Asnjë bukë e testuar për më shumë se dy vjet

Janë bërë dy vite që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk ka bërë kërkesa për analiza në bukë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), që është kompetent për të kryer analiza të aditivëve në bukë, nuk ka pasur kërkesa që dy vite për t’u bërë një gjë e tillë.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, ka thënë për KALLXO.com se në vitin 2020 janë bërë kontrolle në 178 furra.

I pyetur se pse nuk pasur kërkesa në IKShPK për t’u kryer analiza të aditivëve në bukë, ai tha se kjo bazohet në importin që hyn në Kosovë.

“Po është shumë e vërtetë. Ne vlerësojmë çështjen e potencialit dhe kur e shohim se të gjithë këta aditivë të cilët futën në Kosovë, të cilët i kemi në listë, të gjitha këta aditivë nuk kanë ndonjë lëvizje të aditivëve të cilët mund të jenë potencial i rrezikut apo mund të kenë efekte të dëmshme të cilët janë futur në rrugë tjera apo rrugë legale”, tha Tërshnjaku.

Sa i përket aditivëve që futen në Kosovë, Tërshnjaku ka thënë se janë brenda standardeve dhe normave dhe kanë leje nga autoritetet ndërkombëtare.

Mundësia që bukëpjekësi të tejkalojë normën e caktuar të parimit të QuantumSatis, mund të ekzistojë.

Në lidhje me këtë, kryeinspektori ka thënë se përdorimi i normës së tejkaluar është i dëmshëm.

Por, në bazë të rezultateve të analizave sipas AUV-it, të gjithë prodhuesit e bukës dhe pjekurinave përdorin aditiv në norma të caktuara në parimin e thënë Quantum Satis.

I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Ergyl Binçe, nga Departamenti i Ekologjisë Humane në IKShPK ka thënë se nër dy-tri vitet e fundit ka ardhur vetëm një bukë për analiza.

“Para katër ose pesë vjetësh na kanë ardhur sasi e konsiderueshme e bukës për analizë prej furrave të bukës. Ka ekzistuar një plan nacional që është bërë në AUV ku është sjellë buka në formë të rregullt dhe është kontrolluar. Por për dy-tre vjet e fundit ndoshta ka ardhur vetëm një bukë”, është shprehur ai.

Binçe ka thënë që bëjnë analiza prej mostrave që sjell Inspektorati dhe gjatë dy vjetëve nuk ka pasur asnjë mostër.

Në emision i ftuar ishte edhe zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili u shpreh që përdorimi i aditivëve në bukë nuk ka limit dhe mund të vendoset sipas recetës së furrës.

Por, sipas Rregullores për Aditivët Ushqimorë, Quantumsatis është sasi e dëshiruar që nënkupton se nuk është përcaktuar ndonjë vlerë më e lartë numerike.

Në Rregullore shkruan se aditivët përdoren në pajtim me praktikat e mira të prodhimit në sasi e cila nuk është më e lartë nga ajo e nevojshme për arritjen e qëllimit, me kusht që kjo të mos shkaktojë huti për konsumatorin.

Në lidhje me mosdërgim të asnjë mostre gjatë dy viteve në IKShPK, Thaçi tha se nuk është e nevojshme të shpenzohet buxhet shtetëror.

“Pse ne të shpenzojmë buxhet shtetëror dhe pse ne të shpenzojmë energji të inspektorëve për të matur një parametër i cili me rregullore nuk ka limit”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa, në dilemën se a është buka e zezë e ngjyrosur apo jo, Thaçi tha se nuk mundet një bukë të ngjyroset.

Mirëpo, Binçe nga IKShPK tha se ka raste kur buka është e ngjyrosur.

“Buka që reklamohet dhe të cilën kur e kthen të shtëpia ke me gjet erën dhe krejt ato tjerat që janë në një bukë të zezë, do të shihet vetëm ngjyra e saj dhe asgjë tjetër”, është shprehur ai.

Mirëpo, sa i përket mundësisë së importit të jashtëligjshëm ku mund të futen në Kosovë aditivë të cilët nuk i përkasin normës së caktuar, nga AUV thonë se nuk është kjo përgjegjësi e tyre.

Thaçi tha se Inspektorati bën kontrolle të ndryshme çdo vit në furrat e Kosovës.

“Të gjitha furrat në Kosovë kontrollohen në bazë të Planit Nacional Kombëtar. Në bëjmë kontrolle çdo vit, çdo muaj dhe çdo javë. Fillimisht kontrollohet aspekti teknik, sanitar dhe higjenik i një furre. Ne përmes Inspektoratit fitosanitar kontrollojmë miellin”, është shprehur ai.

Në Rregulloren për Aditivë shkruan se asnjë person juridik apo fizik nuk lejohet të vendos në treg aditiv ku përdorimi i të cilit nuk është në pajtim me dispozitat e kësaj rregullore.

“Vetëm aditivët e përfshirë në Listat e aditivëve të përcaktuara me këte Rregullore lejohen të përdoren dhe të importohen në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, ku edhe duhet të dërgohen mostrat për analiza, ka një kapacitet të laboratorit prej 20 mostrave në ditë dhe përdorë metodën kromatografike sipas standardeve ISO.