi, ne këtë e kemi marrur nga dokumentet që na i ka lënë i ndjeri, dhe të njejtën nuk e kemi analizuar në brendësinë e saj” – thuhet në fund të përgjigjes.

Megjithatë kjo kompani nuk ka ofruar përgjigje të tjera në pyetjet e dërguara. Kompania nuk ka ofruar qasje në kopjen e referencës që ka marrë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila i është kërkuar.

Po ashtu nuk janë përgjigjur nëse kompania që tashmë ata e drejtojnë, kanë ndërhyrë apo jo në referencën në fjalë.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, është kërkuar nga Komuna e Gjilanit lista e të gjitha produkteve me të cilat është furnizuar nga kompania “ARF Sh.P.K” në bazë të kontratës dhe faturat për këto produkte, por deri në publikimin e këtij artikulli, Komuna e Gjilanit nuk ka ofruar përgjigje.

Pika 2 e nenit 99 të Ligjit të Prokurimit e ka përcaktuar se kompanitë që dorëzojnë dokumentacion të falsifikuar mund t’i ndalohet tenderimi në institucione publike për 1 vit.

“Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është i obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare” – thuhet në Ligjin e Prokurimit Publik.

Ndërsa, mashtrimi apo paraqitja e dokumentacionit të rremë gjatë procedurave të tenderimit, ndëshkohet edhe nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Ky nen parasheh dënim me gjobë dhe me burgim deri në 5 vjet.

“Kushdo që me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe më qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet” –  thuhet në pikën 1, të nenit 415 të Kodit Penal.

Deklaratë mohimi: 

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.