Amnistia e krimeve ndaj resurseve shtetërore të qymyrit

Ndjekja e krimeve në ambient është problematikë tjetër e cila vazhdon të mos ketë vëmendjen e duhur. Në gjykatat e Kosovës vazhdojnë të mbesin të patrajtuara qindra lëndë të cilat janë hapur për krimet në ambient ndërsa edhe lëndët që trajtohen marrin dënime minimale karshi dëmeve që i shkaktojnë.

Nga 35 raste që janë dorëzuar kallëzimet penale nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në Gjykatat Themelore vetëm 5 janë shpallur fajtorë për nxjerrje ilegale të qymyrit.

Sipas të dhënave që ka identifikuar KALLXO.com, në shtatë raste të tjera ose kanë pushuar hetimet për personat ose janë hedhur poshtë aktakuzat.

Në njërin rast, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte gjetur fajtor Sh. A. nga komuna e Vushtrrisë për nxjerrjen e afërsisht 3 tonëve qymyr. Të njëjtin, kjo gjykatë e kishte dënuar me kusht për dy vepra penale “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” dhe veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas aktgjykimit që ka siguruar KALLXO.com, Sh. A. i kishte shkaktuar dëme buxhetit mbi 26 mijë euro.

Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO
Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO
Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO
Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO
Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO

Në rastin tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar O. Th. nga komuna e Obiliqit me 3 muaj burgim e që më pas, i njëjti dënim ishte zëvendësuar me 600 euro.Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, nga inspektimet e bëra në këto zona ku zhvillohet aktivitetet e nxjerrjes ilegale të qymyrit, ka arritur të identifikojë 36 operime ilegale të cilat i ka shoqëruar me gjobë.

“Edhe rastet e identifikuara për nxjerrje ilegale të qymyrit janë proceduar në përputhje me nenin 79-të të  Ligjit për Miniera dhe Minerale Nr.03/L-163, pas përgatitjes së raporteve të terrenit nga Inspektoret e KPMM-së, që do të thotë iu janë shqiptuar gjobat administrative dhe është dërguar edhe kallëzimi penal në prokurorit kompetente”, thuhet në përgjigjen e KPMM për KALLXO.com.

KALLXO.com ka intervistuar edhe zëvendësministren e Ministrisë së Mjedisit, Linda Çavdarbasha në lidhje me dënimet që Gjykatat kanë shqiptuar për këta persona.

E njëjta ka thënë se dënimet që i shqiptojnë gjykatat nuk e zëvendësojnë dëmin që shkaktohet në mjedis.

Sipas saj, problematikë është edhe mostrajtimi i lëndëve që kanë të bëjnë me degradimet mjedisore.

Lëndët të cilat kanë të bëjnë me degradimet mjedisore mbesin me vite të tëra nëpër gjykata, përderisa shkelësit e ligjit sillen të lirë duke vazhduar të kontribuojnë dhe më tutje në degradim mjedisor e në kryerje të veprave ilegale. Ka raste kur gjykata merr vendim dhe shqiptohen dënime, mirëpo fatkeqësisht këto dënime janë minimale dhe nuk e zëvendësojnë dëmin e madh të shkaktuar në mjedis”, thotë për KALLXO Çavdarbasha.

Tutje ajo thotë se për t’u trajtuar problematika duhet të ketë një bashkëpunim në mes të institucioneve, në këtë rast MMPHI dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë si dhe me policinë e Kosovës.

Në bazë të Ligjit për Miniera dhe Minerale, nëse një person shkel dispozitat materiale të LMM-së, atëherë, KPMM-ja i shqipton një gjobë administrative deri në shumën 10,000 euro.

“Pas matjeve gjeodezike që kryhen nga stafi profesional i KPMM-së, i shqiptojnë edhe një gjobë që është e barabartë me trefishin e shumës së rentave minerare, në bazë të matjeve për mineralet e shfrytëzuara në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në vazhdim të përgjigjes së KPMM-së për KALLXO.

Në Kosovë, kompetencën ekskluzive për nxjerrje të qymyrit dhe përdorimin të tij e ka vetëm KEK-u, si dhe Kosova Thëngjilli si Shoqëri aksionare (e cila funksionon në kuadër të KEK-ut) dhe e cila e bën përpunimin dhe shitjen e tij si produkt i përpunuar.

Pra, asnjë person tjetër fizik apo juridik nuk mund të zhvillojë aktivitete të nxjerrjes së qymyrit përpos KEK-ut.

