Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Bomba dhe plumba: Frikë dhe urrejtje në Kosovën e veriut

Një vit pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanovic, shumë sulme me armë dhe bomba në veriun pa ligj të Kosovës mbeten të pazgjidhura.

Fillimisht ia hodhën makinën në erë. Ia dogjën edhe selinë e partisë. Dikush i hyri me dhunë në shtëpi dhe kërcënoi bashkëshorten e tij. Pastaj sërish ia hodhën në erë makinën.

“Ata kanë bërë çdo që munden deri tani – me përjashtim të vrasjes sime,” tha me humor në nëntor 2017 Oliver Ivanovic, një politikan i njohur serb i Kosovës në një intervistë televizive.

Pothuajse tre muaj më vonë, rreth orës 8.10 të mëngjesit më 16 janar 2018, Ivanovic po ecte drejt selisë së partisë së tij në qytetin e Mitrovicës në veri të Kosovës kur gjashtë të shtëna e goditën nga një makinë në lëvizje. I goditur në kurriz, ai vdiq brenda një ore.

“Ai gjithmonë më thoshte: ‘Ti e di se Kosova është jeta ime,’ dhe në fund, ai me të vërtetë dha jetën e tij për Kosovën,” tregoi e veja e tij, Milena Ivanovic Popovic, për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) pak para përvjetorit të parë të vrasjes së tij.

Në kohën kur u vra, Ivanovic gjendej në gjyq për krime kundër civilëve shqiptarë të Kosovës në përfundim të konflikteve të viteve 1990 – akuza që ai i mohonte. Por në një qytezë sinonim të përplasjes mes serbëve dhe shqiptarëve, shumë pak mendojnë se vrasja e Ivanovic ishte me motive etnike.

Në shumë deklarata publike, Ivanovic akuzoi elementët e krimit brenda komunitetit serb të Kosovës për kërcënimet e kryera në të shkuarën. Ai gjithashtu aludoi se ata kishin lidhje me partinë e mbështetur nga Beogradi në Kosovë. Kjo parti është Lista Serbe dhe Ivanovic ka qenë një kritik i ashpër i saj.

Arkiv: Oliver Ivanoviq

Policia ka cilësuar Milan Radoicicin, zëvendëspresident i Listës Serbe si i dyshuar në vrasje.  Radoicic, të cilin Ivanovic në një rast e cilësoi si njeriu real në pushtet në enklavat e drejtuara nga serbët në veri të Kosovës, është arratisur në Serbi dhe mbetet në ilegalitet. Ai mohon përfshirjen në vrasje.

Policia e Kosovës ndërkohë ka arrestuar dy oficerë serbë nga forca policore e integruar së fundmi e vendit dhe një anëtar të klubit të tifozëve të futbollit të Partizanit të Beogradit. Prokuroria Speciale e Kosovës deri tani nuk ka qenë në gjendje të identifikojë personin që tërhoqi këmbëzën.

Një vit pasi vrasja e Ivanovic tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare, një investigim i BIRN zbulon se krimi është vetëm maja e ajsbergut kur vjen puna të rastet e pazgjidhura të dhunës së dyshuar me motive politike brenda bashkësisë serbe të veriut të Kosovës.

Ndërsa vrasja hedh një grusht të fundit me dhè mbi përpjekjet e mbështetura nga BE për të normalizuar marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, BIRN mblodhi të dhëna për 64 sulme mbi serbët e Kosovës, përfshirë sulme me armë, granata, zjarr apo eksplozivë që nga viti 2014, kohë kur Lista Serbe fitoi në zgjedhjet vendore në komunat e drejtuara nga serbët.

Objektivat përfshijnë politikanë, anëtarë të policisë apo forcave të sigurisë, gazetarë, sipërmarrës, zyrtarë të institucioneve të shtetit dhe individë të njohur si mbështetës të pajtimit me shqiptarët etnikë.

Policia e Kosovës nuk trajton asnjë nga këto raste si dhunë etnike, duke nënkuptuar se nuk mendojnë se shqiptarët e Kosovës janë përgjegjës për sulmet.

 

 

Përveç vrasjes së Ivanovic dhe një tjetër politikani të opozitës katër vjet më herët, asnjë nga incidentet nuk ka qenë vdekjeprurës – megjithëse vendësit thonë se sulmet kanë rritur frikën në një pjesë të Kosovës të njohur prej kohës si terren pa ligj.

Dhuna ka tendencën të shtohet rreth kohës së zgjedhjeve vendore apo kombëtare, tregojnë të dhënat. Shumica e incidenteve përfshijnë shkatërrimin e makinave apo pronave dhe ndodhin natën vonë, duke i shtyrë ekspertët e krimit të spekulojnë se autorët e tyre mund të jenë më shumë të interesuar të japin një mesazh se sa të plagosin apo vrasin.

Deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, asnjë hetim i ngjarjeve të tilla nuk është zgjidhur me ngritje akuzash.

