Biznesi i Drejtorit Në Ndërmarrjen Shoqërore Të Pakontrolluar

Në pjesën e prapme të Auto Prishtinës, ndërmarrjes së njohur në vitet e 90-të për servisim e shitje automjetesh, në anën verilindore, është pozicionuar biznesi privat i Islam Selimit, “Interline Rent a Car”

Selimi hapi biznesin e tij privat pikërisht në tokën e ndërmarrjes shoqërore Auto Prishtina, ku mban pozitën e drejtorit.

Përveç kompanisë së  tij, në hapësirën e ndërmarrjes shoqërore, shtrihen edhe biznese tjera që përfshijnë kontrollim automjetesh, marrje të tyre me qira, e lokale nate.

Ngjitas me diskotekë gjendet edhe një xhami. Të gjitha bizneset që gjenden te rrethi kryesor në Prishtinë menaxhohen nga drejtori Islam Selimi.

Përveç këtyre biznesve, një pjesë e hapësirës së “Auto Prishtinës”, zotërohet paligjshëm nga “Hotel Victory”, në pronësi të Bedri Selmanit që mbajti pozitë të rëndësishme afër kryeministrit Hashim Thaçi.

Ndërkohë biznesi  që figuron në pronësi të Islam Selimit, Interline Rent a Car, ka për datë të konstituimit në regjistrin e bizneseve 19 shtatorin e këtij viti dhe ka nisur të funksionojë prej kësaj kohe në hapësirën e ndërmarrjes shoqërore. (shih të dhënat e ARBK-së)

Aty gjenden vetura të parkura që jepen me qira, duke përfshirë dhe një limuzinë që përdoret kryesisht për dasma e ahengje të ndryshme.

“E kam nisur para një muaji e gjysmë këtë biznes timin. Janë 6 vetura që jepen me qira. Kontrata është nënshkruar mes Auto Prishtinës dhe kushëririt tim Safet Selimit”, thotë Islam Selimi.

Safet Selimi, kushëriri i drejtorit, nuk deshi të komentojë kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Unë jam thjesht punëtor këtu”, deklaroi ai.

Ndërkohë, sipas  Islam Selimit, kontrata mes palëve-Auto Prishtinës që përfaqësohet nga ai dhe kushëriri  i tij, parasheh që të paguhen 250 euro në muaj për shfrytëzimin e hapësirës.

Ai thotë se ndërmarrja po përpiqet të mbijetojë nga qiratë që po paguajnë bizneset që operojnë në pronën  e saj.

“Të hyrat totale të Auto Prishtinës nga qiratë nuk kalojnë 3 mijë eurot. Operojmë vetëm sa për të mbetur gjallë dhe për të shpëtuar pjesën e mbetur nga uzurpimi”, thotë Selimi.

Biznesi operon pa lejen e AKP-së

Por, numri i telefonit i publikuar në reklamën njoftuese në hyrje të hapësirës së biznesit Interline Rent a Car, është i njëjti që e përdor Islam Selimi kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Islam Selimi thotë se po bën biznes në pronën e ndërmarrjes shoqërore që drejtohet nga ai, por se për këtë po paguan qira.

“Gjithçka është e rregulluar me dokumente dhe nuk ka probleme këtu”, thotë ai.

Selimi thotë se për kontratat në shuma të vogla të qiradhënies, nuk ka nevojë të merret miratimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Për shumat deri në 5 mijë euro duhet me u konsultu me AKP-në. Ne nuk e kemi arritur atë shumë në këtë rast”, deklaroi Selimi.

Por, Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se Bordi i Drejtorëve duhet të aprovojë të gjitha kontratat e qirave.

“Të gjitha kontratat e qirave duhet aprovuar nga BD-ja dhe nënshkruhen nga drejtori menaxhues i AKP-së, normalisht pasi të jenë përfillur procedurat e parapara me ligj dhe politikat operacionale të AKP-së”, thotë Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP.