Nga inspektimet që ka bërë KPMM-ja, ka identifikuar nxjerrje ilegale të qymyrit në fshatrat Zhilivod, Bivolak, Strovc të komunës së Vushtrrisë, në fshatin Polac të Skenderajt dhe në fshatin Sibovc të komunës së Obiliqit.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021 nuk ka pasur asnjë arrestim për kryerjen e këtyre aktiviteteve.

Strategjinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit 2013- 2022 thuhet se burimi kryesor i energjisë është qymyri, por problemi i nxjerrjes ilegale të qymyrit nuk adresohet askund në strategji.

Për më tepër, problemi i nxjerrjes ilegale të qymyrit nuk listohet as në problemet kryesore mjedisore të Kosovës të cilat janë identifikuar në këtë strategji.

Kjo strategji thotë se problemet kryesore mjedisore që ndikojnë në sipërfaqen e tokës janë të lidhura kryesisht me humbjen e përkohshme dhe të përhershme të tokës, të shkaktuara nga ndërtimet ilegale, ndikimi i minierave (guroret), ndërtimi i rrugëve, erozioni, sipërfaqet e minuara, deponitë komunale sanitare dhe mbeturinat industriale.

Sipas Raportit të Progresit 2021, Kosova duhet urgjentisht të përgatisë strategjinë mjedisore për periudhën pas vitit 2021.

A është qymyri burimi kryesor i energjisë në Kosovë?

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obiliqit. Gjithashtu edhe shumë familje në Kosovë përdorin qymyrin për ngrohje.

Alternativa kryesore për zëvendësimin e qymyrit është vënia në përdorim e energjisë së pastër natyrore: energjia e erës dhe diellit (solare).

Projektet e energjisë së ripërtërishme ujore së fundmi janë përcjellë me kundërshti të shumta për shkak se janë planifikuar në Zona të mbrojtura.

Në grykën e Deçanit, në Biti të Shtërpcës dhe në Grykën e Rugovës, OJQ-të dhe banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve me pretendimet se ndërtimet kanë marrë ujin e pijes dhe dëmtojnë natyrën.

Prodhimi i energjisë bëhet nga hidrocentralet si dhe nga parqet e erës. Prodhuesit e energjisë diellore në Kosovë kryesisht janë konsumatorë individual.

Së fundmi, në Kosovë, tregut të energjisë i është shtuar edhe një gjenerator për prodhimin e energjisë elektrike nga turbinat e erës. Gjeneratori ka marrë licencë 40 vjeçare për prodhimin e 34.47 MgW, ndërsa është paralajmëruar se deri në fund të vitit edhe një gjenerator tjetër i energjisë së erës t’i shtohet tregut energjetik.

Por, përkundër investimeve në burime alternative të energjisë së ripërtërishme, rreth 95 për qind energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet solare.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), me rreth 0.06 centë për kilovat, kosovarët paguajnë më së paku në rajon për energjinë e shpenzuar.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që mos të ketë shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2021. Tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).

Në programin qeverisës, qeveria zotohet se do të kujdeset për krijimin e kushteve të favorshme “për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji, për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke e pasur parasysh edhe ndikimin në mjedis”.

Sipas qeverisë, për të arritur këtë qëndrueshmëri, rol kryesor luan rritja e efiçiencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike.

Në vitin 2018, Komuna e Prishtinës ka nxjerrë vendim për ndalimin e shitjes së thëngjillit brenda tërë territorit të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu në vitin 2018 Qeveria ka nxjerrë një vendim me të cilin ndalon çfarëdo mase për dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes së KEK-ut.

Po në këtë vit, edhe Ministria e Arsimit ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në Institucionet Edukativo Arsimore dhe Aftësuese.

Që nga viti 2018 nuk është marrë asnjë vendim nga ndonjë komunë tjetër apo ministri për ndalimin e qymyrit.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata linjit dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obliqit.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë 1,110 megavatë.

Termocentrali “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, Contour Global, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë, por, investitori Contour Global përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të vitit 2020, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Sipas marrëveshjes, nëse zvarritjet e kontratës me Contour Global shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë Contour Global, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por Contour Global nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillonte punën në vitin 2023, kurse jetëgjatësia e termocentralit ishte llogaritur të jetë 40 vjet.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë qymyr dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e qymyrit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Liderët e shteteve G20 (19 shtete dhe BE-ja) janë zotuar të ndalojnë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja të thëngjillit deri në fund të këtij viti. Megjithatë, liderët e G20-ës nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e tyre.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.