Anëtarja e PSD-së së Shpend Ahmetit mundë kandidaten me dy mastera

Komuna e Prishtinës me 12 korrik të këtij viti kishte shpallur konkurs, ndër të tjera, edhe për mësimdhënës të gjuhës angleze. Konkursi ishte i vlefshëm për një vend të lirë dhe një zëvendësim.


Njoftimi përfundimtar për këtë konkurs është publikuar me 30 gusht dhe fituese e konkursit ishte shpallur Elona Xhiha, me 77 pikë.

Xhiha është anëtare e Partisë Social Demokrate të Shpend Ahmetit.

E kontaktuar nga KALLXO.com, ajo e ka pranuar se është anëtare e PSD-së, ndonëse ka thënë se ende jo ‘zyrtarisht’.

“Po jom anëtare, por jo zyrtarisht”, është përgjigjur shkurtimisht Xhiha.

Lisjan Perolli punon si ‘Social Media Manager’ apo menaxhues i rrjeteve sociale në PSD. Ai është i dashuri i kandidatës fituese të konkursit, Elona Xhihës.

 

Kur kjo e fundit është pyetur se a ka ndikuar i dashuri i saj dhe partia në konkursin e fituar, ajo e ka mohuar këtë gjë, duke thënë se ka përgaditje profesionale dhe përvojë pune.

“Jo partia nuk ka ndiku aspak. Unë kam kualifikim master dhe pesë vite përvojë pune në Komunën e Gjakovës”, është shprehur Xhiha.

Në anën tjetër, zëdhënsja e PSD-së, Natyra Kuçi në përgjigjen e saj për KALLXO.com, e ka mohuar se Lisjan Perolli punon si Social Media Manager, duke thënë se bën punë vullnetare tek tekstet, kohë pas kohe.

Gresa Bujupaj, në konkursin e Komunës së Prishtinës për mësimdhënëse të gjuhës angleze, ishte zgjedhur fituese në pozitën e zëvendësueses. Ndonëse ajo nuk kishte aplikuar për këtë pozitë, por për pozitën mësuese e rregullt.

Ajo thotë se dyshon që kandidatja fituese ka lidhje politike.

Dyshoj që kandidatja ka lidhje me parti, me PSD-në, për faktin se ajo vazhdimisht bën postime në Facebook, që tregojnë që e përkrah atë parti, po ashtu i dashuri i saj Lisjan Perolli është Social Media Manager në PSD, ndoshta është pak personale që po i përmendi këto fakte, mirëpo këto janë diçka që mund të vërtetohen në rrjetet sociale”, ka thënë Bujupaj në një intervistë për KALLXO.com

Bujupaj ka të përfunduara studimet bachelor në Fakultetin e Filologjisë në UP, gjithashtu i ka të përfunduar dy mastera të gjuhës angleze, njërin në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tjetrin në Universitetin e Sheffieldit në Selanik të Greqisë. Ajo gjithashtu është duke kryer studimet e doktoraturës në UP, në vitin e dytë.

Bujupaj ka treguar se ka punuar një vjet, pikërisht në pozitën që Komuna e Prishtinës ka shpallur konkursin, si zëvendësuese në gjimnazin ‘Eqrem Çabej’ në kryeqytet.

 “Me të kthyer në Kosovë, vitin e kaluar gjatë kohës kur kam punuar temën e masterit për programin që po ndiqja në Selanik, kam aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Prishtinë, konkurs i shpallur në korrik 2018, kam apliku edhe si zëvendësim edhe si mësuese e rregullt për gjuhë angleze, për shkak se ishte hera e parë që aplikova edhe thash po aplikoj si zëvendëse. Jam pranuar zëvendësim në gjimnazin ‘Eqrem Çabej’ këtu në Prishtinë. Kam punuar një vit si zëvendësim për profesoreshën Ina Babaj, e cila ka shkuar në Norvegji dhe nuk është kthyer më”, është shprehur ajo.

Bujupaj ka thënë se edhe nxënësit, për të cilët ka qenë kujdestare e klasës për një vjet, kanë kërkuar që ajo të vazhdojë të iu jep mësim atyre. Madje ata kanë nisur edhe një peticion.

 “Të hulumtohet pak më në detaje ky rast, të merren parsysh kualifikimet e mia edhe kërkesat e nxënësve, sepse nxënësit më shkruajnë vazhdimisht, ata janë duke u munduar të bëjnë një peticion, të marrin disa nënshkrime, kanë thënë se nëse është nevoja dalin edhe protestojnë”, ka thënë Bujupaj.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në listën e kandidatëve që kan hy në testin me shkrim dhe atë me gojë dhe kush kanë qenë anëtarët e Komisionit vlerësues të konkursit. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. Gjithashtu, në pyetjet se a ka pasur ndikim partia e Shpend Ahmetit në përzgjedhjen e Elona Xhihës, si fituese e konkursit, ata nuk kanë kthyer fare përgjigje.