Rektorati i UP | Foto: KALLXO.com

Botimet e ‘Shenjta’ të Dekanit të Ekonomikut

Dekani aktual i Fakultetit Ekonomik të Universiteti të Prishtinës, But Dedaj, dhe profesorja Justina Shiroka-Pula aktualisht kryetare e forumit të gruas së PDK-së, kanë publikuar në një revistë që dyshohet si mashtruese.

Punimi i tyre me titull “Decison-Making in the Curriculum Development Process in Higher Education in Kosovo – Case of “Haxhi Zeka” University” (Vendimmarrja në procesin e zhvillimit të kurrikulave në arsimin e lartë në Kosovë – rasti i Universitetit Haxhi Zeka), është botuar në Academic Journal of Interdisciplinary Studies (Revistën Akademike për Studime Interdisiplinare) në kuadër të Mediterranean Center of Social and Eductional Research (Qendrës Mesdhetare për Hulumtime Sociale e Arsimore).

Kjo qendër bën pjesë në listën e revistave mashtruese nga Jeffrey Beall, e cila ishte paraparë si listë që duhet shmangur edhe prej dokument-propozimit të rektoratit lidhur me mbrojtjen nga ky fenomen.

Letra me të cilën rektorati i ishte drejtuar Senatit sqaronte se cilat janë platformat e revistave të besueshme në të cilat u rekomandohet pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së të botohet si dhe ato ku nuk lejohet publikimi [kliko këtu për shkresën e rektoratit].

Kriter tjetër i përcaktuar në këtë dokument është që punimet shkencore “të mos jenë të botuara në rajon (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë)”.

Për të vazhduar me kriterin “të mos jenë punime konferencash” – kjo pasi një numër i madh i stafit akademik të UP-së gabimisht i paraqesin prezantimet e punimeve të tyre në konferenca të ndryshme si punime shkencore.

Kriteri më i spikatur nga rektorati i UP-së është “të mos jenë në lista botuesish ose revistash të dyshimta (shih, p.sh. këtë link)”.

Pikërisht në këtë listë është edhe Mediterranean Center of Social and Eductional Research (Qendrës Mesdhetare për Hulumtime Sociale e Arsimore), në të cilën platformë është botuar ky punim.

Gazeta Jeta në Kosovë u drejtoi pyetje përmes emailit, dekanit Dedaj dhe profesores Shiroka-Pula, por nuk mori përgjigje prej tyre. Gjithashtu, ata nuk iu përgjigjën as thirrjeve në telefon nga redaksia.

Ndonëse askush nuk është përgjigjur për mundësinë e tërheqjes së këtij punimi, për Justina Shiroka-Pula ky punim mund të mos përbëjë element të rëndësishëm për rrezikimin e titullit të saj akademik, meqë ajo është autore e shumë punimeve të tjera.

Në anën tjetër, për dekanin aktual të Fakultetit Ekonomik të UP-së, But Dedaj, tërheqja e këtij punimi do të thoshte shumë. Ai në CV-në e tij ka vetëm dy punime shkencore që e kanë bërë të mundshëm titullin e tij si profesor asistent. Të dy punimet janë tashmë në revista të dyshimta.

Punimi i publikuar në revistë ndërkombëtare, në të cilin But Dedaj është autor i dytë bashkë me Justina Shiroka Pulën, bën pjesë në skemën globale të revistave të listuara si mashtruese në Listën e Beall-it, i cili njihet ndërkombtarisht për aktivitetin e tij kundër këtyre revistave.

Punimi tjetër i But Dedaj është në një revistë kosovare me emër të çuditshëm “Dardania Sacra” (nga latinishtja: Dardania e Shenjtë). Kjo revistë nuk ka adresë fizike apo elektronike dhe duket se nuk është më funksionale.

Dardania Sacra është edhe mbishkrimi i emblemës në ballë të katedrales katolike Nëna Terezë në Prishtinë, mirëpo mbetet mister se çfarë lidhje ka Dardania e shenjtë dhe shkenca e ekonomisë.

Rregullorja e avancimeve akademike në nenin 7, pika 1.2 është shumë e qartë për avancimin në profesor asistent, të cilën Dedaj, nuk e plotëson, duke qenë se detyrohet numri i mjaftueshëm i publikimeve në revista shkencore ndërkombëtare.

Rregullorja e avancimeve

Në rastin e publikimit në revistë të dyshuar mashtruese Dedaj nuk është autor i parë, ndërkaq me botimin në revistën ‘e shenjtë’ nuk e përmbush kriterin ndërkombëtar të kërkuar në rregullore.

Nga rektorati i Universitetit të Prishtinës është përgjigjur prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. Naser Sahiti.

Për të dhe menaxhmentin aktual është e rëndësishme liria e zgjedhjes për të botuar. “Në parim, çdo individ është i lirë të publikojë aty ku ai e sheh të arsyeshme”, tha Sahiti duke shtuar se “nisur nga ky aspekt, rastet e tilla UP-ja nuk i konsideron si lëndë të cilat ka nevojë të trajtohen”.

Megjithatë, ata u rekomandojnë profesorëve që këto punime që i publikojnë të mos i përdorin për avancim akademik. “Mirëpo ne i rekomandojmë stafit që punimet e tilla të mos i shfrytëzoj për nevoja të promovimit në karrierën e vet”, tha Sahiti.

Gazeta JNK ka raportuar edhe më parë për raste të ngjashme, si ai i rektorit aktual Marjan Dema, i cili po ashtu ka një punim të publikuar në revistë false.

Ndonëse me rektorin Marjan Dema nuk ndodhi asgjë, një nga paraardhësit e tij, Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje gjatë protestave për një rast të ngjashëm të botimit në një revistë mashtruese.

Rektori Marjan Dema u Avancua me Punim në Revistë të Dyshimtë