Islam Selimi,  që drejton ndërmarrjen shoqërore të njohur në vitet e 90-ta për shitje e servisim të automjeteve Zastava, Iveco, Magirus e Opel, është vëllai i deputetit Rexhep Selimi të lëvizjës “Vetëvendosje”.

“Nuk jam përgjegjës për veprimet e vëllait, sepse është në moshë madhore dhe është përgjegjës për veprimet e tij”, thotë Selimi.

Deputeti shtoi se beson se nuk ka diçka të paligjshme në biznesin e vëllait.

“Megjithatë, verifikojeni e denoncojeni nëse keni fakte”, thotë Selimi.

Shteti nuk ushtron kontroll mbi ndërmarrjën shoqërore

Biznesi i Selimit operon në tokën e ndërmarrjes shoqërore që nuk ka xhirollogari të hapur bankare.

Administrata Tatimore nuk dha një përgjigje, kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë nëse kishte informacion për pranimin e pagesave në mënyrë joformale, nga një ndërmarrje në pronësi shoqërore.

Ndërmarrjet biznesore – private e shoqërore që kanë afarizëm, obligohen  nga ATK-ja që të kenë të hapur xhirollogari bankare.

Nëpërmjet llogarive bankare duhet të paguhet tatimi në fitim dhe në të ardhura përsonale si dhe kontributet pensionale.

Islam Selimi thotë se ndërmarrjes shoqërore nuk iu lejua që të hapë xhirollogari bankare.

“Duke qenë se ndërmarrja është në një kontest të gjatë gjyqësor me Bedri Selmanin, ka qenë e pamundur që të kemi një xhirollogari bankare”, thotë Selimi. Sipas tij ndërmarrja nuk ka poseduar xhirollogari që prej përfundimit të luftës më 1999.

Për kontestin e zgjatur gjyqësor mes palëve, në janar të vitit 2013 Kushtetuesja konstatoi se biznesmenit Selmani nuk i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë nga gjykatat e rregullta.

Gjykatat nuk i kishin dhënë të drejtë Selmanit në pretendimet e tij për shfrytëzimin e pronës shoqërore.

Ndërkohë, Selimi thotë se AKP-ja asnjëherë nuk ka kërkuar nga Auto Prishtina që të hapë xhirollogari bankare.

Por sipas Ylli Kaloshit, zyrtarit për informim të AKP-së, ndërmarrja obligohet që të hapë xhirollogari bankare.

“Në rastet kur NSH-të operojnë, përkatësisht kanë menaxhment aktiv, qiratë duhet paguar në llogarinë bankare të NSH-së. Në rastin konkret, menaxhmenti i NSH Auto Prishtina nuk ka qenë çdo herë korrekt dhe i saktë me udhëzimet që i janë dhënë nga AKP-ja”, thotë Kaloshi.

“Është e vërtetë se AKP-ja ka pasur kokëçarje me menaxhmentin e kësaj NSH-je lidhur me raportimin e veprimtarisë që zhvillohet aktualisht”, shton ai.

Sipas tij, menaxhmentit të ndërmarrjes i është dhënë vërejtje dhe i është bërë me dije se nëse nuk përfillen udhëzimet e dhëna, ndaj saj do të ndërmerren veprime dhe masat e caktuara siç janë paraparë me ligj.

Hapësira e ndërmarrjes shoqërore sipas AKP-së është 1 hektar e 61 arë. Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka bërë raport monitorimi për këtë ndërmarrje.

Një raport monitorimi, ose një vlerësim i aseteve të kësaj ndërmarrjeje nuk është bërë asnjëherë nga Agjencia e Privatizimit.

“AKP-ja nuk ka bërë raport monitorimi lidhur me NSH “Auto Prishtina” ngase Ndërmarrja Shoqërore ‘Auto Prishtina’ është e uzurpuar dhe nuk është e komercializuar”, deklaroi Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP, në janar të vitit 2012.

Sipas tij gjendja ende ka mbetur e pandryshuar, pasi që menaxhmenti nuk përfill udhëzimet për raportime në AKP.