“Nuk jam i kënaqur,” thotë Shyqyri Syla, kryeprokuror i prokurorisë bazë në Mitrovicë për BIRN. “Ti e sheh se ka pasur raste që nga viti 2014 dhe askush nuk është identifikuar. Kanë kaluar katër vjet dhe sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet gjetja e fajtorëve.”

 

Gjetjet e BIRN janë rezultat i analizimit për gjashtë muaj të raporteve të medias vendëse dhe intervistave me banorë dhe zyrtarë.

BIRN i ka konfirmuar detajet e secilit rast me Drejtorinë e Veriut në Policinë e Kosovës, e cila ka stacione policore në komunat e drejtuar nga serbët, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zvecani dhe Leposavici.

Është e vështirë të bësh një krahasim me nivelin e krimeve para vitit 2014, viti kur forca policore e integruar e Kosovës u krijua në të gjithë territorin e vendit në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për t’i dhënë fund ndarjes etnike në Kosovë. Statistikat e sakta për enklavat e kontrolluara nga serbët thjeshtë nuk janë të disponueshme.

Por pyetur mbi bombat në makina dhe incidentet e tjera para vitit 2014, Departamenti për Krime të Rënda në Zyrën e Prokurorisë së Rajonit në Mitrovicë tha se policia pati hapur vetëm pesë hetime mbi çështje të tilla mes dhjetorit 2000 dhe dhjetorit 2013. (Që të gjitha mbeten çështje të pazgjidhura.)

 

Ndërsa nuk ka prova se vetë udhëheqësit e Listës Serbe po hedhin granata apo bomba molotov, kritikët e akuzojnë këtë parti për krijimin e një klime frike dhe kërcënuese që disa thonë është në nivelin e nxitjes së dhunës.

Ata gjithashtu thonë se Partia Progresiste Serbe (SNS) në Beograd është e lumtur ndezjen e mosmarrëveshjeve që disa thonë legjitimojnë sulmet në atë pjesë të Kosovës për prej kohës ka rezistuar përballë tendencës për integrim etnik.

“Unë nuk e di se si ta quash ndryshe këtë veçse një ‘krim i sponsorizuar nga shteti’ që po ndodh nën pretekstin e ruajtjes së një bashkësie serbësh në veri,” thotë Bojan Elek, një kërkues në Qendrën e Beogradit për Politika Sigurie, një organizatë studimore.

As Lista Serbe dhe as SNS nuk iu përgjigjën kërkesave për intervistë apo pyetjeve me shkrim mbi gjetjet e këtij investigimi.

Milena Ivanovic Popovic, bashkëshortja e politikanit të vrarë Oliver Ivanovic, shikon nga aparati fotografik në zyrat qendrore të qeverisë së Serbisë në Beograd. Foto: Stefan Milivojevic

Botë të ndara

Ura e Ibrit në qendër të Mitrovicës është një simbol jetëgjatë i armiqësive etnike të qytetit. Serbët jetojnë në veri, shqiptarët në jug. Lumi Ibër përbën një vijë ndarëse mes tyre.

Ura 30 metra e gjatë ishte pika kyçe famëkeqe gjatë dhe pas luftës së Kosovës në vitet 1990. Sot, ajo vijon të mbetet e mbyllur për trafikun. Por për këmbësorët, ajo ofron një mundësi të fortë për të parë këto dy botë të ndryshme dhe të ndara.

Në anën jugore, shitësit shqiptarë në tezga shesin flamuj shqiptarë dhe amerikanë. ATM-të shërbejnë për të tërhequr euro. Një xhami gjendet mbi një shesh tregu të zhurmshëm.

Në anën veriore, dyqanxhinjtë që flasin serbisht bëjnë pazar në dinarë ndërsa kambanat bien në kishat ortodokse. Tabelat janë shkruar në alfabet cirilik. Shumica e dyqaneve nuk pranojnë karta krediti dhe as nuk lëshojnë fatura, ndërsa disa prej makinave nuk kanë targa – shenja këto të gjitha të një paqartësie ligjore në enklavën e drejtuar nga serbët.

 

Tre blloqe në verilindje të urës gjendet zyra e partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, partia kryesore opozitare në Kosovën e veriut.

Ishte këtu vendi ku Oliver Ivanovic po përpiqej të ringjallte karrierën e tij politike, duke garuar për postin e kryebashkiakut të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet vendore në tetor 2017, pak muaj para se të vritej.

Ai sapo kishte dalë nga burgu pas tre vitesh në pritje të gjykimit për akuzat se kishte urdhëruar vrasjet e civilëve shqiptarë të Kosovës në prill 1999, kur ai ishte një nga “rojet e urës” së Mitrovicës, një term përdorur nga nacionalistët serbë që përpiqen të mbajnë shqiptarët etnikë jashtë gjysmës veriore të qytezës.

Një murale në gjysmën veriore të Mitrovicës glorifikon ushtarët serbë që luftuan nën flamurin e Jugosllavisë gjatë konfliktit në Kosovë më 1999. ‘Ia vlen të vdesësh për këtë vend,’ shkruan teksti me alfabet cirilik. Foto: Stefan Milivojevic

Në janar 2016, një gjykatë e drejtuar nga BE e pati dënuar atë me nëntë vite burg. Ivanovic apeloi, duke argumentuar se provat kundër tij ishin falsifikuar. Në shkurt 2017, një gjykatë në Prishtinë e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rigjykim, ndërkohë që e la të lirë në pritje të rigjykimit.

Ivanovic ishte një paradoks: një i akuzuar si kriminel lufte me një reputacion si politikan i moderuar; një kundërshtar i palëkundur i pavarësisë së Kosovës që fliste shqip rrjedhshëm dhe advokonte për bashkëjetesë paqësore me fqinjët e tij jo-serbë.

Pasi lëvizi për në politikën kombëtare pas ditëve të tij si “roje ure”, mendimet e tij duket se u zbutën. Ai u bë promovues i dialogut të pasluftës me shqiptarët, të cilët përbëjnë 91 për qind të popullsisë së Kosovës, sipas censusit të fundit.

Mes viteve 2008 dhe 2012, ai shërbeu si sekretar shteti për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ku farkëtoi një reputacion si njeriu me të cilin Prishtina mund të bashkëpunonte.

Për shkak se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, serbët e Kosovës në ish-provincën serbe mund të garojnë në zgjedhjet kombëtare të Serbisë.

Më 2012, Ivanovic krijoi partinë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, duke i nxitur serbët e Kosovës të ndihmojnë vetveten duke marrë vende pune në institucionet e Kosovës, përfshirë policinë dhe drejtësinë. Ai garoi për kryebashkiak në Mitrovicën e Veriut më 2013 por humbi përballë partisë së sapokrijuar Lista Serbe.

Makina e Oliver Ivanovic pjesërisht e djegur nga sulmues të panjohur në korrik 2017. Foto: KoSSev

Sulme të përsëritura

Ivanovic kishte marrë kërcënime të shumta.

Sulmues të panjohur ia hodhën makinën në erë dy herë, më 2005 dhe më 2017. Para zgjedhjeve vendore më 2013, zyra e partisë së tij u dogj, por askush nuk u lëndua, tha Ksenija Bozovic, zëvendëskryetare e partisë Liri, Demokraci, Drejtësi.

Disa muaj më vonë, një i paidentifikuar hyri me thyerje në shtëpinë e Ivanovic ndërkohë që ai nuk gjendej aty dhe kërcënoi bashkëshorten e tij, Milenën.

“Një njeri me maskë hyri në apartament dhe filloi të thyejë çdo gjë prej xhami,” rikujtoi ai. “Djali im [Bogdani], i cili ishte në atë kohë foshnjë, po flinte në dhomën ngjitur. Bogdani filloi të qajë dhe sulmuesi më goditi me shpullë në fytyrë e më tha: ‘Kjo është për burrin tënd,’ dhe pas kësaj iku.”

Policia nuk e kapi kurrë sulmuesin.

Ivanovic ia hodhi fajin serbëve të Kosovës, për të cilët tha se ishin të angazhuar në krim të organizuar dhe kishin lidhje me Listën Serbe.

“Është si të jetosh nën një juntë, por në vend të ushtarakëve, ne jemi duke u sunduar nga një bandë kriminale,” i tha ai BIRN pak para se të vritej. “Strukturat kriminale qëndrojnë pas qeverisë vendore dhe janë burimet e vërteta të pushtetit në Mitrovicë aktualisht, jo politikanët apo institucionet.”

Në intervistën e tij të fundit me BIRN para vdekjes, Ivanovic identifikoi Radoicic – në atë kohë një mbledhës borxhesh pak i njohur dhe pronar kamionësh – si figura kyçe në sistemin e pistë të pushtetit në pjesët e kontrolluara nga serbët në Kosovën e veriut.

“Qendra e pushtetit nuk është ndërtesa e komunës – për shkak se ndërtesa e komunës i përket kësaj qendrës tjetër informale të pushtetit,” tha Ivanovic.

Pas Lista Serve emëroi Radoicic si zëvendëspresident në verën e vitit 2018 – duke surprizuar shumë komentatorë që nuk kishin dëgjuar kurrë për të – media raportoi se ai kishte lidhje të ngushta me elitat politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, përfshirë presidentin e Serbisë Vucic dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj u përball me kritika në korrik pasi mikpriti Radoicic në zyrën e tij për një takim që një nga deputetët e opozitës, Armend Zemaj, e përshkroi si një “pritje solemne” për një “të dyshuar për krim të organizuar, zhvatje, dhunë dhe kërcënime të shtetasve në Mitrovicën e veriut.”

Rada Trajkovic, e cila drejton një organizatë joqeveritare me bazë në Beograd e quajtur Lëvizja Europiane për Serbët nga Kosova, i tha BIRN: “Kur unë flas me Haradinajn dhe ai thotë, ‘Ai [Radoicic] është njeriu që jep garanci për çdo gjë që ne biem dakord për veriun dhe që plotëson çdo gjë,’ ai do të thotë se ai ka mbështetjen e shtetit [serb] për të bërë gjëra në këtë mënyrë pa pasoja dhe për të përfunduar punët që funksionojnë për Vucicin dhe politikat e tij.”

