Klinika Emergjente e QKUK-së - Foto: Facebook/UranIsmajli

Bordi i ShSKUK-së angazhon kundërligjshëm këshilltarin ligjor

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) nuk ka aplikuar procedura të prokurimit për angazhimin e një këshilltari ligjor me kontratë për shërbime siç kërkohet me Ligjin për zyrtarët publikë.

KALLXO.com ka zbuluar se bordi i ShSKUK-së e ka angazhuar Faton Qirezin pa aplikuar asnjë procedurë të rekrutimit e as procedura të prokurimit. Angazhimi i këshilltarit ligjor me kontratë për shërbime të veçanta është bërë përkundër faktit që ShSKUK-ja e ka funksionale zyrën ligjore.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e bordit të ShSKUK-së të datës 17 shtator 2020, me anë të të cilit është emëruar Faton Qirezi në cilësinë e këshilltarit juridik.

Qirezi është angazhuar në muajin shtator dhe kontrata e tij është në kohëzgjatje prej një viti, përkatësisht nga data 21 shtator 2020 deri më 21 shtator 2021.

“Bazuar në nevojat për këshilla dhe shërbime juridike, të cilat lidhen me fushëveprimin e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, të përcaktuar me legjislacionin në fuqi, Bordi Drejtues i SHSKUK-së emëron avokatin Faton Qirezi në cilësinë e Këshilltarit Juridik të Bordit drejtues të ShSKUK-së”, thuhet në pikën e parë të vendimit të bordit.

Tutje në vendim bordi e ka autorizuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së “të procedojë tutje për angazhimin e Këshilltarit për Bordin Drejtues të SHSKUK-së, sipas legjislacionit në fuqi”, si dhe janë listuar edhe detyrat e këshilltarit Qirezi.

Përkundër faktit që në vendimin e bordit është autorizuar u.d. drejtori i ShSKUK-së për angazhimin e Qirezit prapë kontratën nga ana e ShSKUK-së e ka nënshkruar kryesuesi i bordit, Xhevat Jakupi. 

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti dhe bordi drejtues i ShSKUK-së se kush i ka udhëhequr procedurat për angazhimin e Qirezit.

Menaxhmenti nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa bordi i ShSKUK-së ka thënë se Qirezi është angazhuar bazuar në praktikën që është ndjekur në të kaluarën për angazhim të ekspertëve.

Bordi në përgjigje ka përmendur vendimin e datës 15 dhjetor 2014 për angazhimin e konsulentit për çështje profesionale me theks të veçantë në zhvillimin e Endoskopisë Digjestive, vendimin e datës 10 nëntor 2016 për angazhimin e këshilltarit të ShSKUK dhe vendimin e datës 8 korrik 2019 për angazhimin e këshilltarit për bordin drejtues dhe drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së.

Bordi nuk ka treguar për procedurën që është ndjekur për angazhimin e këshilltarit ligjor por është referuar te statuti i ShSKUK-së që i lejon angazhimin e këshilltarëve.

“Duke ju referuar Pikës së 7 të Nenit 11 të Statutit të SHSKUK-së, si dhe Rregullores së Punës së Bordit Drejtues të SHSKUK-së, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka angazhuar Këshilltarin Juridik. Ashtu siç është vepruar edhe në të kaluarën”, thuhet në përgjigjet e bordit kur është pyetur specifikisht për procedurën e angazhimit si dhe nëse është angazhuar përmes Ligjit të prokurimit publik.

Sipas statutit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, bordit drejtues i mundësohet të emërojë në cilësinë e vëzhguesit ekspertë vendorë ose ndërkombëtarë për mbështetjen e punës së tij përkitazi me çështje specifike, gjë që i mundësohet edhe me rregulloren e punës së bordit drejtues të ShSKUK-së dhe Ligjin e shëndetësisë.

Por, është Ligji për zyrtarët publikë që tregon për procedurën që duhet ndjekur për të angazhuar një person për shërbime të veçanta.

Shkelja e ligjit

Ligji për zyrtarët publikë, që e ka shfuqizuar Ligjin për shërbyesit civilë përmes të cilit institucionet kanë angazhuar deri në 2 mijë persona në vit me kontrata për shërbime të veçanta, thotë se angazhimi i personave me kontratë për shërbime duhet të bëhet përmes procedurave të prokurimit.

Për më tepër, Ligji për zyrtarët publikë e ndalon praktikën e angazhimit të personave me kontrata për shërbime të veçanta bazuar në Ligjin për Shërbyesit Civil.

“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të Ligjit për zyrtarë publikë që flet për ‘marrëveshjet për shërbime të veçanta’.

Në Ligjin për prokurimit publik janë përcaktuar procedurat që duhet ndjekur në kontratat për shërbimet, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit e ka hartuar një rregull të veçantë për të detajuar procedurën për angazhim të individëve me kontrata për shërbime, e cila ka hyrë në fuqi më 22 shtator.

