Mbeturina në afërsi të shtratit të lumit Drini i Bardhë - FOTO KALLXO - 2022

Cila është zgjidhja për qeset plastike njëpërdorimshme?

Pothuajse secila shtëpi në Kosovë ka “një qese me shumë qese”. Por, këtë praktikë e ka larguar Vernesa Podrimaj, e cila që nga viti 2019 ka larguar nga jeta e saj përdorimin e qeseve të plastikës.

Podrimaj e cila aktualisht punon si edukatore mbështetëse në Gjermani, ka thënë për KALLXO.com se në fillim e ka pasur shumë të vështirë fillimin e një jetë me ‘zero raste’, pasi sipas saj për një kulturë si në Kosovë ka qenë e papranueshme.

“Fillimi ka qenë shumë-shumë i vështirë për shkak të mentalitetit kur të shohin me torbë. Pjesa më sfiduese ka qenë te pjesa e pemëve për shkak se nuk kanë mund ta kuptojnë se pse po e marr qesen time që ka qenë jo e plastikës. Ka pasur insistim se nuk bën. Më është dashtë me gjetë dyqane specifike ku unë mundem me bë blerje për shkak se ka qenë e vështirë. Kur kam dalë nga dyqani më kanë parë sikur po bëj diçka ilegale”, është shprehur Podrimaj.

Podrimaj thotë se shitësit kur e kanë parë që po i refuzon qeset e plastikës i kanë folur në një gjuhë të huaj.

“Në shumë dyqane kur kam shku, kur më kanë parë që po i refuzoj qeset e plastikës, më kanë fol anglisht e në momentin që unë iu kam kthy në shqip ka qenë shumë konfuze sepse kanë mendu që vetëm nëse nuk je e Kosovës, ki mentalitet që me marrë qesen tënde”, ka shtuar më tej ajo.

Sipas Podrimajt, ndikimet e produkteve të dëmshme në ambient duhet të futen në programe shkollore, ndërsa ka shtuar se në reduktimin e qeseve të plastikës do të ndikonte edhe vendosja e një takse.

Në anën tjetër, Egzona Shala nga organizata mjedisore ‘EcoZ’ thotë se përdorimi i madh i qeseve të plastikës është për shkak se këto produkte janë më të lira për t’u prodhuar.

Sipas Shalës, qeset e plastikës kanë përparësi për përdorim për shkak se janë më të lehta në peshë e po ashtu zënë më pak hapësirë.

Tutje Shala ka treguar se pikërisht këto qese hyjnë në grupin e ndotësve më të mëdhenj të ambientit.

“Qeset kanë veti të cilat ndikojnë në mënyrë negative në mjedis duke liruar gazra të dëmshme kur të digjen, kanë rezistencë të ulët ndaj nxehtësisë e po ashtu krijojnë ndotje masovike”, ka thënë Shala.

Shala vlerëson se vendosja e një takse do të ishte njëra ndër zgjidhjet e reduktimit të përdorimit të qeseve të plastikës.

“Në Irlandë është iniciuar vendosja e një takse ku brenda një viti nga futja e taksës, përdorimi i qeseve plastike në Irlandë ra për më shumë se 90% dhe konsumi për person ra nga 328 qese plastike në vit në 21 qese. Andaj reduktimi i përdorimit të qeseve të plastikës është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendosen e një takse duke i konsideruar qeset si produkte për të cilat duhet që konsumatori i tyre të paguaj”, është shprehur Shala për KALLXO.com

Ndotja e lumit që kalon afër fshatit Budrigë të Parteshit – FOTO ARKIV – KALLXO – 2020

Luan Hasanaj, drejtor i organizatës për mbrojtje të ambientit ‘Let’s Do It Kosova’, thotë për KALLXO.com se në aksionet e tyre për grumbullimin e mbeturinave, shumica e mbetjeve janë nga plastika.