Në nëntor, policia e Kosovës bastisi shtëpinë e Radoicic në lidhje me vrasjen e Ivanovic por ai i shpëtoi arrestit. Ai mbetet në Serbi, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Kosovën.

BIRN nuk ishte në gjendje ta kontaktonte atë për komente.

Pasi lajmi shpërtheu se Radoicic ishte i kërkuar nga policia e Kosovës, zyrtarë të lartë serbë e mbrojtën atë. Marko Djuric, drejtor për zyrën e qeverisë së Serbisë për Kosovën, e quajti atë “një patriot të madh”.

Presidenti Vucic i tha televizionit publik të Serbisë RTS: “Milan Radoicic nuk është vrasësi i Oliverit… njësitë speciale të policisë së Kosovës deshën ta vrisnin atë në një operacion arrestimi në mënyrë që t’ia hidhnin Beogradit fajin për vrasjen e Oliver Ivanovicit. Akuza të tilla do të dobësonin pozicionin negociues të Serbisë [në bisedimet që vijojnë në Bruksel me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve].”

Anëtarët e Listës Serbe u shfaqën gjithashtu në publik të veshur me bluza të bardha që tregonin hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe një foto të Radoicic krahas fjalëve “ne të gjithë jemi Milan”.

Në nëntor, policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar të tjerë: Dragisa Markovic dhe Nedeljko Spasojevic, që të dy anëtarë të forcës policore të Kosovës dhe Marko Rosic, një malazez i identifikuar si tifoz i skuadrës së futbollit të Partizanit të Beogradit.

Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës thotë në një dokument të parë nga BIRN se të arrestuarit – si dhe personat e shpallur në kërkim – janë të dyshuar se kanë ndihmuar në vrasje duke ofruar mjete apo duke fshehur prova.

Rada Trajkovic, kreu i Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, jep një intervistë në shtëpinë e saj në Beograd. Foto: Stefan Milivojevic

‘Një mesazh politik’

Përveç Ivanovic, edhe pesë politikanë të tjerë të opozitës së serbëve të Kosovës janë shënjestruar – disa më shumë se një herë – nga sulmues të paidentifikuar përgjatë katër viteve të fundit, tregon investigimi.

Dimitrije Janicijevic, 35, u vra me armë jashtë shtëpisë së tij në Mitrovicë më 12.20 të natës, më 16 janar 2014 – katër vjet para vrasjes së Ivanovic.

Janicijevic dhe Ivanovic ishin miq. Sipas të vesë së Ivanovicit, ky i fundit ishte kumbari i katër prej fëmijëve të Jancijevicit.

Njësoj si Ivanovic, Janivijevic ishte një kritik i Listës Serbe. Një anëtar i Këshillit të Komunës së Mitrovicës, ai po garonte për kryebashkiak në zgjedhjet vendore për Partinë Liberale të Pavarur në kohën kur u vra.

Sipas policisë, vrasësi hapi zjarr gjashtë herë me një pistoletë nëntë milimetërshe, duke goditur në shpatulla, kraharor dhe bark. Askush nuk është arrestuar për këtë vrasje.

Në incidente të ndryshme tre vjet më vonë, zyra e Mitrovicës për Partinë Demokratike të Serbisë (DSS), një parti opozitare në Serbi, u përfshi nga flakët.

Ajo i përkiste Slavisa Ristic, një ish-kryekomunar i Zubin Potokut i cili ka qenë deputet i parlamentit të Serbisë për DSS që nga viti 2016.

“Ne praktikisht sapo kishim hyrë në atë zyrë,” tha Ristic për BIRN në një intervistë në një kafe në Beograd, në anën tjetër të rrugës nga parlamenti. “Rreth një muaj më vonë ata e dogjën. Policia nuk bëri asgjë.”

Zjarri mbyti godinën më 7 shkurt 2017. Policia u thirr në ndërtesën gjashtëkatëshe në Mitrovicë, fare pranë bregut verior të lumit Ibër, më 3.35 të natës pasi banorët raportuan prani tymi, tha një zëdhënës i policisë.

Një banor i zonës rikujtoi se njerëzit në apartamentet mbi zyrën e DSS përdorën çarçafë të lidhur për të shpëtuar. Katër fëmijë përfunduan në spital për shkak të tymit, raportoi media.

Është e paqartë se kush e nisi zjarrin, por Ristic tha se ishte i sigurt se bëhej fjalë për zjarr të qëllimshëm. Kjo nuk ishte as hera e parë që prona e tij u shënjestrua.

Gjatë natës së 24 prillit 2016, ndërsa SNS po festonte fitoren më të madhe në zgjedhjet parlamentare në Serbi që kur zgjedhjet demokratike filluan në këtë vend në vitin 2000, Ristic po shikonte rezultatet në televizor në shtëpinë e tij në Zubin Potok.

