Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

DOKUMENT: Gjykata pezullon zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, mandati i të cilit përfundon më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.

Ai pretendon se kundërkandidati i tij, Ismet Temaj, është përzgjedhur në mënyrë të parregullt, pasi nuk kishte anëtarë të mjaftueshëm të Këshillit Drejtues në kohën e votimit.

Në aktvendimin e Gjykatës të datës 8 tetor “urdhërohet Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të datës 30 maj 2018’.

Këtë aktvendim, i siguruar nga KALLXO.com, e konfirmoi kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, i cili tha se do ta respektojnë vendimin dhe se do të zgjedhin një ushtrues detyre të rektorit deri në përfundimin e procedurave.

“Po është e vërtetë, e kemi marrë vendimin dhe konform atij vendimi Këshilli Drejtues edhe duhet të veprojë dhe e ka në agjendën e vet që brenda kësaj jave të marrë vendimin e duhur. Rektori i ri ka qenë dashtë të fillojë me datën 28. Këshilli drejtues është i detyruar ta zgjedhë një ushtrues detyre deri në vendimin përfundimtar nga gjykata”, tha Muhadri.

Në anën tjetër, rektori i përzgjedhur sipas vendimit të kontestuar të Këshillit Drejtues, Ismet Temaj tha se ka ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës.

“Ai aktvendim është i pakuptimtë, për mendimin tem se unë nuk jam jurist. Kemi bërë njëfarë ankese, sepse ai vetë rektor vetë e ka paditë universitetin. Këshilli Drejtues ka bërë ankesë”, tha Temaj.

Në anën tjetër, vetë Ramë Vataj nuk ka qenë i qasshëm në telefon për të komentuar këtë vendim.

Historiku i problemit

Këshilli Drejtues i UPZ-së  më 22 maj të këtij viti në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.

Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.

Statuti i Universitetit të Prizrenit  ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Ky statut po ashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një rund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit… Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.

Berisha po ashtu akuzoi kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.

“Rundi i parë dhe rundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.

Muhadri thotë se vendimi ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.

Megjithatë në rregulloren që e ka siguruar KALLXO.com në nenin 13 të saj parashihet se ‘Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit’.

Muhadri po ashtu pranoi se kishte marrë me vete materialin zgjedhor dhe për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në polici.

Ai tha se meqë nga mbledhja ishte larguar Sekretari i Përgjithshëm dhe një zyrtar ligjor i KD-së, ai nuk kishte ditur çfarë të bënte me atë material.

Rektori i përzgjedhur, Ismet Temaj tha se vërtetësia e zbatimit të rregullave në votim është në kompetencën e atyre që kanë qenë prezentë.

“Mënyra si ka shkuar ka qenë shumë legjitime, shumë e drejtë, mënyra më e mirë e mundshme edhe gjatë intervistës, pyetjet kanë qenë me vend. Pastaj kur të kryhet intervista kandidatët nuk duhet të jenë aty… e bëjnë punën e tyre Këshilli Drejtues. Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj.

Në kohën kur për këtë rast kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, rektori aktual Ramë Vataj nuk kishte pranuar të flasë para kamere, mirëpo kishte thënë se është ankuar në Ministrinë e Arsimit dhe te kryeministri i Kosovës.

Ramë Vataj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për kryetar të Suharekës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ishte zgjedhur rektor në vitin 2014.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për problemet në zgjedhjet për rektor në UPZ.

Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit