Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Drejtori i ri i Spitalit të Gjakovës ndër vite përfitoi tenderë nga ky institucion

Sabahudin Bytyqi në muajin mars të vitit 2019 është zgjedhur drejtor i Spitalit Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”.

Bytyqi përveç që ishte kirurg në këtë Spital, në të kaluarën kishte fituar disa tenderë me biznesin e tij NTP “Gimmi”, që në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve është e regjistruar si biznes që merret me tregtinë e artikujve ortopedikë, farmaceutikë dhe mjekësorë.

I njëjti biznes ka siguruar disa kontrata në të kaluarën nga Spitali Rajonal i Gjakovës.

Sabahudin Bytyqi me biznesin e tij “Gimmi” me 28 tetor të vitit 2008 kishte përfituar tender “Furnizim me pajisje dhe inventar medicial” me vlerë prej 29 mijë eurove. Një tjetër tender që kishte përfituar Bytyqi ishte edhe ai me datë 1 shtator të vitit 2010 ku gjithashtu për furnizim me inventar medicinal, “NTP Gimmi”, kishte përfituar tenderë në vlerë prej 19 mijë e 300 eurove.

Spitali “Isa Grezda” kishte vazhduar dhënien e tenderëve për kirurgun Bytyqi edhe në vitin 2013, ku me 2 korrik të këtij viti, firma “Gimmi” kishte fituar tenderin në vlerë totale prej 39 mijë eurove.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Bytyqi thotë se fakti që kompania e tij ka fituar kontrata nga Spitali ku ka punuar nuk është konflikt interesi, pasi në spital nuk ka pas ndonjë pozitë udhëheqëse apo menaxheriale.

“Konflikt interesi është nëse do të isha shef i repartit, përndryshe e kom pas parasysh atë, ma kanë tërheqë vërejtjen në fillim si kom konkuru prej herës së parë. Duhet me pas post udhëheqës ose menaxherial, a këto të tjerat nuk janë me rëndësi”, ka thënë Bytyqi në përgjigjen e tij.

Ai ka thënë se ka përfitu pak nga spitali në krahasim me të tjerët.

“Bile më së paku kam përfitu unë në krahasim me të tjerët që kanë përfitu ka 300-400 mijë euro. Unë kom konkuru dhe përzgjedhjen e ka bërë komisioni, secili konkurron në mënyrën e vet e ata të tjerët e zgjedhin”, ka deklaruar Bytyqi, duke mos treguar në kë është duke aluduar.

Drejtësia në Kosovë javë më parë ka transmetuar edhe një emision për vdekjen e Dëshira Lulashit nga Gjakova. Babai i saj, Zymber Lulashi, pretendon se kishte parregullsi në operacionin e vajzës së tij, që është bërë nga Bytyqi. Bytyqi është kontaktuar nga Drejtësia në Kosovë, por nuk kishte pranuar të fliste para kamerës por ka mohuar akuzat e Zymer Lulashit për parregullsitë në operacion.

Ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është në fazën e mbledhjes së provave për vdekjen e dyshimtë të  vajzës nga Gjakova.