Anëtari nën hetime i Nismës Socialdemokrate punësohet në MTI

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Islam Vrenezi, është punësuar si inxhinier i ndërtimtarisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Vrenezi, i cili ka qenë drejtor në Komunën e cila udhëhiqet nga Nisma, është punësuar në Ministrinë e cila udhëhiqet nga Vesel Krasniqi, i cili po ashtu vjen nga Nisma.

Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes një konkursi për shërbime të veçanta dhe ka filluar punën në muajin janar në një kohëzgjatje prej 6 muajve. Tashmë inxhinieri i ndërtimtarisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Islam Vrenezi, ka qenë kandidati i vetëm i cili i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë nga dy kandidatë sa kanë aplikuar gjithsej.

Islam Vrenezi, i cili deri në mesin e vitit 2020 ka mbajtur pozitën e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës, ka qenë edhe kandidat për asamblist në Kuvendin e Malishevë snga radhët e Nismës Socialdemokrate në vitin 2017.

“Nuk jam punësu me rregull por veç si konsulent për 6 muaj kanë kërku, kam apliku, nuk ka pasur tjetër kandidat. E kam pa këtë konkurs edhe kam apliku, ku të shoh edhe konkurse tjera kam me apliku. Nuk jam aktiv. Kandidat i Nismës për Asamble në vitin 2017”, deklaroi Vrenezi.

Sipas kontratës së nënshkruar më 30 dhjetor 2020, Vrenezi do të paguhet me 2,670 euro për 6 muaj sa do të jetë i punësuar në këtë ministri apo 445 euro në muaj.

Certifikata e dyshimtë

KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumente publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në dokumentet me të cilat Islam Vrenezi ka aplikuar për t’u punësuar si inxhinier i ndërtimtarisë.

Në dokumentet të cilat i ka dorëzuar Vrenezi bën pjesë edhe certifikata nga evidenca e personave kundër të cilëve është duke u zhvilluar procedura penale dhe personave të dënuar.

Kjo certifikatë është lëshuar më 23 dhjetor 2020 nga Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë. Në certifikatë  thuhet se ndaj Islam Vrenezit “nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë penale” dhe “nuk është i dënuar”.

Por të dhënat të cilat i përmban ky dokument nuk janë të sakta. KALLXO.com ka hulumtuar dhe ka gjetur se ndaj Islam Vrenezit është duke u zhvilluar procedurë penale.

Duke u bazuar në të dhënat e gjetura, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Gjykata Themelore e Gjakovës. Gjykata ka konfirmuar se ndaj Islam Vrenezit është ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2019 për falsifikim të dokumentit zyrtar derisa ai ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Malishevës.

“Ju konfirmoj se në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në Departamentin për Krime të Rënda  është duke u zhvilluar procedurë penale ndaj të akuzuarit I. V. për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Aktakuza ndaj personit në fjalë është ngritur me 17 dhjetor 2019 ndërsa konfirmimi i saj është bërë me 28 prill 2020. Së shpejti pritet të nisë shqyrtimi kryesor”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Gjakovës.

Përgjigjja e Gjykatës së Gjakovës kishte përmbajtje të ndryshme nga ajo që ishte shkruar në certifikatën nga evidenca e personave kundër të cilëve është duke u zhvilluar procedura penale dhe personave të dënuar të cilën e kishte nxjerrë Islam Vrenezi në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë.

Derisa në certifikatën e lëshuar me 23 dhjetor 2020 thuhet se ndaj Islam Vrenezit nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë penale edhe pse ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë penale siç është konfirmuar edhe nga Gjykata e Gjakovës.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Gjykata e Gjakovës se si është e mundur që për personin e njëjtë, në këtë rast Islam Vrenezin, të lëshohen të dhëna të ndryshme.

“E”-ja që u bë “A” në bazën e të dhënave të Gjykatës

Në sqarimin e Gjakatës së Gjakovës thuhet se në dy dokumente, në “Aktvendimin për fillim të hetimeve” dhe në “Aktakuzë”, Islam Vrenezi gabimisht i ka të shënuara të dhënat personale dhe atë shkronjën e tretë të mbiemrit dhe numrin personal. Si rezultat me këto të dhëna gabimisht është regjistruar edhe në bazën e të dhënave, programin SMIL.

“Në bazën e të dhënave tona, i pandehuri I. V. figuron me mbiemër Vranezi ndonëse në letërnjoftim mbiemrin e ka Vrenezi, po ashtu sipas dokumenteve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri mbanë numrin personal 0000000198 ndërsa, në letërnjoftim mban numrin personal 0000000365. Me datë 23 dhjetor 2020, në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega Malishevë, i pandehuri I.V. ka parashtruar kërkesë për certifikatë nga evidenca penale me numër personal 0000000365, ashtu siç e ka edhe në letërnjoftim. Si rezultat i mospërputhjes së të dhënave personale, i njëjti nuk është identifikuar nga sistemi si personi që është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale ndaj tij”, theksohet në përgjigjen e Gjykatës së Gjakovës.

