Kanali Ibër-Lepenc | Foto: Ndërmarrja Hidroekonomike "Ibër-Lepenc"

Dëshmi se si qeveria e politizoi bordin e Ibër-Lepencit

Qeveria e Kosovës e ka larguar në mënyrë të dyshimtë dhe pa asnjë sqarim Naim Gashin nga bordi i Ibër-Lepencit të emëruar një javë më parë për t’ia liruar vendin djalit të kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës.

Gashi është zëvendësuar me Liridon Zogianin që është djali i Adem Zogianit, i cili ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga PDK-ja.

Përveç këtij ndërrimi, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se qeveria e Kosovës i ka emëruar në bord personat që kishin më pak pikë, por që kishin lidhje me partitë politike që janë në pushtet.

Ky bord duhet të kujdeset për ndërmarrjet që ka në menaxhim njërin prej aseteve më me peshë në ekonominë e Kosovës, Liqenin e Ujmanit. Ky liqen përveç prodhimit të energjisë elektrike, furnizimit të disa qyteteve me ujë, shërben edhe për furnizimin me ujë të termocentraleve të KEK-ut dhe ujitjen e tokave nga Mitrovica e deri në Obiliq.

Kabineti Qeveritar më 18 qershor të këtij viti kishte emëruar 6 anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrje: Bashkim Shabanin – Kryesues të bordit, ndërsa Naim Gashi, Halil Gashi, Avdullah Isufi, Sahit Svirca dhe Muharrem Xhemajli.

Ndërsa një javë më vonë kishte vendosur ta heqë njërin nga anëtarët pa dhënë ndonjë shpjegim të detajuar.

“Bëhet fjalë për ndryshim të një anëtari dhe për emërim propozohet z.Liridon Zogjani në vend të z.Naim Gashi”, kishte thënë para kabinetit qeveritar, Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së datës 25 qershor të këtij viti. Ministrat kishin votuar të gjithë pro këtij ndryshimi.

I shkarkuari: veç pse s’jam anëtar i ndonjë partie politike

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listën e ponetimit të të gjithë kandidatëve për pozitat e anëtarëve të bordit nga ana e Komisionit Rekomandues.

I shkarkuari Naim Gashi kishte 333 pikë dhe ishte në pozitën e dytë, ndërsa i treti më i votuari ishte Zogjani me 332 pikë.

Naim Gashi përkundër që nuk ka marrë asnjë sqarim nga qeveria thotë se fakti që nuk ishte pjesë e partive politike është larguar nga pozita e anëtarit të bordit.

“Nuk e di pse më kanë zëvendësu, duhet me pritë përgjigje. Ose ndoshta veç pse s’jam anëtar i ndonjë partie politike, ndoshta për këtë. Nuk i përkas asnjë subjekti politik dhe sigurisht kanë pasur obligime partiake”, tha Gashi në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se njoftimin për emërim në rastin e parë si dhe njoftimin për “shkarkim” e kishte marrë përmes mediave dhe vendimit që është publikuar ne ueb-faqen e Kryeministrisë.

Gashi thotë se është i habitur me vendimin e Qeverisë dhe për këtë i ka shkruar letër Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

“Kam dalë i dyti në listë. Nuk mundet me u shkarku dikush qashtu, pa pasë performancë negative ose për konflikt interesi. Menjëherë pas një jave me ndodhë kjo nuk ka ndonjë arsye. I kam shkruar zyrës së Kryeministrit, por kryeministri ka qenë i zënë. Të shohim njëherë për përgjigje se çfarë po më thonë”, tha tutje Naim Gashi për Gazetën JnK, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e bordit të Ndërmarrjes Publike “Trainkos”.

Personi që është emëruar në bordin e Ibër-Lepencit, Zogjani thotë se nuk është ndihmuar nga politika për të marrë mandatin e dytë. Thotë se nuk është pjesë e asnjë partie politike. Madje thotë se edhe babai i tij që ka qenë kandidatë i PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës është i paanshëm politikisht.

“S’ka pasur asnjë ndikim politik. S’kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike, e as aktivist. Jam i paanshëm politikisht. Prindi ka qenë në të kaluarën, por tash është i paanshëm, i papërcaktuar politikisht”, tha ai në mes tjerash.

Ai beson që CV-ja e tij ka qenë arsyeja pse qeveria ka ndërru mendje.