“E gjithë familja ime ishte në shtëpi, edhe vëllai im, dhe ne po ndiqnim rezultatet e zgjedhjeve me mosbesim kur dëgjuam të shtënat  para shtëpisë,” tha ai.

“Ne të gjithë u shtrimë në dysheme, fëmijët dhe gruaja ime dhe pastaj pak minuta më vonë çdo gjë u qetësua, vëllai im dhe unë dolën në errësirë për të parë çfarë po ndodhte.”

Dikush hodhi në erë makinën e Dragisa Milovic, një mjek që po garonte për kryebashkiak në Zubin Potik në korrik 2017. Foto: Beta/Ivan Radulovic

Ata panë dritare të thyera ndërsa muri i jashtëm i shtëpisë ishte i goditur nga plumbat. Ditën tjetër, bashkëshortja e tij gjeti një bombë të pashpërthyer në bar.

Për Ristic, nuk ka dyshim se sulmuesit ishin serbë të Kosovës dhe jo shqiptarë.

“Shqiptarët po sulmojnë serbët në enklavat në jug [të Kosovës], por në veri, unë besoj se këto sulme janë të lidhura me Listën e Serbëve, për shkak se ato ndodhin vetëm ndaj njerëzve që nuk i  binden vijës së partisë,” tha ai.

Media vendëse ka raportuar raste të shqiptarëve të Kosovës që sulmojnë pelegrinët serbë gjatë udhëtimit të tyre në kishat ortodokse në disa pjesë të Kosovës në jug në Lumit Ibër.

Në korrik 2017 në Kosovën e veriut, dikush hodhi në erë makinën që i përkiste Dragisa Milovicit, një mjek që garonte për kryebashkiak në Zubin Potok në zgjedhjet vendore të atij viti.

Megjithëse nga një parti e ndryshme, Milovic pati hyrë në një aleancë informale me Ivanovicin kundër Listës Serbe.

“Atë mëngjes unë isha i tronditur dhe po kështu edhe familja ime,” i tha Milovic BIRN në një intervistë në Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës, ku ai punon si kirurg ortoped. “Ishte e qartë për mua se ky ishte një kërcënim, një mesazh politik.”

Pyetur se cili ishte ky mesazh, Milovic tha: “Kishte vetëm një qëllim, që Lista Serbe të fitonte. Mesazhi për mua ishte që të tërhiqesha nga zgjedhjet dhe që njerëzit të mos votonin për mua.”

Dragan Jablanovic, një ish-anëtar i Listës Serbe i cili u bë një politikan i pavarur, ishte kryebashkiak i Leposavicit kur shtëpia e tij u sulmua me zjarr në tetor 2015. Askush nuk u dëmtua. Në maj 2017, dikush hapi zjarr me armë ndaj ndërtesës ku mblidhej kabineti i tij.

Ndërkohë, një sulmues i paidentifikuar hodhi një bombë në shtëpinë e Drazen Stojkovic, president i bordit bashkiak të Partisë Popullore Serbe në Mitrovicë, rreth orës 9 të mbrëmjes në dhjetor 2016, duke dëmtuar pjesën e jashtme.

Nebojsa Vlajic, mik dhe avokat i Ivanovic, foli haptazi mbi dhunën. “Kështu janë gjërat këtu: një mënyrë për të luftuar kundërshtarin është të thuash, ‘le t’i hedhim një bombë,'” tha ai.

Janjic nga Forumi për Marrëdhënie Etnike tha se sulmet me bombë në Kosovën e veriut ishin kaq të zakonshme sa njerëzit janë mësuar me to, aq sa harrojnë se këto janë, sipas tij, “akte terrorizmi”.

“Këto bëhen mënyra për të vendosur rregulla kur nuk ka sundim të ligjit,” tha ai.

Janjic shtoi se eksplozivët e parapëlqyer në Kosovën veriore duket se janë granata dore të kohës jugosllave dhe “bomba me shishe” të prodhuara në shtëpi, apo bomba Molotov.

“Kjo [bomba molotov] është paralajmëruese,” tha ai.

Nebojsa Vlajic, mik dhe avokat politikanit të vrarë Oliver Ivanovic, diskuton dhunën në Kosovën veriore në zyrën e tij në Mitrovicë. Foto: Stefan Milivojevic

‘Model frikësimi’

Të gjithë politikanët e intervistuar nga BIRN thanë se ata besonin se ishin shënjestruar për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj Listës së Serbëve – dhe për rrjedhojë, SNS-së së Beogradit.

Lista Serbe garoi fillimisht në zgjedhjet vendore në Kosovë që vijuan nga fundi i vitit 2013 deri në fillim të vitit 2014, rreth dy vjet pasi SNS mori nën kontroll pushtetin në Serbi.

Kjo parti është aktualisht pjesë e një koalicioni qeverisës në Prishtinë. Duke pasur nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për serbët e Kosovës në një parlament me 120 deputetë, Lista Serbe ka edhe tre ministra në qeveri.

Së paku në letër, si Lista Serbe ashtu edhe SNS janë të angazhuara për premtimet e bëra në marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në Bruksel për të integruar institucionet paralele të shtetit në Kosovë dhe për t’u përpjekur në heqjen e pengesave në normalizimin e marrëdhënieve.