E para, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Islam Vrenezi, e ka të ndryshuar shkronjën e tretë të mbiemrit, nga “e” në “a”, apo nga Vrenezi në Vranezi. Dhe e dyta, ai nuk e ka të shkruar numrin e tij personal por numrin personal të Januz Krasniqit, njërit prej prsonave të akuzuarve në rastin e njëjtë me Vrenezin.

Ky gabim ka bërë që Islam Vrenezi të pajiset me certifikatë në të cilën thuhet se ai nuk është nën hetime dhe nuk është i dënuar. Kjo edhe përkundër faktit se ai është në procedurë penale që nga viti 2019 për falsifikim të dokumentit zyrtar.

“Po me të thonë të drejtën [jam befasu], unë e kam çu një shok me ma marrë se nuk kam mujtë me ardhë prej Prishtinës. Nuk po e di tash, pse ose qysh ama qashtu e kam pa dokumentin. Jo, ende nuk kam kërku sqarime edhe pse po e kam plan me shku deri në Gjykatë me kërku sqarime”, ka deklaruar Islam Vrenezi.

Gjykata e Gjakovës lëshon vendim për ndryshim të të dhënave

Menjëherë pas pranimit të informatës nga KALLXO.com në lidhje me mospërputhjen e të dhënave të Gjykatës për të pandehurin Islam Vrenezi, më 4 shkurt 2021, udhëheqësi i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve, Hektor Vula, i ka njoftuar zyrat përgjegjëse brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sipas Gjykatës, ndihmës-administratori i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Dega e Malishevës ka rënë në lajthim pa fajin e tij lidhur me të dhënat personale të Islam Vrenezit meqenëse ka shumë të dhëna të ndryshme për të njëjtin person.

“Të gjitha këto që u theksuan më lartë na obliguan që të ju drejtohemi me këtë njoftim që në kuadër të kompetencave tuaja ligjore, të kontaktoni personat përgjegjës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të sqarohen dhe rregullohen këto probleme (duke përfshirë edhe rastin e lartpërmendur) me arsyen që të mos kemi pasoja ligjore për lëshimet e institucioneve të tjera”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Gjakovës për ndryshim të të dhënave për Islam Vrenezin në sistemin e Gjykatës.

KALLXO.com ka kërkuar intervistë me zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me rastin e Vrenezit por ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës. Përmes një përgjigje me email ata kanë thënë se ata nuk kanë qenë në dijeni se Islam Vrenezi është në procedurë gjyqësore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në bazë të dokumenteve të dorëzuara në MTI, nga kandidati në fjalë, ai ka plotësuar kriteret e kërkuara. Duke iu referuar edhe informatës suaj “se i njëjti është në procedurë gjyqësore për keqpërdorim të pozitës zyrtare si drejtor i Urbanizmit në Komunën e Malishevës”, ju njoftojmë se MTI nuk është në dijeni për një gjë të tillë, përkundrazi eksperti në fjalë ka dorëzuar Vërtetimin nga Gjykata Themelore se personi në fjalë nuk është nën hetime dhe nuk është i dënuar”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Por Vrenezi ka thënë që Ministria është njoftuar se ai është në procedurë penale.

“Po, unë e kam njoftu ministrinë por ministria më ka thonë nëse je i dënuar se nëse je nën hetime nuk paraqet diçka të kundërligjshme dmth nëse je i dënuar nuk mundemi me të pranu”, ka deklaruar Vrenezi.

Ministria ku është punësuar Islam Vrenezi, ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës ka thënë se në bazë të ligjit nuk lejohet të punësohen vetëm personat të cilët shpallen fajtorë me vendim të prerë të Gjykatës.

“Dokumenti/Vërtetimi i Gjykatës Themelore, që e ka sjellë kandidati vërteton se personi në fjalë nuk është nën hetime dhe nuk është i dënuar. Ndërsa, sipas Ligjit për Prokurim Publik, neni 65, paragrafi 4, thuhet se: “Operatori ekonomik (kandidati) nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik është shpallur fajtor me Vendim nga ndonjë gjykatë kompetente”, theksohet në përgjigjen e MTI-së.

Më 17 dhjetor të vitit 2019 është ngritur aktakuzë ndaj Islam Vrenezit dhe gjashtë personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare përkatësisht ai ngarkohet me veprën “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Islam Vranezi, më 9 nëntor 2018 në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe e akuzuara Valdete Morina, në cilësinë e menaxheres së projektit të kanalizimit në fshatin Ballincë dhe Lagjen Veselaj, dyshohet se kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës.

Ata kishin rekomanduar që firmës kontraktuese t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Në fillim të gjykimit, tash ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Islam Vrenezi ishte deklaruar i pafajshëm.

Rreth 4 muaj që nga ngritja e aktakuzës, më 28 prill të vitit 2020, Gjykata e ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarës Valdete Morina, si shkak i provave të pamjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se e akuzuara ka kryer veprën penale.