Armët e Malit të Zi ‘Shënjestrojnë’ Tregun e Arabisë Saudite

Ushtria e armatosur mirë e Arabisë Saudite papritur ka dalë të jetë blerës i rezervave të mëdha të armëve dhe municionit tepricë të Malit të Zi. Marrëveshjet ishin aranzhuar nëpërmjet një tregtari të fuqishëm malazez të armëve, tashmë i ngatërruar në kundërthënie rreth privatizimit të diskutueshëm dhe dyshimeve për shkelje të sanksioneve ndaj Libisë.

Që nga gushti i vitit 2015, Industria Malazeze e Mbrojtjes (IMD) ka eksportuar 250 tonë të municionit si dhe 10.000 sisteme anti- tank për Arabinë Saudite, e cila nuk ka një historik të blerjes apo përdorimit të armëve të dorës së dytë të Evropës Lindore apo pajisjeve me stil sovjetik.

Armët e eksportuara përkojnë me armët dhe municionin e blerë nga MDI në vitin 2015 nga rezervat që thuhej se ishin “të skaduara dhe të papërdorshme më tej” për ushtrinë e vogël malazeze.

Me një vlerë prej 2,7 milionë euro të armëve dhe municionit të eksportuar në Arabinë Saudite që nga viti 2015, Mal i Zi është vendi i fundit që i është bashkangjitur ‘gypit’ € 1.2 miliard eurosh të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore që furnizon me armë vendet që ndihmojnë opozitën në Siri.

Arabia Saudite udhëheq me 829 milionë euro në eksport të licencave nga tetë vende ku përfshihet edhe Mali i Zi. Blerës të tjerë që nga eskalimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në vitin 2012 përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqinë dhe Jordaninë.

Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi
Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi

Por ekspertët e armëve besojnë që pajisje të tilla që shiten nga IMD-ja nuk janë të destinuara për Arabinë Saudite por atyre me gjasë u ndërrohet destinimi për në Siri dhe, në një shkallë më të vogël, në Libi apo Jemen.

Pieter Wezeman nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime të Paqes, SIPRI, një organizatë kryesore jo-qeveritare që përcjellë eksportin e armëve, tha: “Kur sauditët blejnë, në veçanti municion të vjetër nga Evropa Qendrore, unë do të thosha që ai municion nuk është për forcat e tyre”.

Zoran Damjanoviq, drejtor i IMD-së, i ka thënë BIRN-it dhe OCCRP-së që firma e tij i ka dokumentet e nevojshme të rregullta për të eksportuar në Arabinë Saudite. Kur u pyet nëse brengosej që armët mund të devijoheshin për në Siri ai tha se “nuk është problem i imi se çfarë ndodh më vonë”.

Vendet të cilat eksportojnë armë do të duhej që të verifikojnë që pajisjet e tyre nuk përfundojnë në duart e terroristëve apo të të tjerëve që mund të shkelin të drejtat e njeriut, por shumica e vendeve të përfshira në këtë tregti kanë bërë pak përpjekje për të bërë verifikime të tilla. Disa ekspertë i quajnë dërgesat ilegale për shkak të devijimeve të dokumentuara mirë në këtë linjë të furnizimit.

Zbrazja e rezervave

Kompania që është formalisht në pronësi shtetërore, MDI, është eksportuesja më e madhe e armëve në vend dhe është kryesisht e përfshirë në shitjen e rezervave ushtarake të Malit të Zi te blerësit e huaj.

Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi
Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi

Baza e të dhënave të OKB-së për tregti zbulon që ndërmjet gushtit të vitit 2015 dhe majit 2016, Arabia Saudite ka pranuar 32 tonë armë anti- tank dhe 250 tonë municione nga Mali i Zi, përfshirë predha të mortajave dhe armë kundër ajrore.

Dërgesa e IMD-së ka përfshirë 10.000 raketa anti-tank Zola të kohës jugosllave, 56 mortaja dhe afër 500.000 predha të mortajave dhe municion tjetër.

Një sasi identike me këtë ishte blerë nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi në ankandin vjetor të rezervave të Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi. Nga 4,5 milionë euro që ishte vlera e pajisjeve të vendosura në ankand në vitin 2015, IMD i kishte blerë 3,2 milionë euro.

Kur BIRN dhe OCCRP kishte pyetur se çfarë kontrollesh ishin bërë për të verifikuar që armët e eksportuara në Arabinë Saudite nuk kishin shkuar në konfliktet në Siri apo Jemen, Ministria e Ekonomisë, e cila jep licensat për eksporte të armëve, tha se Ministria e Punëve të Jashtme kontrollon vlefshmërinë e certifikatave të përdoruesit të fundit “bazuar në lidhjet diplomatike dhe konsullore në dispozicion”. Eksportet po ashtu aprovohen edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përgjigja thoshte që licensat e eksportit aprovohen ose refuzohen bazuar në verifkim dhe hulumtim paraprak. Por kur janë pyetur, ata nuk kanë ofruar detaje për ndonjërin nga vlerësimet e bëra për eksporte në vitin 2015.

Damjanovic, drejtor i MDI, i ka thënë BIRN-it dhe OCCRP-së se vendet perëndimore, e kryesisht ato anëtare të NATO-s dhe BE-së, kanë eksportuar armë në vlerë prej miliardave në Arabinë Saudite gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai tha që eksportet e Malit të Zi, janë një “gabim statistikor krahasuar” me to.

Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi
Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi

Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi po ashtu konfirmoi që Nikolas, një tregtar tjetër i armëve me seli në qytetin bregdetar të Herceg Novit, kishte marrë një licensë për të eksportuar 2,200 predha të mortajave në Arabinë Saudite.

Nikolas nuk është përgjigjur në kërkesat për të komentuar rreth kësaj çështjeje.

Privatizimi i kontestuar

IMD-ja ishte blerë në shkurt të vitit 2015 nga një konsorcium i dy kompanive kontroverse –ATL Atlantic Technology nga Izraeli dhe CPR Impex nga Serbia.

ATL Atlantic Technology është e lidhur me Serge Muller, një biznesmen belgo-izrealit me një histori të tregtisë me armë dhe diamantë në Liberi.

Muller ishte arrestuar vetëm pak orë pas përfundimit të ceremonisë së privatizimit të IMD-së në mars të vitit 2015 në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, pasi një Njoftim i Kuq ishte lëshuar ndaj tij nga Interpoli belg. Që nga atëherë ai është ekstraduar në Antëerpen nën akuzat për trafikim droge dhe pastrim parash. Ai i mohon akuzat.

Ky privatizim nxiti OJQ-në me seli në Podgoricë, MANS, ta bëjë një kallëzim penal në maj të vitit 2015 duke kërkuar një hetim në dyshimet për shkelje të ligjeve dhe procedurave.

Ndërsa CPR Impex, një nga agjentët më të rëndësishëm tregtar të armëve, ka qenë një lojtar kryesor në shitjet tek Arabia Saudite. Ajo është në pronësi të biznesmenit serb Petar Crnogorac.

Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi
Foto: Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi

Crnogorac ishte arrestuar në korrik të vitit 2014 nga policia serbe nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një numër tenderësh të ushtrisë për pajisje të tepërta ushtarake në të cilat kompania e tij kishte marrë pjesë ndërmjet viteve 2011 dhe 2013. Ai ishte akuzuar për marrje të informacionit të brendshme për ofertuesit konkurrues.

Akuzat janë tërhequr por që nga atëherë ai ka qenë nën hetim nga OKB për dyshime të shkeljes së sanksioneve të armëve duke bërë tregti me Libinë.

Në prill të vitit të kaluar, paneli i OKB-së për sanksione ndaj Libisë kishte filluar hetim për të parë nëse Tehnoremont, një degë e CPR Impex, i kishte shitur armë luftëtarëve islamikë në Libi përmes IMD-së. Marrëveshja ishte bërë në dhjetor të vitit 2014 përderisa kompania akoma ishte nën menaxhimin e qeverisë malazeze. Crnogorac i ka thënë BIRN-it që përderisa ishin mbajtur takimet për eksport në Libi, asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar dhe si rezultat nuk ka pasur arsye për të kërkuar leje nga OKB-ja

Në mars të vitit 2016, paneli i OKB-së kishte raportuar që qeveritë e Malit të Zi dhe Serbisë nuk kishin pranuar asnjë kërkesë për eksport në Libi dhe duket që ka mbyllur rastin.

Crnogorac ka refuzuar të komentojë rreth eksporteve të fundit të MDI-së nga Mali i Zi për në Arabinë Saudite, megjithëse BIRN dhe OCCRP kanë mësuar që kompania e tij në Beograd, CPR Impex, është e përfshirë në disa marrëveshje që përfshijnë shitjen e armëve të prodhuara në Serbi në Arabinë Saudite.

 Mali i Zi: Rregulla më strikte

Në qershor të këtij viti, Mali i Zi, vend kandidat për anëtarësim në BE, ka miratuar një  ligj të ri për të shtrënguar kufizimet rreth tregtisë me armë pas kërkesave të Brukselit. Si rrjedhojë, certifikata e dorëzimit –dokumente që duhet të dëshmojnë se pajisjet kanë arritur deri te përdoruesi i fundit – do të jetë subjekt i kontrolleve të obliguara.

Qeveria ka thënë se ky ligj ka kaluar në mënyrë që parandalohet shkuarja e armëve në zonat e konflikteve nëpër botë.

Duket se legjislacioni i ri së shpejti do të testohet nga uria e Arabisë Saudite për armë të lira nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore.

“Të destinuara për Siri, Jemen dhe Libi”

Jeremy Binnie, ekspert mbi armët dhe redaktor për Lindje të Mesme dhe Afrikë në magazinën Jane’s Defence Ëeekly, ka thënë që armët e tipit që shiten nga MDI ka gjasë të devijojnë për në Siri dhe në masë më të vogël edhe në Jemen e Libi.

“Me disa përjashtime, ushtritë e Arabisë Saudite, Jordanisë dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe e Turqisë përdorin armë dhe municion të këmbësorive perëndimore, në vend të atyre me dizajne sovjetike,” ka thënë Binnie. “Si rrjedhojë, duket që ngarkesa të mëdha të materialeve të blera nga to apo të dërguara në ato vende – janë të destinuara për aleatët e tyre në Siri, Jemen dhe në Libi.”