Por asnjëra nga këto dy parti nuk e  njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe shumica e retorikës së tyre publike bie në kundërshtim me politikën zyrtare të procesit politik të mbështetur nga BE, thonë vëzhguesit.

Analistët thonë se Lista Serbe dhe SNS janë të palumtura me mungesën e progresit drejt krijimit të asosacionit të komunave serbe për të përfaqësuar interesat e serbëve në Kosovë, një pjesë e marrëveshjes së Brukselit që kundërshtohet ashpër nga ligjvënësit e Kosovës.

Në faqen e vet të internetit, Lista Serbe e prezanton veten si partia e vetme e serbëve të Kosovës që mbështetet nga qeveria e Serbisë. Dhe natyrisht, SNS i dha kësaj partie mbështetje ekskluzive para zgjedhjeve vendore të vitit 2017.

“Fitorja e Listës Serve është me rëndësi kombëtare dhe thelbësore për serbët në Kosovë,” deklaroi Darko Glusic, kreu i bordit ekzekutiv të SNS-së, në një takim me kandidatët e Listës Serve për këshillat vendore ndërkohë që udhëtonte në Zvecan në tetor të atij viti.

Duke i bërë thirrje serbëve të dilnin për të votuar për partinë, Aleksandar Vulin, ministër i mbrojtjes i Serbisë dhe ish-kreu i zyrës së Kosovës, tha: “Ata e dinë mirë se Lista Serbe ka lidhje me qeverinë e Serbisë.”

Djuric, drejtori aktual i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha para një mitingu parazgjedhor në Zvecan: “Lista Serbe është e vetmja lidhje e popullit në Kosovë me Serbinë.”

Media pro-SNS në Serbi dhe Kosovë nisi gjithashtu fushata kundër udhëheqësve të opozitës, të cilat kritikët i dënojnë si të pista.

Një ditë para se të hapeshin kutitë e votimit, TV Pink në Serbi dhe TV Most në Kosovë transmetuan një reklamë politike njëminutëshe çdo orë – duke treguar fytyrën e Ivanovic të mbivendosur në një flamur të Shqipërisë. Narratori thoshte se ai përfaqësonte “njerëzit që tradhtuan besimin tonë, njerëzit që kanë mbështetjen e Prishtinës”.

Pesë organizata të lirisë së medias në Serbi publikuan një deklaratë të përbashkët ku dënonin ashpër reklamën, duke e quajtur atë “një dhunim të egër të standardeve gazetareske dhe kodeve, por edhe dhunim të ligjit elektoral”.

Në fund, Lista Serbe fitoi në masë në të dhjetë komunat ku serbët janë shumicë. Në Mitrovicë Veri, kandidati i tyre për kryebashkiak, Goran Rakic, mori rreth 67 për qind të votave, në krahasim me vetëm 19 për qind të Ivanovic.

“Mjedisi i fushatës për raundin e parë të zgjedhjeve u shënua nga një model frikësimesh brenda bashkësive të serbëve të Kosovës, duke shënjestruar entet politike jashtë Listës së Serbisë dhe votuesve,” shkruan monitoruesit e zgjedhjeve të BE-së në një raport në shkurt 2018.

Ata shtuan: “Para se të niste zyrtarisht fushata elektorale, incidente të dhunshme ndodhën, përfshirë djegien e makinave të dy kandidatëve opozitarë për kryetarë komunash. Institucionet që funksionojnë nën ‘sistemin serb’ që operon në Kosovë u përfshinë në presion të bërë ndaj kandidatëve jo të Listës së Serbëve dhe familjeve të tyre, në disa raste të raportuara të pushimit të tyre nga puna.”

Pamja e jashtme e djegur e një ndërtese në Mitrovicë tregon përmasat e zjarrit që ra në zyrën e Slavica Ristic, një deputet i opozitës nga serbët e Kosovës në parlamentin e Serbisë. Foto: Stefan Milivojevic

‘T’ia thyejmë kockat’

Krahas politikanëve, shumë nga sulmet e identifikuara nga BIRN duket se janë organizuar kundër biznesmenëve të serbëve të Kosovës, zyrtarëve apo individëve që kanë refuzuar të bojkotojnë institucionet e Kosovës.

Pjesa e jashtme e kafenesë Dolce Vita në Mitrovicë u dogj në një zjarr në gusht 2016 pasi Ministri i Kosovës për Dialog Edita Tahiri piu një kafe atje. Pak muaj më vonë, hoteli Sasa në qytet u bë pre e një sulmi me bombë pasi Tahiri e vizitoi atë.

Kod Drazevica, një restorant serbësh në liqenin Gazivoda pranë kufirit të Kosovës me Serbinë u sulmua me zjarr pasi presidenti i Kosovës Thaçi shkoi atje në shtator 2018.

Oficerët serbë të policisë së Kosovës janë shënjestruar gjithashtu. Përgjatë katër viteve të fundit, dhjetë prej tyre u janë djegur makinat ndërsa tre kanë pësuar sulme me bomba në shtëpi, zbuloi investigimi i BIRN.

Të gjitha viktimat ishin anëtarë të forcës policore të sapointegruar të Kosovës, krijuar më 2014 sipas kushteve të marrëveshjes së Brukselit.

Rreth 280 serbë të Kosovës kaluan kontrollet e sigurisë atë vit për t’u bashkuar me policinë e Kosovës, sipas Hotit. Nga ai moment e më pas, ata janë bërë efektivisht objektiva të sulmeve, tha ai.

Në disa raste, ata janë shënjestruar “për shkak se bënë punën e tyre siç duhet,” tha prokurori Syla, duke cituar shembullin e dy oficerëve që iu dogjën makinat pasi hetuan një rast trafiku droge nga gangsterë serbë të Kosovës.

“Në disa raste nuk është në interesin e njerëzve të caktuar që një çështje të hetohet,” tha ai. “Ata që bënë shumicën e punës u shënjestruan me djegie makinash.”

Ndërkohë zjarrvënie pati edhe ndaj makinave të dy anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (KSF) nga serbët e Kosovës, tregoi investigimi.

KSF është një forcë ushtarake e debatuar, mandati i së cilës është i kufizuar në reagimin ndaj situatave të krizave. Ajo u krijua më 2009 nga një plan i mbështetur nga OKB që parashikonte transformimin e saj në ushtri të rregullt pas pesë vitesh. Që nga viti 2014, Prishtina e ka mbështetur një ndryshim të tillë, ndërsa Serbia e kundërshton ashpër.

Nga 137 serbë të Kosovës që janë bashkuar me KSF deri në fund të vitit 2018, rreth gjysma e tyre, – 71 – kanë kërkuar të tërhiqen, sipas zëvendësministrit të KSD Agim Çeku.

“Ata ishin nën presion nga Serbia,” tha Çeku për BIRN në një intervistë në Prishtinë. “Ata morën mesazhe anonime, familjet e tyre u kërcënuan dhe ata ngacmoheshin kur kalonin kufirin për në Serbi.”

Në janar 2018, komiteti komunal i Listës Serbe në Zubin Potok publikoi një deklaratë ku shpalleshin armiq rekrutët.

“Të gjithë ata që përpiqen të gjejnë të ardhme në institucionin e “Ushtrisë së Kosovës” do të përballen me bojkot të ashpër nga bashkësia serbe,” shkroi komiteti.

Më pak se një muaj më vonë, fletushka u shfaqën në të gjithë Zubin Potokut të vendosura te fshirëset e xhamave të makinave apo të ngjitura nëpër hyrjet e ndërtesave publike.

Të firmosura nga “Ushtria e Veriut”, fletushkat rendisnin emrat e shtatë serbëve të Kosovës të akuzuar se ishin bashkuar me KSF, i quanin ata “tradhtarë” dhe kërcënonin se nuk do të lejoheshin të punonin në Zubin Potok.

“Do t’ia thyejmë kockat,” shkruhej aty duke shtuar: “Patriotët serbë betohen solemnisht se do ta ndalojmë këtë me jetët tona.”

Zyra e Kosovës në Beograd i vuri kapakun armiqësisë në prill 2018 kur drejtori Djuric tha në televizion kombëtar se çdo serb që bashkohet me KSF do të dënohet me deri 10 vjet burg për bashkimin me një ushtri të huaj.

Shyqyri Syla, kryeprokuror në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Mitrovicë, thotë se shumë viktima nuk dëshmojnë për shkak të frikës. Foto: Stefan Milivojevic

Frikë nga hakmarrja

Prokurorët konfirmuan se deri në janar 2019, askush nuk është dërguar në gjyq për asnjë nga 64 sulmet e identifikuara nga BIRN.

“Për ne krimet më të vështira për t’u zgjidhur janë shpërthimet e makinave,” tha Besim Hoti, zëvendëskomandant rajoni në policinë e Kosovës për Mitrovicën e veriut. “Nuk ka gjurmë dhe shtetasit nuk raportojnë në polici çfarë dinë për shkak se kanë frikë.”

Hoti tha se ai mendonte se numri i njerëzve përgjegjës për sulmet është relativisht i vogël.

“Nuk është se janë 200 njerëz që po e bëjnë këtë. Janë dy apo tre grupe që po vendosin bomba nën makina.”

Shumë nga viktimat nuk kanë dëshirë të flasin nga frika e hakmarrjeve, tha Syla, kryeprokurori i Prokurorisë Bazë në Mitrovicë.

“Mund të them se janë më të frikësuar për jetët e tyre, se dikush mund të zbulojë se kanë dëshmuar, më shumë se sa nuk kanë besim te policia,” tha ai. “Ata nuk dëshmojnë për shkak të frikës.”

Duke refuzuar të identifikohet, një biznesmen prona e të cilit u sulmua dy herë më bomba tha: “Unë nuk i besoj më askujt. Unë nuk mundem dhe nuk do të flas më për të. Unë jetoj këtu. Unë kam një familje.”

Një vrimë plumbi shihet në dritaren e selisë së një mediaje të pavarur, KoSsev, në Mitrovicë. Foto: Stefan Milivojevic

Një natë në qershor 2015, dikush hapi zjarr me armë shtatë herë në drejtim të dritareve të zyrës së një faqeje interneti të pavarur në Mitrovicë të quajtur KoSSEV. Askush nuk ishte në zyrë në kohën e sulmit. Vizitorët mundet të vijojnë të shohin vrimat e plumbave në xham dhe shenjat e punës së policisë shkencore.

“Ne jetojmë në një vend të rrezikshëm dhe ajo që më frikëson më shumë është që sulmuesit nuk gjenden kurrë,” tha për BIRN Tanja Lazarevic, kryeredaktorja e KoSSev.

Pesë muaj më vonë, një natë nëntori rreth orës 2, sulmuesit hodhën në erë një makinë që i përkiste gazetares së Kossev Nevenka Medic.

“Unë nuk mund të jap asnjë arsye të veçantë se pse kjo ka ndodhur, por fakti është se para dhe pas kësaj, çdo gjë që bie ndesh me opinionin zyrtar të fuqive vendore dhe politikanëve ndëshkohet në këtë qytet,” tha Medic.

Elek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë përshkroi pjesët e Kosovës së veriut si një zonë pa ligj që kontrollohen nga struktura të stilit mafioz.

“Në njërën anë, duket se Prishtina nuk ka vullnetin apo mënyrën për të kontrolluar veriun veçse përmes institucioneve [që janë në proces drejt integrimit],” tha ai. “Nga ana tjetër, Beogradi ka interes për t’i mbajtur gjërat siç janë.”

Analistët thonë se një shtet kaosi të kontrolluar në Kosovë mund të fuqizojë dorën e Serbisë në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës – dhe të ndihmojë Serbinë të kontrollojë enklavat e dominuara nga serbët edhe nëse Beogradi detyrohet para presionit ndërkombëtar të njohë pavarësinë e Kosovës.

Disa politikanë në Serbi dhe Kosovë kanë ngritur jozyrtarisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve – duke shkëmbyer zonat me shumicë shqiptare në Serbinë e jugut me ato me shumicë serbe në Kosovën e veriut.

“Mendoj se Beogradi është i vetëdijshëm se duhet të njohë Kosovën,” tha Elek. “Por është duke kërkuar të marrë diçka nga procesi i negocimit në mënyrë që kjo njohje të pranohet më lehtë nga shtetasit e Serbisë, në kuptimin që ata të mund të thonë: ‘Ne nuk e humbëm të gjithë Kosovën. Ne morëm veriun.'”

Pas në Beograd, një vit pas vrasjes së bashkëshortit të saj, Milena Ivanovic Popovic është ende duke pritur të dijë se kush e la djalin e saj shtatëvjeçar pa baba.

“Nuk mundem të humbas shpresën,” tha ajo. “Oliveri e meriton – ne të gjithë e meritojmë – të dijmë se kush fshihet pas kësaj vrasjeje, kush e urdhëroi atë. Mendoj se për çdo njeri të ndershëm në Serbi kjo është e rëndësishme.”

Lidhje kontroverse

Milan Radoicic, zëvendëspresident i Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës të mbështetur nga Beogradi, kërkohet nga policia e Kosovës në lidhje me vrasjen e politikanit të opozitës së serbëve të Kosovës Oliver Ivanovic. Ai mohon të ketë lidhje me vrasjen dhe është në arrati në Serbi.

Dokumente gjyqësore të marra nga BIRN tregojnë se Radoicic ka shumë probleme në të shkuarën me ligjin.

Më 2010, Gjykata e Shkallës së Parë në Rashkë, një qytezë e vogël në Serbinë e jugut në kufi me Kosovën, e dënoi atë për falsifikimin e një karte identiteti. Gjykata i dha atij dënim me kusht për tre muaj burg në rast se kryente një krim tjetër brenda një viti.

Milan Radoicic, zëvendëspresident i Listës Serbe takohet me kryeministrin e Kosvës Ramush Haradinaj në korrik 2018. Foto: Zyra e Kryeministrit të KosovësVitin që pasoi, Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Beograd e akuzoi Radoicic për përvetësimin e paligjshëm të 32 kamionëve që ai i kishte marrë me qira dhe i kishte dërguar në Kosovë. Departamenti Special për Krimin e Organizuar në Gjykatën e Lartë të Beogradit e shpalli atë të pafajshëm.

Më 2013, prokurorët në qytetin jugor të Serbisë, Pirot, e akuzuan atë për përfitimin e paligjshëm nga punë ndërtimore në një projekt autostrade në Serbi, ku ai kishte gërmuar për zhavorr pa lejen përkatëse nga ministria e minierave.

Sërish, ai u shpall i pafajshëm, këtë herë nga Gjykata e Lartë e Pirot.

 

Andjela Milivojevic është gazetare investigative në Serbi. Redaktimi është nga Timothy Large. Ky artikull i realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.