
Foto: Vesel Krasniqi/Facebook
Djali i axhës së ministrit të Nismës Socialdemokrate në prag të përfitimit të një granti në vlerë mijëra euro
Biznesi i djalit të axhës së ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqit, ka hyrë në listën preliminare për përfitimin e një subvencioni të kësaj Ministrie.
FHK Sh.p.k me pronar Fatmir Krasniqin në thirrjen e MTI-së ka aplikuar për një makineri që kap vlerën afër 22 mijë euro.
Rezultatet preliminare janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së udhëhequr nga zyrtari i Nismës Socialdemokrate.
FHK Sh.p.k me seli në Banjë të Malishevës është renditur e 15-ta nga 17 biznese gjithsej që janë në kategorinë e parë për ndërmarrjet mikro.
KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin Fatmir Krasniqi, i cili pohoi se është familjar i ministrit në detyrë të MTI-së.
Krasniqi thotë se nuk ka ndikuar lidhja familjare që ka hyrë në këtë listë.
Ai thotë se i ka plotësuar kushtet për përfitimin e kësaj makinerie për prodhimin e një riparuesi të tubave të ujit.
“Po djalë të mixhës e kam. Kjo është hera e tretë që unë po aplikoj, unë kriteret i kam plotësu 100 për qind. Kam apliku për një makineri për prodhimin e riparuesve të gomave, të vetmit jem na në Kosovë që i prodhojmë. Rreth 22 mijë euro është oferta që kemi marrë për atë makineri. Veç nëse nuk e plotësoj një kriter, nuk kam qejf me ma dhanë grantin. Mundet me ardhë çdo komision me këqyrë veprimtarinë që e kam edhe produktin që e kam, që nuk e ka kurrkush në Kosovë, i vetmi unë e prodhoj – është riparues i tubave, d.m.th. çdo tub i ujësjellësit që ka defekt, riparohet me produktin tem, çoj nëpër shumë pika. Nuk jam njeri që këqyri me marrë atë që s’është e jemja e as me ia marrë dikujt grantin nëse nuk e meritoj”, tha ai.
Ai theksoi se në të dy herat e kaluara nuk kishte arritur të përfitojë grant nga kjo Ministri për shkak të mos plotësimit të kushteve.
“Unë atëherë i kam pasë vetëm dy punëtorë, tash i kam katër edhe kjo ka mund me kanë arsyeja që s’i kam plotësu kushtet sepse përndryshe ata s’ma kanë tregu pse s’kam përfitu. Edhe unë tash i plotësoj totalisht”, u shpreh ai.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi thotë se nuk është në dijeni që djali i axhës së tij ka aplikuar për këtë subvencion.
“Prej juve po dëgjoj, absolut as nuk jam marrë. Komisioni e ka kry punën e vet. Nuk e di as që ka apliku, as kush ka përfitu. As nuk jam përzi, as nuk e di kush është në listë. Faleminderit për informacionin. Sidoqoftë, çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë me apliku, ata të cilët i plotësojnë kriteret, komisioni është i formuar për këtë arsye, edhe mundeni me e pyet komisionin. Unë prej juve po dëgjoj. Janë 600 biznese që kanë apliku për tri kategoritë, kush i ka plotësu është punë që shihet. Ju siguroj që 100 për qind që nuk ushtroj ndikim për asnjë biznes. Komisioni është i pavarur. Nuk jam kanë në dijeni as që ka apliku”, u shpreh ministri Krasniqi.
Në KALLXO Pernime të hënën, 15 mars, u transmetua hulumtimi i cili shfaqte se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës. Njëra kompani është e baxhanakut të Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu zyrtar nga Nisma Socialdemokrate.