DOKUMENT: Përfitimet e menaxhmetit të Universitetit të Pejës në paga e shtesa

355 mijë e 275 euro e 56 cent, i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës në tre vjetët e fundit pagat e rektorit, tre prorektorëve dhe sekretarit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

KALLXO.com ka siguruar listën e pagave për tre vjetët e fundit të rektorit, Fadil Millaku, prorektorëve, Sabiha Shala, Ibish Mazreku dhe Afrim Selimaj, si dhe të sekretarit të përgjithshëm, Astrit Ademaj.

Nga shuma e përgjithshme e pagave të menaxhmentit të këtij universiteti, është prorektori Ibish Mazreku që kishte më së shumti të hyra prej 85 mijë e 291 euro e 98 cent. Pas tij vjen rektori Fadil Millaku me 84 mijë e 257 euro e 95 cent. Më pas prorektori Afrim Selimaj me 83 mijë e 927 euro e 5 cent.

Ndërkohë, prorektorja Sabiha Shala për këto tre vjet është paguar nga buxheti i shtetit, 68 mijë e 44 euro e 98 cent. Tutje sekretari, Astrit Ademaj kishte marrë 33 mijë e 753 euro e 6 cent.

Rektori i Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, i cili njëherësh është profesor i rregullt, në vitin 2016-të, rrogën e tij vjetore e kishte marrë 26 mijë e 201 euro e 65 cent. Mesatarisht, ai ka marrë 2,183 euro.

Millaku kishte marrë edhe honorarë. Gjatë muajve prill, maj dhe qershor, ai kishte marrë nga 600 euro per secilin muaj. Në total për këta tre muaj ka përfituar 1,800 euro. Kurse më së paku të hyra në emër të honorarit, ai kishte marrë gjatë muajit shkurt, apo vetëm 100 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017, për vitin 2016-të në Agjencinë Kundër Korrupsion, Millaku nga paga dhe honoraret në UHZ dhe UP ka të deklaruara gjithsej 34 mijë e 901 euro.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com, nuk figurojnë 8 mijë e 699 euro e 44 cent.

KALLXO.com ka kontaktuar me rektorin Fadil Millaku, i cili ka deklaruar se shuma që nuk përkon me listën e pagave për tri vite në UHZ, është pagesë e pranuar nga Universiteti i Prishtinës.

“Për vitin 2016 shuma prej 8.699 euro, që e keni cekur është shumë e pranuar nga Universiteti i Prishtinës (si pagë sekondare)”, ka thënë Millaku.

Ai thotë se edhe në vitin 2017 kishte të hyra nga Universiteti i Prishtinës.

“Për vitin 2017 shuma prej 3.038 Euro që e keni cekur është shumë e pranuar nga Universiteti i Prishtinës si punë kontratë me honorar për orët e mbajtura”, ka thënë Millaku.

Në vitin 2017-të, rektorit Millaku të hyrat i ishin rritur për 2 mijë e 573 euro e 66 cent, sepse kishte marrë gjithsej 28 mijë e 775 euro e 22 cent.

Nga pagesa për honorare, Millaku për muajin janar kishte marrë 960 euro, ndërkaq shuma më e ulët që kishte marrë ai gjatë këtij viti është nga 360 euro në muajin shkurt dhe mars.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018, për vitin 2017-të në Agjencinë Kundër Korrupsion, Millaku nga paga dhe honorarët në UHZ dhe UP ka të deklaruara gjithsej 31 mijë e 813 euro e 96 cent.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 3 mijë e 38 euro e 74 cent.

Ndërkaq në vitin 2018-të, Millaku ishte paguar vetëm 505 euro e 95 cent më shumë se vitin paraprak, sepse kishte marrë gjithsej 29 mijë e 281 euro e 17 cent.

Nga pagesa për honorare, Millaku më së shumti kishte marrë gjatë muajit dhjetor me shumën prej 570 euro, kurse më së paku kishte marrë gjatë muajit mars me shumën prej 180 euro.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje studentore, Sabiha Shala mban thirrjen akademike profesor asistent dhe në vitin 2016-të paga e saj vjetore ishte gjithsej 21 mijë e 987 euro e 78 cent.

Nga pagesa për honorarë, Shala më së shumti kishte fituar gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor ku ishte paguar me shumën prej 600 euro për secilin muaj, ndërsa më së paku kishte marrë gjatë muajit shkurt ku ishte paguar me 300 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017-të, për vitin 2016-të në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Shala nga paga dhe pagesa për funksion në UHZ, ka të deklaruara gjithsej 20 mijë e 717 euro e 53 cent.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 1 mijë e 270 euro e 25 cent.

Mirëpo në vitin 2017-të, prorektores Shala rroga i ishte rritur vetëm për 218 euro e 73 cent sepse kishte marrë 22 mijë e 206 euro e 51 cent.

Nga pagesa për honorarë, Shala më së shumti kishte marrë në muajin janar me shumën prej 1 mijë e 440 euro, ndërsa më së paku gjatë muajit mars, kishte marrë 360 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018-të, për vitin 2017-të në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Shala nga paga dhe pagesa për funksion në UHZ ka të deklaruara gjithsej 22 mijë e 303 euro e 51 cent.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 97 euro.

Në anën tjetër, viti 2018-të Shalën e gjeti me një mijë e 644 euro e 18 cent më shumë se në vitin e kaluar sepse gjatë vitit 2018-të ishte paguar 23 mijë e 850 euro e 69 cent.

Nga pagesa për honorarë, Shala më së shumti kishte marrë gjatë muajit maj me shumën prej 780 euro, ndërsa më së paku kishte marrë gjatë muajve shkurt dhe mars me shumën prej 360 euro.

Prorektorja Sabiha Shala në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se në deklarimin e të hyrave në AKK për vitin 2016, nga shuma bruto ka zbritur shumën e kontributit pensional të punëdhënësit për pesë për qind, shumën e kontributit pensional të të punësuarit për pesë për qind dhe tatimin e mbajtur në burim.

Ajo sqaroi se kjo është arsyeja e dallimit në mes të shumës që UHZ ka në listën e pagave dhe të shumës neto të deklaruar në AKK.

“Për vitet vijuese, ne jemi udhëzuar që nga shuma bruto mos të zbriten shumat e mësipërme dhe deklarimi të bëhet në bazë të gjendjes bankare të të punësuarit. Deklarimi i pasurisë në AKK për vitin 2017, është bërë në bazë të gjendjes së xhirollogarisë time bankare dhe shumën të cilën e keni cekur (97 euro) është gabim teknik”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Prorektori për buxhet, financa dhe infrastrukturë, Afrim Selimaj aktualisht mban thirrjen akademike profesor i asocuar dhe në vitin 2016-të, kishte marrë gjithsej 24 mijë e 812 euro e 79 cent.

Nga pagesa për honorare, Selimaj më së shumti kishte marrë gjatë muajit dhjetor me shumën prej 2 mijë e 260 euro, ndërsa më së paku kishte fituar gjatë muajit korrik me shumën prej 150 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017-të, për vitin 2016-të në Agjencinë Kundër Korrupsion, Selimaj nga paga në UHZ ka të deklaruara gjithsej 28 mijë e 904 euro.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 4 mijë e 91 euro e 21 cent, pra në AKK janë deklaruar më shumë të hyra.

Sipas listës së pagave për vitin 2017-të, prorektorit Selimaj këtë vit i ishte rritur rroga për pesë mijë e 396 euro e 92 cent sepse kishte marrë gjithsej 30 mijë e 209 euro e 71 cent.

Nga pagesa për honorarë, Selimaj më së shumti kishte marrë në muajin dhjetor me shumën prej 3 mijë e 60 euro, ndërsa gjatë muajit mars kishte marrë 360 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018-të, për vitin 2017-të në Agjencinë Kundër Korrupsion, Selimaj nga paga në UHZ ka të deklaruara gjithsej 30 mijë e 209 euro.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 71 cent.

Ndërkaq në vitin 2018-të, Selimajt i ishte zbritur rroga sepse këtë vit kishte fituar vetëm 1 mijë e 305 euro e 16 cent më shumë se në vitin paraprak, ai ishte paguar gjithsej 28 mijë e 904 euro e 55 cent.

Nga pagesa për honorarë, Selimaj më së shumti kishte marrë në muajin dhjetor me shumën prej 1 mijë e 80 euro, ndërsa më së paku gjatë muajit nëntor me shumën prej 180 euro.

Për KALLXO.com, prorektori Afrim Selimaj tha se shumat nuk përputhen për arsye se është bërë gabim teknik nga ana e tij, gjatë llogaritjes së pagës në muaj.

“Pagën bruto e kam llogaritur dhe kam deklaruar në AKK, mirëpo është bërë një gabim teknik, sepse shifra është 28,709,26 €, ndërsa deklarimi është 28,904.96 € (arsyeja është se kam gabuar në llogaritje e pagës nëpër muaj). Pra është në pyetje një ndryshim prej 195,7 €. për shkak të gabimit në llogaritje për muaj”, ka deklaruar Selimaj.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe sigurim të cilësisë, Ibish Mazreku aktualisht mban thirrjen akademike profesor i asocuar dhe në vitin 2016-të, kishte marrë 24 mijë e 808 euro e 83 cent.

Nga pagesa për honorarë, Mazreku më së shumti kishte fituar gjatë muajit dhjetor me shumën prej 3 mijë e 420 euro, ndërsa më së paku gjatë muajve mars dhe korrik me shumën prej 300 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017-të, për vitin 2016-të në Agjencinë Kundër Korrupsion, Mazreku nga paga dhe të tjera në UHZ ka të deklaruara gjithsej 28 mijë e 758 euro.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 3 mijë e 949 euro e 17 cent.

Viti 2017-të, prorektorin Mazreku e gjeti me rritje rroge prej gjashtë mijë e 80 euro e 29 cent, sepse kishte marrë gjithsej 30 mijë e 889 euro e 12 cent.

Nga pagesa për honorarë, Mazreku më së shumti kishte marrë në muajin prill me shumën prej 3 mijë e 145 euro e 2 cent, ndërsa më së paku kishte marrë gjatë muajit mars me shumën prej 240 euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018-të, për vitin 2017-të në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Mazreku nga paga dhe të tjera në UHZ ka të deklaruara gjithsej 32 mijë e 782 euro e 8 cent.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga KALLXO.com prej UHZ-së, nuk figurojnë 1 mijë e 892 euro e 96 cent.

Ndërkaq në vitin 2018-të, Mazrekut rroga i ishte ulur sepse ishte paguar vetëm një mijë e 295 euro e 9 cent më shumë se vitin paraprak. Ai gjithsej kishte marrë 29 mijë e 594 euro e 3 cent.

Nga pagesa për honorarë, Mazreku më së shumti kishte marrë në muajin janar me shumën prej 820 euro, ndërsa më së paku gjatë muajit nëntor me shumën prej 270 euro.

Prorektori Ibish Mazreku ka thënë për KALLXO.com se lista e pagës së tij përputhet në tërësi me ato që ai ka deklaruar në AKK.

Tutje ka shtuar se UHZ në listën e pagave ka dhënë vetëm të hyrat nga paga dhe jo shtesat tjera që merr nga universiteti.

“Në këto raporte nuk keni marrë të pagesat tjera në xhirollogari nga rimbursimet, udhëtimet jashtë shteti, pjesëmarrja në projekte të ndryshme ku UHZ është partner. Unë kam deklaruar në tërësi edhe pagën e akumuluar sipas raporteve që ju ka deklaruar UHZ për vitet 2016, 2017 dhe 2018”, ka deklaruar Mazreku.

Sekretari i përgjithshëm, Astrit Ademaj në vitin 2017-të, kishte marrë 16 mijë e 858 euro 57 cent.

Në muajin janar, Ademaj kishte marrë kompensim 2 mijë e 43 euro e 71 cent, ndërsa në muajin mars kishte marrë 57 euro e 18 cent.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018-të, për vitin 2017-të në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ademaj nga paga ka të deklaruara gjithsej 16 mijë e 858 euro.

Nga kjo shumë rezulton se në listën e pagave të siguruar nga UHZ, mungojnë si të padeklaruara 57 cent.

Ndërkaq në vitin 2018-të, Ademajt rroga i ishte rritur për 36 euro e 66 cent, sepse kishte marrë 16 mijë e 895 euro e 23 cent.

Sekretari Astrit Ademaj ka thënë për KALLXO.com, se pas nënshkrimit të kontratës më 21 nëntor 2016, pagesa i është bërë në mënyrë retroaktive në janar të 2017-ës.

“Pagesa që për muajin janar 2017, në vlerë prej 2,043.71 euro është proceduar nga departamenti i Financave në mënyrë retroaktive për muajin nëntor, në vlerë prej 544.96 euro. Në muajin dhjetor është bërë pagesa për pagën bazë dhe shtesën e anëtarit të senatit në vlerë prej 1,498.75 euro. Sa i përket kompensimit në vlerë prej 57.18 euro, departamenti i buxhetit ka proceduar pagesën për përvojën e punës për muajin dhjetor.”, ka sqaruar ai.

Në sqarimin e rektoratit thuhet se në këto pagesa përfshihen ‘paga bazë, shtesa funksionale, shtesa e anëtarëve të senatit, mbinorma, provimet për vitin 2016 (që nga viti 2017-të nuk paguhen provimet), pagesat për komisione të diplomave, pagesat për komisione të studimeve dhe komisionit për botime’.

“Në mungesë të buxhetit, departamenti i buxhetit nuk ka mundur t’i procedojë pagesat e komisioneve për muaj, por pas përmbylljes së vitit fiskal dhe rritjes së buxhetit në kategorinë paga dhe mëditje, janë bërë pagesat në muajin nëntor dhe dhjetor”, thuhet tutje në sqarimin e UHZ-së.

Sipas UHZ-së, kompensimet përfshijnë pagesa mujore të cilat janë bërë në mënyrë retroaktive.