Dhëndri i kryetarit të Bordit të KEK-ut punësohet në KEK

Rasim Veseli është punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës. Veseli është dhëndër i Faruk Hajrizit, që është kryetar i Bordit në këtë ndërmarrje. Përveç me Hajrizin, Veseli ka lidhje familjare edhe me kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Kjo nuk është hera e parë që Veseli kanë tentuar të punojnë së bashku në ndërmarrjet publike. Rasim Veseli ishte punësuar si inxhinier në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” që udhëhiqej nga miku i tij, Faruk Hajrizi, mirëpo në këtë rast kishte reaguar Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Veseli thotë se ka nisur punën në KEK në muajin shkurt të vitit 2019, pasi ka dal kandidati më i suksesshëm në një konkurs publik të shpallur nga kjo ndërmarrje.

“Po, punoj në KEK. Jam drejtor i një njësie për menaxhim të projekteve”, tha Rasim Veseli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, Veseli thotë se nuk është ndihmuar nga miku i tij, Hajrizi që është kryesues i Bordit të drejtorëve të KEK-ut që nga viti 2017.

“Po, e kam mik, por çka është kaq e rëndësishme kjo. Veç sherr është ka më bon prej që është bërë drejtor. Nuk më ka ndihmu as në fillim as në mbarim”, tha Veseli kur u pyet për lidhjet familjare dhe ndihmën eventuale për t’u punësuar.

Ndërsa kryesuesi i Bordit, Faruk Hajrizi për Gazetën Jeta në Kosovë tha se nuk përzihet në çështjen e punësimeve.

“Unë jam anëtar i Bordit edhe nuk merrem me punësimet që janë nën nivelin tim. Obligimi im është të merrem me zyrtarët e lartë. Për elemente tjera, pyetni kryeshefin”, tha fillimisht Hajrizi.

I pyetur nëse ka ndikuar në punësimin e dhëndrit të tij, Hajrizi e ka mohuar një gjë të tillë.

“Absolutisht jo, as nuk përzihem në punësime, përveç asaj që ma jep ligji. Nuk e di as kush punësohet as kush nuk punësohet”, tha tutje Hajrizi, që deklaroi se nuk e di çka punon dhëndri i tij.

Faruk Hajrizi është kryesues i bordit të KEK-u. Bordi i KEK-ut është përgjegjës për përzgjedhjen e drejtorin menaxhues të ndërmarrjes dhe pozitat e larta drejtuese.

Përveç përzgjedhjes, Bordi i KEK-u ka të drejtë ligjore që në çdo kohë, pa asnjë arsyetim të shkarkojë nga pozita drejtorin menaxhues. Drejtori Menaxhues është përgjegjës për punësimet e nivelit menaxherial në KEK.

Mirëpo, lidhje familjare Rasim Veseli nuk ka vetëm me kryesuesin e Bordit, por edhe me kryetarin e Kuvendit dhe PDK-së, Kadri Veseli.

Rasim dhe Kadri Veseli kanë lidhje gjaku në mes vete. Ata janë kushërinj. Këtë e konfirmon edhe vet Rasimi.

Mirëpo sipas tij, edhe Kadri Veseli, njëjtë si Faruk Hajrizi, po i bëjnë “sherr”.

“E kam në vijë të gjakut, diku kushëri i pestë. Edhe ai veç sherr po më ban, për shkak të mbiemrit. Ju e dini që unë kam emër, mbiemrin ia kam fal Kadriut dhe kam shumë nder që e kam mbiemrin Veseli, por lidhjet familjare s’ka sepse larg jemi”, tha Veseli.

Rasim Veseli e konfirmoi se në këtë pozitë është zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe sipas tij gjithçka ka shkruar përmes procedurave të rregullta.

“Prej muajit shkurt jam punësuar në KEK, në një proces të rregullt, përmes një konkursi të rregullt, përmes të gjithave procedurave të rregullta jam punësuar”, tha Veseli.

“Absolutisht s’ka pas ndikim familjar, dilni te burimet njerëzore, merrni të dhënat dhe e shihni shumë qartë ku kam qenë në poentim, me provim me shkrim e me provim me gojë”, tha tutje Rasim Veseli për Gazetën JnK.

Rasim Veseli ka shpërndarë foto nga tubimet elektorale të PDK-së. Ai ka shpërnda foto duke përkrahur kandidaten e PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar edhe zyrës për informim të KEK-ut, për të konfirmuar punësimin e Rasim Selmanit në KEK, mirëpo ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Kjo nuk është hera e parë që Rasim Veseli dhe Faruk Hajrizi tentojnë të punojnë së bashku në një ndërmarrje.

Në të kaluarën, Rasim Veseli kishte dështuar të punësohet në ndërmarrjen publike ku kryeshef kishte qenë pikërisht miku i tij, Faruk Hajrizi.

Kjo kishte ndodhur në 2014, kur Faruk Hajrizi kishte qenë kryeshef i ndërmarrjes publike, “Ujësjellësi Rajonal Mitrovica”.

Rasim Veseli ishte punësuar si inxhinier në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” që udhëhiqej nga miku i tij, Faruk Hajrizi, mirëpo në këtë rast kishte reaguar Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

AKK kishte deklaruar se punësimi i Veselit në atë kohë do të paraqiste konflikt interesi, si rezultat i kësaj ishte anuluar procesi i punësimit të Veselit.

Faruk Hajrizi është emëruar në pozitën e kryesuesit të Bordit të KEK-ut në nëntor të vitit 2017.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në atë kohë se Faruk Hajrizi në profilin e tij në Facebook kishte bërë fushatë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të cilin e kishte quajtur “Lider të pamposhtur”.

Bordi i Kundërligjshëm i KEK-ut