Asamblistja e Gjen Veten në Konflikt Interesi

Këshilltarja në Kuvendin Komunal të Therandës – Suharekës – nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nadire Hoxha, ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, pasi ajo mban dy pozita.

Hoxha është njëkohësisht këshilltare komunale dhe avokate e regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit neni 16, pika 2 përcakton se “zyrtari i lartë publik nuk mund të ushtrojë veprimtari private si të avokatisë, noterisë, ekspert të licencuar, konsulent, agjent apo përfaqësues të organizatave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni”.

Gazeta JNK, ka parë edhe vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ku thuhet se këshilltarja komunale Nadire Hoxha, gjendet në konflikt interesi, pasi që njëkohësisht është edhe këshilltare në Kuvendin Komunal të Therandës edhe avokate e regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Rasti për hetimin e gjendjes është iniciuar nga AKK-ja.

“Agjencia Kundër Korrupsionit, e ka kontaktuar Hoxhën dhe i ka bërë me dije se nuk mund t’i ushtrojë funksionet e avokates dhe këshilltares komunale, sepse bie në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Bazuar në këtë vendim, AKK-ja ka kërkuar fillimin e procedurës për shkarkimin e zyrtares e gjithashtu ka kërkuar edhe inicimin e procedurës për kundërvajtje nga gjykata.

Komuna e Suharekës | Foto: KALLXO.com

Asamblistja u paralajmërua

AKK-ja e kishte njoftuar Hoxhën për fillimin e procedurës duke qenë se ajo nuk mund t’i ushtronte të dyja funksionet dhe duhet të zgjidhte njërin prej tyre.

Ky institucion i kishte dhënë asaj edhe një afat shtesë ligjor për të shmangur këtë gjendje, por ajo nuk e përfilli afatin dhe nuk ndërmori asnjë veprim për t’u larguar nga ushtrimi i ndonjërit nga funksionet.

Vetë Nadire Hoxha konfirmoi për Gazetën JNK se është informuar nga AKK-ja se janë duke e shqyrtuar rastin e saj, por tha se nuk është informuar ende lidhur me vendimin e AKK-së.

Vendimi në fjalë është publikuar në faqen e këtij institucioni që nga data 4 shkurt 2016.

Hoxha, e cila me profesion është avokate tha se nuk e ka ditur se mbajtja e këtyre dy pozitave përbën konflikt interesi, madje ajo u ankua se nuk ia kanë treguar këtë në fillim të mandatit.

“Ende nuk e kam pranuar atë vendim unë. AKK-ja më ka tregu që është tu u shqyrtu se a ka konflikt interesi mirëpo, ende nuk kam ndonjë informatë se a është bërë ndonjë veprim. Deri tash qe dy vite nuk kam qenë e informuar”, tha ajo.

Hoxha, tregon se problem me mbajtjen e dy pozitave kishte pasur edhe në të kaluarën kur kishte punuar në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ajo tha se ishte detyruar që ta pezullojë pozitën në ministri në mënyrë që të hapë avokaturën e saj.

Hoxha tha se pozitën e avokatit e ka marrë pasi që e ka marrë pozitën në asamble.

Asamblistja dhe avokatja Nadire Hoxha | Foto: Facebook
Asamblistja dhe avokatja Nadire Hoxha | Foto: Facebook

Oda e Avokatëve nuk sheh problem

Madje, ajo tha se i ka njoftuar me kohë Odën e Avokatëve dhe ka deklaruar që mban dy pozitat në formularin për deklarimin e pasurinë në AKK.

“E kom dhanë betimin, jam konsultu me Odën e Avokatëve, i kam informuar që unë do ta hap avokaturën për shkak se nuk po me lejohet në ministri me punu dhe krejt procedura ka shku në rregull”, tha ajo.

Hoxha shtoi se e ka deklaruar që është avokate edhe në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK.

“Më kanë thanë me zgjedh dhe mu deklaru se cilën punë dua me punu po unë nuk jam deklaruar ende”, tha ajo.

Gazeta JNK, kontaktoi Odën e Avokatëve të Kosovës, për t’i pyetur nëse përbën shkelje të kodit të etikës profesionale të avokatëve fakti që Nadire Hoxha ushtron këto dy funksione njëkohësisht.

“Nuk kemi iniciuar asnjë procedurë ndaj rastit në fjalë për shkak se nuk kemi pranuar ndonjë informacion të tillë”, tha Flamur Ramadani, zyrtar për informim në Odën e Avokatëve.

Ramadani tha se para një viti kanë pranuar një rast të ngjashëm dhe se Këshilli Drejtues i Odës nuk kishte gjetur se veprimi i tillë bie ndesh me Ligjin për Avokatinë dhe Kodin e Etikës Profesionale të Avokatëve.

AKK-ja kërkon shkarkimin

AKK-ja ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) fillimin e procedurës për shkarkimin e saj.

AKK_manual

Por ministria nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjes së gJNk për procedurat mbi këtë rast.

Hoxha tha se nëse do ta dinte qysh në fillim se nuk lejohej të mbante këto dy pozita, nuk do të ishte tërhiqur nga pozita që e ka pasur në Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo shpjegoi se me 100 euro në muaj nga pagesa si këshilltare komunale e ka të pamundur të jetojë.

“Pas dy viteve me m’lajmëru shumë e parregullt m’u ka dukur. Po ata janë institucion më i lartë”, tha Hoxha.

Në deklarimin e pasurisë së Hoxhës në AKK për vitin 2015, të ardhurat vjetore nga Kuvendi Komunal janë 3300 euro.

Gjithashtu, në formularin e Hoxhës për deklarimin e pasurisë, shihet edhe një shumë tjetër prej 7000 euro.

Burimi i kësaj shume në formularin e Hoxhës lidhur me llojin e të hyrave është përshkruar “nga klientët”, pa përcaktuar se për çfarë klientësh bëhet fjalë.

Ndërsa në burimin e të ardhurave është përshkruar “Biznes privat”, por as në këtë rast nuk ka të dhëna më të detajuara lidhur me llojin e biznesit privat apo me veprimtarinë e këtij biznesi.

Por, Hoxha tha se këto të ardhura janë nga puna si avokate.