Anëtari i Kryesisë së PDK-së punësohet në Agjencinë e Statistikave

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së në Prishtinë, Vivanit Fejza, është punësuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila udhëhiqet nga ish-anëtari i PDK-së, Isa Krasniqi.

Fejza në këtë Agjenci është punësuar si zyrtar për statistika të shërbimeve dhe financave më 3 korrik të këtij viti.

I kontaktuar nga KALLXO.com, ai tha se partia e tij nuk ka pasur ndikim që të emërohet në këtë pozitë.

“Besom që jo nuk ka ndiku partia. Unë kam kandiduar, tash unë normal jam pjesë e partisë si çdo njeri që ka të drejtë me qenë pjesë e ndonjë partie politike”, tha Fejza.

Kryetari i Rinisë Demokratike në Prishtinë po ashtu u shpreh i bindur se ka qenë kandidati më i duhur.

“Unë notën mesatare e kam afër 10, edhe master e kam përfunduar në UP. Kam hi në test kam dal mirë, janë të gjitha faktet ka qenë edhe testi me shkrim edhe më gojë dhe i kam notat e mira dhe jam pranuar”, tha Fejza.

Ndërsa, drejtori Gjeneral i ASK-së, Isa Krasniqi i cili ka qenë pjesë e PDK-së e ka mohuar të ketë favorizuar Fejzën për punësim.

“Unë as që kam idenë dhe as njohurinë se në cilën parti ka qenë apo është personi në fjalë”, tha Krasniqi për KALLXO.com duket shtuar se ka 10 vjet që është larguar nga PDK-ja.

Në bazë të komisionit vlerësues, anëtari i kryesisë së PDK-së ishte vlerësuar me përqindjen më të lartë se sa gjashtë kandidatët e tjerë, me mbi 85 përqind.

Në anën tjetër ASK ka deklaruar për KALLXO.com se nuk kanë pranuar asnjë ankesë në lidhje me këtë pozitë.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka marrë asnjë ankesë për procedurat e rekrutimit të stafit të ri”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vivanit Fejza ishte bërë kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës vitin që e lamë pas, ndërsa si anëtar i Kryesisë së PDK-së në Prishtinë është zgjedhur këtë vit.

‘Ndarja e kulaçit’, problemet në proceset e rekrutimit

.