Ndërkohë, më 18 nëntor është ndryshuar kjo rregull, e cila aplikohet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për zyrtarët publikë. Në këto rregulla është specifikuar se shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat autoriteti kontraktues ka nevojë, por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga bordi se pse nuk janë shfrytëzuar burimet njerëzore të ShSKUK-së për çështje juridike. Ata fillimisht janë përgjigjur se vendimi për të angazhuar Qirezin në pozitën e këshilltarit juridik është bërë pasi bordi ka gjetur shkelje në menaxhimin e Shërbimit Spitalor. Ndërsa, në përgjigjet e dyta kanë thënë se “Bordi Drejtues i SHSKUK kërkon sipas rasteve edhe mendim ligjor për çështje të ndryshme edhe nga Zyra ligjore në QKUK”.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kanë kërkuar sqarime nga bordi i ShSKUK-së për angazhimin e avokatit Qirezi.

“Ju informojmë se Ministri Zemaj ka kërkuar përmes një shkrese nga Bordi i SHSKUK-së informacione dhe sqarime për angazhimin e një avokati privat, mënyrën si është angazhuar ai, nëse janë respektuar ligjet në fuqi me rastin e angazhimit te tij, fushëveprimin e angazhimit dhe për ta sqaruar gjithashtu se a është e nevojshme dhe ligjore një angazhim i tillë për faktin që SHSKUK ka Zyrën e vet ligjore që e përfaqëson në aspektin e zbatimit të normave juridike. Ministri pret nga Bordi që të informohet me shkrim për këtë rast dhe çështje të tjera nga fushëveprimi i Bordit të SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

‘Nuk kam konkurru’ 

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Faton Qirezin, i cili ka thënë se ftesën për angazhim e ka marrë nga bordi drejtues dhe se nuk ka konkurruar, përkatësisht është kontaktuar përmes telefonit.

“Kjo është kontratë për shërbime, nuk jam unë në marrëdhënie të punës. Jo, nuk kam aplikuar unë. Më kanë thirrë bordi në telefon edhe më kanë pyetur se a kam mundësi me u angazhu dhe për një kohë ta caktuar, kemi zhvilluar vetëm biseda e takime”, ka thënë Qirezi duke shtuar se nuk e njeh asnjë prej anëtarëve të bordit të ShSKUK-së.

Ai ka thënë se është rekomanduar nga institucionet që ka punuar më parë, përkatësisht misioni i OSBE-së, EULEX dhe Avokati i Popullit dhe ka shtuar se e ka këshilluar bordin rreth 1 muaj e gjysmë pa pagesë. 

“Dikush prej këtyre institucioneve ju ka rekomandu atyre sepse kanë pasur nevojë për këshilltar juridik, më kanë thirrë në bisedë e kemi biseduar”, ka thënë Qirezi.

“Fillimisht nuk kam pasë ide që do ta kem një kontratë dhe kur ma kanë ofru këta kontratën unë ju kam thënë që të jetë sipas rregullave të brendshme edhe sipas tarifave qysh i keni pasë me zyrtarët e mëhershëm, do të thotë e kam pranuar ‘blanko’”, tha ai. 

Ai nuk ka dhënë detaje për punët që i ka bërë deri më tash për bordin, por ka thënë se ka dhënë këshilla për disa konteste administrative.

Me Ligjin për prokurimin publik, kohëzgjatja e kontratave për shërbime do të jetë deri në 36 muaj. Ndërsa, në rregullën e KRPP-së thuhet se procedura për rekrutim të stafit për shërbime të veçanta fillon me publikimin e njoftimit për kontratë në platformën elektronike.

Vlerësimi do të bëhet menjëherë duke marrë parasysh disa kritere, të tilla sikurse: përvoja përkatëse e këshilltarit, cilësia e metodologjisë së propozuar, kualifikimi; dhe/ose transferimi i dijenisë, nëse kërkohet.

Në rregullat e KRPP-së është treguar edhe mënyra e vlerësimit të aplikacioneve të kandidatëve. Përvoja specifike do të vlerësohet nga 20 deri në 50 pikë, përshtatja e metodologjisë/planit të punës do të vlerësohet nga 20 deri në 50 pikë, kualifikimi nga 20 deri në 40 kurse transferimi i njohurisë (opsionale) 0-10 pikë.

“Pikët totale do të fitohen duke bashkuar pikët teknike dhe financiare. Notat e “kostos” duhet të përzgjidhen duke marr parasysh ndërlikueshmërinë e objektit të kontratës që duhet dhënë si dhe rëndësinë përkatëse të cilësisë. Rezultati i peshuar i propozimit financiar duhet të specifikohet në Dosje të Tenderit, dhe mund të jetë deri në 30 pikë”, theksohet në rregullat e KRPP-së.