“Absolutisht nuk e di. Është vendim i Qeverisë. Nëse merret parasysh përgatitja ime profesionale, po besoj që jam ma i miri. Jam jurist, magjistër i Ekonomisë, kam afër 20 vite përvojë punë në auditim dhe kontabilitet. E po besoj që i kanë pasur parasysh këto gjana”, tha Zogjani për Gazetën JnK.

“Mos zgjedhja ime do të ishte turp për Qeverinë dhe demotivim për pasardhësit e Bordit. Kam qenë shembull se si menaxhohet një Ndërmarrje Publike”, tha ai. “Gjatë kohës së kryesimit të bordit, kam ulur shpenzimet dhe kam rritur fitimin në 1.7 milionë euro. Kam stabilizuar raportet me veriun dhe e kam vu në kontroll Ujmanin 100%”, shtoi Zogjani për Gazetën JnK.

Ish-këshilltari i Blerand Stavilecit 

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar zyrës së Qeverisë në lidhje me ndryshimin e këtij vendimi, por nuk ka pranuar përgjigje.

Gazeta ka siguruar listën e plotë të poentimit që dëshmojnë që përparësi i ishte dhënë personave që kishin lidhje me partitë politike që janë në pushtet.

Kandidati i emëruar nga Qeveria e Kosovës, Avdullah Isufi në listën e poentimit ka qenë në pozitën e 12 me 316 poena. Para tij kanë qenë 4 persona tjerë me më shumë poena që nuk janë emëruar anëtar bordi.

Isufi në të kaluarën kishte shërbyer këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë për dy vite, në kohën kur ministër ishte Blerand Stavileci i PDK-së.

Avdullah Isufi në një bisedë të shkurtër në telefon e ka konfirmuar se ka qenë këshilltar i Blerand Stavilecit, por thotë se asnjëherë s’ka qenë pjesë e partive politike, por ka qenë në cilësinë e ekspertit.

“Kam qenë këshilltar politik i Xhabir Morinës dhe Blerand Stavilecit. Nuk jam pjesë e asnjë partie politike. Edhe pse kam pasë qenë i punësuar si këshilltar politik, nuk kam qenë në parti politike. Ata më kanë zgjedhë si ekspert i lëmisë, unë jam agronom që 30 vite. Unë si përkas partive, i përkas veç sektorit tim”, tha Aliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ishte dënuar me 400 euro gjobë për shkak të mos-deklarimit të pasurisë. Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë e kishte dënuar me 400 euro Avdulla Isufin.

“Është përgjegjës sepse me 24.02.2011 si këshilltar politik i Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, ka pranuar formularin për deklarim të pasurisë dhe këtë formular nuk e ka ia ka dërguar Agjencionit Antikorrupsion”, thuhet në aktvendimin për Avdullah Isufin.

“Ka qenë një vakum pas zgjedhjeve. Nuk ka qenë e ditur, sepse në Ministri na patën thanë që s’ka nevojë se u mbajtën zgjedhjet. Pastaj e kam lëshu me shumë dëshirë punën në Ministri në 2011”, tha Aliu për Gazetën Jeta në Kosovë në lidhje me dënimin për mosdeklarim të pasurisë.

Në vitet 2014-2018 ai kishte shërbyer edhe si Kryetar i Shoqatës se Tregtuesve të Inputeve Bujqësore në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës. Gjatë viteve 2008-2010 ai ka qenë edhe drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, në kohën kur kryetar ishte Bajrush Xhemajli i PDK-së.

Kandidati tjetër i emëruar nga Qeveria e Kosovës për anëtar bordi në “Ibër Lepenc” është edhe Sahit Svirca, i cili nuk ishte në mesin e gjashtë kandidatëve më të poentuar. Më të poentuar se Svirca kishin qenë Mehmet Ballazi dhe Betim Berisha.

Sahit Svirca në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë e ka konfirmuar që është mbështetës i Nismës Social Demokrate, por thotë se nuk ka asnjë pozitë brenda partisë.

“Unë e mbështes Nismën Sociademokrate”

Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk ka pasur ndërhyrje nga Nisma për emërimin e tij në bord.

“Unë e mbështes Nismën Sociademokrate, por asnjë pozitë brenda partisë nuk e kam. Jo, partia nuk më ka ndihmuar dhe s’ka pasur nevojë të më ndihmojë. Shkollimin e kam, krejt kushtet i plotësoj, jam në rregull me të gjitha procedurat. I kam dy fakultete të kryera”, tha Svirca për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përveç që është emëruar anëtar bordi në Ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, Svirca është i punësuar edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, drejtohet nga Endrit Shala, që është i Nismës Social Demokrate. Aty ka hyrë fillimisht me kontratë mbi vepër, e më vonë është punësuar inspektor i Tregut në bazë të një konkursi.