“Gjatë aksioneve që ne i organizojmë shumica e mbeturinave janë nga plastika, janë në deponi ilegale, lumenj, hyrje të ndërtesave e parqe. Problem shumë i madh që ende nuk ka zgjidhje. Tash është rasti i fundit për këtë problematikë dhe ka shumë mundësi të zgjidhjes”, ka thënë Hasanaj duke shtuar se vendosja e një takse në këto qese është njëra ndër zgjidhjet më të aplikueshme.

Derisa mbeturinat nga plastika janë në masë të madhe padyshim që edhe importi i këtyre produkteve tregon shifra të larta.

Por, për dallim nga shifrat e larta të thasëve dhe qeseve nga plastika të importuara, edhe më të larta janë shifrat e eksportit të këtyre produkteve.

Ndonëse shifrat e importit janë të larta, Kosova është shtet i cili eksporton produkte nga plastika.

Përderisa importi i thasëve dhe qeseve të plastikës për 3 vjetët e fundit, sipas databazës së Doganës së Kosovës, ka qenë mbi 3 milionë kilogramë që kanë kushtuar mbi 5 milionë euro, Kosova ka eksportuar afro 5 milionë kilogramë të cilat kanë kushtuar mbi 8 milionë euro.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga po kjo databazë, për vitet 2019, 2020 dhe 2021 janë importuar afro 366 milionë kilogramë të produkteve të plastikës, të cilat kanë kushtuar rreth 662 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave nga Dogana e Kosovës  në tri vitet e fundit janë eksportuar mbi 63 milionë kilogramë produkte nga plastika. Të njëjtat kanë kushtuar mbi 137 milionë euro.

Burimi i të dhënave – Dogana e Kosovës

Përderisa ambientalistët rekomandojnë vendosjen e një taksë Udhëzimi Administrativ për qeset e plastikës që është ndryshuar dhe miratuar në vitin 2020 nuk parasheh taksë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë për KALLXO.com se vendosja e një takse është njëra ndër synimet kryesore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga MMPHI kanë deklaruar se momentalisht grupi punues është ende në fazën e hulumtimit dhe studimit të gjendjes së qeseve të plastikës në Kosovë.

Sipas tyre, varësisht nga gjetjet e këtij hulumtimi do të vendoset se si të veprohet më tutje.

“MMPHI me ndihmën e GIZ-it, ka angazhuar edhe një ekspert i cili do të bëjë një hulumtim për ndikimin e qeseve të plastikës në mjedis. Varësisht prej studimit / hulumtimit dhe rekomandimeve të dala nga grupi punues do të ndryshohet dhe plotësohet legjislacioni sekondar që ka të bëjë me reduktimin e qeseve plastike njëpërdorimshme, dhe me hyrjen në fuqi të këtij legjislacioni do të realizohet edhe në praktikë kjo iniciativë”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.

Derisa Kosova ende nuk është përcaktuar se si ta reduktojë përdorimin e qeseve të plastikës. Shqipëria është shteti i parë në rajon që ka vendosur një taksë për këtë produkt. Kjo taksë është 5-10 centë.

Gjithashtu edhe vendet e tjera të Rajonit kanë të vendosur një taksë për qeset e plastikës. Maqedonia aktualisht ka taksë prej 25 centësh për një qese plastike, Serbia ka një taksë 10-20 centë varësisht nga qesja e plastikës, Bosnja dhe Hercegovina ka taksë prej 2-15 centësh dhe Mali i Zi ka taksë rreth 10 centësh.

 

Bashkimi Evropian, nga korriku i vitit 2021, ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70% të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.

UNEP bën të ditur se nga viti 2018, 127 nga 193 vendet anëtare të kësaj organizate, kanë miratuar një formë të legjislacionit kombëtar për të adresuar problemin e qeseve të plastikës.

Në Kosovë, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2020 – ku përfshihen edhe qeset dhe shishet e plastikës – ka qenë 456 mijë tonë.

Ndërsa sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në total, sasia e mbeturinave komunale e deponuar në deponitë sanitare shkon në mbi 446 mijë 332.36 ton në vit, me një rënie prej 3,549 ton.[2]

Qesja e plastikës doli në treg në vitin 1965 dhe u patentua nga kompania suedeze Celloplast; zbuluesi deshi ta krijonte një send të ripërdorshëm që do të na ndihmonte ta shpëtojmë ambientin.

(ASK, Anketa e Mbeturinave Komunale 2020, e qasshme në linkun: https://ask.rks-gov.net/media/6443/amk-2020.pdf    AMMK, Raport i menaxhimit të mbeturinave komunale në Kosovë 2020, i qasshëm në linkun: https://www.ammk-rks.net/repository/docs/Raporti_per_menaxhimin_e_mbeturinave_komunale_2020.pdf)

Pamje të lumit në Gadime të Lipjanit – FOTO KALLXO – 2021

Ndalimi i përdorimit të qeseve dhe paketimeve njëpërdorimëshe nga plastika – Shembulli i Gjermanisë dhe Kroacisë

Gjermania dhe Kroacia kanë futur në fuqi vendimin për ndalim të përdorimit dhe shitjes së qeseve të lehta plastike nga 1 janari i vitit 2022.

Më 9 shkurt 2021, në Gjermani hyri në fuqi Akti i Parë për Ndryshimin e Aktit të Paketimit. Amendamenti ndalonte shpërndarjen e qeseve plastike të lehta në pikat e shitjes së mallrave ose produkteve.

Shpërndarja e qeseve plastike të lehta në pikat e shitjes në Gjermani tani i përket të shkuarës. Në përputhje me Aktin e Paketimit në vend, i cili zbaton kërkesat e Direktivës së BE-së për qeset plastike të lehta me trashësi 15-50 mikron janë ndaluar që nga 1 janari dhe tregtarët mund të gjobiten deri në 100,000 Euro (113,276 dollarë) për shkelje të këtij vendimi.

Sipas të dhënave, rreth 3.2 miliardë qese plastike shumë të lehta, të cilat zakonisht ofrohen pa pagesë në supermarkete, përdoren çdo vit në Gjermani.

Ligji i Gjermanisë për ekonominë qarkore sugjeron grumbullimin dhe rikuperimin e mbetjeve plastike, me riciklimin e materialeve që ka përparësi ndaj rikuperimit të energjisë në impiantet e djegies së mbetjeve.

Bazuar në direktivën e Parlamentit Evropian për vendet e BE-së, me largimin e qeseve të plastikës nga tregu, ku më së shumti afektohen supermarketet, qytetarët mund të përdorin çanta rrjete ose çanta kartoni të hollë që mund të përdoret më shumë se një herë.

Edhe Kroacia më 15 korrik të vitit 2021 ka miratuar këtë akt që ndalon përdorimin e plastikës me hyrje në fuqi prej fillimit të këtij viti.

Kjo do të thotë se produktet si qese të lehta, shkopinj plastik, pastrueset për veshë, pjata plastike dhe të ngjashme nuk do të lejohen më të shiten në treg.

Qeset plastike transportuese një përdorimëshe, me trashësi midis 15 dhe 50 mikron, nuk janë më në përdorim në Kroaci që nga data 1 janar 2022.

Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm u ka bërë thirrje kroatëve që të mbajnë çanta prej pëlhure dhe letre kur shkojnë për të blerë.

Përjashtim nga ndalimi që hyri në fuqi nga dita e parë e vitit 2022, janë qeset plastike shumë të lehta me madhësi grimcash nën 15 mikron. Ato përdoren për ushqim me shumicë.

Kurse, shishet me kapak plastike do hiqen prej përdorimit nga viti 2024.

Vendimi erdhi si pjesë e strategjisë së gjelbër për vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara 77 shtete kanë kaluar ligje që lidhen më përdorim të kufizuar të plastikës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me përdorimin e qeseve të plastikës – LINK 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.