Svirca thotë se nëse nuk ka konflikt interesi do t’i mbajë dyja punët. Mirëpo nëse nuk ka konflikt interesi, Svirca thotë se do të mendojë se cilën punë ta mbajë.

“I punësuar jam në Ministri, i punësuar jam edhe në Bord, ende s’kam vendosur se cilën do ta mbaj. Duhet me kqyrë nëse kam konflikt interesi ose jo. Unë mendoj që s’ka konflikt interesi, por duhet kshyrë se çka thotë ligji. Unë e respektoj ligjin dhe me rënësi është që mos me shkel ligjin”, tha tutje Svirca për Gazetën Jeta në Kosovë.

Komisioni Rekomandues për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të “Ibër Lepencit” e kishte vlerësuar Svircën me 319 pikë. Ai ishte renditur i 9 në listë, mirëpo në fund ishte futur brenda 6 anëtarëve të bordit.

Ai thotë se nuk ka informacione se ku ka qenë i listuar.

“Nuk e di se në cilën vend në listë të poentimit kam qenë, sepse kam apliku në disa borde dhe në të gjitha kam qenë i poentuar lartë”, ka thënë shkurtimisht ai për Gazetën JnK.

Anëtari tjetër i bordit është Muharrem Xhemajli, ish kandidati i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës. Ai është rizgjedhur për të dytën herë në këtë bord.

Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogjani ishin bërë pjesë e bordit në fillim të vitit 2018 pasi që kishin qenë në listë të pritjes.

Xhemajli në dy palë zgjedhje ka qenë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.

Xhemajli kishte provuar fillimisht në vitin 2014. Kishte marrë 6 mijë e 385 vota që ishin të pamjaftueshme për t’u bërë deputet.

Në zgjedhjet e fundit qendrore, Xhemajli ishte pjesë e listës së koalicionit PAN-it, si kandidat i PDK-së. I renditur i 105-ti në listë, Xhemajli nuk kishte arritur të hynte në Kuvendin e Kosovës. Ai kishte marrë 5 mijë e 474 vota.

“Nuk jam kanë asnjëherë pozicion udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, e as anëtar me letra nuk jam, kam qenë kandidat për deputet, por asnjëherë s’kam qenë në struktura të partisë”, kishte thënë Xhemajli për Gazetën JnK në atë kohë.

Bordi i Kundërligjshëm i KEK-ut

Ndërsa, i emëruari kryesues i bordit, Bashkim Shabani ishte poetuar nga komisioni me 321 pikë. Shabani që është emëruar nga Qeveria e Kosovës si kryesues i bordit ka pasur 12 pikë më pak se sa Naim Gashi që u largua nga bordi pa asnjë shpjegim.

Poentimi i kandidatëve

Anëtarët e bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ibër Lepenc”, janë:

  • Bashkim Shabani, kryesues bordi
  • Liridon Zogjani, anëtar bordi
  • Halil Gashi, anëtar bordi
  • Avdullah Isufi, anëtar bordi
  • Sahit Svirca, anëtar bordi
  • Muharrem Xhemajli, anëtar bordi

Në listën e ponetimit të të gjithë kandidatëve që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, renditja e 6 kandidatëve të parë është kështu;

  • Halil Gashi (338 poena)
  • Naim Gashi (333 poena)
  • Liridon Zogjani (332 poena)
  • Shkelzen Ibrahimi (322 poena)
  • Bashkim Shabani (322 poena)
  • Muharrem Xhemajli ( 321 poena)

Në këtë bord kishte kandidatura edhe Selatin Retkoceri, i cili më herët ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës në bordin e Ndërmarrjes Publike të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive.

Ai nga Komisioni Rekomandues për bordin e “Ibër-Lepencit” ishte vlerësuar me 306 pikë dhe ishte radhitur në pozitën e 14.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për emërimin e kundërligjshëm të Retkocerit në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.

Emërimi i tij ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak që nuk kishin kaluar as 2 vite prej kur Retkoceri kishte qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, në kohën kur Retkoceri ishte emëruar anëtar bordi, ai ka qenë edhe këshilltar komunal në Komunën e Lipjanit.

Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive